Kreu Letërsi Bibliotekë “Serumi”, tregim nga Andrin Kabashi

“Serumi”, tregim nga Andrin Kabashi

Andrin Kabashi

Nuk e di sigurt se sa kohë kishte që isha shtrirë në spital. Dy javë? Apo ndoshta më shumë? Nuk e di. Kam dëgjuar infermieret duke biseduar mes vete se kishin kaluar përplot tre muaj që kur unë u shtrova në atë spital që mbanë erë myku. Por unë nuk e besoja këtë gjë. Oh, jo! Doemos do kisha vetëm dy javë, më e tepërta do ishte tri. Muret ishin ngjyrë gri në një jeshile të zbehur dhe të thatë. Asgjë nuk kish jetë në atë spital. Madje as lulet të cilat ishin pranë parmakëve të dritares. Ishin të thara dhe të vyshkura. Kishin ulur kryet poshtë dhe dukeshin sikur nga dita në ditë do vdisnin dhe do këputeshin nga kërcelli i tyre i tharë.

Në përkujdesjen time ishin dy infermiere. Ato ndërroheshin me njëra – tjetrën hera – herës. Punonin me turne të gjata. Së fundmi, ato ditë, si për çudi, mora një lajm të mirë. Njëra nga infermieret më tha se gjendja ime kish filluar të stabilizohej dhe nuk do duhej edhe shumë kohë që të shërohesha e të dilja nga spitali. Ditët kalonin dhe infermieret ndërroheshin. Ndodhte ndonjëherë t’i shihja teksa ndërroheshin. Takoheshin tek dera e dhomës sime. Shkëmbenin dy llafe dhe më pas vazhdonin secila në punët e veta. Që nga ajo ditë prisja me padurim që ndonjëra prej tyre të më thoshte lajmin e mirë se kur do dilja nga spitali. Më kishte marrë malli për të dashurit e mi. Edhe pse asnjëri nga ta nuk mori guximin dhe mundin të vinte e të më vizitonte qoftë edhe një herë të vetme në dhomën time të errët dhe melankolike, prapë se prapë nuk e di pse kisha mall për ta.

Në një nga ditët e mia të fundit, teksa infermierja më vendosi serumin e ri dhe atë të vjetrin hoqi mënjanë, më tha se ato ishin dozat e fundit që do merrja dhe se, po qe se gjithçka do shkonte mirë, krye tre – katër ditëve unë do isha i lirë nga spitali. Por e keqja ishte se, po që se gjendja ime – për ndonjë arsye të çfarëdoshme – përkeqësohej, atëherë i kisha ditët e numëruara. Të them të vërtetën më gëzoi ky fakt, edhe pse atë pjesën e dytë nuk ma kish fort ëndja, por prapë se prapë qesha. Kishte kohë që nuk kisha vënë një buzëqeshje në fytyrën time të bardhë. Ajo doli nga dhoma dhe u takua me infermieren tjetër kundruall derës së dhomës sime. Mund të shihja çdo gjë falë atyre xhamave që kishte muri i korridorit.

Ktheva kokën në krahun tjetër, nga dritarja e hapur që më sillte freski. Ktheva kokën që të shihja jashtë saj dhe pash diçka që fluturonte. Nuk mundja ta dalloja mirë. Nuk e dija në ishte pëllumb apo ndonjë kukuvajkë, por nuk u desh shumë që një korb i zi erdhi dhe u fut në dhomën time. Vendosi këmbët mbi mbajtësin e serumit tim dhe filloi ta çukiste me sqep atë. U mundova ta trembja, por nuk largohej. Lëshoja zëra nga më të ndryshmit, por ai djall i zi nuk trembej nga asgjë. Thirra motrat me sa fuqi që kisha dhe asnjëra nuk ktheu kokën të më shikonte. Madje u larguan duke qeshur me batuat e tyre idiote. Nuk dija ç’të bëja tjetër gjersa korbi i zi shkulte dhe copëtonte shishen plastike të serumit që po merrja. U ngrita në këmbë për ta larguar atë dreq krijese me dy krah nga serumi im. Ai filloi të më godas me krahët e tij të mëdhenj dhe më gërvishte fytyrën me ato kthetra të mprehta si shpatë. M’u vendos në fytyrë dhe nuk më linte të shihja se ku vendosja këmbët. Kërkova ndihmë por askush nuk më përgjigjej – gjersa pashë veten se këmbët m’u rrokullisën në tubat e oksigjenit dhe rashë nga dritarja, për të gjetur vdekjen, e cila më priste matanë saj.

Prishtinë, 25. 12. 2020

Exit mobile version