Kreu Letërsi Bibliotekë “Shpëtimi i zogjve”, poezi nga Preng Maca

“Shpëtimi i zogjve”, poezi nga Preng Maca

magji

një letër e bardhë
dhe një penë mbi tavolinë,
si memece ngjajnë.
një lule në vazo,
sa pak shpirt ka ajo
thuajse është pa frymë.

kjo ditë
është gri
dielli rri larg , si një plagë,
si njè mungesë.

vjen Ti…
fleta e bardhë gëzohet me një poezi,
lulja merr frymë me prekjen tënde,
ndërsa dita
e merr diellin,
nga sytë tuaj të qeshur
dhe unë jam një gjeth
në pemën e çuditshme të jetës!


këngë e përzishme për jetën
dhe një mi

asnjë nuk e pranon se ti je.
ne çdo ditë hedhim plehrat,
ushqimin tënd të preferuar,
pastaj shkojmë në farmacitë bujqësore
e bjemë ilaçe,
për të të helmuar ty,
duke bërë kësisoj një lojë të dyfishtë.(!)

asnjë nuk të pranon ty si qenie,
por ti je mes nesh në jetën të përditshme.
dhëmbët e tua brisk
na hanë pa u ndjerë,
derisa ne shembemi brenda vetes
duke rënë në gropën tënde!
o miu i…legjendës!


gropa

e madhe, e stërmadhe
gropa ku të përfshin
dëshpërimi!
nuk ia përmendim emrin

me idenë,
se kështu arrijmë t’i fshihemi.(!?)
rrëshqasim drejt kësaj grope
pa nxjerrë zë,
dhe biem brenda saj
antiheroikisht
një e nga një!


Liria

dikur mendoja se zogjtë ishin të lire.
sa herë i shihja doja të isha zog,
pastaj mësova se edhe zogjtë
ishin të rrezikuar nga të tjera qenie
aq më shumë nga…njerëzit,
të cilët janë të prirur t’i ngjajnë
paraardhësit të tyre … Kainit(!)

i shqetsuar nga liria e rrezikuar prej gjithkujt
vrapova dhe e gjeta Lirinë ,
tek …mendimi!


e pabamja

nuk mundesh ta bash dot të pabame
rri e mendoj… ndërkaq ndjehem i përhumbur,
dikur e kisha si në dorë zemrën tande,
kur na gjuante tinëz koha e na ishim të lumtur.

a ka se si kështu me qenë vërtetë fundi?
gjithçka që shkoi ishte, si qielli me vetëtima
ai mot i çuditshëm na lagu e kur na doli gjumi
kishim shkuar aq larg, duke i humbur të gjitha!


anësi në Trojë

zulma e betejës më gjëmon në vesh akoma
vringëllimë armësh, djersë, gjak edhe pluhur,
Hektori që bie përgjakur nën goditje të forta
të Akilit, që ta vrasësh është krejt e pamundur.

e përmendin shumë njerëz, si hero Akilin me thembrën e fshehtë,
i rafinuar përsosmërisht dhe një vrasës i madh
falë hiles që mbart, në shpatë i rri vdekja.

po mua vdekja prej tij ma dridh kraharorin,
luftëtarët hileqarë kurrë s’mi do zemra,
kam qenë gjithnjë dhe jam me Hektorin!


shpëtimi i zogjve

i vogël isha aso kohe…
nuk më bie ndërmend saktë mosha,
por ajo që mbaj mend është,
se ai zog i vogël, i vogël dridhej,
krejt pupla thuajse ishte,
(saqë mendoja një kohë të gjatë,
se si mund të fluturonte
e nuk i merrte era zogjtë,
kur ngriheshin në qiell!?)

e mora në dorë atë zog,
bashkë me dridhjen
ia ndjeja zemrën në dorë,
rrihte më tërbim e bashkë më të rrihte …zemra ime!

duhet shpëtuar, thashë!
e vura në një pemë e ai cicëroi,
për çudi i dolën fletët,
e ndihmova,
u ndjeva i shpëtuar vetë,
duke ia shpëtuar jetën!

tani i rritur
akoma e kam në mendje atë ditë, strukur në kujtesën e kthjellët.
kurrë në jetën time nuk kam vrarë zogj,
e sa herë i shoh zogjtë në qiell, duke fluturuar
gjithnjë më duket që atëherë,
kur isha i vogël dhe e shpëtova atë zog,
gjithë zogjtë e botës unë i kam shpëtuar!


shtëpi

mendimet e mia janë trarët,
çastet e fiksuara janë çatia,
fjalët e shkruara janë muret,
raportet me jetën dhe vdekjen janë themelet,
ndërsa dashuria ime janë dritaret.

