Kreu Intervista Ridvan Dibra: Të mjerë ata shkrimtarë stinorë, që presin me padurim fryte...

Ridvan Dibra: Të mjerë ata shkrimtarë stinorë, që presin me padurim fryte nga letërsia e tyre

Profesor Ridvanin e kam pasur pedagog përgjatë studimeve për letërsi në Shkodër dhe kjo është edhe një prej arsyeve pse e kam pritur me shumë dëshirë këtë bisedë, aq më tepër tani kur kam kontribuar sado pak në dy librat e tij të fundit, “Gruaja që deshe” të botuar më 2021 me një pasthënie timen dhe “Histori të thjeshta, krejt të thjeshta” botuar më 2022, redaktor i të cilit jam.


A.D.: Për herë të parë me ju profesor, jam takuar në fakultet, unë si student ndërsa ju si pedagogu im. Besoj, ligjëronit analizën e tekstit. Kur po bënit apelin, qysh në krye erdhi radha ime dhe ju, pasi unë thashë këtu, me ironi të hollë më pyetët nëse isha unë ai që kishte botuar një novelë. Po, thashë me ndrojë. Ju sigurisht, nuk besoj se e kujtoni, ose nuk do ta kishit kujtuar po mos ta përmendja unë në Panairin e Ulqinit (2022), por mua më ka mbetur në mend si një ccast i ccuditshëm, i veccantë… E thashë këtë për t’ju bërë një pyetje: Nga pikëvështrimi i shkrimtarit dhe i profesorit, si e shihni letërsinë që rishtazi po shkruhet e botohet katër – pesë vjetët e fundit nga shkrimtarë në moshë të re?

R.D.: Po, Andreas, ashtu duhet të ketë ndodhur. Nuk e vë në dyshim. Por më vjen keq që paskam përdorur ironinë. Zakonisht, tregohem i kujdesshëm me studentët që dëshmojnë prirje letrare. Bile, rrekem t’i përkrah e t’i stimuloj. Tani lidhur me pyetjen tuaj. Nuk e di a e njoh sa duhet letërsinë që shkruajnë shkrimtarët në moshë të re këto vitet e fundit. Leximet e mia tashmë janë reduktuar dhe përqendrohen kryesisht te klasikët. Por me aq sa kam lexuar, flas për disa autorë të rinj nga Shqipëria dhe Kosova, vërej tendencën për një frymë e ndjeshmëri të re në letrat shqipe. Dhe kjo është diçka e bukur. Edhe e pritshme. Jo pa nostalgji, kujtoj veten e disa autorë të tjerë në vitet ’90 dhe rrekjet tona për të sjellë pikërisht këtë: një frymë e ndjeshmëri të re në letrat shqipe, duke iu kundërvënë estetikisht famëkeqit realizëm socialist.

A.D.: Keni folur shpeshherë për postmodernizmin dhe në një intervistë kujtoj ta keni quajtur realizëm. Po në fakt, si mendoni, a është realiteti i atillë, pra postmodern, apo postmodernizmi është real? Pula-vezën, veza-pulën… Mes realitetit dhe postmodernizmit, cili është shkaku e cili pasoja?

R.D.: Po, kam folur e përsiatur jo rrallë për post-modernizmin. Qoftë edhe për faktin se më kanë “akuzuar” si të tillë, domethënë si shkrimtar post-modern. Por edhe sepse këtë argument e jap si lëndë mësimi në Universitet. Kujtoj se disa prej romaneve të mi të hershëm kritika (kryesisht ajo që vinte prej Kosovës) i pat quajtur të tillë, domethënë post-modernë. Ndërkohë që unë vetë, atëherë, dija fare pak rreth këtij përcaktimi. Domethënë kisha qenë post-modern pa e ditur se isha i tillë. I bëra këto sqarime të tepërta për të thënë se – në gjykimin tim – vepra letrare, akti krijues, është para së gjithash e në radhë të parë raport ndjeshmërie me realitetet e shumëfishta brenda dhe jashtë teje e, mandej, edhe rezultat i leximeve, kërkimeve, studimeve e konceptimeve teorike apo formale. Në këtë kuptim, gjithnjë sipas gjykimit tim, në një periudhë kohe realiteti brenda dhe përreth meje u shfaq shumëformësh, i copëzuar e kaotik, post-modern. Dhe si i tillë u reflektua mandej edhe në veprën time letrare.

