Kreu Opinion Sevdai Kastrati: Romanet që janë konsideruar gabimisht të Faik Konicës (pjesa 2)

Sevdai Kastrati: Romanet që janë konsideruar gabimisht të Faik Konicës (pjesa 2)

Vijon nga:

https://exlibris.al/sevdai-kastrati-romanet-qe-jane-konsideruar-gabimisht-te-faik-konices/

2. Pse Aladro Kastrioti nuk është autori i romaneve?

F. Andrea i ka trajtuar marrëdhëniet e Konicës me Aladron duke shqyrtuar revistën “Albania”, duke u mbështetur në letërkëmbimin e Konicës si dhe duke u ndalur në ndonjë burim të tërthortë për Aladron.

Këtu vlen të përmendet se kur F. Andrea ‘zbulon’ se romani “Sotiri e Mitka” është përkthyer në spanjisht dhe është në autorësinë e Juan Pedro Aladros, i futet një analize (e cila i takon më shumë fushës së hamendësimeve) siç e quan “Retrospektivë radioskopike për një portretizim të Aladro Kastriotit”.

Me sa di, Robert Elsie është i pari që e ka bërë të njohur se romani “Sotir y Mitka” (titulli në spanjisht) është në autorisinë e Aladro Kastriotit më 2013 në librin20 A Bibographical Dictionary of Albanian History. Edhe pse ai është në kundërshtim me vetveten: disa vjet më herët në History of Albanian Literature (1995) mendon për autor të romanit një autor tjetër. Luhatjet e Elsiet na bën të mendojmë se ai nuk e ka lexuar fare romanin në fjalë.

F. Andrea duke i analizuar marrëdhëniet Konica-Aladro, për të cilin ka dhënë një përshkrim të gjatë, prapëseprapë i ka kushtuar vëmendje të dhënave jashtëtekstore²¹.

Krhas pohimi kategorik të F. Andreas në studimin hyrës Lojnia se autori i dy romaneve është Faik Konica dhe këtë ‘s’e luan as topi!’ apo në pasthënie se autori i dy romaneve ‘është Faik Konica alias Gjoni i Krujës, dhe kurrkush tjetër’ ai, prapëseprapë, do të ndalet për ta shqyrtuar më mirë çështjen e autorsisë duke e mohuar Aladro Kastriotin si autor.

Së pari, sipas F. Andreas, Aladro Kastrioti nuk mund të jetë autor i romanit “Sotiri e Mitka” për disa arsye:

a) nuk ka dalur jashtë Evropës;

b) nuk ka mbajtur lidhje me shqiptarët e Amerikës;

c) nuk e njeh toponomastikën shqiptare.

Në lidhje me pikat a dhe c nuk jemi në një mendje me Andrean se tashmë është një fakt i njohur në historinë e letërsisë shqipe: rasti Jeronim De Rada. Edhe pse duke e pasur fatin të jetojë gjatë, ai kurrë nuk do ta ketë rast të vizitojë Shqipërinë. Është thënë nga Francesko Altimari se toponimet Arta, Janina, Suli, Salagora etj. i ka marrë nga veprat F. Pouqueville-it, konsullit francez gjatë viteve (1806-13) pranë Ali pashë Tepelenës në Janinë. Gjithashtu është vënë re nga Eqrem Çabej se De Rada i merrte personazhet (për të paraqitur turqit) nga poezia klasike indiane dhe në ndonjë rast edhe nga bota arabe e Spanjës mesjetare.

I japim të drejtë Th. Gjikës²², i cili në këtë rast mendon ndryshe nga F. Andrea, kur thotë se: “shkrimtari për të krijuar vepra realiste me vlerë artistike i duhet në radhë të parë talent i fuqishëm dhe fantazi krijuese dhe jo njohja faktologjike e jetës, që vjen nga të jetuarit afër me ngjarjet e faktet”.

Së dyti, sipas F. Andreas, Aladro Kastrioti nuk mund të jetë autor i romanit “Martesa e Leilës”se nuk njihet të ketë bërë: a) ndonji duel dhe b) nuk i njeh termat në latinisht.

