Kreu Arte pamore Si veprat e preferuara të letërsisë franceze frymëzuan artin dhe identitetin e...

Si veprat e preferuara të letërsisë franceze frymëzuan artin dhe identitetin e Vincent Van Gogh

Steven Naifeh mbi marrëdhënien e piktorit me librat

Vincent Van Gogh adhuronte shkrimtarët po aq sa edhe piktorët.

Përfshirja në letërsi e Van Gogh ndikoi në një farë mase që të krijonte një zë unik dhe elegant, i cili i bën shkrimet e tij një arritje kaq të rëndësishme në letërsi. Kjo përfshirje e ndihmoi gjithashtu të përshkruante me kaq bindje vlerësimin e tij për veprat e artistëve të tjerë dhe qëllimet e tij për artin e vet, duke e bërë jashtëzakonisht të mundshme – ndoshta në mënyrë unike – që ne ta shohim artin përmes syve të një artisti të nivelit të tij.

Trajektorja e dashurisë së Van Gogh-ut për leximin – ashtu si për shumë gjëra të tjera në jetën e tij – filloi në fëmijërinë e hershme. Çdo mbrëmje te famullitari i prindërve në fshatin e vogël të Zundert-it, në jug të Holandës, përfundonte në të njëjtën mënyrë: me një libër. Edhe pse nuk ishte aspak një ushtrim që bëhej në vetmi, leximi me zë e bashkonte familjen dhe e distanconte nga përhapja e analfabetizmit rural që i rrethonte. Prindërit e tij i lexonin njëri-tjetrit dhe fëmijëve të tyre; fëmijët e mëdhenj u lexonin të vegjëlve; dhe më vonë gjatë jetës, fëmijët u lexonin prindërve. Leximi me zë përdorej për të ngushëlluar të sëmurët dhe për të shpërqendruar të merakosurit. Qoftë nën hijen e tendës së kopshtit ose pranë një llambe vaji, leximi ishte (dhe do të mbetej gjithmonë) zëri ngushëllues i unitetit familjar. Shumë kohë pasi fëmijët ishin larguar, ata vazhdonin të shkëmbenin libra dhe rekomandime librash, që dukej sikur një libër nuk quhej i lexuar vërtet nëse nuk e lexonin të gjithë.

Ndërkohë që Bibla konsiderohej gjithmonë “libri më i mirë”, raftet e librave të famullitarit ishin të mbushur përplot me klasikët iluministë: romantikët gjermanë si Friedrich Schiller; Shakespeare (i përkthyer në holandisht); dhe disa vepra franceze nga shkrimtarë si Molière dhe Alexandre Dumas. Të përjashtuar ishin librat që konsideroheshin si të tepruar apo shqetësues, si “Fausti” i Gëtes, si dhe vepra më moderne, sidomos nga autorë francezë si Honoré de Balzac dhe, më vonë, Émile Zola, të cilin mamaja e Van Gogh-ut, Anna, e quajti “produkte të mendjeve të mëdha, por të shpirtrave të papastër”.

Të papranueshme në shtëpi ishin edhe romanet e Victor Hugo-së. Përgjatë pjesës më të madhe të një shekulli konsumizmi dhe kënaqësie borgjeze, Hugo-ja e kishte mbajtur pishtarin e idealizmit – flakën e revolucionit – të ndezur dhe lart. Ai kishte luftuar kundër qeverive të mbrapshta dhe feve të ringjallura, duke inatosur të gjithë që nga Louis Napoleon e deri te familja e Van Gogh-ut me nderimin e tij për mungesën e besimit në zot dhe kriminalitetin. “Hugo është në anën e kriminelëve,” deklaroi njëherë e tmerruar mamaja e Vincent-it. “Ç’do të bëhej me botën nëse gjërat e këqija do të konsideroheshin të mira? Për atë Zot, s’mund të jetë e drejtë”.

Më herët, shija e Van Gogh-ut për letërsinë franceze, sidomos për romanet më revolucionarë, u bë fushëbeteja kryesore në përshkallëzimin e konfliktit mes djalit dhe babait. Kur Vincent-i u dërgoi prindërve të tij një kopje të The Last Day of a Condemned Man të Hugo-së, ndezi atë shkëndijën që ai duhet të kishte synuar. Ai ktheu krah njëqind e tetëdhjetë gradë për të shkaktuar zemërim maksimal dhe rrjedhimisht hodhi poshtë edhe autoritetin e veçantë të Biblës. “Me raste e lexoj edhe unë Biblën”, tha ai, “po ashtu siç lexoj ndonjëherë Michelet, Balzac ose Eliot”.