A.D.: Profesor, pas këtyre dy pyetjeve tepër të përgjithshme, lehtësisht të shmangshme (atëherë pse i bëra?!), dua t’ju pyes për letërsinë tuaj. Si fillim, të ndalemi pak te Egoboka. Çfarë është ajo për ju dhe, ju duket se përgjatë viteve jeni larguar prej saj?

R.D.: Toponimin letrar (nuk po di si ta quaj ndryshe) Egoboka kam nisur ta përdor qysh në romanin tim të parë, “Nudo”, dhe më pas, për shumë vite, edhe në vepra të tjera. Tani nuk më kujtohen çastet dhe rrethanat e kësaj ideje. Por mbaj mend që atëherë, para tridhjetë vitesh, ende nuk e kisha lexuar Folknerin dhe s’dija gjë për hapësirën e tij të famshme imagjinare Yoknapatawpha. Ashtu siç nuk e kisha lexuar “Njëqind vjet vetmi” të Markezit dhe s’kisha dijeni për Makondon e tij. Në këtë kuptim, gjetjen time mund ta quaj origjinale. Egoboka? Ndoshta bashkim i dy fjalëve: egos, atij motori shtytës brenda nesh dhe bokës, tokë gurishte pa bimësi. Me Egobokën kam dashur të krijoj hapësirën time imagjinare letrare (më shumë të brendshme e shpirtërore sesa gjeografike), ku të marrin jetë idetë e mija krijuese. Konstatimi juaj se përgjatë viteve i jam larguar përdorimit të këtij toponimi letrar, më duket i vëmendshëm dhe i saktë. Po, kjo ka ndodhur në prozën time të viteve të fundit. Ndoshta sepse ajo është bërë më konkrete, duke u lidhur me disa etapa kyçe të jetës sime. Si fëmijëria, për shembull. Apo rinia dhe pjekuria.

A.D.: Në librin tuaj të fundit “Histori të thjeshta, krejt të thjeshta” ka parabola të shkurtra ku subjekti ndërtohet mbi të njëjtën linjë si në një roman pasardhës. Ky shtegtim i një historie nga një zhaner (parabol – histori e thjeshtë) në një tjetër (roman – histori e ndërlikuar) nga vjen? Zanafilla është përherë parabol dhe mandej, ka raste kur filli shtrihet më gjerë e më gjatë deri në roman?

R.D.: Po, keni të drejtë. Duke perifrazuar me pak humor, do të thosha: “Në fillim ishte parabola, mandej erdhi romani”. Kam disa raste në krijimtarinë time kur një parabolë, e thjeshtë, e vockël, më ka shërbyer si nxitje e shtysë për një roman apo novelë. Mjafton t’ju përmend njërin prej romaneve të mi më të dashur, “Gjumi mbi borë”: në fillim, gjithçka qe në përmasat e një parabole prej jo më shumë se dhjetë fjalish. Pse ndodh kjo, domethënë ky shtegtim i historisë nga parabola në roman? Ndoshta sepse, më shumë me intuitë, e kam ndjerë që historia meritonte më tepër se një parabolë (pa dashur aspak t’ia zbehi vlerën këtij zhanri); përmasat e parabolës sikur ia merrnin frymën historisë a gjetjes që vlonte brenda meje. Një përvojë të tillë e ndesh edhe te disa shkrimtarë të shquar të letërsisë botërore. Kujtoni Kafkën, për shembull.

