Kreu Letërsi Bibliotekë “Shtegu apalash”, poezi nga Shkëlqim Çela

“Shtegu apalash”, poezi nga Shkëlqim Çela

Midis Columbus dhe Amsterdam-it në 74-ën

1.

Në xhamishtet anë udhës po pushojnë krokodilë,
sytë s’u duken nën kapakët se po vdesin, se po flenë,
se po rrojnë e s’po tregojnë nën ujëngrohtën që s’lëviz,
futur bishtat midis tokëzash dhe në zava ngecur luspat,
gërma-numrat rreth e rreth nuk e thonë gjithë të vërtetën,
jo se s’duan, por se s’mundin që të duan pa u zgjuar,
mahmùr gërmat rrjedhin muresh si një zift që po kthen mendje,
si qyteti që për avull bëhet gati t’avullojë
si një re e bardhë vapori që do niset për s’diku,
të mbushë qiellin plot me re dhe me avuj metropolesh,
diku lart që të takohen Roma, Praga dhe Tirana,
të ngarkuara me gjuhë mbi ca pllaja pavetore
shkrepëtimën eks ta kthejnë e të bien si një shi
në pavende e askunde, një qytet të ri të mbjellin
me rrebeshet e pasditës…

2.

Ca gëzime prej hienash lanë karkasa prej sedanësh,
gjak i hijes me rrëkeza gri mbi lulet ja po thahet,
kore’ hijes ngadalë bie dhe me dregëza mbushet rruga
gati për të reja plagë, tokmakë hapash të parreshtur
trotuarëve që rrëshqasin të lëkurtë kundër ecjes,
kalimtarë të njëjtë baresin, venë pa shkuar, shkojnë pa ikur,
ndërsa mua s’më merr rrjedha, se kam mbirë si dru pahiri,
anë rrugës që të shoh mos ti vjen e mos ti shkon,
mos një njomë më dërgon,
por kjo rrugë kursen inxhitë, i mban ndryrë me krokodilë
e qen racash të xhan xhinit dhe qepenet e pasmuzgut,
koka fati, flokë dyshimi, trungje sjell një lumë i ngurtë,
si proverb kinez një bregu e kap çastin siç më kap,
me faninë tënde të vjetër, gjerdan perlash në qafë ujku,
valëvì mëndafshi verdhur nëpër ditë më të mira
ku unë s’qeshë, por ku do desha që të isha posi kulpra
mbi një mur të ftohtë mosdashjesh,
gishta-gjethet duke prehur para se t’mi presë era,
tek ti shkon duke ikur, i zgjas krahët pa dobi,
gijotin’ e qoshit k’puti fillin tënd, vëthin e gjatë
filigram mbi karrotidë, dhe sedefi yt rruazash
firon xhepave të udhës,
humbje’ dekretuar trungut tim prej rrapi për fermane,
s’të ndjek dot, mallkim i drurit, fort më mban lidhur për dheri.


Kafene e NYU-së

Kafene e NYU-së ku kuptova të plakurit
Në mes të ca studenteve që dot s’u vardisesha,
Gjermë atë çast më duhej veç të doja,
Syri filxhan më pa në sy:
Je ende i pëlqyeshëm, tha,
Çfarë ke?
Si i dënuari kapital gjellën e fundit 
Doja edhe një dashuri të lehtë, 
Ku si lumturia dhe trishti
S’ta kanë seriozisht,
Ajme, qe vonë,
Një bordero më kish futur në kllapat e veta,
Kufizë të varur nga të tjera kufiza,
Tani kish vetëm mërzi të vërteta
Matematike
Dhe parvaze që kuptonin
Uritur për bërrylat e tu,
Mëllaga që aq mirë dinin të dëgjonin.
Starbucks i NYU-së
Që gjithë karbonet m’i gjysmëzbërtheve,
Më dëfteve gjysmën e jetës,
Ajme, atë më të bukurën!
Kafene e NYU-së ku kuptova të plagurit.