Ishte një betejë që nuk mbaroi me vdekjen e Dorus van Gogh në 1885 – nga një atak në zemër të cilin motra e Vincent-it, Anna, ia ngarkoi vëllait të madh e të vështirë. Kur babai i tij ndërroi jetë, Vincent-i vendosi t’i dedikonte një pikturë dhe ta përfshinte në një grup me memento mori, ose kujtesa të vdekjes. Duke parë rrotull studios së tij, fillimisht ai zgjodhi natyrshëm një Bibël të madhe që i përkiste babait. Për shkak se kisha mbante Biblën e ambonit dhe e veja e tij mbante Biblën e familjes, ky vëllim i mahnitshëm, me cepa të përforcuar me bakër, dhe dy kapëse bronzi, ishte e vetmja Bibël që u trashëgua kur Dorus van Gogh vdiq. Duke pastruar një vend në rrëmujën e studios së tij, Vincent-i hapi një rrobë mbi tavolinë, vuri Biblën mbi të, dhe hoqi karficat. Ai e afroi aq shumë kavaletin saqë libri i hapur mbushte thuajse të gjithë kornizën e tij të perspektivës.

Në një moment, ai vendosi ta gjallërojë kompozimin me një objekt tjetër. Duke rrëmuar përmes pirgjeve me libra, zgjodhi njërin me kopertinë të butë të verdhë të botimeve franceze Charpentier që ai e adhuronte dhe e vendosi në cep të tavolinës, nën këmbën e Biblës gjigante, një roman francez që shërbente si një provokim final edhe në një kohë zie. Ai e dizajnoi librin si La joie de vivre të Zola-s, dhe me kujdes provokues shkroi titullin, autorin, dhe vendin e botimit – Paris. Me pak furça, ai kapi kopertinën e palosur dhe faqet e përdorura – një sfidë kundrejt Biblës së patëmetë e formale të babait të tij.

Leximi mbeti shtylla kryesore e jetës së vetmuar të Van Gogh-ut. Më pak miq të vërtetë, ai i mbushte me lexime orët kur nuk pikturonte. Ai lexonte si maniak në katër gjuhë – holandisht, gjermanisht, frëngjisht dhe anglisht – shpesh duke lexuar disa herë të njëjtin libër. Lexonte një libër të vetëm nga një autor – Balzac-un për shembull – dhe më pas shkonte te komplet vepra. Më kohë, ai do të merrte përsipër të rilexonte veprat e plota të autorëve të parapëlqyer, me Balzac-un “e madh e të fuqishëm” kryesor mes tyre.

Edhe pse Van Gogh-u kishte një dashuri të veçantë për Hugo, Balzac, Dumas dhe Zola, ai lexonte me kënaqësi të madhe të gjithë romancierët e mëdhenj francezë të kohës së tij: vëllezërit Daudet, Alphonse dhe Ernest; vëllezërit Gouncourt, Edmon dhe Jules; shkrimtarin pelegrin Pierre Loti; dhe sidomos Guy de Maupassant, autorin e një prej romaneve të tij të parapëlqyer, Bel-Ami. Van Gogh mendonte se vende të caktuar prodhonin artistë të mëdhenj të formave specifike të artit: grekët në skulpturë, gjermanët në muzikë dhe francezët në letërsi.

Por shkrimtari francez që pati ndikimin më të madh te Van Gogh-u ishte Zola. “Ky Émile Zola është një artist i lavdishëm,” i shkroi Theo-s në Korrik 1882 teksa përpinte romanet njëri pas tjetrit. “Lexo sa më shumë të mundesh prej tij.” Një nga të preferuarat e tij ishte Le ventre de Paris (Barku i Parisit), celebrimi i Zola-s për triumfin e humanitetit bohemian kundrejt ortodoksisë borgjeze. Gjithmonë i etur të identifikohej me personazhe individualë në librat që lexonte, Van Gogh e imagjinonte veten e tij jo si Claude Lantier, artistin e shqetësuar të librit, por si Madame François, një grua e sjellshme e cila shpëton heroin e dëshpëruar të librit, Florent-in. Ky ishte një imazh shpëtimi i cili jehonte përtej ndryshimeve të klasës apo gjinisë deri në thelbin e marrëdhënies së Van Gogh-ut me prostitutën Sien Hoornik – edhe si i shpëtuari edhe si shpëtuesi. “Çfarë mendon për znj. François, e cila mori Florent-in e shkretë në karrocën e saj dhe e çoi në shtëpi kur ai ishte i shtrirë pa ndjenja në mes të rrugës?” pyeti Theo-n qartazi. “Mendoj se znj. Françoi është vërtet e njerëzishme dhe kam bërë e do të bëj për Sien-ën atë që mendoj se dikush si znj. Françoi do të kishte bërë për Florent-in.”