A.D.: Nuk e di nëse shkruani më poezi, por së paku nuk botoni. Plagët e Moisiut ka qenë libri juaj i fundit i atillë… Ndërsa për librin Thjeshtë, libri juaj i parë keni shkruar shumë, kujtoj te Gjumi mbi borë që edhe e përmendët. E keni tradhtuar ju poezinë apo jeni tradhtuar prej saj?

R.D.: Po, vazhdoj të shkruaj poezi. Veçse rrallë, tepër rrallë. Megjithatë, një libër me poezi them se e kam gati. Por nuk di nëse do guxoj ndonjëherë që ta dërgoj për botim. Trembem dhe ndihem i pasigurt. Ngaqë e çmoj deri në adhurim Poezinë. Ndoshta dhe pse vuaj pasojat e asaj tradhtie ndaj saj (ne e tradhtojmë poezinë, ajo kurrë neve), siç shpreheni ju. Edhe pse, përmes elementëve jo të pakët poetikë në prozën time, sikur jam rrekur të bëj një “mea culpa”.

A.D.: Librat e fundit, sidomos Gruaja që deshe zhvishen përherë e më tepër nga ironia e sarkazma, aq e përhapur në krijimtarinë tuaj (Nudo, Kanuni i Lekës së Vogël etj.) duke u kthyer në manifeste të qarta estetike. Është zgjedhje e qëllimshme apo një fazë e re, ardhur natyrshëm në krijimtarinë tuaj?

R.D.: Nuk e di, ndoshta keni të drejtë. Këtë ma kanë thënë dhe disa lexues të vëmendshëm të veprës sime. Edhe pse unë gjykoj pak më ndryshe. Nuk mendoj që librat e mi të fundit po zhvishen nga ironia (njëherë atë e kam quajtur si kripën e romanit), por ka ndryshuar natyra e saj, domethënë e ironisë; në gjykimin tim, ajo është bërë më butë, më njerëzore, më pak e helmët. Ndoshta edhe më e sofistikuar, e mezi-dukshme. Thënë ndryshe, coha e ironisë me të cilën janë veshur librat e mi të fundit mund të jetë aq e hollë sa të krijohet ideja e mungesës, e lakuriqësisë. Pa dyshim që një zgjedhje e tillë, ashtu si të gjitha zgjedhjet e mia letrare, është e qëllimshme. Kjo s’e pengon shënjimin e një faze të re, siç thoni ju, ardhur natyrshëm në krijimtarinë time.

A.D.: E përmenda edhe pak më para librin e fundit, përmbledhje e parabolave tuaja të 30 vjetëve krijimtari. S’ju pyes dot “Si ju lindi kjo ide?”, sepse ishte një ide imja, por gjithsesi besoj se qysh më para e keni mendar një të tillë botim. Kam një përshtypje, ndoshta të gabuar, se parabolat përbëjnë atë pjesë të parapëlqyer të krijimtarisë për ju. Prandaj, ndoshta edhe duke e parë si një lloj “bilanci” të tre dekadave, a është më i veçantë se librat e tjerë?

R.D.: E çmoj kontributin tuaj në botimin e këtij libri dhe ju jam mirënjohës. Edhe pse kjo përmbledhje me parabola ishte thuajse gati, pa insistimin e përkujdesjen tuaj vështirë se do të botohej ndonjëherë. Nuk di ta them nëse parabolat përbëjnë “pjesën e parapëlqyer në krijimtarinë time”, por pohoj që me to jam marrë vazhdimisht dhe seriozisht, edhe në periudha krize e neverie ndaj letërsisë. Gjithnjë i kam parë parabolat edhe si njëlloj hakmarrjeje ndaj asaj fryme patetike e shpërdorimi të fjalës, që zënë vend ndonjëherë në punët tona letrare. Mandej, parabola është një zhanër pa shumë traditë dhe lëvrim në letrat shqipe. Kjo sjell rrezikun që publiku dhe kritika t’i nënvlerësojnë botime të tilla. Për të gjitha këto arsye, pohoj atë që thoni ju se ky se ky botim është më i veçantë se librat e tjerë.

