Kreu Letërsi Shënime mbi libra Rexhep Ismajli: Sinteza e Eqrem Çabejt

Rexhep Ismajli: Sinteza e Eqrem Çabejt

Botuar në të përkohshmen OKO, Zagreb, 6-20 prill 1978, f. 10

Me rastin e 70-vjetorit të lindjes së profesor dr Eqrem Çabejt, gjuhëtarit më të njohur shqiptar dhe njërit nga intelektualët më të frytshëm të Ballkanit, dhe me rastin e botimit të veprave të tij të përmbledhura “Studime gjuhësore I-VI” në gjashtë vëllime te Rilindja e Prishtinës. 


Kur flitet për Eqrem Çabejn nuk mund të thuhet assesi se bëhet fjalë për një personalitet të panjohur për qarqet profesionale kroate, veçmas ndër ata që merren me studimin e gjuhës dhe të historisë. Sivjet mbushen shtaëdhjetë vjet të jetës së tij dhe 50 vjet të punës së frytshme shkenvore. Me këtë rast kemi zgjedhur që ta paraqesim para këtij publiku si të këtillë edhe për shkak të ndërmarrjes së madhe botuese të “Rilindjes” nga Prishtina, e cila i botoi veprat e tij në gjashtë vëllime. Për peshën shumë të madhe për albanologjinë, për ballkanologjinë dhe pjesërisht për indoeuropeistikën, për rëndësinë e jashtëzakonshme të saj për për kulturën shqiptare në përgjithësi, kjo ndërmarrje mund të vlerësohet si nga ngjarjet më të rëndësishme botuese në vitin e kaluar në Jugosllavi. Këta libra i japin informacion pjesërisht edhe atij që nuk di shqip, sepse punimet e përfshira në to kanë rezyme në gjuhën frënge. 

Eqrem Çabej ka lindur në Gjirokastër në vitin 1908 në një familje të qytetit [në fakt, ka lindur në Eski Sheher]; në Gjirokastër e ka nisur shkollën fillore, për të vazhduar më tej edhe me gjimnazin në Klagenfurt/ Celovec. Studimet i ka mbaruar në Grac dhe në Vjenë. Ka studiuar gjuhësi dhe histori të Ballkanit dhe të Bizantit te profesorët e njohur të Vjenës Paul Kretschmer dhe Norbert Jokl. Për disertacion doktorate ka shkruar një tezë për arbëreshët e Italisë qysh në vitin 1933, kështu që mori titullin doktor i filozofisë. Para lufte ka punuar si profesor i gjuhës në Gjirokastër dhe në Shkodër, ndërsa gjatë luftës ka punuar në Institutin e Studimeve në Tiranë dhe në Romë, ku ka bërë hulumtime për tekstet e vjetar shqipe. Pas lufte u kthye në vend dhe nisi të punonte në Institutin e Studimeve në Tiranë, ku i filloi ligjëratat për albanologjinë. Pastaj vazhdoi në fakultet, për të kaluar më vonë në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, ku është edhe tash. 

Në Tiranë shkroi edhe dy disertacione: një për gradën kandidat i shkencave foilologjike (ky është libri mbi gjuhën e Gjon Buzukut) në vitin 1959, dhe tjetrin për doktor të shkencave në vitin 1962, të cilin kuk arriti ta mbronte, sepse atëherë kjo gradë u suprimua (këto janë studimet monumentale etimologjike të botuara te revista Buletin i shkencave shoqërore/ Studime filologjike për më shumë se 15 vjet rresht në çdo numër.  