Sa i përket pikës së parë F. Andrea shpreh dyshimin e tij lidhur me ndonji duel të Aladros: nuk e ka vënë re gjëkundi në studimin e tij. Krejt ndryshe i ka dalur Konica: kur e ftojnë dhe i fton në duel.

Shtrohet pyetja: kush e ka ftuar Konicën në duel?

 Lidhur me këtë kemi një përgjigjie nga F. Andrea kur thotë se është ftuar në duel nga Gaspër Jakova. Ai për ta bërë të besueshëm pohimin citon edhe burimin dokumentar. Për fat të keq, burimi i cituar nuk e thotë se Gaspër Jakova-Mërturi ka ftuar në duel Faik Konicën. Përkundrazi, faktet dëshmojnë të kundërtën:  Gaspër Jakova i shkraun një letër për ta botuar te “Albania” (siç na njofton Konica²³ në një letër të hapur dërguar G. Jakovës në shkurt të 1903-ës) e fton Palok Hilën me dalë në duel, kurse  Shqyptarit t’ Nikopolit që ishte pseudonimi i sivëllait tij Dom Tomë Velja ‘donte t’i çante barkun e t’i nxirrte zorrët’.

Nga ana tjetër, nuk është për t’u shpërfillur përgjigjia e Gaspër Jakovës24, i cili e mohon të ketë shkruar një letër të tillë dhe se është shprehur për duelin (bejlegun) duke e konsideruar thjesht si një dikuri barbare. Gjithsesi deri më tani nuk kemi hasur në të dhënë që të na dëshmojnë vërtetësinë e këtij episodi.

Përsëri shtrohet pyetja: kë e ka ftuar Konica në duel?

Me pak fjalë, do të doja të ndalëm lidhur me duelin e F. Konicës gjatë Kongresit të Trieshtës. Këtë njoftim Andrea e ka marrë nga shtypi huaj, pa e dhënë burimin dhe emrin e personit që Konica e kishte ftuar në duel.

Tashmë është fakt i njohur se Faik Konica është përplasur në Trieshtë, në ditën e tretë të Kongresit, me Nikollë Ivanaj. Dhe është fakt që Faik Konica është i stërvitur në artin e skermës. Siç e ka pohuar vetë, në një rast kur shkruante për termin sintaksor kryefjalë e ku përpiqet ta shpjegojë sa më mirë me shembuj:

«Unë jam që nga ca vjet pjesëtar i një shoqërie ku mësohet përdorimi i spatës për dylëftim; kio shoqëri ka marrë për kryefjalë: “Pro Marte et arte, d.m.th. për Martin (se Marti ish hyji i luftës) dhe për artin (se dylëftimi është një mjeshtëri e hollë)25

Gjithashtu, me një rast tjetër Konica do të sqarojë lidhur me incidentin e Trieshtës. Si shkas është botimi i një kalendari nga Qerim Panariti, i cili shtrembëron të vërtetën duke thënë se në Kongresin e Trieshtës Nikollë Ivanaj thirri Faik Konicën në duel dhe ky i fundit refuzoi dhe incidenti mori fund. Faik Konica,  pasi e qorton lidhur me botimin e kalendarit, i kujton se në botën e qytetëruar kalendarët botohen në fund ose në fillim të vitit e jo në mes të vitit, thotë:

«Unë kam marrë pesë vjet mësime në fencing ose escrime, dhe Z. Ivanaj s’ka as atë më të larkmën ide ç’është dueli. Nuk ish pra “fair” që të lëftoja me të. Po me që e desh puna, j’ u-luta Zt. leftënar Haessler, inxhinier n’ ushtëri t’ Austrisë, edhe Zt. Dervish Hima të veprojnë si dëshmonjësit e mij; vanë te Z. Ivanaj dhe i thanë t’ emërojë dhe ay dy dëshmonjës: emëroj ZZ. Filip Kraja dhe Mark Kakariqi. Dëshmonjësit e mij kishin pororsinë që të kërkojnë doemos luftë; dhe me që unë isha i shari dhe ashtu kisha të drejtë të zgjeth armët, u thashë që zgjeth spatën çponjëse (“épée de combat”), me të cilën jam i stërvitur. Të katër dëshmonjësit u-mblothnë; dhe, passi ata të Z. Ivanaj dekllaruan që Z. Ivanaj s’kish qëllim të më shajë, vëndosnë me një zë që s’ mbetej më shkak për duel.26»

