Kreu Letërsi Shënime mbi libra Sadedin Mezuraj: “Shkaba” –romani polisemantik i Kadaresë

Sadedin Mezuraj: “Shkaba” –romani polisemantik i Kadaresë

Pjesa e parë

Në historinë e letërsisë ndodh rrallë që idetë më turbulluese- ato që prekin psiken e njeriut, të mos shfaqen në veprat monumentale epike, por të gjenden në libra minimalistë në dukje, por që mbajnë brenda vetes peshën e një universi të tërë.

Kështu më duket Shkaba e Kadaresë- një roman i thukët, i mbarsur me tensione të fshehta dhe shtresa kuptimore, një narrativë e shkurtër, por e ngjeshur në përmbajtje me simbolikë, alegori, ngarkesë filozofike dhe estetikë trazuese.

Romani Shkaba përfaqëson një nga veprat më polisemantike dhe simbolikisht më të ngarkuara të letërsisë moderne shqiptare. Edhe në këtë roman, Kadare dëshmon ato tipare të stilit të tij, të një proze e cila, sipas studiuesve, shquhet si “proza e metaforës së madhe të absurdit ekzistencial, proza e parabolës, e analogjisë dhe alegorisë.”[1]

1. Miti dhe rrëfimi alegorik

Studimet e thelluara letrare[2] tashmë kanë evidentuar se pjesa më e konsiderueshme e korpusit letrar të Kadaresë, i ka rrënjët të shtrira në “tokën” e miteve klasike, në legjendat, baladat dhe përrallat shqiptare, të cilat autori, përmes teknikës së rimodelimit dhe risemantizimit, i vendos në shërbim të strukturave narrative moderne, duke u dhënë atyre, përtej ngjyresave shqiptare, frymëmarrje dhe dimensione universale.

Kadare, me zellin e një mitologu racional, zhytet në kohët primordiale mitike për të zbuluar modelet arketipale, ato forca që burojnë nga nënvetëdija kolektive dhe që vënë në lëvizje pasionet njerëzore, mekanizmat shtypës të pushtetit dhe dëshirën e paepur të njeriut për të thyer kufijtë e së pamundurës.

Jo rastësisht Kadare ka shpërndarë në pëlhurën narrative të romanit Shkaba referenca të mitit të Prometeut, të Dedalit, mitin at vrasës të Edipit, mitin e Odiseut që del nga shpella e Ciklopit poshtë barkut të dashit, Shtyllat e Herkulit, alegorinë e shpellës së Platonit etj.

Rrëfimi thuret duke thirrur tekste të tjera: përrallën, fabulën, mitin dhe kjo na kujton atë që nënvizon R. Barthes dhe J. Kristeva, se pëlhura tekstuale është një ind i thurur me dhjetëra citime dhe përfaqëson një rrjet me shtresa ndërtekstuale. Kjo teknikë ndërtekstualiteti i jep romanit një përmasë të dyfishtë: nga njëra anë aludon për një realitet shumë konkret (të Shqipërisë totalitare), por nga ana tjetër e ngre atë përvojë në nivel universal.

Narrativa e romanit Shkaba ngrihet si një hipotekst i ndërthurur mbi strukturën paratekstore të përrallës shqiptare “Qerosi në botën e poshtme”, skicë -idenë e të cilës Kadare e kishte paralajmëruar qysh në librin e tij Ftesë në studio[3].

Përralla e Qerosit nuk është zgjedhur rastësisht. Ajo shërben si substrat i alegorisë politike, ku miti dekonstruktohet për të ndriçuar mekanizmat ndëshkues të shtetit totalitar dhe, në një rrafsh më të tërthortë, edhe liturgjinë kombëtariste të flijimit dhe të sacrifices.

Prej përrallës së Qerosit, Kadare ka ruajtuar konstruktin, duke e pasuruar atë me elementë arketipalë, sikurse janë: rënia e Maksit në botën e poshtme, përballja e tij me Hijen jungiane, udhëtimi simbolik i heroit, sakrifica dhe ringritja lart me ndihmën e shkabës magjike, dyluftimi me shpendin ndëshkues etj. Sipas Carl Jung, arketipët janë imazhe primordiale dhe struktura psikike universale të pavetëdijes kolektive që shprehen përmes simboleve, miteve, ëndrrave dhe veprave letrare apo artistike[4]

Nën dritën e koncepteve teorike të Carl Jung, mundësohet leximi dhe interpretimi i romanit Shkaba, si një narrative shumështresore, si poetikë moderne e lirisë, e ndërtuar përmes arketipeve mitikë të udhëtimit në botën e poshtme (katabaza), ngritjes/fluturimit (anabaza) drejt botës së sipërme, dyluftimit dhe sakrificës së heroit të narrativës.