West

Një han i mbuluar nga pluhura mikash,
Sini e hënës pjerrur
Derdh një rërë sedefe,
Kaktusë të habitur me çudi prej plaku:
Të thatët u ftoh
Dhe eshtra e savanës është krisur diku.
Jakia rrjedh e çelët në përrenj bizonë,
Është vonë, është vonë.
Kjo rrafshnaltë ngjan si Kolorado kështu,
Veç vjen ca më e hequr.
Karvane me allçi të ngrira anë shuajsh,
Si imitim dëbore,
Nuk duan të ndalojnë.
Në parvaz dritareje një muri pjesor,
Se dhome, se avllije,
Një mëllagë plastike bleron e paepur:
Kësaj here qytetërimi pat metropole gri,
Dhe metafora ujëse.
Shoh si ikin format,
Përmbysjet e mëdha
Vijnë dhe si pragje hanesh
Ku nuk bujt njeri,
Besoj në katastrofat – madhështi prej gunash
Përmbi evolucion,
Në kohën mbledhur shuk
Flakur pa kujdes,
Si tash e padobi.
Avionet janë pa kthim,
Koha plak më shpejt
Një pleqëri të thatë, si pyetje pa vend.
Emrin? Ljapunov.
Hanxhiu është dyshues. Priste Çehov.
Një katastrofë pa rus
Nuk është katastrofë.
Arratitë të gjitha
Drejt zonash kohore,
Bizoni i fundit mbetur këtu
Na përket me rusin
Plot me histori
Që vlejnë të rrëfehen
Një herë të fundit.
Edhe pse, a mbase shi sepse,
Në gjuhë të pakuptueshme.


Shtegu apalash

Në Blue Ridge Mountains, ku nisin malet,
Djaloshin tek rripat shtrëngoi unë pashë,
Po nisej për rrugën me muaj të gjatë,
Po nisej Shtegut Apalash.

Do ikte në këmbë udhë e pa udhë,
Vetëm me drurët dhe zogjtë larashë,
Po nisej djalosh të soste si burrë,
Po merrte për Shtegun e gjatë Apalash.

Doja t’i thosha kujdes e këshillë,
Por diç më mbajti dhe gjë nuk i thashë,
Unë udhë në jetë kisha bërë shumë,
Po jo ama Shtegun pa fund Apalash.

Kur dola në botë u shfaqa viktimë,
Të zgjoja keqardhje, mëshirë, Karitas,
Argasur rrugicash me mure të grirë,
Por jo ama Shtegut të gjatë Apalash.

Mësuar të shaja mexhlis-shoqërinë
Isha, dhe zyrat e shtetit abrash,
Në mbrëmje tek ktheja shaja shtëpinë,
Ama s’flija nën yje dhe pyje përjashtë.

Për këmbët e lagura doja mangall,
Për gjumin viran rrëfenjë të avashtë,
Kur e kur zëmekur e kur e kur tellall,
Bir thashethushi e bir-llafe-grash.

Bir në zarin pafat nëpër tavlla
Duhani, lektisur për kollën e vrazhdë,
Në pragje veremi, ankim e pallavra,
Ripërtypës kuitjesh mbi kashtë e nën grazhd.

Lidhëse nuk kisha të shtëngoja këpucë,
Çizme marshimi e rripa të trashë,
Një sprovë të ndershme që në qofsh burrë
Përshkoje i vetëm Shtegun Apalash.

Nga vendi me forë se vija u mburra, 
Ku ferrit i bien, siç thonë, pash më pash,
Ku veç mbijetohet, por kund s’mbërrin kurrë,
Si burrat e bërë Shtegut Apalash.

Doja të lidhja kapistall e ushkure,
Çantën e shpinës, udha-mbarë e mirë-ardhsh,
Veten ta masja me vlerë lëkure,
E tëmthi e zemre Shtegut Apalash.