Në një vend tjetër, Fotaq Andrea duke mos u pajtuar me ‘pseudo-studiuesit’ e Konicës, i rikthehet edhe një herë çështjes së duelit. Lëkundjet që kishte për emrin në studimin hyrës Lojnia (2012?) dhe, kur pohon në pasthënie (shtator 2016) se ‘tre herë flet e fton për duel kundërshtarë te Albania’, i plotëson, katër vjet më vonë, kërkime27t duke zbuluar jo vetëm emrin por edhe armën që do të përdorte Konica në duel: pistoletën. Edhe për sqarimin e kësaj çështjeje ai nuk jep ndonjë burim dhe çështja e duelit bëhet tragjikomike28

Sikurse dihet, Konica ishte kundër vrasjeve politike e jo më të marrë pjesë në duel me pistoletë. Ai ka protestuar për vrasjen e dhespotit të Korçës, kur për të tjerët vrasja e Fotit ishte një gjë patriotike dhe ishte për t’u lavdëruar. Ai ka protestuar për vrasjen e Niaziut nga Resnja në Vlorë dhe është e njohur zënka me Ismail Qemalin përmbi këtë pikë. Ai ka protestuar për vrasjen e Abdyl Ypit dhe u bë kundërshtar i rreptë ndaj dy grupeve që kishin gisht në vrasje. Ai ka protestuar për lirimin e Beqir Walterit nga burgu, duke kujtuar se në qoftë se ka një të drejtë për revolucion – nuk ka një të drejtë për vrasjeje. Ai ka protestuar kur kryeministër i Shqipërisë u bë një pjesëmarrës në masakrat armene më 1915-16 dhe që personi në fjalë ishte i afërm i tij. Dhe kështu me radhë Konica vazhdon ta urrejë principin e vrasjes duke e konsideruar si poshtërsi dhe kafshëri afrikane të pusisë29.

Me këtë rast po sjell një shembull nga kujtimet e Konicës, kur filologjia30 praktikohet me sistemin e pistoletetës:

«Pata një bisedim të çuditshëm me një “filolog” gegë disa vjet më parë. Mundohesha t’i jap të kuptojë se toskërishtia thotë një vit, dy vjet, – kur gegërishtia thotë një vjet, dy vjet. “Jo, zotni!” ulërinte filologu i maleve, “nuk â punë. Vit nuk âsht shqyyp. Vit s’thoon Shqyptart, vit thoon Gogt.” (“Gogë” në Gegëri u thonë Orthodoksëve dhe veçan Vllehve.) Më në funt që t’a qetësoj i thashë se nuk interesohem me të tilla çështje gjuhe dhe s’është çudi të ketë të drejtë. Po butësia ime, në vënt që t’i ftohë gjakun, j’a ndezi më tepër. Nxori koburen, e vuri në tryezë pranë dorës tij, dhe ulërijti me më tepër forcë: “Pasha Zotin, s’ke me m’a hanger hakën! Vit nuk â shqyyp. A po e njef gabimin t’ann, more Zotni?” Dhe unë, bindur nga forca e argumenteve të këtij eruditi, e njoha me gëzim edhe u-ngrijta dhe ika. »

Të gjithë studiuesit e Konicës pajtohen një zëri në një pikë: Faiku ynë nuk qe njeri i pistoletës. Armë të vetme kishte penën dhe ka ditur si ta përdorë atë si askurrkush tjetër në luftën e penave. I papërballueshëm në polemikë dhe kundërshtarët në pamundësi që t’i përgjigjen Faikut jo rrallëherë i mohojnë shqiptarësinë: Gaspër Jakova e quante me prejardhje vllahe, kurse Mehdi Frashëri e bën ‘grek mysliman’. Ndërkaq Shuk Gurakuqi³¹ në një letër që botohet në gazetën “Dielli” më 23 qershor 1925 ndër të tjera i shkruan se “e vetmja pergjigjje per ty asht dajaku, i cili nuk do të kursehet per në kjoftë se do të qesin ndonji herë rasti nder këto ana”.

