Kreu Çmime Romani “Mi manchi” i Fate Velaj fiton Çmimin Letrar “Porta d’Oriente” në...

Romani “Mi manchi” i Fate Velaj fiton Çmimin Letrar “Porta d’Oriente” në Itali

Në teatrin Petruzzelli të Barit, Itali, u zhvillua edicioi i 12 i ”Porta D’Oriente” – konkursit kombëtar të letërisë italiane.

Çmimin si romani më i mirë “Saggio sulla Puglia”, u vlerësua romani “MI MANCHI”.

Juria e konkursit në argumentimin e dhënë shkruante: “…Mi Manchi i Fate Velaj ja u mbajti frymën anëtarëve të jurisë në një kohë që sytë, ja u mbushi me lot. Në këtë essay të shkruar me një finesë fotografike dhe pikturore njëkohësisht por gjithmonë, me një dashuri absolute, ai arrin që në çdo frazë e në çdo përshkrim të krijoj një afresk me ngjyra të gjalla, një metaforë për Puglias si porta kryesore e Mare Nostrum…”

Fate Velaj (piktor, fotograf, shkrimtar dhe kurator), mbas suksesit të trilogjisë KREUZTANNE (KREUZTANNE, NILKON, ITAKA) përkthyer në disa gjuhë, vlerësuar nga kritika ndërkombëtare, rikthehet me „MI MANCHI“ një roman 100% italian ku ngjarjet dhe personazhet e të cilit, zhvillohen në Itali.

Negromonte, i rrethuar nga vreshtat e Negroamaro-s, po përjeton gati depresionin, shpopullimin. Rinia, ngaqë nuk gjenë punë, është larguar dhe në qytet, kanë ngelur vetëm disa pleq e plaka që si ritual, kanë të mblidhen tek lokali i Cosimo-s në Piazza Grande, muret e të cilit, janë të veshura me postera nga filmat e Fellini-t të përpara 50 viteve dhe gjatë kafesë, diskutojnë për kohët e bukura kaluar më parë.

Kryetari i bashkisë, Francesco De Chiara, një person që më shumë rëndësi i jep pamjes së tij të jashtme, është në kërkim të një identiteti të ri për qytetin, sesi mund ta nxjerrë atë nga agonia. Për këtë, thërret një fotograf nga Vjena i cili, do e shikoj atë me sy të ftohtë, larg nga nostalgjia dhe ndjenjat e mallit.

Gjatë atyre 10 ditë qendrimi në Negromonte, ai takohet me banorët, ju vendos atyre dorën tek pulsi dhe kërkon të ndjejë se ku dhe kur ka ngelur së rahuri ai.

Fotografon njerëz, godina, rrugica dhe çfarë i ngel syve si e veçantë derisa, një ditë, në mes të vreshtave, sheh një godinë gati të braktisur e cila i tërheq vemendjen dhe shkon ta shoh, por, vë re se, tek porta e saj, ishte shkruar “MI MANCHI”.

Mbas një hamendësimi dhe një analize vetanake se kush mund të jetë personi dhe përse ka shkuar aq larg qytetit për të shkruar një deklaratë aq të zjarrtë dashurie, në mbremje, në takimin e përnatshëm me miqtë e zonjës Aurora mbledhur në sallonin e saj, tregon për shkrimin.

Të pranishmit, ngelen pa fjalë dhe vrasin mendjen se kush mund të kishte qenë ai ose ajo dhe kështu, salloni, kthehet gati në një “zyrë investigimi” por jo vetëm ai, dhe kafeneja e Cosimo-s, mbasi kryetari i bashkisë, çdo mëngjes, e tregon atje çdo gjë që ndodh në qytet dhe pleqtë, duke pirë kafen, kërkojnë personin që mund të kishte qenë duke e krahasuar me historitë e tyre të dashurisë, shpeshherë, vreshtave gjatë punës.

Fotografi, tek sheh dhe dëgjon personazhet e sallonit të zonjës Aurora të debatojnë ashpër me kryetarin e bashkisë që nuk është në gjendje të siguroj fonde nga Regione Puglia apo Provincia di Salento për të merremetuar godinat në Piazza Grande, i pyet:

“Po ju, kur e keni thënë për herë të fundit fjalën MI MANCHI në jetën e tuaj?”.

Nga ky moment, salloni përjeton drama të ndryshme dashurie dhe në mes tyre, qëndron i ftohtë aparati fotografik gjerman LEICA i cili dokumenton çdo gjë. Drejtoresha e muzeut të qytetit, Letizia Spinelli tregon historinë e saj të dashurisë. Profesori i muzikës Luciano De Luca tregon të tijën, ndërsa poetja Alessia d’Ambrossio, të sajën, në një kohë që farmacisti Marzo me të shoqen si dhe noteri Giacobelli me të shoqen, vrasin mendjen se mos vallë ka ndonjë lidhje mes tyre dhe shkrimit “MI MANCHI”.

Fotografi vazhdon “kërkimet” e tij dhe një ditë, e gjen personin e shkrimit, dialogon me të, duke zbuluar kështu, një dramë dashurie drithëruese.

Por ai e di se roli i tij, nuk është i investigatorit por i artistit që ka investuar një kohë të gjatë të krijimtarisë së tij bazuar në bindjen e thellë se “Arti tejkalon kohën”, përmirëson marrëdhëniet mes njerëzve duke i orientuar ata drejt së ardhmes.

Bazuar në këtë bindje, ai kërkon ta përdor shkrimin dhe godinën, për ta nxjerrë nga agonia qytetin…

“MI MANCHI” është një roman poetik, ose ndoshta do të ishte më mirë të thuhet një poezi të trilluar. Ai përfaqëson një tempull funerar kushtuar kujtimit të njerëzve të tanë të dashur por që s’janë më mes nesh, një essay e përshkruar me saktësinë e përpiktë, ashpërsinë kritike dhe detajet introspektive që karakterizon prozën e Fate Velajt.

Romani është më shumë një lloj udhëtimi ëndrrash të vetë artistit-autor që lufton me “tjetrin dhe vetveten”: me njerëzit, me ndërtesat, me sheshet dhe rrugicat, me vetë godinën ku ishte shkruar „MI MANCHI“ të cilën e kthen në objektin kryesor të rrëfimit të tij duke na lënë më shumë të kuptojmë se ato janë një mundësi që vetë artisti personazh – piktori dhe fotografi – i merr për të larë hesapet mes vetes dhe realitetit që e rrethon, ndonjëherë, duke i shndërruar ato deri në atë pikë, sa të imagjinojë një paraqitje piktoreske të tyre. Në këtë kuptim, ngjyrosja e romanit që ai vetë e tregon si “E zezë, gri dhe mendime” – duke e huazuar nga titulli i një prej veprave të tij piktoreske – të sjell ndërmend filmat e Daniele Ciprì & Franco Maresco, një dyshe regjisorësh, skenaristësh dhe kineastësh të famshëm italianë…”

La Gazzetta del Mezzogiorno

Exit mobile version