A.D.: Dhe libri në fjalë erdhi menjëherë pas atij me kujtime “Për romanin dhe romanet”. Në fakt të dy trajtojnë nga pika të ndryshme zhvillimin, evoluimin tuaj artistik… Pse në kaq pak kohë të dy këto libra?

R.D.: Keni të drejtë, të dy këto libra janë konceptuar, shkruar e botuar brenda një periudhe jo të gjatë kohore. Kur, ndoshta, nuk duhej të kishte ndodhur kështu. E kam fjalën, sidomos, për botimin e parë, atë me shënime e kujtime “Për romanin dhe romanet”. Ky tekst, ndoshta, duhej lënë të ftohej dhe për disa muaj a vite. Qoftë edhe për faktin se krijon idenë (lus Zotin të jetë e gabuar) sikur me librin “Gruaja që deshe” mbyllet angazhimi im me romanin. Ju, gjithashtu, keni të drejtë kur thoni se të dy këto libra trajtojnë nga pika të ndryshme zhvillimin, evoluimin tim artistik. (Edhe pse kam dyshimet e mia lidhur me përdorimin e termave të tilla si “zhvillim” apo “evoluim” për krijimtarinë e një autori). Në një kuptim, me këto dy botime sikur kam dashur të rrëfehem para lexuesit, duke ia dëshmuar atij rrugën time letrare nga fillimet e deri më tash; bile, pa fshehur edhe ndoca sekrete e që, ndoshta, s’duheshin thënë.

A.D.: E thashë pak më lart se parabolat ka të ngjarë të jenë “të preferuarat” për ju, por gjithsesi dua t’ju pyes ku e ndjeni veten më mirë, në prozën e shkurtër apo në prozën e gjatë?

R.D.: Pa dyshim në prozën e gjatë, domethënë te romani.

A.D.: Shpeshherë Ridvan Dibra është personazh juaji. Trajtohet në të trija vetat. Cila jua thjeshton punën për skalitjen e karakterit dhe sjelljes së tij?

R.D.: Veta e tretë, pa dyshim ajo. Pikërisht në ato vepra ku ridvan dibra “mungon” si personazh, unë jam më i pranishëm dhe më i vërtetë se në çdo vepër tjetër. Kujtoj për shembull romanet “Nudo”, “Kurthet e dritës”, “Triumfi i Gjergj Elez Alisë”, “Legjenda e vetmisë” dhe ndonjë tjetër. Pikërisht te këto vepra kritika ka dalluar e spikatur edhe “skalitjen e karaktereve”.

A.D.: Për ju si shkrimtar, a janë kujtimet gurra ku mund ta ngjyeni përherë penën (ndjesë për metaforën e lodhur)?

R.D.: Jo thjesht gurra, por më i çmuari burim ku ngjyhet pena ime. Siç mund ta kem thënë edhe herë të tjera, letërsia që unë rrekem të bëj, ushqehet pikërisht me kujtesën time, sidomos atë emocionale. Në këtë kuptim, nuk u përkas atyre shkrimtarëve që bëjnë një punë të madhe përgatitore (gërmojnë nëpër arkiva, ndërmarrin udhëtime, shfrytëzojnë materiale të ndryshëm etj.) para se t’ia nisin aktit krijues. Kam dëshirë të besoj se e kam aleate besnike kujtesën. Edhe redaktore të denjë. Di ajo çfarë të ruaj e të seleksionojë si të vlefshme për krijimin, ashtu siç di se çka duhet hedhë në honet e errët të harresës. Me sa mbaj mend, njëherë jam shprehur: “Shkruaj romane, ngaqë nuk mbaj ditar”. Natyrisht që ky burim kryesor, domethënë kujtesa, ushqehet mandej me plot burime të tjerë, të natyrës fizike e metafizike.

