Mbi romanin Droja të Andreas Dushit
E mbylla Drojën dhe për disa çaste më dukej sikur po largohesha me nxitim nga një bisedë që nuk kishte mbaruar ende.
Gjatë leximit më shoqëroi vazhdimisht një ndjesi e çuditshme afërsie me rrëfimtarin. Në shumë faqe harrova se po lexoja letërsi; më dukej sikur po dëgjoja dikë që po më besonte copëza të jetës së vet. Rrallë më ndodh t’i besoj kaq shumë një zëri rrëfimtar.
Ajo që më bëri më shumë përshtypje nuk ishte vetëm historia që tregohet, por mënyra si vështrohet bota. Më dukej sikur po hyja në mendjen e një fëmije që përpiqet t’u japë kuptim gjërave që janë më të mëdha se ai: vdekjes, Zotit, ndarjeve, mungesës, padrejtësisë. Dhe shpesh i kupton gabim. Por pikërisht në ato keqkuptime, në ato arsyetime plot drojë, gjendet një e vërtetë që vetëm fëmijëria di ta mbajë gjallë.
Por herët a vonë, kjo përsiatje e pafajshme ndaj botës përballet edhe me mungesën. M’u duk sikur Droja flet për atë çast të jetës kur kupton për herë të parë se njerëzit që do më shumë nuk do të jenë përgjithmonë pranë teje.
Këtë e ndjeva veçanërisht te figura e nënës. Nuk ka asgjë të stisur në portretizimin e saj, asgjë që lyp emocionin e lexuesit. E megjithatë, faqe pas faqeje, ndieja se ajo ishte boshti i heshtur rreth të cilit rrotullohej gjithë ai univers fëmijëror, vendi ku ktheheshin të gjitha drojat, gëzimet dhe pasiguritë. Ndoshta për këtë arsye ajo më është dukur një nga ato prani që nuk e lëshojnë kurrë krejt rrëfimin, edhe kur heshtin.
Krahas saj, një vend të veçantë zë edhe figura e babait. Në rrëfim ai shfaqet në shumë trajta, jo gjithmonë të lehta për t’u pajtuar me njëra-tjetrën. Mes tyre gjejnë vend edhe gjeste të vogla, pothuajse të pavërejtshme: një tullumbace ditëlindjeje, një udhëtim me biçikletë në shi, një fjalë e thënë në çastin e duhur. Në to duket një anë e figurës së tij që rrëfimtari nuk e humb kurrë nga sytë, edhe pasi prania e tij nis të zbehet dalëngadalë.
Janë pikërisht kësi detajesh, të vogla në dukje, që endin atë tis njerëzor që e përshkon romanin krye e fund dhe që të bëjnë të ndihesh pjesë e tij. Më kanë mbetur në mendje lutjet e përsëritura para gjumit, pyetjet në katekizëm, pasditet në kishë, CD-ja me këngën Refuzoj, bisedat me Andreasin, frikërat që duken të vogla për syrin e të rriturit, por që në shpirtin e një fëmije zënë gjithë vendin, madje dhe humori që shfaqet aty ku nuk e pret.
Dhe diku mes këtyre kujtimeve, pyetjeve, lutjeve e frikërave, fjala ‘drojë’ pushon së qeni vetëm një titull.
Kur e nisa Drojën, mendova se titulli i referohej një ndjenje. Kur e përfundova, m’u duk se ishte shndërruar në një mënyrë të qenit. Një prani e heshtur që nuk largohet kurrë krejt, por ndryshon trajtë me ne. Në disa çaste, ajo merr edhe formën e asaj shkëputjeje nga vetja që romani e shpreh aq bukur: “Pa qenë vetja ose, më mirë, pa qenë brenda vetes, sikur prej diku larg po kontrolloja me një telekomandë gjithë veprimet e asaj qenieje që rastësisht jam unë.”[1]
Por sa më shumë e njihja këtë drojë, aq më pak më dukej se ajo kishte të bënte vetëm me frikën. Shpesh, pas saj gjendet edhe dashuria. Rrëfimtari druhet pikërisht sepse do: prindërit, motrën, miqtë, Zotin, vajzën që dashuron. Frika e humbjes lind gjithmonë aty ku ekziston më parë lidhja. Prandaj droja nuk vjen si ndjenjë që mpak jetën, por si një nga mënyrat përmes të cilave ajo përjetohet më thellë.
Mbi të gjitha, më pëlqeu ndershmëria e këtij libri që nuk përpiqet ta zbukurojë fëmijërinë, por as ta rëndojë atë me më shumë errësirë sesa mbart. E lë të jetë ashtu siç është: e brishtë dhe e fortë njëherësh, e qeshur dhe dhembshme, e mbushur me dritë, por edhe me hijet e veta.
Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse, pasi e mbylla librin, nuk më mbetën aq ngjarjet sesa atmosfera e tij. Ajo drojë e heshtur, thellësisht njerëzore, që secili prej nesh e ka njohur dikur, qoftë edhe pa ditur t’ia vërë emrin.
[1] Dushi, Andreas. Droja,bot. Onufri, Tiranë, 2026, f. 142.



