Mirupafshim në atë botë!
I rashë me ngut telefonit, ndërsa sytë i hidhja nga televizori për të parë një gaforre që kapte alga me darët e saj dhe i vinte mbi vete për t’u maskuar.
– Alo!
Një zë i njohur m’u përgjigj: Urdhëro!
Unë: – Kush je?
Zëri: – Sazan G.
– Më fal – thashë. – I kam rënë numrit gabim. – Pastaj u kujtova. – Ou! Ti Sazan qenke?! Po kur je kthyer?! Si ka mundësi!?
– Më erdhi një djallush nga Toka dhe më kallëzoi se dorëshkrimet e mia i kanë futur në një kosh të mbuluar me plastmasë në fund të oborrit pranë portës; po i hanë minjtë dhe janë mbytur nga lagështia e uji… Prandaj mora leje për ca ditë dhe erdha në Tokë të shoh e të rregulloj diçka, ç’të mundem.
Unë ende i goditur nga befasia, nuk m’u durua pa e pyetur:
– Po ti, pasi vdiqe, ku shkove? Ku je? Në Parajsë apo Skëterrë?
– Vetëkuptohet, në Skëterrë. Ti e di, unë jam pagan nga emri dhe bindjet.
– Po si është atje?
– Për mua atje ka vetëm libra, libra pa fund, që unë jam i detyruar t’i lexoj natë-ditë, edhe pse atje dita e nata nuk kanë ndryshim.
– Po ti vetë, a shkruan? A të lejojnë të shkruash?
– Po, shkruaj. Askush nuk më pengon. Por nuk më lexon askush. Fletët këtu janë të zeza. Por janë ca djaj të shkathët trafikantë, gjejnë shtigjet dhe i fusin kontrabandë në Parajsë. Atje i përpijnë engjëjt, sidomos engjëjt e rinj.
Unë për një çast gëlltita habinë dhe thashë: – Pse letërsi pornografike shkruan tash? Ti ke qenë përherë lirik i hollë, i butë, i ëmbël…
– Ç’është ajo fjalë! Tash shkruaj vetëm vepra epike, romane, epope, drama, tragjedi. Unë rikrijoj tmerrin mbi Tokë.
Unë ende s’e kisha mbyllur gojën nga habia, prandaj thashë:
– Po dorëshkrimet këtu ç’të duhen? Ato përshkruajnë Parajsën në tokë.
– Ke të drejtë. Ato duhen vetëm për në arkiva ose muze. Por dhe në to zor se i pranojnë pa dhënë diçka nën dorë. Gjithsesi, do t’i telefonoj drejtorit të Arkivit të Madh, se kam pas qenë me të shok në fakultet, dhe mbase bën ndonjë përjashtim.
– Ashtu qoftë! – thashë.
– Nesër nisem, – tha ai, – por dëshiroj të të jap një këshillë, si shokë që jemi…
– Natyrisht, –thashë, – ti ke përvojë…
– Kur të shkosh në atë botë mos harro të marrësh me vete dhe një gjilpërë.
– Një gjilpërë! Ç’ta dua?! Atje nuk ndien asgjë.
– Dëgjo mua. Sa herë që do të të vijë për gjumë, do të shposh veten me gjilpërë dhe do të jetosh. Unë kështu bëj, prandaj kam arritur të vij dhe në Tokë e të flas dhe me ty.
– Faleminderit për këshillën dhe mirupafshim në atë botë! – përshëndeta atë dhe veten.
Ai: – Të uroj vdekje të mbarë! Mirupafshim! – dhe mbylli telefonin.
Litari
A – Të pëlqen a s’të pëlqen ty, për mua gjella më e shijshme është korrupsioni. Pa korrupsion bota do të kishte mbetur te epoka e gurit ose, e shumta, te parmenda prej druri. I zoti dhe i paafti, i pasuri dhe i varfri…
B – Pra, ti mendon se i paafti për t’u pasuruar dhe i afti për të punuar…
A – Jo unë nuk mendoj asgjë. Po të vë përpara syve faktet, të vërtetën. Gjithçka tjetër është propagandë, ideologji, moral. Dhe morali është për të dobëtit, për të varfrit, ashtu siç është drejtësia për të pasurit e të fuqishmit.
B – Drejtësia?!