A.D.: Herën e fundit kur u takuam, ju pyeta me se po merreni dhe ju thatë se keni mbjellë disa mollatarta e po kujdeseni për to. Meqë tani është dimër, a ka ndryshuar zarzavati në bahçen e vogël pas shtëpisë?

R.D.: Tani në dimër? Ka punë të tjera stina: krasitjet e pemëve, plehërimi, mbjelljet e reja… Ta kam thënë se kopshtaria më duket ndonjëherë e ngjashme me letërsinë dhe po aq interesante sa ajo? Të dyja rastet janë akte vetmitare. Në të dyja rastet nuk je i sigurt për produktin, edhe pse je lodhur e ke djersitur aq shumë. Në të dyja rastet “mbjell ti, që të hanë të tjerët”. Por të mos harrojmë dallimin e madh mes tyre: bimëve ua merr frytin pak muaj pas mbjelljes. I vjel, i prek, i shijon ato fryte. Kurse me Letërsinë ndodh ndryshe. Frytet e saja mund të vonojnë me vite. Ose mund të mungojnë krejt. Të mjerë ata shkrimtarë stinorë, që presin me padurim fryte nga letërsia e tyre.


Andreas Dushi: Zoti postmodern i Egobokës

(Dukuri letrare në veprën e Ridvan Dibrës)

Hyrje

Sot më datë 1 prill të vjetit…, un’ Lekë Dukagjini, i thirrun ndryshe Leka i Vogël (për me u dallue prej stërgjyshit të katragjyshit tem, që mbante po kte emën), vendosa me fillue rishkrimin e Ligjit të Maleve, i njoftun prej të gjithëve si KANUNI I LEKË DUKAGJINIT.[1]

Ky është incipti i librit Kanuni i Lekës së Vogël në të cilin përmblidhen rregullat, ligjet dhe zakonet e jetës në Egobokë, vendin ku gjallojnë një pjesë e mirë e personazheve të Ridvan Dibrës, edhe pse në këtë shkrim, nuk do të trajtojmë vetëm ato tekste që i vendosin ngjarjet në këtë areal gjeografik imagjinar.

Pas viteve ’90, ndër romancierët e parë që u dallua për përdorimin origjinal të gjuhës në letërsi, ishte edhe Dibra. Në 1994, botoi përmbledhjen me tregime Prostituta e virgjër dhe në 1995, romanin Nudo. Më pas, botoi edhe një sërë veprash në gjini të ndryshme letrare si parabola (Eklipsi i shpirtit, Vëlla me Centaurët etj.), tregime (Unë, Franc Kafka dhe Karta e Bolonjës, Në kërkim të fëmijës së humbur etj.), romane (Triumfi i Gjergj Elez Alisë, Tirumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë, Stina e ujkut, Em@il, Legjenda e vetmisë, Gjumi mbi borë, Dashuritë e virgjëreshës Madalenë etj.), esse (Dekalogu i turpit) dhe drama e monodrama (Varka e Arbasantit, Në emër të atit, Na, të birët e shekullit të ri, Dashuritë e virgjëreshës Madalenë etj.)

Në tërësinë e saj, vepra e Dibrës përshkohet nga njohja e thellë e njeriut dhe raportet, dilemat e dyshimet e tij të brendshme, mungesa e aftësisë për t’u përshtatur me shoqërinë, vetmia etj., ku si mjet letrar kryesor shprehës kemi ironinë. Një pjesë e rëndësishme e veprës së tij i përket letërsisë postmoderne, ndaj ai, me të drejtë njihet si një shkrimtar postmodern, ndër më përfaqësuesit e letërsisë shqipe.