Sa i përket pikës së dytë F. Andrea është i mendimit se “Martesa e Leilës” nuk mund të jetë në autorsinë e Aladros se vetëm një Faik di të përdorë termat latinisht. Kemi të bëjmë për një term errata që ndodhet në fund të librit për gabimet e shtypit. Ai pohon gabimisht se romani “Martesa e Lejlës” mbyllet me një faqe “Errata”. Në të vërtetë faqja “Errata” ndodhet në fund të librit “Sotiri e Mitka”dhe nuk janë gjashtë gabime siç pohon Andrea, por janë shtatë. Në fakt nuk janë vënë në dukje të gjitha gabimet, se gabime të këtilla ka pasur.

Veçse për këtë hipotezë nuk jep tjetër argument përpos një trillimi letrar kinse Aladro Kastrioti, para se t’i botonte romanet, ia ka dhënë bocat për t’i korrigjuar Faik Konicës. Po le të lëjmë mënjanë pohimin e Andreas se në vend që ta ndihmojë autorsinë e ndërlikon më shumë, sepse ai përkujdeset më shumë për side issues.

Pa dashur të ndalëm më gjatë mbi këtë pikë, aq sa nuk vihet në dyshim mosnjohja e një termi që mund ta dijë gjthëkush e jo më Aladro Kastrioti, i cili  duke e pasur parasysh faktin se ai zotëronte një bibliotekë me rreth 13 mijë libra më 1902³². Me këtë rast, dua të saktësoj shkurt një fakt: në Bibliographie albanaise [Bibliografia shqipe] të Emil Legrandit kemi 89 libra (në gjuhë të ndryshme) të cituara nga biblioteka e Aladro Kastriotit që fillojnë nga viti 1474 e gjer më 1899 dhe kemi vetëm një libër nga biblioteka e Thrank Spirobegut.

Këtu është me interes të thuhet se F. Andrea e nënvlerëson rolin e Faik Konicës me Aladro Kastriotin në disa gjëra të përbashkëta ndërmjet tyre. Për hir të së vërtetës, duhet të themi se për herë të parë: a) fabrikohet flamuri kombëtar, b) me propozimin e Konicës³³ themelohet çmimi “Skënderbeg” dhe pa dyshim, me propozimin e tij i jipet çmimi prej 1000 frangash shkrimtarit Ndoc Nikajt si dhe c) me shpenzimet e Aladros botohet Karta Dheshkrimtare e Shqipërisë [harta gjeografike e Shqipërisë] në Institutin e gjeografit të famshëm Élsié Reclus-it në Bruksel.

Në fund të këtij shqyrtimi na mbetet të përmendim studiuesin Agron Alibali, autor i librit “Faik Konica – dritëhijet e një diplomati” Tiranë 2016, i cili pati mirësinë të vërë në dispozicion tonë letërkëmbimin me Bibliotekën e Katalonjës ku si si autor të romaneve “Le mariage de Leila” dhe “Sotir e Mitka” nuk është Jean de Kroia, por bashkëshortja e Aladro Kastriotit. Po kështu e kemi vënë re edhe në në revistën34 “Biblioteconomía” të Barcelonës që gabimisht romanet konsiderohen të ‘princeshësh’ Kastrioti.

Koha dhe vendi i shkrimit

Një nga hipotezat e dyshimta të Fotaq Andreas është edhe koha se kur janë shkruar romanet “Martesa e Leilës” dhe “Sotiri e Mitka”. Sipas tij romanet janë shkruar më 1909, sepse në këtë vit ka lindur mbesa e Faik Konicës, Leila Konica. Ai erdhi në këtë përfundim mbasi u takua me Sherif Delvinën, i cili pati mirësinë t’i dhurojë pemën gjenealogjike të familjes Konica. Edhe pse Leila, e bija e Mehmet Konicës nuk ka lindur më 1909 (siç do ta shohim më poshtë) do të jetë jo vetëm kryepersonazhi i romanit Martesa e Leilës, por ajo do të jetë çelësi i artë mbi zbërthimin e enigmës se romanet i takojnë katërçipërisht Konicës. Po kështu, edhe studiuesi Thanas Gjika35 është i të njëjtit mendim se romanet janë shkruar më 1909.  Në të vërtetë, në një rast tjetër kur Fotaq Andrea më ishte drejtuar për një mendim, mendonte se romanet ishin shkruar në gjashtëmujorin e dytë të vitit 1910.