Tekstet e para i botoi qysh në vitin 1929, mbi çështje të letërsisë. Pastaj botoi edhe disa studime për letërsinë, për t’i kurorëzuat të gjitha këto me librin e botuar më 1937 (Për gjenezën e literaturës shqipe). Botimet e tij më të rëndësishme deri tash janë: Shumësi i singularizuar, Studimet mbi Buzukun, shkrimtari i parë shqiptar, dhe botimi kritik i tekstit të tij, Studime mbi historinë e gjuhës shqipe, Studime etimologjike dhe sidomos Fjalori etimologjik monumental në tetë vëllime (deri tash ka dalë vëllimi i dytë). Horizonti i interesimeve të tij ngërthen një fushë të gjerë të dijeve për shqiptarët: gjuhën, letërsinë, historinë, kulturën, etnologjinë etnografinë dhe folklorin. Në horizontin e studimeve të tij, kështu, përfshiheshin në njëfarë mënyre tërë etnosi dhe etosi i shqiptarëve, e përmes këtyre çështjet e Ballkanit veçmas çështjet tejet të ndërlikuara të antikës dhe të mesjetës së hershme. Të rrallë janë sot ata intelektualë shqiptarë, sado larg të jenë nga fushëveprimi i tij, që nuk mbajnë me vete ndonjë mendim të Çabejt. 

Në vitin e kaluar “Rilindja” i botoi për herë të parë veprat e përmbledhura të këtij personaliteti të madh me titull të përbashkët “Studime gjuhësore” në gjashtë vëllime. Ky botim, mbase më i kërkuari në gjuhën shqipe, teknikisht është shumë mirë i përgatitur, qysh në po atë vit dukej ngapak i vjetëruar, sepse erdhën vepra të tjera të rëndësishme të Çabejtë, që me siguri do të duhet të merren parasysh me rastin e ribotimit të parë të radhës. Dy vëllimet e para përfshijnë studimet e tij etimologjike, pastaj vijnë dy vëllime me çështje nga historia e gjuhës, pastaj çështjet e letërsisë, të folklorit, të etnologjisë dhe në fund libri me karakter linguistik-filologjik mbi gjuhën e Gjon Buzukut. Duhet të vëmë në pah se, përveç fjalorit etimologjik, jashtë këtyre vëllimeve kanë mbmetur edhe disa artikuj mbi letërsinë, si ai për Fishtën, etj., pastaj teksti për studentët e shkallës së tretë të albanologjisë në Prishtinë mbi problemet indoeuropeistike, etj. Këtij botimi i mungon një biografi e mirë, që gjgithsesi do të duhej bërë për botimn e radhës. 

Vepra e tërësishme e Çabejt ka kaluar nëpër dy faza të rëndësishme cilësisht të ndryshme: 1. deri në Luftën e Dytë Botërore abej është marrë kryesisht me tërë problematikën e albanologjisë, pra edhe me gjuhën, por mbizotëronin studimet etnologjike-kulturologjike-letrare; 2. pas Luftës së Dytë Botërore Çabej është përqëndruar në probelmatikat gjuhësore, veçmas në çështje të të etimologjisë dhe të historisë së gjuhës. Periodizimi i këtillë i veprimtarisë së tij është i rëndësishëm edhe për shumë arsye të tjera, e në radhë të parë për kushtet e reja të punës pas luftës, që ia bën të mundur zhvillimin e mëtejmë shumë të frytshëm. 

Shikuar historikisht, si frymë në kulturën kombëtare vepra e Çabejt i vazhdon idetë më pozitive të Rilindjes sonë, por në rrethana krejtësisht të reja, në formë, madje edhe në esencë të re. Të gjitha këto ndryshime pasqyrohen në radhë të parë në karakterin karakterin shkencor të veprës së tij. Si personalitet i kulturës kombëtare për brezat e ardhshëm ai shënoi nivelin që duhej të arrihej nëse do të donin të arrinin diçka në shkencë, pavarësisht nga metoda dhe rrethanat e tjera. Si mendim ai paraqet sintezën e gati dy shekujve të zhvillimit të albanologjisë dhe të ballkanologjisë në lidhje të ngushtë me indoeuropeistikën, kështu që si i tillë ia bëri të mundshme gjuhësisë shqiptare që të synonte një nivel më të lartë, një platformë të re, prej nga mund të shikohet ndryshe. Për ballkanologët mendimi i tij është aq i rëndësishëm sa që tash më nuk muund të thonë asgjë pa e konsultuar dhe veprën e tij. 