Çmitizimi i mitit

Për herë të parë, letërsia njihet me idenë e çmitizimit të mitit në veprën Aleph të Jorge Luis Borges. Tregimi Shtëpia e Asterionit[2] çmitizon dhe rishkruan duke e parë nga një tjetër këndvështrim mitin e Minotaurit. Në letërsinë shqipe, është Ridvan Dibra, ai që çmitizon mitin e Gjergj Elez Alisë dhe e sheh ndryshe personazhin kryesor, raportin e tij me të shkuarën dhe atë me të ardhmen.

Tani duhet të ketë kaluar mesnata. Ndihem i lodhur dhe dua të flë. Përbrenda kam një si topitje e shkrehje të plotë dhe s’më vjen të mendoj për asgjë. Shenja të mira këtu: pa dyshim që sonte do të bëj gjumë të rehatshëm, pa ëndrra e therje plagësh.[3]

Dy romanet: Triumfi i Gjergj Elez Alisë (1999), sipas shënimeve të autorit shkruar në vitin 1996-1997 dhe Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë (2002), shkruar 1998-2001, vijnë pas një përvoje me romanet e mëparshme dhe shprehin edhe gjendjen e kërkimit eksperimental të autorit që kërkon dhe shpreh “aventurën” e tij postmoderniste, përmes disa prej mjeteve shprehëse artistike karakteristike… për romanin postmodern.[4]

[R. Dibra] nuk dëshiron as të krijojë iluzionin e realitetit, as të theksojë mesazhe të rëndësishme e pompoze, thjesht dëshiron të rrëfejë versionin e tij të “epikës së re të njeriut të zakonshëm” të ditëve tona, asgjë tjetër nuk e kënaq dhe motivon më shumë atë. Prandaj, në të dy romanet, pozicioni dominues i personazhit është pozicioni i narratorit që vetë është personazh dhe hero i rrëfimit të vet, ndërsa miti/kënga epike merret me aktin heroik, përlavdimin e tij, romani merret me aktet “aheroike”, me ngjarjet e vogla, personale të njeriut, ngjarje të cilat përbëjnë në fakt thelbin e jetës intime, individuale.[5]

 Çmitizimi që Dibra i bën mitit në fjalë thur krijimin e një tjetër miti, veçse tanimë nuk kemi të bëjmë me një mit legjendar, por me një mit postmodern ku rrëfehet jeta e individit, shpresa, frika dhe dëshira e tij. Beteja ndryshon kah: nuk është më mes heroit dhe Bajlozit, por heroit dhe vetes së tij. Mejdani i Gjergjit ndryshon, nuk është më fusha e luftës ku vetëtijnë shpatat, por ajo e tryezës ku shkruan e rishkruan jetën e vet.

Tani po lexoj ato që kam shkruar pak më parë. Më duket sikur nuk i kam shkruar unë, por dikush tjetër e që ka të bajë fare pak ose aspak me mua, domethënë me gjendjen time të tanishme. A duhen shënuar gjëra të tilla? Sidoqoftë, po i lë njëherë, nuk po i fshij.[6]

Duke qenë se një mit përmban ngjarje dhe personazhe, për ta çmitizuar atë, nuk nevojitet vetëm kqyrja nga një tjetër perspektivë vetëm e ngjarjeve apo një personazhi, por e tablosë tërësore të tij. Ndaj, në mitin postmodern, kemi edhe motrën.