Më mbajti një fre, një thinjë e surdinë,
Një zgjedhë e vjetër prej kau balash,
Një pendë qe që tërheqin një këmbëz martinë,
Dyfeku i plasur, patickë a kallash. 

Në Blue Ridge Mountains, ku nisin malet,
Veten që dot s’u bëra unë pashë,
Po nisej për rrugën me muaj të gjatë,
Po nisej Shtegut pa fund Apalash.


Pier i – Upper West Side

Një lule’ rrëzuar
Po rikthehet në degë… oh jo!
Ish një flutur e bardhë.
(Moritake)

Statujë e lirisë pishtarin
shuan në ujëra të kripur,
në klorure botësh prish magji të zeza.

Të mbytet kjo hënë mbi Hudson pa të iki;
ndryrë mes brigjeve brerës të shteteve ujët
valëza llurbe si fjalëza turpe përvjel;

lëpin këmbët hamalle përveshur në gjunj të urës
që lëkundet mbi valët e shtangëta,
një rrugë e egër fluturon mbi krye –
duket po ndërrojnë stinët në Riverside Drive.

Ngjyrën e sotme të Empire State Building deshifrojmë,
argjendin e reve tej mbi Harlem…
Çudi si bie nata mbi gollgane gurësh ciklopikë e s’vritet,
në qiejt e rrokur nga llërë të xhamta
shuhet pa mbarim një mall i zbehtë prusie.
Bluja na shkon me keqardhjen flu.

Pista ecën penduar në det si krah pa qafim,
unë plotës i saj, përqafim pa krah.

Në ka një çështje, ajo është gjithnjë diku gjetkë:
erdhi një muaj mes shkurtit dhe marsit,
koha që duhej t’ishim të arrirë,
edhe qemë,
si fjalia e qëlluar në një lajm të djeshëm.

Versaja feks ndërsa myk i mërzisë përthith bodrumet.
Sheshet na përkisnin shkretisht,
si stok i keq u rrëgjua luks’ i vetmisë,
flori i nxirë që nuk e mban premtimin çdo perëndim.

Harresa ia behu si Mikelanxhelo i lodhur,
qytetin e mbushi monumente;

pranë pa prani, një kafe të fortë
si për mjeshtër, o për vaki,
si kur vdes njeri.

Ajo globin shkuli nga rreth i Kolombit,
statujën e radhës e nguli aty,
dy fasha drite nga sytë e hienës
e fshikën që prej hyrjes qeshire të Parkut Qendror.

Xhadë mermeri! Murmur sytë.
Mbi dashurorët e thjeshtë në pikëpjekje
hedh shikimin e vrerët nga ligësi e cmirët
e gurit në zemër.


Leaving Los Angeles

Më tej se atje nuk kishe ku shkoje
Pa ndërruar univers dhe specie.
Avioni largohet si bleta nga lulja e kaktusit.
Katër korda qiellore kaptuar do mbetet pas diku në ije të dheut
Përskuqur si gjak a rubin,
Shumë luksoz si plagë dhe shumë plagë si luks, LA.


New York State of mind

Lokomotivat tona u nisën në drejtime të kundërta
Duke djegur qymyr të zi.
S’kish nevojë për gjeometri joeuklidiane:
Tre këndet e pubisit nuk bënin 180 gradë.
Orët e bukura
Të dikurshme,
U strukën
Hebrenj të trembur postpubertarë
Që shkruanin ditarë.
SS shfaqej në shqip mohim i mohimit,
Dialektike çizmesh binomiale.
Në pikëhyrjet
E shpirtit,
Mbyllur me trarë të rëndë sedrash,
Kujtimet, hileqarë,
Bënin doganierë të korruptuar.
Nga sqetulla e dimrit
Shpërtheu
Pranverisht një nespull,
Por unë qeshë i lodhur,
Një re shtatzënë,
Krah i mollës në vjeshtën e vonë,
Afishe e një filmi të vjetër që nuk e heq kush,
Trupi i një rrugice nate
Që don të flerë, po sytë e pellgjeve s’e lënë.