F. Andrea nuk i përmbahet gjithmonë teorisë së tij. Në një sqarim tjetër që na jep Andrea në studimin Lojnia pohon se romanet u shkruan më 1909 për dy arsye dhe rreth një emri: e para martesa e piktorit Theohar Gjinit që kishte ndodhur tre vjet më parë, nga e cila do të frymëzohet Faik Konica për të shkruar romanin Martesa e Leilës dhe e dyta se në Paris më 1909 është themeluar Shoqëria e Shqiptarëve të Parisit me kryetar Theohar Gjinin. Kështu pra, Andrea arrin në përfundim:

Pikërisht rrethana të tilla konkrete duhet ta kenë nxitur Faik Konicën të ulej e të shkruante romanet më 1909.

Për sa u takon të dhënave që na jep lidhur me tezën e dytë F. Andrea nuk është në dijeni se kur eshtë themeluar Shoqëria e Shqiptarëve të Parisit. Në këtë rast do të ndalemi t’i sqarojmë lexuesit e gazetës Ex Librisse më 26 nëntor 1909 botohet një shënim për një letër që kishte ardhur në redaksinë e gazetës Dielli nga Parisi (5, rue Pajou) të nënshkruar nga “Th. Konçeli”, i cili bën me dije se është themeluar atje një shoqëri me emrin “Shoqëria e Shqiptarëvet Parisit”. Dy javë më pas, më 10 dhjetor, në gazetën Dielli botohet shkrimi Një artist shqipëtar ku thuhet se Theohar Ghini Contechelly (një nga fytyrat më të kulluara të lëvizjes shqiptare dhe miku i vjetër i Faik Konicës) u zgjodh kryetar i Shoqërisë së Shqiptarëve të Parisit.

Në të vërtetë Fotaq Andrea këtë numër të gazetës “Dielli” (Numrin 37) e ka cituar në studimin e tij Lojnia (f. 58).  Edhe pse në bazë të dhënave që parashtruam më lart, vijmë në përfundim se Fotaq Andrea nuk e ka pasur mundësinë ta ketë në dispozicion gazetën “Dielli”, për arsye se ka mospërputhje me kufirin kohor dhe hapësinor që i ka caktuar vetë në studimin e tij Lojnia. Në fakt, ai është mbështetur vetëm në një burim: në studimin e Ferid Hudhrit mbi piktorin Theohar Gjini36.  Edhe pse është burimi kryesor i tij, në një rast bën sikur nuk pajtohet lidhur me vitin e martesës së piktorit Th. Gjini, sepse ka një burim ‘të pakonfirumuar’ se martesa ka ndodhur më 1908.  Megjithëse edhe ky shpjegim do të harrohet, ‘ashtu siç harrohen edhe dasmat mbas tri ditësh’37.

Sa i përket vendit se ku janë shkruar romanet F. Andrea shtron ca pyetje duke i dhënë njëkohësisht dhe përgjigjie:

A t’i ketë shkruar Konica këto romane nëpër det, drejt vajtjes për në Korfuz dhe në kohën e pushimit pranë nënës së tij të dashur? Apo mos vallë i kishte përfunduar tashmë që në Bruksel krahas Albania-s dhe ia sillte sagllam sallam Aldros.

Është fakt se Faik Konica ka shkruar në anije dhe shkruesi i këtyre radhëve e ka vënë re në në disa raste. Kështu p.sh. kur udhëtonte nga Doveri i Anglisë për në Ostend të Belgjikës në anijenPrincesse Clémentine” shkruan artikullin “Reziku i afërm i Shqipëtarëve muhamedanë” dhe kur udhëtonte nga New Yorku për në Queenstown të Irlandës në anijen “Baltic” shkruan artikullin “Mbretëria Shqipëtare edhe paanësia e saj” që mban datën 27 dhjetor 1912.

Po kështu është fakt se kur kemi të bëjmë me ndonji vepër letrare, Faik Konica e shkruante kryesisht natën. Vetë Konica e pohonte më 30 janar 1926 se “jam nga ata që për fat të zi punoj më mirë natën”.