 Në dallim prej këngës, motra e romanit është më njerëzore. Ajo shpeshherë vajton fatin e saj që ka humbur rininë duke u kujdesur për nëntë vjet për të vëllain dhe dy plagët e tij, jo nëntë siç thotë legjenda. Ajo dashurohet me mikun e Gjergjit… Pra, motra e Gjergj Elez Alisë, duke bërë dashuri me miq të vëllait të saj “zhvishet” nga petku i saj mitik, ngase sipas kodit mesjetar etik shqiptar, madje jo vetëm mesjetar, por edhe në periudhat e mëvonshme, një gjë e tillë vë në pikëpyetje edhe nderin e familjes, pra edhe atë të vëllait, në këtë rast Gjergjit, i cili nuk bën gjë, por vetëm vazhdon të “shkruajë”, “rrëfejë” historinë e tij prej antiheroi po të një heroi të ironizuar, të cilin del ta ketë fyer moralisht miku i tij, nëse shikohet kjo gjë sipas pikëpamjes së etnomoralit shqiptar.[7]

Ngaqë mitet janë manifestimi më i lartë i tipareve pozitive të një populli, parodizimi pa diskutim që luan një rol të rëndësishëm në çmitizimin e tyre:

[Gjergji vishet si grua për të dalë në qytet, në kohën kur ishte lufta qytetare në Egobokë, gjatë së cilës burrat nuk mund të dilnin lirshëm.]

‘Paguaj njëherë të parën, Gjergj’, më tha hanxhiu që nga banaku. U shtanga. Nuk kisha asnjë lek me vete.[8]

Vesha xhubletën e motrës, çorapet e leshta të Norës, hodha përsipër rubën që kishte vënë nëna dhe dola jashtë.[9]

Retrospektiva për të njohur veten

Vepra Në kërkim të kohës së humbur e Prustit është parë gjithnjë si kryevepër, pasi kthimi i ngadaltë pas në kohë drejt njohjes së vetvetes është një proces i cili, me vetëdije ose jo, në një moment të jetës, i ndodh gjithkujt. Gjithsesi, Prusti “e kërkon kohën e humbur” deri në një pikë të jetës së tij; akoma më thellë shkojnë James Joyce me Portreti i artistit në rini dhe Umberto Eco me Rrëfimet e një romancieri të ri. Vijimi shqiptar i librave që shpjegojnë të tashmen duke rrëmuar në të shkuarën, është libri i Ridvan Dibrës Në kërkim të fëmijës së humbur.

Vepra është e ndërtuar në një mënyrë të veçantë. Në plotninë e saj, mund të shihet si një roman, por njëkohësisht, ajo është e fragmentuar në tregime të cilët lidhen nga dy elementë thelbësorë: sfondi i fëmijërisë (qyteti, lagjja, shkolla etj) dhe dy personazhet kryesorë (Ridvani dhe Ili). Prandaj, kemi të bëjmë me një roman fragmentar.

Dibra nuk ka nevojë për një Stefan Dedalus; vetë ai është Dedalusi. Vepra është e shkruar në vetën e parë, numri njëjës ku personazhi kryesor është vetë autori. Kjo veçori e letërsisë postmoderne ndeshet herë pas here në letërsinë botërore të dekadës së fundit (Pamuk, Houllebecq etj.).

Narracioni bëhet zakonisht nga pozicioni i kohës së tashme për të kaluarën, ku e kaluara shërben si objekt refleksioni kritik dhe ironik mbi të, siç e preferon perspektiva postmoderne, dhe jo vetëm si mall apo nostalgji e thjeshtë.[10] Veçori [tjetër] e narracionit të këtyre tregimeve është mbështetja në enumeracione të shpeshta që dalin edhe si karakteristikë e ligjërimit artistik të autorit, dhe e nxjerrin rrëfimin nga rrëfimi linear e klasik, si në shembullin e mëposhtëm[11]:

Sepse përveç leximit me zë të lartë, shokët aty në sallë sajonin lloj-lloj marifetesh për ta shtyrë kohën, të tilla si për shembull: a. Shfletimin me të shpejtë të librave-në një garë të heshtur se kush e kush bënte zhurmë më fort; b. kapjen e insekteve që aty ishin me shumicë dhe hedhjen e tyre mbi flokët a qafën e vajzave; … f. pyetjet e njëpasnjëshme për lloj-lloj fjalësh e shprehjesh, të cilave udhëheqësja u përgjigjej me durim… dhe plot e plot marifete e lojna të tjera.”[12]