Përdorimi nga Kadare i arketipeve në romanin Shkaba nuk është rastësor; përmes tyre ai i jep romanit një dimension universal dhe mitik, që tejkalon realitetin shqiptar dhe bëhet metaforë e njeriut modern të shtypur nga sistemet politike totalitare.

E ngritur mbi këtë shtrat mitik, ku figurat arketipale zhvishen nga dimensioni i të shenjtës, struktura e romanit është pasuruar dhe shtresëzuar në përmbajtje dhe në rrafshin simbolik, semantik dhe filozofik. Romani Shkaba shquhet për një poetikë të pasur në të gjitha rrafshet dhe autori përmes rimodelimit të mitit, ka ndërtuar “një sistem strukturor dhe ligjërimor të sofistikuar dhe polifonik”[5]

Përdorimi i gjuhës alegorike dhe onirike nuk është shmangie nga realiteti por një mënyrë më e thellë për ta shpjeguar atë. Siç thekson Northrop Frye (Anatomy of Criticism, 1957), mitet dhe alegoritë janë struktura të pashmangshme të kuptimit në letërsi, përmes të cilave kultura përpunon traumat dhe përvojat kolektive.

Në romanin Shkaba, Kadare nuk e përmend drejtpërdrejt “komunizmin”, “shtetin”, “partinë”, apo aparatin ideologjik që mbikqyr, ndëshkon dhe shkatërron individin. Në vend që të përdorë një gjuhë të drejtpërdrejtë politike, Kadare i referohet strukturës së përrallës, fabulës dhe mitit, duke u mbështetur në një teknikë të përhershme të tij: të shprehë të pathënshmen përmes një forme të tërthortë, alegorike.

Kjo teknikë narrative e vendos Shkabën jo vetëm në vijimësi me veprat e tij të mëparshme, por edhe në dialog të thellë me traditën evropiane të absurdit dhe ekzistencializmit, përkrah me “Metamorfozën” e Kafkës dhe “Rënien” e Kamy-së.

Në veprën “Mitologjitë”, Roland Barthes e përkufizon mitin modern si “ligjërim i vjedhur”[6], një formë gjuhësore e boshatisur nga përmbajtja fillestare dhe i  mbushur me kuptim të ri.

Ndërkaq, duhet të theksojmë se në romanin Shkaba, narrativa strukturohet përmes një strategjie të dyfishtë: desakralizimi mitit, shkëputja e tij nga funksioni arkaik-ritual, duke e vendosur në një korrnizë letrare moderne, si mjet alegorik, dhe nga ana tjetër, përmes natyralizmit iluziv- si teknikë mitologjizuese e rrëfimit, kufijtë mes reales dhe fantastikes sfumohen dhe mistifikohen, duke e futur lexuesin në një zonë të pasigurtë- a është ajo çfarë ndodh një akt real apo një halucinacion?

Kadare, përmes teknikës mitizuese, ndërton një rrëfim që shkon nga realja në onirike, nga imazhet e turbullta në iluzione dhe haluçinacione- të gjitha simptoma të çoroditjes së njeriut shqiptar të dënuar arbitrarisht nga shteti totalitar.

Kadare nuk është mitolog, as mitograf dhe as thjeshtë çmitizues, por një shkrimtar modern që përdor poetikën mitike në funksion të kritikës kulturore dhe politike fictionale, duke i dhënë historive narrative thellësi kuptimore dhe dimensione universale, simbolike dhe filozofike.

2. Struktura dhe simbolet 

2.1 Rënia

 Fabula e romanit fillon sipas modelit të përrallës: Maksi, protagonisti, banor në kryeqytet dhe punonjës në Bankën Qendrore- një mbrëmje del nga shtëpia të blejë cigare dhe papritur, bie në një zgafelle nëntokësore, pasi shkel një dërrasë (të kalbur!) të lëvizshme në trotuar.

Nuk jepet asnjë shpjegim, asnjë arsye. Kjo rënie në ferrin nëntokësor nuk ka asnjë ndërlidhje me fajin, siç ndodh zakonisht në letërsinë morale ose religjioze. Nuk zhvillohet ndonjë gjyq dhe nuk ka asnjë dëshmi. Vetëm një rënie e zhveshur nga kuptimi – një zbritje që evokon absurditetin ekzistencial sipas modelit kamyan: njeriu hidhet në absurditet pa paralajmërim, pa faj, thjesht sepse ekziston.