Lidhur me pyetjen e parë kemi një përgjigje, siç shkruan vetë Konica38 në kujtimet e tij: 

«Shkoja, në verë të fundit, anës detit të Çamërisë. Lundra që më shpinte qëndroi në shumë vise, sicilido ndër të cilat, më zgjonte kujtime historiake: Preveza, ku triumfuan armët e Augustit kundr’ Antonit; ku u-bënë aqë lufta në kohë të pastajme, si ajo e ushtarëve të Bonapartit me ata t’ Ali pashë Tepelenës; Parga, edhe plot me madhështin’ e Venedikut. Po bukuria e vendit, majmësia dhe begatia naturale e dheut më bëjtin të çuditem dhe të harroj kujtimet e vjetëra. Ç’kopsht i rrallë munt të bëhet Çamëria, kur të punohet dhe të ndërtohet, me kujdes dhe me regull! Dhe si munt t’ua lëmë Grekëve një pjesë të tillë të Shqipërisë».

 Përsa i përket pyetjes se romanet janë shkruar ‘në kohën e pushimit pranë nënës së tij të dashur’ do ta hedhim poshtë si hipotezë. Lidhur me këtë do të veçoj një letër të Faik Konicës dërguar Át Pashk Bardhit në Arbënesh (it. Borgo Erizzo, kr. Arbanas) të Zarës më 19 qershor 1902. Nga kjo letër e famshme Bardhi39 na zbulon aspekte të rëndësishme të marrëdhënieve që Konica mbajti me nënën:

«Më vjen keq për nënë t’ ime, për plakën e mjerë qi dhietë vjetë që po më pret kot në lotë e hidhërime, e qi ndofta kurrë më s’ka për të më parë».

Përveç këtyre që përmenda shkurt më lart, do të veçoj një nga takimet që pati Konica në Korfuz. Ai do të takojë (ndoshta për herë të parë) udhëheqësin e Çamërisë, Musa Demin e lavdishëm, për të cilin (17 vjet më vonë) do të shkruajë: “një shqiptar i kthjelltë që s’ka kursyer asnjë rrezik për veten e tij, ka pësuar dëme, ka ngrënë burgje, por ka mbetur i patundur. Një njeri si ky duhet të nderohet jo vetëm nga ne, por edhe nga grekët me karakter.”

Siç është tashmë e njohur, Konica do të qëndrojë në Korfuz pranë nënës rreth një muaj.  Me sa e di Jup Kastrati është i pari që ka thënë se “në korrik të këtij viti [1909] Faiku shkoi në Korfuz për t’ua takuar me prindërit e tij dhe prej andej u nis për në Amerikë40”. Gjithashtu Konica do të qëndrojë një javë pranë vëllait (Mehmetit) në Artë të Çamërisë. Aty do të takohet edhe me disa shqiptarë që ishin pronarë tokash në fushën e Llurit.

Me këtë rast do të kujtoj se F. Andrea pohon se Konica ishte në Korfuz në fund të gushtit. Është për të theksuar se Andrea shpeshherë i ngatërron datat:

a)  ngatërron vitin e zbulimit të romaneve (ka thënë më parë 2010, i këtij mendimi është edhe Th. Gjika) e zhvendos një vit më vonë në studimin hyrës Lojnia, kurse në një shkrim tjetër Zbulim i rrallë në Letrat koniciane41 e zhvendos në kapërcyell të viteve 2011-2012;

b) ngatërron vitin e shkrimit (shkruesit të këtyre radhëve i ka thënë se janë shkruar 1910) kurse Th. Gjika (i mbështetur në mendimet e Andreas) e zhvendos një vit më parë dhe në një rast tjetër dy vjet më parë;

 c) ngatërron vitin pagëzimit të Faik Konicës në ‘katolik’ (ka thënë se pagëzimi ka ndodhur më 1895) dhe më vonë është i mendimet42 se është pagëzuar një vit më parë, domethënë viti 1894 dhe

d) ai daton gabimisht edhe studimin hyrës Lojnia gjoja se është përfunduar më 2012.