Ju gjithnjë mund të shihni
çfarë ndodh në këtë shtëpi
brenda së cilës gjendem mbyllur,
nga mungesa e dyerve,
shkaktuar prej pavetëdijes!


gjysëm shaka

kur vijmè nè këtë botë. gjithnjë kam dyshuar,
se kam qenë dikur, diku
dhe Ai nè një kioskë
na jep nga një biletë llotarie falas ,
me një vlerë prej 100 vitesh,
pastaj sejcili e harxhon sipas gjërave që dëshiron
dhe i fituar është ai njeri,
që nuk do me shumë pasion.

vërtet ajo biletë
ka vlerèn e 100 viteve,
por Zoti shpesh bèn kursime
dhe nuk na lejon t’i bëjmë
deri ne fund …shpenzimet.


ditë

njëzet e katër gjymtyrët e tua
këmbë, duar, buzë, veshë
herë më shohin butë e herë egër…
(të tmerrshmet gjymtyrët e tua!)
herë më përkëdhelin e herë më qëllojnë
e unë mundohem të të vë poshtë,
ndërsa më ngjan më ngjan krejt, si një femër
taksa më lodh e nuk më jepesh.

më sheh me bisht të syrit
fjalë ngacmuese duke më thënë,
duke mos pranuar
kënaqësi për të dy.
e unë përpiqem të të zhvesh
tek zbuloj tek ti, si tek një miss
kufirin e magjisë.

ndërkaq në këtë mundim
më mbërthen gjumi njerëzor
në një paqe … pa kuptim!


fëmijëria ime

(gjithnjë ajo më rri në sy!)
e vështroj atë djalë të ri e zemërmadh
udhëtar i palodhur, përherë i gatshëm
për të zbuluar botën e madhe,
herë me këpucë të reja, herë të vjetëruara
shkatërruar nga rruga.

më dhimbset!
sa e dua atë djalë!
ndonjëherë e kam përzënë prej vetes,
duke u ndjerë me turp për atë qenie
fëmijën e vogël
pa të cilin, si mund të isha?

ai vjen e më gëzon,
duke më pushtuar,
kur futet brenda meje,
më merr për dore dhe më tregon
disa të fshehta të harruara,
për të zbuluar zemrën!


puls

prej shkaqesh të padituna,
mbramja u thye,
si një …xham!

mes copave të shpërndara,
(zemërthyer nga e papritura),
këmbëngul në gjetjen e copës,
në të cilën shndërruar…jam!


fije

mbahemi vetëm në një fije
e hollë është , e pabesueshme
të mbahesh në këtë fije të hollë .

pastaj vjen një ditë, e besojmë ,
se ajo nuk e di ç’është lodhja, këputja .
tamam atë çast ndodh gjëma ,
këputet fija
ne biem…jashtë,
duke dyshuar,
se po biem… brenda!


flijimi

ajo që të fala ty
ndodh veç një herë
nuk kthehet më.

lotët për ty
janë bërë gri
janë kthyer në re.

kushedi ku je, kush e di?
veç një herë të hasa
rrugës, kur nuk e dinim
se kohën po na e vidhte mëria.

(o Zot,si ndodhi kështu?)
je aq larg,
ndërsa fshehtas hyn e del pa prekur,
duke më pushtuar,
siç të pushton… pamundësia!


ngjarje e parashikuar

kur të vdes,
jam i sigurt,
se do të vijnë të gjithë
ata që më deshën dhe ata që nuk më deshën,
do të ma lavdërojnë poezinë
(të dytët),
do të thonë,
se kisha një brendi të thjeshtë , të një shpirti të madh
se kisha një gjendje, si të shiut në verë
dhe një dashuri, që nuk prante asnjëherë,
shumë trëndafila, margarita e ca zogj, si në pranverë
pyje dhe det e fusha , lumenj që ecin paprerë…
profilin e një vajze, që e ka dashuruar përherë.