A – Po, po, drejtësia. E vërteton përditë realiteti atë që na thoshte dikur një mësues, se “drejtësia është një rrjetë merimange, ku mbesin insektet e vogla, kurse të mëdhatë e çajnë e shpëtojnë”.
B – A nuk ju duket se ju po i bini në qafë realitetit dhe qytetërimit me cinizmin tuaj të skajshëm, brutal, vetëm e vetëm për të përligjur imoralitetin tuaj, pasurinë tuaj, statusin tuaj si personalitete të domosdoshme për shoqërinë.
A – Unë nuk fyem nga…
B – Bota është komplekse, plot kontradikta, konflikte pa fund… Njëanshmëria juaj djallëzore ka qëllim të mbulojë vlerën e punës e të dijes. Dhe ju i shfrytëzoni këto mrekulli të njeriut për t’u bërë zotër të atyre që i kanë dhe i zbatojnë në jetë.
A – Hahahaha…
………………………………………………………………… (Ata kishin kapur për flokësh njëri–tjetrin (si disa baballarë shtetesh në disa parlamente të nderuara) dhe luhateshin sa para mbrapa, sa djathtas majtas për të hedhur tjetrin përtokë. Ashtu të mbërthyer nuk po shihnin se ndodheshin e po rrëshqitnin buzë një humnere. Po Zoti mëshirëmadh, që shikon gjithçka, u lëshoi nga sipër një litar – nga ata të peshkatarëve – dhe ata… shpëtuan. Po ngaqë Zoti nuk blihet me para, nuk e pranoi ofertën e pasunarit për ta bërë të pavdekshëm. Edhe nga ai tjetri, që nuk dihej në ishte i kamur apo i varfër, Zoti mbeti i pakënaqur e i zhgënjyer, sepse ai nuk i blatoi asnjë lutje ose falje, por heshtte dhe vetëm mendonte me kokën e vet.
Pas ca dekikash për Zotin, d.m.th. vitesh për njeriun, Zoti, i fyer e i zemëruar, e lëshoi litarin dhe të dy miqtë u rrokullisën në humnerë, në fund të së cilës priste gojëhapur, kurrnjëherë e ngopur, mikja e të gjitha qenieve të gjalla, zonja Vdekje.)
Hiri
Pasi u ngop me dashuri një vit të tërë, Dafina nisi të mos mendojë më me zemër po me mendje.
– Pse nuk më njeh me prindërit e tu? Jam shumë kureshtare, dua t’i takoj, – i lutej ajo Trimit. Në të vërtetë, thellë në vete ajo dëshironte të shihte e të merrte vesh a ishin aq të pashëm e të mençur prindërit sa vetë Trimi, a kishin ndonjë cen të parët e tij? Ajo mendonte për fëmijët që do të kishte me Trimin.
– Unë jam njeri i lirë, nuk dua të di për asnjeri, – i tha ai me kryeneçësi. – Prindërit e mi janë dy pleq që as duan t’ia dinë për mua, as unë nuk kam pse lidhem më me ta. Ata rrojnë në botën e tyre të sëmundjeve e të kujtimeve të një kohe të harruar. Unë jetoj e shijoj kohën time. Ata kanë aq të ardhura sa u duhen dhe unë jam gati t’i ndihmoj në çdo çast.
Pra, dhe Trimi nuk po mendonte më me zemër po me mendje.
– Unë dua, – i mëshoi ajo zërit – që fëmijët e mi të kenë gjysh e gjyshe, që t’i përkëdhelin, t’i shëtisin, t’u tregojnë përralla…
Ai s’e hapi gojën. Ajo mendoi me sytë e ngulur në trungun e një pishe që kishte përpara: “Kur ky nuk ka pikë dashurie të natyrshme për ata që i kanë bërë kokën, po kur të kthehet në hi zjarri i dashurisë sonë? Atij do t’i neveritem. Egoizmi i tij do t’ia mbysë edhe dashurinë për fëmijët.
– Prindërit e mi kanë dëshirë të të takojnë, – i tha ajo Trimit një mbrëmje pas puthjes së parë te stoli në lulishten e qytetit.