Në fund është me interes të thuhet,  siç e cekëm pak më lart, sipas F. Andreas romanet janë përfunduar në Bruksel ‘dhe ia sillte sagllam sallam Aldros’. Është një hipotezë e pazakontë dhe e pabesueshme, duket sikur çudi, edhe vetë Andrea zor se mund ta besojë. Dimë, se Konica ka jetuar në Bruksel deri më 1902, d.m.th. sipas një shkrese të datës 16 gusht 190243 njoftohet se ai nuk jetonte më në këtë qytet. Edhe ku pohim F. Andreas për të ndriçuar kohën dhe vendin e shkrimit të romaneve do të ngelet si gjurmë në akull.

Vijon te: https://exlibris.al/sevdai-kastrati-romanet-qe-jane-konsideruar-gabimisht-te-faik-konices-pjesa-3/

Shënime

20 “Don Aladro was author of a short story written in French on an Albanian theme. This 56-page work of no particular literary merit was translated into Spanish under the title Sotir y Mitka (Sotir and Mitka), Jerz 1912”. Robert Elsie: A Bibographical Dictionary of Albanian History, “I.B.Tauris & Cp. Ltd.”, London, 2013, f. 7.

²¹Lidhur me këtë shih F. Andrea: Retrospektivë radioskopike për një portretizim të Aladro Kastriotit, f. 28-29: “Pra, ky, Aladro, që edhe për të hartuar një letër të thjeshtë përdorte sekretar, veç kur do na shkruaka ngeshëm, vite më pas, aty nga viti 1909 dy libra, shi në kulmin e depresionit – siç do ta shohim më pas -, dhe të manipulimeve të tij të pareshtura për t’ia hipur kaluarthi fronit të Shqipërisë! E jo dy libra të karakterit politik siç do duhej t’i kishte hije “pesonalitetit të tij shoqëror”, por dy romane të mira në frëngjisht me tematikë të mirëfilltë shqiptare!”

²²Thanas Gjika, Faik Konica – romancieri i parë realist i letërisë sonë (Mbi realizmin e diptikut romanor Martesa e Lejlës, Sotiri dhe Mitka), “Illyria”, 25 nëntor – 8 dhjetor 2016, f. 72.

²³Faik Konica, Letrë e çilun Gaspër Jakovës, “Albania”, Londër, 1903, nr. 2.

24 Shih. G. I. M.: Faik-derri, “Laimtari i Shqypëniës”, Romë, 15 dhetuer 1904, nr. 7, f. 46.

25Shih [Faik Konica]: Ç’është një “Kryefjalë”? “Albania”, Londër, 1906, nr. 5, f. 90.

26Shih Faik Konica: Një kalendar, një duel, dhe një palaço, “Dielli”, Boston, 18 prill 1923, nr. 2575 (118), f. 5.

27Shih Fotaq Andrea, Njeriu Faik me përkushtim Shqipërinë modern, “Dielli” on-line 27 prill 2020.

28 I pari, që e ka vënë në dukje çështjen e duelit si komedi, ishte Rexhep Qosja në veprën e vitit 1972 me titull Asdreni: jeta dhe vepra e tij, ku thotë: “Pas përfundimit të Kongresit të Trieshtës, në të cilin ishte luajtur një komedi e vogël kur Nikollë Ivanaj e kishte ftuar në dyluftim Faik Konicën”.

29Shih Faik Konica, Për stërvitjen morale dhe sociale të Popullit: një shoqëri kriminale, Arkivi Qendror i Shtetit (Tiranë) – “Fondi Faik Konica 12, dosja 12”, f. 1-16; F. K.: Federata “Vatra” dhe Federata e Madhe “Atdheu”.  “Dielli”, 3 qershor 1922, nr. 2451 (34), f. 4-5; Faik Konica, Themelet e shtetit dhe Beqir Valteri, “Dielli”, 2 gusht 1924, nr. 2746 (289), f. 5.

30Faik Konica, Pata një bisedim të çuditshëm, “Dielli”, Boston, 14 prill 1923, nr. 2574 (117), f. 4.

