Kreu Letërsi Bibliotekë Sejdin Cekani: Kryqi në tastierë

Sejdin Cekani: Kryqi në tastierë

Tregim për një
ngjarje të jetuar

Në fillim të viteve ’90, Shqipëria ngjante me një stacion të madh ikjesh. Njerëzit largoheshin me anije, me kamionë, më këmbë. Ikja ishte bërë mënyrë mbijetese, por edhe një ethe kolektive për të prekur një botë që deri dje ishte parë vetëm në ekranet e zbehta të televizorëve bardhë e zi.

Në ato vite, një telefon shtëpie kishte vlerë shumë të madhe. Sepse ishte edhe si një pikë takimi me të ikurit. Sidomos në qytetet e vogla, telefoni i shtëpisë ishte edhe si njëfarë pasaporte.

Në korridoret e apartamenteve prisnin gra me shami të zeza, burra të heshtur dhe nëna që mbanin duart mbledhur në prehër, sikur po prisnin lajme nga një luftë e largët. Dikush priste një zë nga Athina. Një tjetër nga Milanoja. Një tjetër nga Gjermania.

Telefonat binin rrallë, por kur binin, zemrat hovnin para se njerëzit të ngriheshin më këmbë.

Edhe shtëpia ime ishte kthyer, pa e kuptuar, në një lloj poste të vogël emigrantësh…

Në mbrëmje, korridori i apartamentit mbushej me zëra të ulët, me filxhanë kafeje dhe me atë ankthin e heshtur që sillnin vitet e ikjeve. Telefoni gri me butona rrinte mbi një komodinë të vogël pranë derës së hyrjes. E kisha vendosur aty me qëllim: kush fliste me njerëzit e vet nga jashtë, të kishte sadopak vetmi apo, siç e quajmë sot, privatësi.

Shpesh, njerëzit vinin shumë kohë përpara orarit të telefonatës. Prisnin dhe dëgjonin tiktakun e orës së murit. Kthenin kokën sa herë që dëgjohej ndonjë zhurmë në korridorin e apartamentit. Nënat rrinin më të heshtura. Baballarët mundoheshin të dukeshin të fortë, por gishtat u dridheshin mbi gotat e ujit dhe filxhanët e kafeve.

Mbaj mend një të diel, kur në shtëpi qenë mbledhur katërmbëdhjetë vetë. Disa ishin ulur në divan, disa në karrige, ndërsa dy gra rrinin përtokë, mbështetur pas murit të korridorit. Nëna ime hynte e dilte nga kuzhina me tabaka në dorë, sepse u çonte kafe e ujë mysafirëve.

Askush nuk fliste me zë të lartë. Të gjithë prisnin zilen. Ajo zile kishte diçka të frikshme dhe të shenjtë njëkohësisht. Kur binte, njerëzit ngriheshin me vrull. Dikush merrte frymë thellë. Dikujt i zverdhej fytyra. Dhe për disa minuta, në atë korridor të ngushtë, hynte gjithë Europa.

Një natë vere, vonë, kur po bëheshim gati për të fjetur, ra telefoni.

Ime shoqe, Eri, shkoi e para dhe ngriti receptorin.

E dëgjova të thoshte disa herë:

– Alo? Po, po. Një minutë…

Pastaj mbuloi mikrofonin me pëllëmbë dhe më pa me një lloj pasigurie.

– Duket si zë djali të vogël, – më tha me zë të ulët. – Eja fol ti.

Mora receptorin.

Në anën tjetër dëgjohej një frymëmarrje e lehtë, e ndërprerë. Pastaj një zë rioshi, ende i papjekur mirë.

– Më falni që ju mora kaq vonë…

Në ato vite, mjaftonte një “më falni” e tillë për ta kuptuar gjysmën e historisë. Ishin mijëra djem që kishin ikur pa adresë, pa ditur gjuhë, pa njeri. Djem që flinin stacioneve, që humbnin nëpër qytetet e Europës, që mbaheshin gjallë me punë rastësore dhe me shpresën se një ditë do të sistemoheshin.

– S’ka problem, – i thashë. – Fol lirshëm.

Ai heshti pak. M’u duk sikur po përpiqej ta merrte veten.

– Kam tetë muaj pa folur me prindërit…

Pastaj zëri iu drodh. Më tregoi se, pas dy muajsh, mbushte shtatëmbëdhjetë vjeç. Kishte ikur me dy shokë më të rritur, fshehurazi, me anije nga Durrësi drejt Italisë. Kishte folur një herë me të ëmën prej andej. Pastaj, pa i treguar askujt, kishte hipur në një tren dhe kishte shkuar vetëm në Gjermani.

– Jam në Dyseldorf, – tha. – Nuk dinë as ku jam… Do jenë çmendur…

Në fund të fjalisë zëri iu thye fare dhe po ngashërente.