do të thonë gjëra, që nuk i kanë thënë kurrë më parë
pastaj do të afrohen,
duke ma vënë dorën, lehtë, mbi ballë,
për të qenë të sigurtë në vdekjen time të pabujshme,
nga frika e ringjalljes së mundshme.

unë nga inati do të bëj ç`është e mundur
ta hap pak syrin, e t’i tremb për vdekje,
gjoja,…se jam akoma gjallë!


lojra në ujë

jam ajo çfarë vizaton guri
hedhur nga dikush, prej diku,
në sipërfaqen e një uji të qetë e të thellë,
ato rrathët që hapen thuajse pa fund…

pastaj veten çast pas çasti e tkurrin,
e së fundmi ,
në rrethin më të vogël,
shkojnë ta gjejnë sërish… gurin.


vezë

e pa sigurtë është jeta sot
si një qelq,
nga çasti në cast
mund të bjerë në tokë
e të thyhet.

në njëqint vezë që shiten
njera është …bombë.

koha e çoroditur
ka vënë një kosh mes këmbëve
dhe thërret : “hej! blini vezë!”

ne,
çdo ditë mbyllim sytë
e blejmë vezë.(!)
rrëfim dashurie

ah si ndjehesha aso kohe,
isha marrëzisht i dashuruar,
ajo kish nëpër gjinj një aromë,
sikur flinte mbi mollë e ftua!

dita më bëhej sa një orë
“ah – më thosh – në më do sado pak
më merr o shpirt përdore
më mbaj në shtëpi, veç një natë!”

e mora, e doja aq shumë
at’vajzë me sy gështenje
gjithë natën nuk fjetëm gjumë,
dhe kështu që ndërrova mendje.

nuk u mendova dot gjatë
ndaj ndërrova mendje shpejt
e ftova për më shumë se një natë,
së paku për… njëqint vjet.

por vitet ikën si lumi
çfarë ndodhi ish një çudi,
s’mbaj mend se si më zuri gjumi,
kur u zgjova ajo s’ish më aty!

një plak i mençur ç’më thosh
prej kohësh dhe tani më kujtohet ;
“gjithnjë ndodh në këtë botë
kush do më shumë, lëndohet!”

nuk është me mua sygështenja
kujtimi i saj thellë më djeg,
vështirë ta heq nga mendja,
së paku… për njëqint vjet!


vizatime… pa dashje

as unë vetë nuk e di si ndodh kështu,e pashpjegueshme
është akti ,se si mbi një letër shpejt e shpejt,
si e nxjerr prej vezës së ngrohur nuk e di prej sa kohësh
majë lapsit më karbon të butë
merr formë një zog i trishtë,i hajthshëm,i vogël.

pastaj tek e sodis natyrën shterpë trishtohem,
ka aq pak pemë gjithandej,
të “fshihet” në një çerdhe është thuajse e pamundur
foletë e mundshme janë trembur e nga zhurmat e mëdha janë shkundur
(ku do të jetojë ky zog i shkretë?)
është puplor e krahët nuk i shkund dot për zhvendosje,
ndërsa përkundrejt tij sa shumë qenie
presin të jetë preja e tyre e ardhshme,
duke ju gëzuar asaj që unë padashje e vizatova,
thuajse krejt pa dashje!

trishtimi më mbulon e më pas i pendohem
asaj lirisë së krijimit absurd
të këtij zogu që ngjan me ëndrrën time
shpikur brenda vetes intime,
për të prekur aq gjëra, që së fundmi u gëzoj vetëm dëshirën.

befas pendohem,
mendoj se ndoshta do të më duhet ta fshij
për ta shpëtuar nga një e ardhme,
me rrisqe të mëdha e nga kjo botë gojë –hata!

por sa e kthej kokën sërish tek fleta
krijesa ime… ka dalë nga letra e bardhë
për shkak se,… sapo i dolën flatrat
dhe unë tashmë e kam mendjen tek vendet ku fluturon
rreziqet e mëdha të kësaj bote të madhe
që i ha gjërat, pasi i lind krejt rastësisht
kjo Botë që nuk di ta gjej kurrë paqen!


burgu

gjithnjë ne gjendemi
në burgun e pamundësisë,
për ta prekur ëndrrën!

endemi në këtë qeli të përbotshme
duke jetuar,
vuajtjen e përkohshme

Exit mobile version