Van Gogh-u ishte gjithashtu i dashuruar pas Victor Hugo-së, për rrëfimin e fuqishëm, retorikën qiellore dhe vizionin e tij të madh. Dhe me Hugo-n, po ashtu si me Zola-n, ai mbërthehej pas linjave të tregimeve dhe tematikave që i kujtonin jetën e tij dhe e ndihmonin ta përballonte. Më 30 mars, 1883, Van Gogh e kaloi ditëlindjen e tij të tridhjetë vetëm, duke rilexuar rrëfimin e mërgimit të përhumbur të Hugo-së, Les misérables. “Ndonjëherë nuk më besohet se jam vetëm tridhjetë vjeç,” shkroi ai. “Ndihem shumë më i madh kur mendoj se shumica e njerëzve që më njohin më konsiderojnë dështak, dhe se si mund të jetë vërtet ashtu”. Kur iu rikthye Notre Dame de Paris, Van Gogh e caktoi veten si Quasimodo, kurrizo i urryer i Hugosë. Nga thellësitë e vetëneverisë, ai mblodhi veten me britmën e dhimbshme të kurrizos: “Noble lame, vil fourreau / Dans mon âme je suis beau” (Teh fisnik, mill i poshtër / Brenda shpirtit tim unë jam i bukur).

Por nëse Van Gogh-u pa frymëzim personal dhe ngushëllim te romanet që lexonte, ai pa dhe frymëzim artistik në to. Përgjatë izolimit të tij te azili i Saint-Rémy, duke imagjinuar pikturën e një nate me yje, ai ëndërronte për netët me yje në librat e Zola-së, Daudet-it, Lot-it, dhe sidomos Maupassant-it që e mbante anës krevatit. “E dashuroj natën me pasion”, shkroi Maupassant në Bel-Ami. “E dashuroj siç dashurohet atdheu, ose dashnorja, me dashuri të thellë, instinktive, të pamposhtur… Dhe yjet! Yjet aty sipër, yjet e panjohur të hedhur rastësisht në pafundësinë ku përvijojnë ato figura të çuditshme, që e bëjnë njeriun të ëndërrojë kaq shumë, që e bëjnë njeriun të mendojë kaq thellë.”

Zola, në Une page d’amor e përshkruan qiellin e një nate vere si “të pluhurosur me rërën e shndritshme të yjeve thuajse të padukshëm… Pas atyre mijëra yjeve, mijëra të tjerë ishin duke u shfaqur, dhe kështu e gjitha shkonte në një vazhdimësi të thellësisë së pafundme të qiellit. Ishte një lulëzim i vazhdueshëm, një dush i shkëndijave të prishta, botë të panumërta që ndriçonin me zjarrin e qetë të xhevahirëve. Rruga e qumështit po zbardhëllente ndërkohë, duke flakëruar gjerësisht yjet e vet të vegjël, kaq të pafundtë dhe kaq të largët saqë dukeshin si një brezni dritash të braktisura mbi rrathët e qiellit.

Përmes një gërshetimi të lëmuar dhe spontan të preokupimit dhe kalkulimeve artistike, djajve personal dhe pasioneve krijuese, pikturave dhe romaneve të preferuar, Van Gogh kishte arritur një lloj krejtësisht të ri të artit. Letrat e tij janë të mbushura me pasigurinë e një njeriu që e gjen veten qoftë në skajin e një bote të re, qoftë në fundin e një dege të gjatë. Ai nuk do të mund të thërriste Zola-në mjaftueshëm shpesh sa t’i largonte dyshimet e veta. “Zola krijon, por nuk i vendos para një pasqyre gjërat, ai krijon mrekullisht, por krijon, poetizon,” i shkroi Vincenti Tios në 1885. “Prandaj është kaq e bukur.”

Përktheu Enxhi Hudhri

Exit mobile version