Për disa sekonda nuk fola. Vështroja dritën e verdhë të korridorit dhe dëgjoja frymëmarrjen e tij nga mijëra kilometra larg. Ishte një djalë adoleshent. Vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç. Dhe papritur m’u duk sikur gjithë Europa e atyre viteve ishte mbështjellë në atë zë të hollë që vinte nga telefoni.

– Si e ka emrin babai? – e pyeta.

Ma tha.

Mbiemri më bëri menjëherë përshtypje: Cura. Ishte mbiemër që e mbanin shumë familje nga Polisi.

– Mos është nga Polisi? – e pyeta.

Në anën tjetër u bë heshtje. Pastaj dëgjova një frymëmarrje të fortë.

– Po! Po! Nga Polisi! E njihni?!

Për herë të parë, në zërin e tij u ndie diçka që nuk ishte frikë. Ishte shpresë.

– Nuk e di nëse e njoh, – i thashë, – por do të përpiqem ta gjej. Mos u bëj merak.

Ai nisi të më shpjegonte me ngut: i ati punonte në Kombinatin Metalurgjik, e ëma ishte infermiere në Neurologji. Shtëpinë e kishin diku në periferi të Elbasanit. Jepte shenja orientuese të paqarta, siç japin njerëzit kur janë larguar me kohë nga një vend dhe përpiqen ta mbajnë mend me sy fëmije: rrugë, një kthesë, një depo, një mur i bardhë, një avlli me hardhi.

Ndërsa fliste, kuptova se ai po mundohej të mos i humbte kujtimet që i kishte marrë me vete.

– Më dëgjo, – i thashë para se të mbyllnim telefonin. – Nesër pasdite më telefono përsëri, në orën shtatë pasdite. Besoj se do t’i kem gjetur.

Nuk foli menjëherë.

– Vërtet?

Në atë “vërtet” kishte aq shumë lodhje dhe mosbesim, sa m’u duk sikur po fliste jo një djalë, por dikush shumë më i madh në moshë.

– Po, vërtet.

Kur mbylla receptorin, korridori m’u duk papritur më i ngushtë. Eri po më vështronte pa folur.

– Çfarë kishte? – pyeti më në fund.

– Një çunak… në Gjermani.

Nuk shtova gjë tjetër.

Atë natë fjeta pak. Në mendje më sillej zëri i tij. Ishte ai lloj zëri që të mbetet gjatë në veshë. Jo vetëm nga trishtimi, por nga vetmia.

Të nesërmen, sapo mbarova punët në gazetë, takova Isufin. Ishte njeri babaxhan, zemërmirë, nga ata burrat që, edhe kur nuk të ndihmojnë dot, të japin kurajë vetëm me mënyrën si të dëgjojnë.

Kur dëgjoi mbiemrin “Cura”, ngriti kokën menjëherë.

– Janë nga anët tona, – tha. – Hajde ta gjejmë.

Atë pasdite brodhëm për disa orë nëpër lagjet e qytetit. Elbasani i atyre viteve kishte një pamje të çuditshme si në ngjyrë gri. Dyqane që sapo ishin hapur. Burra pa punë që rrinin pranë lokaleve. Gra që ktheheshin me qese të vogla në duar. Djem të rinj që flisnin vetëm për ikje.

I gjetëm më në fund në një shtëpi të ulët, paksa të veçuar.

Kur i thamë burrit pse kishim ardhur, ai mbeti për disa çaste pa lëvizur. Vetëm na shihte.

– Djali juaj ka marrë në telefon nga Gjermania, – i tha Isufi ngadalë. – Është gjallë. Është mirë.

Nuk do ta harroj kurrë fytyrën e atij burri. Nuk foli menjëherë. Sikur nuk u besonte veshëve. Pastaj u ul ngadalë në një karrige pranë murit dhe vuri dorën mbi sy.

Nuk qante me zë. Po dridhej.

Nga brenda doli e shoqja. Duke parë fytyrën e burrit, u zbeh menjëherë.

– Çfarë ka ndodhur?

Burri mezi foli:

– Është gjallë…

Gruaja nuk pyeti më. U mbështet te pragu i derës. Po i merreshin këmbët.

Në ato vite, fjalia “është gjallë” kishte peshë tjetër.

Shpesh, njerëzit iknin dhe humbnin pa lënë gjurmë. Familjet prisnin muaj të tërë pa marrë asnjë lajm. Disa mbanin shpresë. Disa bënin sikur mbanin.

Të dy prindërit erdhën të nesërmen në shtëpinë tonë shumë përpara orarit. Ishin veshur me kujdes, sikur po shkonin në një takim të madh.

Gruaja mbante duart e mbledhura fort mbi prehër. Burri kthente kokën herë pas here dhe shihte nga korridori.

Telefoni rrinte i heshtur. Minutat kalonin ngadalë. Pastaj, pikërisht në orën e caktuar, ra zilja.

