I.
fluturimi bëhet lehtë
kur e ke krahërorin plot frymë lirie
të betohem
II.
kur na tha që të kishim besim tek ai
s’kishim shumë opsione
sa kishim dalë nga një dimër i rëndë
ishim të gjithë ende të kapitur
ishim të mpirë
(ai e dinte fort mirë se ç’kishim përjetuar)
kur na tha t’ia jipnim votat
thjesht s’ditëm më mirë
vërtet s’kishim ujë as dritë as bukë
por na mashtroi një shpresë e marrë
u gënjyem
më i butë
zëri i tij se tehu i thikës
më i ngrohtë
kur na tha se do të na mbronte
ndiem një siguri të rreme
për herë të parë në dekada
na u duk sikur ishim kthyer disi
në strehën e vjetër
por Djalli besë nuk ka
III.
pemë në pemë
ndërtohet foleja prej së parit
gjeth pas gjethi
IV.
dikur gjakësi na i vriste kanjushat
mbi çati
e ne iknim duke i qarë
shpendët e bardhë
tani tanët po i ndjekin kanjushat
e dashur
kur do të mbarojë ky llahtar
V.
pikë pikë
rrjedha që na kthen kah drita
dalë ngadalë
VI.
shqipjonja bën hije
mbi një det gjaku
por jetën na e zbardhin kanjushat
e dashur
ky tregim dashurie
fluturon me to