Hyrja e romanit të befason me natyrshmërinë e përshkrimit të rënies së Maksit në zgafellën nëntokësore dhe, sikurse nënvizon Eric Faye[7], ajo të kujton shndërrimin e Gregor Zamzës të Kafkës në kandërr. Kjo teknikë e vendos romanin Shkaba në një linjë me letërsinë evropiane të absurdit dhe të ankthit ekzistencial.

Rënia në zgafelle e Maksit është një rënie simbolike nga rendi i jetës normale, në një nën botë që nuk ndjek më logjikën e racionales. Ngërçi në të cilin gjendet personazhi është një metaforë për njeriun e zhveshur dhe të pafuqishëm, përballë një sistemi absurd, ku faji nuk ekziston si shkak, por si status ontologjik.

Për më tepër, zbritja nëntokësore e Maksit ka një rezonancë mitike që e lidh romanin Shkaba me rrëfimet orfike, me ferrin dantesk, me udhëtimet e lashta të heronjve në botën e nëndheshme. Por në këtë rast, nuk kemi të bëjmë me një katabazë heroike, as me një udhëtim shpirtëror, por me një rënie si ndëshkim për asgjë – një shkëputje tragjike nga rendi simbolik dhe kuptimor.

 “Ferri” i Kadaresë nuk është pas vdekja, por është një dimension paralel brenda vetë realitetit socialist, një refleks i kontrollit total, ku njeriu është i përndjekur jo pse ka vepruar, por pse ekziston jashtë angazhimit ideologjik.” Faji ” i vetëm i Maksit ishte se ai në një mbledhje të kolektivit, ku u diskutua kundër shfaqjeve të huaja, ai nuk u prononcuar rreth çështjes. Pas këtij momenti, Maksi ishte një i dyshuar. Në sistemin totalitar, ndëshkimi ishte jo vetëm për ata që, sikurse thotë një nga personazhet e narrativës- “flisnin tepër”[8] por edhe për shkak të heshtjes.

Në shtetin totalitar, mosprononcimi ishte faj ideologjik.

2.2 Arkitektura e zgafelles- hapësirë internimi dhe topografi e subkoshiencës 

Zgafella nëntokësore, përmes metonimisë dhe teknikës së përngjasimit, i ka të gjitha shenjat e zonave të internimit dhe kampeve të dënimit në sistemin totalitar shqiptar- pra përmes saj ngrihet një aluzion i qartë për rënien e individëve nën represionin e diktaturës. Kadare e përdor mitin tradicional të Qerosit si alegori të vendeve të internimit në Shqipërinë totalitare, duke e risemantizuar dhe ngarkuar me tensione të reja narrative dhe psikologjike.

Megjithatë, zgafella nuk është vetëm hapsirë internimi por edhe një simbol i Hadesit modern –ku enden vetëm hije –shëmbëllime të atyre që nën represionin e shtetit totalitar, kanë humbur të drejtën për të qënë subjekte. Arkitektura e zgafelles është përshkruar nga autori me shenjat e një qyteze reale, ku çdo element ka një rol funksional dhe mbart një kuptim të caktuar.

Ironikisht, porsa përfundon në hapësirën nëntokësore, Maksi përballet Bar Liria. Fraza “Bar Liria” e vendosur brenda në zgafelle –zonë internimi në Shqipërinë totalitare- është një akt i pastër sarkazme, që ekspozon thelbin e diskursit totalitar. Përmes këtij shëmbëllimi të përmbysur, përcillet ideja se regjimi totalitar prodhonte një realitet diskursiv, ku fjalët nuk korrespondonin me përmbajtjen e tyre, se liria ishte një simulakrum e boshatisur nga treguesit referencialë dhe shërbente si dekor propagandistik me të cilin shteti totalitar maskonte represionin.

Në zgafelle, pra në Hadesin nëntokësor, ku enden hije dhe shpirtra të heshtur, vetëm pak figura gjallojnë:

Barmani – syri –panoptikoni fukoian -që vëzhgon gjithçka që ndodh rrethe rrotull Bar Liria dhe në provincën e internimit.

Vajza me emrin anA-një figurë halucinante, sendërgji e mendjes së traumatizuar të Maksit apo një shëmbëllim i përmbysur i Ana-s, së dashurës mbitokësore. Ajoështë bija e një ushtraku-të dy të rrëzuar në zgafellen nëntokësore. Ndërsa i ati nuk resht së dërguari letra instancave shtetërore mbitokësore për falje ose rehabilitim, ajo –sikurse i shprehet Maksit- nuk aspiron të ngjitet lart. Sepse për t’u ngjitur lart-sipas saj- duhet të japësh diçka[9]-pra kërkohet një pakt, një kompromis me autoritetet represive.