Problemet e gjuhës 

Të përmbledhsh në disa faqe të gjitha ato që ka thënë Çabej mbi problemet e gjuhës shqipe do të ishte e pamundshme. Është po ashtu e pamundshme të kërkosh t’i shohësh vështrimet e tij vetëm një një nivel të caktuar metodologjik. 

Me një fjalë, mund të thuhet se në metodë ai është parimisht i hapur ndaj të gjitha njohurive. 

Në historinë e gjuhës shqipe mendimi i tij sot është mbisundues. Sipas tij, gjuha shqipe është gjuhë indoeuropiane me karakter satem (gjë që didhej edhe në shekullin e kaluar), e cila në Ballkan flitet në mënyrë të vazhdueshme qysh së paku shekuj para erës së re. Shqiptarët sipas tij janë pasardhës të ilirëve, ndërsa gjuha shqipe pasardhëse e gjuhës ilire. Si gjuhë indoeuropiane gjuha shqipe ka shumë lidhje të afërta me grupin e gjuhëve balto-sllave, por nuk duan lënë mënjanë as ndërlidhjet me keltishten, armenishten dhe gjuhët gjermanike. Për të gjitha këto Çabej ka dhënë ndihmesë të dukshme dhe ka bërë çdo herë një hap më tej. 

Është meritë e tij e veçantë që përmes analizës së materialit onomastik tregoi se gjuha shqipe flitej në hapësirën e Ballkanit qysh herët në kohët e lashta. Si e tillë ajo ka rënë në kontakte të ngushta me greqishten e vjetër, me latinishten, me sllavishten e jugut, pastaj me greqishten e re, me turqishten dhe me gjuhët e tjera. ‘abej është marrë në mënyrë të veçantë me çështjet e kontakteve të shqipes me latinishten. Në bazë të tërë historisë së jashtme të gjuhës dhe në bazë të fonetikës historike të studiuar veçmas, ai formoi mendimin se gjuha shqipe është pasardhëse e gjuhës ilire dhe jo e trakishtes. Sipas tij sot duket normale që e tërë kjo të mos shtrohet në rend dite për përdëshmim (për shkak të mungesës së materialit gjuhësor për ilirishten), por, nëse dikush e mendon të kundërtën, atëherë është ai që duhet të sjellë dëshmi. Materialet historikë, gjeografikë, mbase edhe etnologjikë-etnografikë, pastaj materialet e rëndësishme arkeologjike, pajtohen vetëm me këtë hipoteztë; përveç të gjitha këtyre, edhe ato pak detaje gjguhësore, jo vertëm që nuk e përjashtojnë hipotezën e këtillë, por pikërisht e indikojnë. Me hipotezën trakase ndodh pikërisht e kundërta: përpos indicieve të detajeve gjuhësore, që gjithsesi mund të interpretohen, nuk ka kurrfarë arsyesh të tjera. Ballkanologjia dhe albanologjia autoritative sot kryesisht e pranon mendimin e Çabejt. 

Etimologjia 

Duke marrë parasysh se këtu nuk është e mundur të merremi me çështje ngushtësisht profesionale, jemi të detyruar të kalojmë mbi rezultatet e mëdha në fushën e fonetikës historike dhe të morfologjisë. Por, prandaj, do të ndalemi pak më tepër tek etimologjitë, që është fahu i vërtetë i Çabejtë. Siç dihet, fjalorin e parë etimologjik të gjuhës shqipe e botoi në vitin 1891 Gustav Meyeri. Megjithëse i reduktuar, ai fjalor paraqiste një arritje të madhe për albanologjinë dhe për indoeuropianistikën, sepse gjuha shqipe përbën një grup të veçantë brenda gjuhëve indoeuropiane, prandaj është shumë e rëndësishme. Niveli i atëhershëm i studimeve albanologjike dhe i etimologjisë në përgjithësi nuk e bënin të mundur të shkohej më tej se sa gjuha shqipe të konsiderohej gjuhë gjysmëromane (njohuritë e Meyerit mbi gjuhën shqipe kanë qenë më të mëdha për shqipen e diasporës historike). Duke punuar në fjalorin e tij etimologjik Çabej në thelb i korrigjoi rezultatet e Gustav Meyerit, çka do të thotë dhe një pjesë të madhe të rezultateve të albanologjisë dhe të ballkanologjisë së deriatëhershme. Me këtë rast është me rëndësi të theksohet se fjalori i tij është shumëfish më i gjerë. Sipas Çabejt del që ndikmi i gjuhëve romane në gjguhën shqipe është gjithsesi i madh, por jo në përmasat që i mendonte Meyeri. Ai e korrigjoi Meyerin së pari në metodë dhe në këtë pikëpamje shkon krahas me studiuesit modernë të kontakteve midis gjuhëve. Në qoftë se një fjalë është marrë një herë nga njëra gjuhë, ajo bëhet pjesë e saj, kështu që të gjitha krijimet e reja përmes mjeteve të veta mbi atë bazë të fjalës janë fjalë të kësaj gjuhe dhe jo të huazuara. 