– Kjo do të thotë që ne të varrosim dashurinë tonë, fshehtësinë tonë të shenjtë, – tundi kokën i mrrolur ai. – Unë dua që dashuria jonë të jetë e përhershme…
Të nesërmen u takuan te dhoma e tij. Riti i zakonshëm. Ai e zhveshi, e shtriu në krevat … e puthi në buzë… buzët-akull të ftohta. Trupi i saj – i ngrirë. “Si e vdekur! Apo ka vdekur?” mendoi ai lemerisur.
– Dafina! – e shkundi ai, – fol, ç’të ka ndodhur?!
Ajo, ashtu me sytë e hapur – asnjë fjalë, e ngrirë.
Kur ai u zgjua në agim, ajo ishte zhdukur, nuk ndodhej më në shtrat. Vetëm gropëza e jastëkut të saj dukej qartë.
Të nesërmen – te stoli në lulishte. Dafina erdhi fiks në orën e caktuar nga të dy. Ai erdhi dhjetë minuta më vonë. U ul pranë saj. Zgjati duart ta afronte për ta puthur, por kapi asgjë… zbrazëti. Dafina ishte po ajo prej mishi, flokësh, veshjesh, por e pakapshme. Ajo vetëm nënqeshte me një keqardhje kaq të thellë, kaq të dhimbshme, tmerrësisht ironike, therëse… Ai u çua vrullshëm, eci mbrapsht syshqyer, pastaj ia dha vrapit dhe nuk dihet ku shkoi e ku qëndroi.
Të nesërmen te stoli në mbrëmje, po në atë orë ku shkonin Dafina dhe Trimi u ul një çift i ri dashnorësh. Ndërsa po putheshin, nga pisha mbi ta ra një glasë harabeli në supin e djathtë të këmishës së djaloshit.
Një vizitë e padëshiruar
Agjencia e lajmeve ZYX dha një lajm të pabesueshëm, por dhe të pavërtetueshëm: “Në botën e përtejme të Suedenborgut shkoi një ekip i përbërë nga klerikë të disa feve, për të kryer studimin “për shkallën e besimit të shpirtrave te Zoti”.
Raporti përfundimtar, i hartuar sapo ekipi zbriti në tokë, nuk dihet pse, u mbajt sekret (aq sa mund të mbahet i fshehtë një fakt i nxjerrë nga goja ose i shkruar). Një prift protestant, që anonte pak si tepër nga ana e Epikurit, i kishte dhënë të dashurës flokëverdhë në kulmin e shpirtdehjes disa të vërteta të raportit sekret. Gazetari i ZYX– it, që e kënaqte këtë bukuroshe më tepër se prifti, sepse dinte ta çonte dy herë rresht në orgazëm, ia nxori faktet sekrete, duke u mekur së qeshuri.
Pasi ndaheshin nga kjo botë, shpirtrat e njerëzve kalonin nëpër “një vrimë të zezë”, ashtu sikurse kishin dalë nga barku i nënës, dhe paraqiteshin lakuriq para Shën Pjetrit, ku dukeshin si në radioskopi me të mirat e të këqijat e tyre. Pastaj kryenin një seminar, ku u tregohej me filmime parajsa e skëterra:
Parajsa është… si parajsa. Kopshte me lule e pemë plot fruta, pyje pa fund, liqene plot mjellma, pata e rosa; pëllumba që nuk bëjnë glasa vërtiten në hapësirë duke flladitur ballët e djersitur të shpirtrave; tryeza pa numërim plot gjellë të shijshme, mish i pjekur i të gjitha llojeve të kafshëve, shpendëve e peshqve; verë e pije alkoolike që derdhen nga çezmat e burimet…
Skëterra është… si Toka. Pak më ndryshe nga sa përshkruhet në librat e shenjtë: Fabrika e uzina me tymtarë që nxijnë hapësirën, plantacione pa fillim e fund, makina e avionë si milingonat… Punëtorë e bujq të lodhur e të rraskapitur, pesimistë, shkencëtarë të pakënaqur, artistë të krisur dhe pragmatistë… luftëra të drejta e të padrejta – pa mbarim, greva e demonstrata dhe terrorizëm i pritur…
Pas mbarimit të seminarit, shpirtrat pyeteshin: – Ku dëshironi të shkoni? Në parajsë apo në skëterrë?