Të dy u ngritën menjëherë më këmbë. Burri mori receptorin, por nuk foli dot menjëherë.

Vetëm dëgjonte. Pastaj zëri iu thye:

– O bir… ku je, o bir?

Për disa minuta në korridor nuk u dëgjua gjë tjetër veç zërave të ndërprerë, të qarave dhe heshtjeve të gjata që flasin më shumë se fjalët.

Herë dëgjohej zëri i burrit, i rëndë dhe i ngjirur:

– Pse ike vetëm, mor bir?

Herë zëri i gruas:

– A ha bukë? A je mirë?

Pastaj të dy qanin. Mandej qeshnin papritur. Pastaj sërish heshtnin.

M’u duk sikur në atë korridor të ngushtë po hynte e gjithë dhimbja e atyre viteve: portet, anijet, stacionet, netët nëpër vendet e Perëndimit, nënat pa gjumë dhe djemtë që plakeshin para kohe.

Unë dhe Eri rrinim në dhomën tjetër, pa folur. Vetëm dëgjonim zërat që vinin nga korridori dhe herë pas here vështronim telefonin gri mbi komodinë, sikur edhe ai të ishte lodhur nga aq shumë mall njerëzor.

Biseda zgjati më shumë se një orë. Kur, më në fund, prindërit e djalit u kthyen në dhomë, fytyrat u kishin ndryshuar krejt. Kishin ende sy të skuqur, por tani dukej sikur mbi ta ishte hequr një barrë e rëndë.

Nëna ime u tha me zë të dhembshur:

– Uluni t’ju bëj një kafe.

Të dy buzëqeshën pothuajse njëkohësisht.

– Po, – tha burri. – Tani mund ta pimë.

Gruaja fshiu sytë me cepin e shamisë dhe shtoi:

– Do ta pimë edhe për kryqin tuaj të bekuar…

Unë dhe Eri u pamë në heshtje. Për një çast mendova se gruaja po fliste përçart për shkak të emocioneve.

Ajo e kuptoi habinë tonë.

– Jo, jo… Nuk po flas kot, – tha dhe u përpoq të merrte frymë më thellë. – Djali na tregoi gjithçka.

Burri uli kokën dhe buzëqeshi i lodhur.

– Tregoje, – i tha. – Ashtu siç ta shpjegoi ai.

Gruaja heshti pak, pastaj nisi të fliste me atë zërin e njerëzve që rrëfejnë diçka që edhe vetë ende nuk dinë si ta shpjegojnë.

Na tregoi se ishte nga Himara. Se nëna e saj kishte qenë besimtare e devotshme edhe në vitet kur feja ndalohej me ligj. Në shtëpi e mbante gjithmonë fshehur një kryq të vogël argjendi dhe lutej natën, pa zë.

Kur nipi kishte mbushur dymbëdhjetë vjeç, ia kishte varur kryqin në qafë dhe i kishte thënë:

“Nëse ndonjëherë humbet, mbaje në dorë dhe Zoti do të të nxjerrë në rrugë.”

Gruaja uli sytë.

– Djali e kishte marrë me vete, kur iku.

Në dhomë ra heshtje. Dëgjohej vetëm zhurma e lehtë e lugës me të cilën Eri po trazonte kafetë.

– Në Gjermani, – vazhdoi gruaja, – ai paskësh provuar shumë numra telefoni të Elbasanit. Rastësisht. Kot. Po askush nuk e njihte të atin.

Ajo ndaloi pak. Pastaj buzëfqeshi mes lotëve.

– Dhe atëherë… i kishte shkuar mendja te kryqi.

Ngriti dorën në ajër, sikur po vizatonte diçka të padukshme.

– Siç më rrëfeu dhe djali, në tastierën e telefonit, numrat dy dhe tetë bëjnë vijën horizontale. Njëshi dhe treshi vertikalen. Kryqi formohet te 2813…

Instinktivisht, të gjithë i hodhëm sytë nga telefoni në korridor. Ky ishte numri i telefonit të shtëpisë sonë: 2813.

Dhe vërtet, numrat formonin një kryq të vogël.

Për disa çaste askush nuk foli. Nuk e di pse, por atë mbrëmje askush nuk u përpoq të dukej racional. As unë.

Ndoshta ngaqë ka raste kur njerëzit kanë nevojë të besojnë se jeta nuk është vetëm rastësi. Se diku, në mes të humbjes, ekziston një shenjë e vogël që të çon përsëri te njerëzit e tu.

Eri e theu e para heshtjen.

– Ndoshta, – tha me zë të ulët, – kur dhimbja bëhet shumë e madhe, edhe rastësia fillon të duket si fat.

Askush nuk foli më.

Nga aneksi i kuzhinës vinte era e kafesë së sapozier dhe telefoni gri vazhdonte të heshtte, si ta kishte kryer më në fund detyrën më të shenjtë në këtë botë.

Exit mobile version