Akomodimi brenda ferrit -sipas qasjes së saj-është më dinjitoz se satë shesësh shpirtin tek “përbindëshi” totalitar.

Roja i kopshtit zoologjik-figurë groteske që ushqen dhe mirëmban shqiponjë e mbyllur në kafaz. Shqiponja-simboli i lirisë dhe krenarisë kombëtare-në kushtet e sistemit totalitar ka përfunduar e mbyllur në kafazin robërues, ku ushqehet me cofëtina dhe kutërbon erë e keqe.

Inxhinier Deda– përfqson një Dedalin modern, për të cilin hamendësohet se prodhon mjete fluturuese/balona, për t’u arratisur nga ajo humbëtirë e izolimit dhe robërisë. Ai është prototipi i njeriut të rrëzuar, tek i cili aspirata për liri nuk ka vdekur. Një shpikës fantazmë, por që ndez tek Maksi ëndrrën e fluturimit si akt rebelimi.

I pa njohuri në pijetoren Zorra-përmes të cilit autori përcjell kumtin filozofik se liria, para se të jetë një kërkim mjetesh të jashtme për të dalë nga ferri dhe për t’u ngjitur lart, është një udhëtim i brendshëm dhe një proces vetëdijësimi.

Në romanin Shkaba, zgafella – hapësira ku bie Maksi – nuk është thjesht një vend fizik, por edhe një metonimi dhe topografi e subkoshiencës, një zbritje në “nënvetëdijen” e subjektit, që mbart brenda vetes traumën, frikën, fajin dhe absurditetin e ekzistencës në një regjim të dhunshëm e të çoroditur. E gjithë ngjarja e rënies së Maksit nuk është e verifikueshme si realitet objektiv, por shpaloset si rrjedhë e subkoshiencës, si tronditje psikologjike dhe situatë absurde.

Nën optikën e koncepteve të C.G. Jung, zgafella në rrafshin psikologjik simbolizon Hijen- anën e errët dhe të pavetëdijëshme të personalitetit, ato aspekte të vetes që ne i mohojmë, i fshehim apo i shtypim[10].  Hija ka natyrë ambivalente-ajo mund të jetë burim i frikës, por edhe i energjisë krijuese.

Halucinacionet e Maksit, ankthi, erotizmi i turbullt, iluzionet, të folurit përçart, dyzimet e shëmbëllimeve, mjegullimi kujtesës etj. janë teknika narrative për të shprehur tjetërsimin e personazhit dhe përftuar një klimë tronditjeje psiko-emocionale të individit nën represionin totalitar. Kadare ndërton një atmosferë që të kujton rrëfimin kafkian: Maksi bie në zgafelle, kaplohet nga makthi dhe nuk gjen shpjegim për dënimin e tij.

 Zgafella nëntokësore funksionon si një hapsirë liminale, një vend kalimi dhe shndërrimi –nga jeta në ferr, nga lartë në poshtë, nga vetëdija në subkoshincën. Në romanin Shkaba, realiteti i përshkruar është i dyfishtë: nga njëra anë kemi një botë reale, të njohshme, një qytezë me institucione si posta, hoteli, me bare dhe pijetore, kështjella dhe kopshti zoologjik – shenja të një realiteti të zakonshëm, të organizuar sipas strukturës së shoqërisë moderne.

Por brenda këtij realiteti, rrëfimi pëson një çarje: protagonist fillon të rrëshqasë drejt një përjetimi të çuditshëm, gjysmë fantastik, ku kufijtë mes reales dhe fantastikes treten. Rënia në zgafelle shënon edhe çarjen e rrjedhës lineare të kohës dhe kalimin në një hapësirë tjetër.

Koha në zgafellen nëntokësore rrjedh si kohë mitike, e pappërcaktuar dhe pa referenca kalendarike.

2.3 Shkaba -vatra polisemike e narrativës

Umberto Eko pohon se “titulli i një vepre është çelësi për interpretimin e saj”[11], duke nënvizuar funksionin paratekstual dhe semiotik të titullit, si udhërrëfyes drejt kuptimit të veprës. Në rastin e romanit Shkaba, titulli nuk është thjesht një çelës interpretimi, por vetë vatra semiotike e ngjeshur, ku përqendrohen shtresat më të thella kuptimore, simbolike, politike dhe filozofike të kësaj vepre polisemantike.