Në këtë vepër, mes të tjerash, trajtohen raportet e fëmijës që është i prirur të bëhet artist, shkrimtar, me:

a. Pasiguritë – “Edhe pse rrekesha shumë me mendjen time, kurrsesi nuk ia dilja t’i justifikoja sadopak sjelljet e çuditshme e mizore të babait. Pse më hidhte në ujë ditë-përditë kur e dinte fort mirë se kjo gjë nuk më pëlqente dhe më trembte për vdekje? A nuk i mjaftonin lotët dhe ankesat e mia? Po sikur unë të mbytesha një ditë? Thua këtë dëshironte im’ atë? Kaq shumë më kishte inat? Po pse? Kur unë e doja aq fort…[13]

b. Krijimtarinë -“Unë kisha shtangur. Kështu fillonte njëra prej tri vjershave të mia, të cilat ia pata nisur me postë para katër – pesë muajsh revistës “PIONIERI”… Kurse tani mësuesi i lexon me zërin e tij të trashë e të ngjirur… Unë jam skuqur e ndezur flakë.”[14]

c. Sistemin – “Sidomos kur rasti im do të bëhej problem i gjithë shkollës, për çka do të organizohej një mbledhje e veçantë. Me të ftuar edhe nga Seksioni i Arsimit… Në fillim, për rastin tim do të fliste drejtori i shkollës. Në këmbë. Me zë të lartë e të ngjirur. Fjalët e tij i kujtoj si të ishin thënë dje… Gjithë fëmijët e Republikës shkruanin për së mbari, me dorën e djathtë, kurse vetëm unë mbrapsht, me të majtën… Dhe për këtë turp ishin fajtorë të gjithë mësuesit me atë vetë në krye, prindërit e mi, shokët e shoqet e klasës. Por turpi më i madh binte mbi mua. Që isha pajtuar me gjendjen. Që nuk isha përpjekur sa duhet…

Pas drejtorit të shkollës, do të fliste i dërguari i Seksionit të arsimit, fjalët e të cilit nuk më kujtohen. Por mbaj mend se në fund la një afat prej tre muajsh, kohë gjatë së cilës unë ‘detyrimisht duhet të ndërroja dorë’… Një ditë [ime më] do të hiqte dorë nga objektivat e saja. Duke i thënë tim’ ati vetëm tri fjalë: ‘Ridi asht i pakorrigjushëm!’. “[15]

Detyrë për lëndën “Letërsi shqipe e shekullit XX”


[1] Ridvan Dibra, Kanuni i Lekës së vogël, “Buzuku”, fq. 5.

[2] Jorge Luis Borges, Aleph, “Uegen”, 67- 40.

[3] Ridvan Dibra, Triumfi i Gjergj Elez Alisë, “Onufri”, fq. 68.

[4] Dr. Arben Prendi, Letërsi shqipe bashkëkohore , “Fiorentia”, fq. 289.

[5] Po aty, fq. 291.

[6] Ridvan Dibra, Triumfi i Gjergj Elez Alisë, “Onufri”, fq. 80.

[7] Adil Olluri, Romani postmodern shqiptar, “Akid ’99”, fq. 132 – 133.

[8] Ridvan Dibra, Triumfi i dytë Gjergj Elez Alisë, “Buzuku”, fq. 98.

[9] Po aty, fq. 133.

[10] Dr. Arben Prendi, Letërsi shqipe bashkëkohore, “Fiorentia”, fq. 322.

[11] Po aty, fq. 323.

[12] Ridvan Dibra, Në kërkim të fëmijës së humbur, “Onufri”, fq. 259.

[13] Po aty, fq. 93.

[14] Po aty, fq. 209 – 210.

[15] Po aty, fq. 241 – 243.

Exit mobile version