Metodologjikisht sa i përket etimologjisë Çabej nuk ka vështrim të ngushtë. Çdo herë niset nga parimi i njohur: “nuk duhet që çdo herë fjalët të merren në shqyrtim para gjërave, po gjërat para fjalëve, sepse ato janë të tilla qysh në fillim… Gjëja është faktor i parmë dhe i qëndrueshëm”, sik kishte thënë qysh Hugo Schuchardti. Nga ky parim ai niset në radhë të parë me rastin e studimit të huazimeve, çka shtron si detyrë që, përveç historisë së fjalëve, të studiohet edhe hulumtimi i ndryshimiit të gjërave, pra të komunikimit të të mirave midis shoqërive. Kjo gati gjithmonë përplotësohet me komentimin dhe motivimin nga fusha e fonetikës historike. Ky parimi i dytë gati gjithnjë e imponon analizën e strukturës së gjuhës dhënëse. 

Sipas tij është plotësisht i pranueshëm mendimi i njërit ngsa etimologët e shquar bashkëkohës, W. von Wartburgut: “Studimi i rrënjës së një fjale, ose grupit të fjalëve, nuk është sot më i vetmi qëllim i etimologjisë. Ai duhet ta ndjekë grupin në shqyrtim derisa t’i takojë një gjuhe në të gjitha drejtimet dhe raportet me grupet e tjera, pa hequr dorë asnjëherë nga qëllimi që shtron etimologjia në kuptimin më të ngiushtë të fjalës”. Kjo do të thotë se Çabej nuk i vuri vetes për detyrë vetëm rindërtimin e formës së parme, çka kanë bërë indoeuropeistët, po në radhë të parë rindërtimin e shqipes reale në prerje të caktuara kohore. Në këtë kuptim ai e përsundon edhe metodën e “fjalëve dhe gjërave”, ashtu që e kombinon fonetikën historike me gjeografinë gjuhësore. Te Çabej ndeshim në mënyrë implicite atë qël e gjejmë te P. Guiraud në formë të shtjelluar në konceptin e etimonit të derivuar, që ekziston në kohë dhe hapësirë, transmetohet përmes relacioneve të caktuara, përthyhet nëpër nevojat e folësve, u përket sistemeve të caktuara gjuhësore. Tek ai rregullisht lidhur me etimologjinë shtrohen çështje të kronologjisë, të përkatësisë gjuhësore (dhe të nivelit gjuhësor), të bartjes, të formës fonetike, të formës leksikore dhe të kuptimit. 

Studimet etimologjike të Çabejt  zënë një vend dukshëm me shumë rëndësi në historinë e etimologjisë në përgjithësi, në radhë të parë përnga materiali jashtëzakonisht i begatshëm nga fusha e gjuhës shqipe, e pastaj edhe për nga analizat ndonjëherë shumë të frytshme në nivelin europian e veçanërisht ballkanik. Vepra e tij na tregon se metoda në etimologji dudhet të jetë më e gjerë, në perspektivën e pluridisiplinaritetit. Për nga natyra empirist, ai i lejon vetes që disa analiza morfologjike jo mjaft eksplicite të etimologjive të veta t’i plotësojë me intuitë dhe ndjesi jashtëzakonisht të begatshme të gjuhës. Gjithsesi është e mundshme të kërkohen ‘qime në vezë’ rreth disa etimologjive të rendit të dhjetë në këtë vepër monumentale, por kjo vetëm sa e dëshmon vlerën e veprës. 