Kur ekipi i klerikëve vizitoi së pari parajsën, atje pa tek–tuk ca shpirtra klerikësh të lloj–lloj feve të vdekura e të gjalla që ngroheshin nën rrezet e antidiellit; më tej dergjeshin ca shpirtra pa formë, të ngjashëm me luanët e detit, që laheshin e notonin në një lumë floriri. Pyetën një si truprojë: – Ç’janë këta? – Kanë qenë pronarë pasurish e tokash të trashëguara nga të parët e tyre, – iu përgjigjën ca engjëj ngjyrë trëndafili me tinguj si cicërima zogjsh. Më tej ca shpirtra prostitutash, të veshura si murgesha, pinin cigare e pije shumëngjyrëshe, të ulura buzë trotuaresh e pranë semaforësh të krijuar enkas për ato. Më tej panë kriminelët e të gjitha kohërave që në vend të verës pinin gjak në disa kupa të mëdha sa kafka e njeriut që, edhe pse ata pinin pa pra, kupat mbeteshin përherë plot.
Kur ekipi hyri në portën e ndryshkur të skëterrës, kujtuan të habitur se kishin arritur në tokë, tek të gjallët.
Kur bënë bilancin përfundimtar, anëtarët e ekipit panë të skandalizuar se numri i shpirtrave në skëterrë e në parajsë ishte në raport katër me një. Si është e mundur që shpirtrat të parapëlqejnë skëterrën në vend të parajsës!? Prandaj ekipi vendosi njëzëri: Asnjë informacion. Situata të mbahet sekrete deri në një vizitë tjetër të ekipit të kontrollit dhe të verifikimit. Objektivi e qëllimi i vizitës së parë “u harrua”. Po ja që e vërteta paska krahë dhe fluturon edhe nga faqet e “raporteve sekrete”.
Dekonstruksion
Nuk e di si dhe pse më mbërthyen egërsisht për krahësh dy burra të fuqishëm me përparëse të bardha që, nga sa pashë me cepat e syrit, m’u dukën si robotë, më hodhën me forcë në një si autoambulancë që ishte e ngjashme me një makinë burgu.
Më përplasën në një karrige, më lidhën me ca tela në kokë, rreth zemrës e barkut, në duar e këmbë. Nuk ndieja asgjë. Makina ecte me shpejtësi dhe unë nuk e kuptoja nëse ecnim përpara apo mbrapsht. Befas një zë metalik pyeti:
– E dashuron Evën?
Unë ktheva kryet majtas e djathtas për të parë se kujt i drejtohej pyetja. Dy burrat drejtuan gishtat tregues tek unë. Kaluan një, dy, tre sekonda, kur dëgjova zërin mekanik:
– fMRI–ja u prish!
Shigjeta e aparatit që mat shkallën e dashurisë kaloi skajin e djathtë dhe aty shpërtheu. Befas autoambulanca frenoi dhe unë dëgjova vërshëllimën rrëqethëse të rrotave në asfalt. U hap dera a pasme e makinës dhe dy burrat ose robotët me përparëset e bardha më zvarritën e më flakën jashtë si leckë.
Nuk di sa kohë mbeta as i gjallë as i vdekur. Hapa sytë me zor si portat e ndryshkura të një kështjelle. Përpara meje shtrihej një parajsë e vërtetë si atë që kisha parë para shumë kohësh në një film.
Tashmë isha me flatra engjëlli dhe nisa fluturimin mes një zjarri të gjelbër farfuritës. Përballë po flatronte Eva veshur e tëra me flakë të kuqe.
U përfshimë me njëri-tjetrin, u përleshëm, u rrokullisëm në hapësirë, bëmë gjithçka që mund të bëjnë dy trupa kur shkrihen në një; ndjeva kënaqësitë hyjnore që nuk i kisha provuar kurrë. Atje, në krahët e Evës, mes atij zjarri të gjelbër më zuri gjumi…
…Nuk e di sa fjeta. Ndjeva të ftohtë dhe u zgjova. Isha i shtrirë lakuriq mbi rërën e ftohtë mes një shkretëtire të pafund. Fryu një erë e ftohtë e akullt shtjella-shtjella dhe rëra më mbuloi. Më zuri sërish gjumi… Kur u zgjova e pashë veten pas hekurave të sallës së gjyqit. Isha i akuzuar për prishjen e fMRI–së me magji.