Postë e parfumuar? Jo më. Pres letra me antraks.
Shakatë nuk shkojnë si kostume Charitas-i:
Si mund të ngrihesh kur Dou Xhonsi ulet?
Molla e Madhe që bie
Zbulon
Veç rënien e lirë
Gravitacionale të bursës
Sot;

Uashingtoni dhe viagra bëhen shoqërim idesh.
Shakatë vazhdojnë më pavend se këshillat e Suz Orman-it:
Të pabesa vajzat dhe aksionet.
…E megjithë fushatën anti-abort kjo ditë dështoi,
Era mbledh retë e përflakura rrëmujshëm
Si pastruesja e klinikës kirurgjike garzat e përgjakura,
Fletushkat e fushatës zgjedhore,
Aksionet e zhvlerësuara
Që nesër do zhvlerësohen prapë,
Ta bëjnë të sotmen dështake
Sukses
Para mynxyrës që vjen.

Mori bursë, moj mizore,
Shumë u duke, pak na dole,
Kurvëzohen bakshishet për kamarierët,
Bujaria tek e fundit s’qenkësh karakter por ekonomi,
Distrikti financiar merr befas diçka armiqësore
Në rrugicat as drejtvizore, as numerike, po me kalldrëm
Të kohëve kur Ingliterra ish Mbretëreshë e Detrave.
“Sa e mbajti lulja erën
Aq e mbajti stoku vlerën”,
Askush nuk këndon,
Gavroshi nuk dinte inglishtet,
Thjesht një këngë e vjetër gabelësh
U përkthye nga googlat e trurit:
“Sa e mbajti bari vesën
Aq e mbajti jevgu besën”…
Oh, një stok të zhvlerësuar
Vërma mbi të çarën e zemrës
Për leukoplast.

Çdo urë bëhet një mundësi për arrati,
Jo për bashkim.
Dhe sa paskam nevojë për arratisje!
Sidomos nga kujtimi yt
Numizmatik,
Që dot nuk e zhvlerësoj
Me gjithë grykësinë time
Egoiste,
Edhe pse dashurinë ta besova
Si kredit të keq.

Çdo krizë kujton se është epokale,
Ja si më mbështjell natë e tetorit,
Jorgan i zi,
Stavë mbytëse;
Epokale – ja,
Pas kohës tënde
Me skllavëri,
Zinxhirë përkushtimesh,
Behu mesjeta
Me robëri malli,
Mbasdite feudale,
Kulla ngujimi e manastire guri,
Ku krenitë i ruheshin
Dobësive gjakse;
Pastaj kapitalizmi
Qartësoi:
Prangat – e vetmja pasuri
E vlerë për t’u humbur;
Pa vargonj malli –
Zero komuniste,
Postmoderniste,
Flokët lyer me sarkazëm
Të ngrirë
Antigravitacioniste;

Arratisem
Të t’harroj
Në dhomën e motelit të parapëlqyer
Diku në upstate,
Gazeta është e djeshme
Mbi komo,
Dhe vajza është e djeshme,
Mbi kanape,
Lajme të shtrydhur,
Gjoks i lexuar,
Magma u ftoh,
U ngurtësua
Në shtrat granitik,
Çarçafët të shtangët vrasin bërrylat dhe gjunjtë,
Gjithë pikat inf(l)ektive të trupit,
Ndërsa dysheku është shkëmbi amnor
I gjithë të këqiave
Tokëformuese.

Shije dheu acid.
Ndaloj një taksi,
Të sëmurë me verdhëz,
Veç që t’i përgjigjem me mllef pyetjes “për ku”,
Al Paçino dhe Migjen
Njëkohësisht:
To Hell!
E di që jam vonë për atje
Si pasagjeri me xhetleg
Që s’kupton kush ia vodhi orët,
Ato orët
Që duhej t’ishin të lumtura
Pikërisht ngaqë u vodhën.

Exit mobile version