Filologjia, letërsia dhe çështje të tjera 

Çabej ka punuar gjatë po ashtu në fushën filologjike. Ai është angazhuar sidomos me tesktin e parë më të gjatë shqip, ‘Mesharin’ e Gjon Buzukut (1555). Kjo vepër është baza e filologjisë shqiptare si përnga rëndësia e tekstit të studiuar, ashtu edhe përnga mënyra e trajtimit të problemeve. Në pikëpamje filologjike ky libër është përpunuar në mënyrë fare moderne, është botuar në origjinaline tij dhe me transliterim e transkriptim. Pjesën më të rëndësishme të librit e përbëjnë pikërisht komentet linguistike, gjuhësore e historike, që merren me çështje shumë të rëndësishme të gjuhës shqipe të shekullit XVI dhe më përpara. 

Në lidhje të ngushtë me këtë qëndrojnë çështjet dhe idetë e dialektologjisë historike. Çabej njihet si krijuesi i pyetësorit të parë dialektologjik, qysh para Luftës, por ndihmesa e tij më e madhe për dialektologjinë ëështë pikërisht në fushën e dialektologjisë historike. Është e njohur ideja e tij se dy dialektet e shqipes kanë filluar të ndahen diku para ardhjes së sllavëve në Ballkan, dhe kjo ndarje ka vijuar në mënyrë divergjente deri në sh. XV-XVI. Por, sipas tij, gjuha shqipe në atë kohë ka qenë më pak e diferencuar në pikëpamje dialektologjike se sa diku në fillim të shekullit XIX, kur fillon procesi i ri i konvergjencës, fryt i së cilës është krijimi i gjuhës së sotme letrare të njësuar, por shumë të zgjeruar në pikëpamje të stilit dhe të funksionit. Çabej shquhet në mënyrë të veçantë si njohësi më i mirë i diasporës. 

Është e pamundshme të paraqitet vepra e tij në mënyrë qoftë edhe kështu të shkurtër e të mos thuhet se prej viteve tridhjetë e më vonë Çabej është pjesëmarrës i rregullt aktiv dhe një nga kryesorët në komisionet që punojnë për standardizimin e gjguhës. Ai moiri pjesë gjithashtu në hartimin e fjalorit të parë të rëndësishëm të gjuhës letrare pas luftës. Përpos kësaj, një pjesë e mirë e ideve të tij mbi çështjet indoeuropeistike mbeti i pashënuar, sepse i foli para studentëve në Tiranë dhe në Prishtinë. 

Në fushën e studimeve të letërsisë, përveç punimeve më të vogla mbi autorë të ndryshëm, duhet të përmendet në mënyrë të veçantë tendenca e tij që letërsia kombëtare të konsiderohet si një tërësi së bashku me letërsinë gojore, sepse letërsia jonë e ka shfrytëzuar këtë gjithnjë si burim të pashtershëm të rilindjes. Në vitin 1936, pas M. Lambetzit (1922), ai insistoi në periodizimin e letërsisë shqipe sipas kritereve kulturo-fetare dhe rajonale. Natyrisht, sot nuk mund të veprohet kështu, sepse pas luftës zhduket kjo bazë e motivacionit të veprimtarisë kulturore, prandaj përmes një abstraksioni historik Çabej mund të kritkohet në këtë pikë, porse edhe vepra e tij kërkon interpretim historik. Atëherë ai nuk e periodizonte paraprakisht letërsinë shqipe, por periodizonte vetem atë që tashmë kishte ndodhur. Nëse një kriter i atillë sot nuk mund të jetë gjithpërfshirës, pra i gjithëvlershëm, duhet të thueht se ai kishte nxjerrë në pah një fakt të caktuar, çka nuk mund të mos merrej parasysh në atë kohë. Më në fund, historitë e letërsive bëhen edhe ashtu mbi bazë kriteresh relativisht konsistente. 

