Kreu Letërsi Bibliotekë “Shtjellë reje, shtjellë zjarri”, poezi nga Alisa Velaj

“Shtjellë reje, shtjellë zjarri”, poezi nga Alisa Velaj

Çmimi Kombëtar i Letërsisë 2019: Vëllimi poetik më i mirë 2019,
“Shtjellë reje, shtjellë zjarri”, Alisa Velaj
Motivacioni: Libri sjell vlerë në poezinë bashkëkohore shqipe nëpërmjet frymës ekzistenciale, imazheve dhe meditimit që mbartet midis vargjeve të saj.


SHTJELLË REJE, SHTJELLË ZJARRI

Avull
mbi qelqet e prajshme 
të ditëve
avull.
Ajo shtjellë reje
më rrëfen për diellin.
(Diellin e humbur
natën e stuhisë).
Mardhje
ndanë flakëve të shuara,
mardhje.
(Thëngjinjtë e tu
s’ngrohin më as veten).
Ajo shtjellë zjarri
më nxit ta ndjek pas.
Avull fryme, avull
në brendi të mjegullës.
Bari i tharë çative
ende pa u rritur!


Ç’KËRKOJNË KËTO FLAMINGO?
(Kushtuar Fatos Arapit)

Ç’kërkojnë këto flamingo brigjeve të tua, Poet?
Është pasdite shtatori dhe ujërat heshten.
Heshten dhe qiparisat e ishullit tënd.
Madhërishëm heshten si murgj të vetmuar.
Ato po vallëzojnë,
po vallëzojnë,
po vallëzojnë,
me flatra të purpurta,
si hëna mbi qiparisa.
Vallëzojnë të lira si shpirti yt mbi ujëra.
Vallëzojnë, vallëzojnë, vallëzojnë,
pastaj befas heshten dhe ato.
Vallëzojnë e heshten,
heshten e vallëzojnë,
si liria jote e bukur,
pezull mbi shkëmbinjtë tanë të mohimit…

TULIPANË BIEN PREJ AJRIT, TULIPANË

Tulipanë bien prej ajrit, tulipanë,
mbi çatinë e shtëpisë tonë prej druri,
mbi duart e mia zgjatur drejt teje,
tej dritares, tulipanë të bardhë, gjithashtu!
Ai është i bollshëm si mëngjesi im mesdhetar. 
Sheh tulipanët gjithë ëndje dhe përhumbet: 
“Më shumë le të bien e dashur, më shumë;
mes tyre rrimë strukur herë-herë unë dhe ti…”
I dashuri im i çuditshëm.
I dashuri im i uritur për qiej dhe tulipanë…
27.07.2018
Amsterdam, Hollandë


ROSKILDE, DITË DIMRI

Ai është i vetmi fjord këtyre anëve.
Bryma e të ftohtit e bën të duket
si një shkëmb krenar,
tek ka dalë të bëjë shëtitje 
duke u vënë gjoksin valëve.
Është ngricë si askurrë më parë
dhe ky fjord kokëfortë,
në gjithë këtë bukuri të shtangur,
e bën kaq të tejdukshme
ndjenjën e lakuriqësisë.
Qyteti, pemët, njerëzit, anijet vikinge në muze,
janë të gjithë kaq paturpësisht të zhveshur
nga ndjenja e lakmisë kundrejt tij.
(I vetmi që e pranon të ftohtin 
me plot kthjelltësi).
Disa zogj akulli sipër katedrales
fluturojnë me këngët e ngujuara në gjoks për një tjetër qiell…


KURRË DASHURINË S’E KAM PRITUR NË PERËNDIM

Kurrë dashurinë s’e kam pritur në perëndim.
Vijnë shtegtarë të mbarsur me pikëllime,
apo nomadë që shpesh rendin veç kuturu.
S’e kam pritur kurrë në perëndim dashurinë.
Muzgjeve dhe netëve nuk miklojnë kurme
të panjohur më parë në hartën e plotë të dritës.
(Edhe nëse ndodh, janë miklime të rreme).
Dashurinë e kam përgjuar si i verbëri dritën,
në një shteg të vogël në shkëmbin pas bredhave.
Ah, unë ia njoh tekat dashurisë:
Ajo i rri përherë larg ngrehinës së lulëzimit…!


HIMN MUZGUT

E marra është e vetmja që i thur himne muzgut.
ta ta ta ta
ra ra ra ra,
këndon plot hare mbi kiç të anijes.
Vajton të atin e vdekur
dhe përqesh atin e gjallë.
ta ta ta ta ra ra ra ra
përhapet zëri i vajzës përmbi valë.
“Gëzuar, gëzuar me një kupë det e një kupë qiell!”,
kumbon nëpër shpellë zëri i saj.
Në gotën e verës hedh copëra kaltërsish,
pastaj i rrëkëllen me etje,
gllënjkë pas gllënjke…
Anija rrëshqet ngadalë mbi liqen*.
Gugatje pëllumbash mbushin ajrin ngado.
Kaq paqe, kaq paqe askund nuk gjen!
E marra përlotet dhe përçart me dënesë:
“Muzg, o muzg i deteve,
unë jam lulja mosmëharro!”
ta ta ta ta
ra ra ra ra
Anija nga shpella del në det të hapur.
Perëndimi flakë kotet mbi shkëmbinj.
E marra hap krahët të pushtojë brigjet,
diskun e diellit ta rrokë në përqafim…
Karaburun, Qershor 2019


MOS HESHT SI DET NËN MJEGULL

Ka kaq shumë mjegull përreth.
Kaq shumë pemë nën mjegull.
Një det i thellë po nën mjegull rri…
Melodi të harruara brigjeve, mpleksur me guaskat.
Merri një herë të vetme në duar,
përkëdheli butë me gishta simfonitë,
pastaj kridhi etshëm krelave të mia.
Asnjë pemë nuk vallëzon këtyre anëve.
Ato rrinë tej kodrës në një heshtje solemne,
trungjet sup më sup u shëmbëllejnë shpatullave të tua,
tek largoheshe në një udhë që s’mund të ishte imja.
Iluzione optike anekënd pamjes.
Ja, një pemë plot degë u shkëput prej heshtjes.
Gjethe nuk ka.
Spërkatja degët me tinguj,
të rritet përmbi to një floknajë femërore.
Spërkate, pra, spërkate!
Mos hesht si det në mjegull,
Dashnor, burrë, djalë a shtegtar i paemër…

Exit mobile version