³¹Ia vlen të lexohet letra e plotë e Sh. Gurakuqit që dërgohet nga Roma dhe mban datën 8 qershor 1925: Shum, prej atyne qi të kanë njohtë, thojshin se ti je nji nieri i poshtun, por unë nuk do t’a kishem mendue kurr se poshtersija e yte mbërrijnë në një shkallë aq të qelbun, sa me të bam me qitun jarg prej gojet tue i u shpifun, me nji mënyrë të çuditëshme, një të vdekunit, i cili e shkrini të gjithë jetën për vend të vet. Nuk e paske harruem shkopin e Gurakuqit, e duket se paska kenun aq i fortë, sa po t’u krueka shpina gjithnji. Nji nieri do ta kish hjekun mundim të mathme i trillue të gjitha ato fjalë të shamesh, shpifjesh e shkarkimesh kunder nji atdhetari aq të math e të njohtun si kje Luigj Gurakuqi, por për ty do të jet kenun puna e lehtë, pse, si duket, kur shkruen ven para nji pasqyrë, dhe aty sheh e pershkruen kualitetet t’ua.

Nji turp ma i math qi e shton poshtersin t’ande asht se ti guxon me vuem goje kunder Gurakuqit sot qi asht i vdekun, por nuk asht çudi, pse nji njeri i poshterm e i qelbun si ti nuk mund ta dij se çka asht burrnija. Kur në Parliament shqiptar nji deputet nisi të flasë kundër tejet, Gurakuqi i ngratë i ndaloj fjalën tue i thanun kryetarit se nuk ishte mirë të flitej kunder nji nierit qi nuk ishte present për të mprojtë veten. Ti por nuk meritojshe mprojtje, sikurse nuk meriton as pergjigje: e vetmja pergjigjje per ty asht dajaku, i cili nuk do të kursehet per në kjoftë se do të qesin ndonji herë rasti nder këto ana.

³²Shukri Rahmi: Kush ka qenë Aladro Kastrioti? “Jehona”, Shkup, 1966, nr. 4,  f. 72.

³³Siç mund të shihet nga një letër që F. Konica i ka dërguar V. Dodanit që mban datën 29 nëntor 1901 ku ndër të tjera thotë: “Për Princin e Aladros që më pyete munt të të shiguronj se është njeri shum i ndershëm e më duket se qëllimet e tija janë të lartra e të bukura. Është mirë të këmbesh edhe zotrote letra me të. Në do shkruaji një përgëzim për emrin Skënderbeg që ka themeluar, i cili i-a dha sivjet një bashkëpunëtori t’im nga Gegëria që ka shtypur disa libra. Princi i Aladros dha edhe disa mijëra frënga për një kartë dheshkrimtare të Shqipërisë që do të dalë në dritë në funt të Kalëndorit, është gati të prishë edhe të tjera të holla, po kam frikë se mos e lodhin së rjepuri ca zuzarë të pa-turpshëm”, në: Vissar Dodani, Memoriet e mija: kujtime nga shvillimet e para e rilindjes të kombit shqipëtar ndë Bukuresht, Shtypëshkronja “Albania”, Constantza, 1930, f. 98.

34Shih “Biblioteconomía”, Barcelonë, Enero-Junio 1956, nr. 43, f. 111.

35Thanas Gjika, Mosdënimi i krimit është krim i ri, Botimet Omsca-1, Tiranë, 2016, f. 225.

36Ferid Hudhri, Piktori mëmëdhetar Theohar Gjini, në: Arti i rilindjes shqiptare (1883-1945), “Onufri”, Tiranë 200, f. 155-165.

37Rexhep Qosja, Kritika letrare, “Rilindja”, Prishtinë, 1969, f. 191.

38Shih Faik Konica, Çamët dhe Shqipëtarësia, “Dielli”, Boston, 14 janar, 1910, nr. 42, f. 2.

39Át Pashk Bardhi, Faik Konica, “Hylli i dritës”, Shkodër, nanduer-dhetuer 1942, nr. 11-12, f. 476.

40Jup Kastrati, Faik Konica, “Gjonlekaj Publishing Company”, New York, 1995, f. 59.

41Shih Fotaq Andrea, Zbulim i rrallë në Letrat koniciane (Faik Konica alias Gjoni i Krujës me dy romane të reja, të panjohura deri më sot, “Martesa e Lejlës” – “Sotiri dhe Mitka’), “Illyria”, 28 nëntor 2016, f. 51

42Fotaq Andrea, po aty.

43Isak Shema, Veprimtaria e Faik Konicës (Bruxelles 1896-1902), “Dituria 2015”, Prishtinë 2019, f. 11.

Exit mobile version