Para luftës Çabej ka shkriuar mjaft mbi çështje të folklorit dhe të etnologjisë, i ka analizuar sidomos motivet dhe bazat shoqërore, por për këto këtu nuk mund të themi gjë më shumë. Për historiografinë e shqiptarëve dhe të Ballkanit vepra e tij ka vlerë të posaçme. Çështja kyçe e historisë shqiptare dhe ballkanike, prejardhja e popullit shqiptar, është shqyrtuar përmes të dhënave të forta në fushën e gjuhës dhe të analizës gjuhësore, për çka Çabej zë vendin e parë. Për periudhën e lashtësisë vepra e tij e ka edhe meritën se sjell të dhëna të reja për raportet midis parardhësve të shqiptarëve me grekët, me romakët, e madje më herët edhe me keltët dhe armenët. 

Po të provonim të bënium një përmbledhje, do të duhej gjithsesi t konstatojmë se figura shkencore e Eqrem Çabejt është e karakterit ndërkombëtar. Ajo është e atillë pikërisht për shkak se ka shtruar dhe zgjidhur një varg çështjesh të natyrës kombëtare, por në kontekst ndërkombëtar. Po të shihet në suaza të metodës, e neve na duket se vetëm kështu është e mundshme, Çabej qëndron lart ndër më të mirët, sepse ka ditur t’i shfrytëzojë mjeshtërisht të gjitha përparësitë e meetodës së tij, gjithë duke mos u mbyllur në të, çka është veçanërisht pozitive. Në thelb ai është njeri që është në gjendje dhe dëshiron të përfitojë maksimalisht nga të gjitha ato që sjellin të tjerët, sepse i njeh kufizimet e individit. Në këtë kuptim do të mund të krahasohej me një mendimtar në këto fusha si Roman Jakobsoni, posaçërisht karakteristik në shekullin tonë, zbulimeve themelore të të cilit i prin pikërisht ndonjë zbulim në fushat e dijeve të sakta (le të kujtojmë paralelen midis strukturës së atomit dhe të tipareve dalluese të fonemave). Kjo do të thotë se kemi të bëjmë me një njeri kreativ dhe dinamik. 

Për albanologjinë vepra e tij është sintezë e veçantë e zhvillimeve intensive dyshekullore, në të cilkën akti i tij krijues shihet pikërisht në atë që sjell si gjë të re. Kjo sintezë nuk ka qenë e mundshme më përpara në historinë e kulturës sonë, sepse njerëzit e kapacitetit të tij kanë qenë të orientuar ndryshe, Ajo, si e këtillë, me krijimtarinë dhe ekzistencën gjasmëshekullore, ngriti vazhdimisht nivelin e kërkesave në shkencën dhe në kulturën shqiptare dhe shërbeu edhe si nxitje për zhvillimin e mëtejshëm. Më duket se gjuhësia e Çabejt,  e inkorporuar rigorozisht në tërësdinë e albanologjisë dhe të indoeuropeistikës, së bashku me linguistikën rigoroze të Selman Rizës, e kanë ngritur linguistikën shqiptarenë një nivel të denjë ndërkombëtar. Për publikun jugosllav është e domosdoshme t’i njohë pak më afër pikëpamjet e tij, sepse rëndësia e tyre është e madhe për të tërë Ballkanin.

____________________

*  Është përkthyer dhe rimarrë nga Rilindja, Prishtinë, 15. IV. 1978, f. 12 dhe 16. IV. 1978, f. 10, me titullin Sinteza e Eqrem Çabejt. Për punën dhe veprimtarinë e Eqrem Çabejtë autori i këtyre rreshtave ka shkruar dhe më herët në gjuhën, qysh te gazeta e studentëve Bota e re dhe te Rilindja me rastin e 65-vjetorit të lindjes së tij në fillim të viteve ’70 të sh. XX, ashtu si më vonë pas vdekjes së tij. Ky tekst është i pari vlerësim i gjerë për verprimtarinë e Çabejtë për opinionin e gjerë në Jugosllavi.

Exit mobile version