Figura e shkabës shpaloset si një simbol i shumnashëm: shkaba mitike sakrale-ndërmjetëse mes jetës dhe vdekjes, shpendi- totem në mitologjinë e shqiptarëve, shqiponja -simboli i lirisë dhe krenarisë në ikonografinë tonë kombëtare, emblema e shtetit shqiptar, shkaba e narrativës -si shpend mishngrënës, me ngarkesë ambivalente, si shpëtimtare dhe ndëshkuese njëkohësisht etj.

Autori ka shpërnadarë në pëlhurën tekstuale sinjifikues si “shpendi totem”, “emblema e shtetit”, “shqiponja në kafaz”, “përgjakja e simbolit të shtetit”, “akt at vrasës si në antikitet” etj. të cilët shërbejnë si çelësa për dekodimin e rrafsheve kuptimore dhe domethënieve që deduktohen përmes interpretimit nga receptuesit/lexuesit e romanit. 

Në mitologjitë klasike, shqiponja është simbol i një fuqie hyjnore (Zeusi), por edhe i dënimit hyjnor (shqiponja që shqyen mëlçinë e Prometeut). E vendosur në qendër të rrëfimit si një entitet mitik, shkaba rri pezull në qiellin e ferrit dhe shfaqet si përbindëshi i përgjakshëm që ushqehet me të internuarit. Ndëshkimi prej shkabës nuk rrjedh nga ndonjë instancë hyjnore dhe nuk është as simbol i ndonjë faji metafizik, por thjeshtë një makineri politike që riprodhon dhunën, si akt i mirëmbajtjes të pushtetit.

Kjo e afron figurën e shkabës simbolikisht me “shtetin” në kuptimin filozofik që jep Michel Foucault: një regjim që trupëzon pushtetin, që shtrihet mbi trupin e individit, që e disiplinon dhe e kontrollon, por gjithmonë përmes justifikimit të një qëllimi më të lartë (rendit, progresit, ideologjisë, të ardhmes etj.)

Shkaba, që në simbolikën kombëtare shqiptare përfaqëson identitetin kombëtar, fuqinë, krenarinë dhe lirinë, në roman transformohet në një figurë ambivalente, në shpend shpëtimtar por edhe në përbindësh që ushqehet me trupin e individit, në emër të një ideali të mjegullt, që më tepër kërkon nënshtrim se sa kuptim. Kadare përdor këtë dyzim për ta shndërruar shkabën në një përbindësh të sistemit totalitar, ku simboli kombëtar është shndërruar në mjet kontrolli dhe torture. Në këtë mënyrë, miti kombëtar – shqiponja – zhvishet nga nderimi dhe shndërrohet në një makth.

Shkaba e narratives është një “përbindësh-roje”, që kontrollon kufirin mes jetës dhe vdekjes, shpresës dhe dëshpërimit. Si e tillë ajo përfqëason një figurë të përngjashme me qeniet mitike që ruajnë portat e botës së nëndheshme. Shqiponja transformohet në një figurë mitike, gati hyjnore, e cila ngrihet në rangun e një “autoriteti” që ka legjitimitetin të flijojë, të kërkojë mish njerëzor, njësoj si hyjnitë pagane apo figurat totemike të mitologjive të lashta.


[1]Bulo, Jorgo: “Në vend të parathënies”, në Shaban Sinani, “Për prozën e Kadaresë”, “Naimi”, 2009, f. 7-8.

[2]Isufaj,Viola: Rikthimi i mitit në veprën e Ismail Kadaresë, Onufri, 2013

[3]Kadare, Ismail: Ftesë në studio, SHB Naim Frashëri, Tiranë, 1990, f.256-257

[4]Jung, Carl (1969). The Archetypes and the Collective Unconscious, Collected Works, Volume 9, Part 1. Princeton University Press.

[5]Jakllari, Adem: Studime Filologjike, 1-2, 2009, f. 153

[6] Barthes, Roland: Mitologjitë, Pika pa sipërfaqe, Tiranë, 2016, f. 266

[7]Faye, Eryc:  Parathënia e romanit Shkaba-Onufri, Tiranë 2010, f.9

[8]Kadare, Ismail: Shkaba, Onufri ,2010 , f. 66

[9] Po aty  f.43

[10]Jung, Carl: (1969) The Archetypes and the Collective Unconscious, Princenton University Press (USA)

[11]Eko, Umberto: Emri i trëndafilit, SHB Elena Gjika, Tiranë, 1996, pasthënia, f.449

Exit mobile version