Kreu Letërsi Shënime mbi libra Rexhep Ismajli: Nga shqipja te gjuhësia ballkanike – rasti i Wilfried Fiedler-it

Rexhep Ismajli: Nga shqipja te gjuhësia ballkanike – rasti i Wilfried Fiedler-it

Wilfried Fiedler

Më 1 dhe 2 tetor në Universitetin Friedrich Schiller në Jena (Gjermani) u mbajt një konferencë shkencore në kujtim të albanologut dhe ballkanologut Wilfried Fiedler që vdiq në shtator 2019. Konferenca i kushtohej nevojës për një forcim të mëtejmë të studimeve për gjuhën shqipe dhe hapësirën përkatëse kulturore duke theksuar një dimension më largvajtës ndër- dhe tejdisiplinor. Kuptohet, vlerësimi i rezultateve albanologjike, e me këtë edhe ballkanologjike, të Wilfried Fiedler-it, studiues në Akademinë e Shkencave të Berlinit Lindor, profesor i albanologjisë në Mynih nga 1991 deri më 1998 dhe professor i ftuar për albanologji në Universitetit Friedrich Schiller në Jena 1999-2018, ishte pjesë thelbësore e kësaj conference. Me atë rast u fol dhe për veprën e tij të fundit Vergleichende Grammatik der Balkansprachen (Morfosyntaktisch-typologischer Vergleich des Albanischen mit den anderen Balkansprachen) – Gramatikë e krahasuar e gjuhëve të Ballkanit (Krahasim morfosintaksor-tipologjik i shqipes me gjuhët e tjera të Ballkanit), me Parathënie nga R. Ismajli, të botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës në Prishtinë më 2018, ff. I-XXXV+826. Në fjalën e parë të konferencës autori i këtij shkrimi foli edhe për vlerat e këtij libri. Në vlerësimin e veprave të rëndësishme në albanologji dhe pikërisht në vijën nga G. Meyer e deri te N. Jokl kjo vepër gjithsesi qëndron shumë lart. Duke dashur ta kujtojmë dhe një herë albanologun më të rëndësishëm gjerman të kohës së tij, profesor dr. Wilfried Fiedler-in, m’u duk e arsyeshme ta botoja në gjuhën shqipe fjalën që mbajta me atë rast në gjuhën angleze.     

Rrethanat bënë që sot të mos kem mundësi të jem midis jush në Jena, ku Wilfried Fiedler zhvilloi një pjesë të veprimtarisë së tij mësimdhënëse. Jenën dhe Universitetin e saj i mbaj mend nga viti 1980, kur pata mundësinë të flisja për sistemin fonologjik të shqipes dhe të dëgjoja komentet e gjera e të gjalla të kolegëve në frymën e gjuhësisë që zhvillohej në Republikën Demokratike Gjermane dhe që shprehte atmosferën e dijeve linguistike në botën e Lindjes në përgjithësi. Nga Jena kisha vazhduar në Berlin, ku do të takoja miqtë Wilfried Fiedler dhe Oda Buchholz, dy nga të shquarit e “grupit të Berlinit”, siç cilësohej në Prishtinë.

Wilfried Fiedler-in dhe Oda Buchholz-in i kisha takuar më 1972, gjatë qëndrimit në Tiranë me rastin e Kongresit të Drejtshkrimit. Nga viti 1974, kur u themelua Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë ata të dy u bënë pjesëmarrës të rregullt dhe shumë aktivë në të gjitha veprimtaritë që zhvilloheshin atje, si në diskutimet brenda Seminarit, ashtu edhe në bashkëpunimet më të gjera jo vetëm në fushën e gjuhësisë, po edhe në fushën e veprimtarive kulturore. Shquhej angazhimi i tyre në fushën e përkthimit të letërsisë shqipe, përfshirë dhe të autorëve nga Kosova për herë të parë gjermanisht.   

W. Fiedler-i i kishte marrë kontaktet intensive me botën shqiptare në vitet 1956-1957 në Tiranë, kur kishte marrë pjesë edhe në ekspeditën etnomuzikologjike me dr. E. Stockmann-in. Prej ekspeditës në fjalë ka dalë dhe vëllimi i parë i studimit të këngëve çame në Berlin (bashkë me Doris dhe dr. Erich Stockmann). Nga viti 1960 raportet midis Shqipërisë dhe Republikës Demokratike Gjermane kishin qenë të atilla që kontaktet me kolegët dhe miqtë në Shqipëri nuk kishin qenë të lehta. Izolimin nga bota albanologjike dhe shqiptare në Berlinin Lindor ndërkohë ishte përpjekur ta kapërcente përmes kontakteve me M. Lambertz-in në Jena dhe nxënësit e tij, ashtu si me kolegët rreth A. Desnickaja-s në Leningrad. Pjesëmarrja në veprimtaritë studimore me karakater ballkanik ia kishte bërë të mundshme të vinte në Kosovë dhe në Shkup dhe të bindej se nuk paskësh qenë krejtësisht e saktë çka i kishin thënë shumë herë, se nga ‘Kosova shqiptarët ishin shpërngulur në Turqi’. Në Shqipëri kishte qëndruar shkurt më 1972, po edhe në vitet ‘80, e më pas, ndërsa në Kosovë nga viti 1974 ai ishte i rregullt çdo vit. Kjo e kishte nxjerrë nga izolimi prej kolegëve të albanologjisë dhe kishte krijuar rrethana “shumë frytdhënëse për lulëzimin e shkencës sonë, por mund të nënvizoj: si për albanologjinë, ashtu dhe për jetën time personale”, thoshte ai më 2018.

Studimin e tij Formimi i shumësit në gjuhën shqipe e shquajnë tashmë synimet themelore: përmbledhja e të gjitha të dhënave të mundshme dhe vendosja e tyre në kontekstet përdorimore, në varietetet areale dhe në raportet me kontaktet me gjuhë të tjera. Monografia u botua më 2006 në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës në Prishtinë. Vështrimet areale dhe paraqitja e fenomeneve përmes hartave, po edhe në raportet me gjuhët e tjera, qysh atëherë e sinjalizonin vizionin e tij prej ballkanisti, që do të shpërfaqej intensivisht në veprën e tij të fundit.

Historia e hulumtimit të kësaj çështjeje në albanistikë është e begatshme. Pas K. Kristoforidhit e S. Frashërit, formimi i shumësit në shqipen u bë objekt vështrimi që nga G. Meyer e deri tek E. Hamp. Në këtë grup hyn vepra e gjerë e E. Çabejtë mbi shumësin e singularizuar të shqipes, ndërsa në gramatika të ndryshme çështja zuri vend me rëndësi. Për depërtime serioze rindërtuese veçohen E. Çabej, Sh. Demiraj e B. Bokshi.

Qëllimi që i kishte shtruar Fiedler-i vetes fillimisht përmblidhet në sa vijon: të jepte një indeks të plotë të mënyrave të formimit të shumësit në shqipen e kësaj kohe, duke marrë parasysh varietetet; ky indeks duhej të tregonte sa prodhimtarë janë tipat përkatës të shumësit në shqipen e sotme. Karakterizimet e tipave të veçantë shtronin dhe çështjen e vështrimit të aspektit semantik. Sa ndikim kishte struktura tingullore e temës lidhur me sufiksat e përzgjedhur? Çfarë roli mund të kishte në këtë çështje kategoria e gjinisë? Vështrimi ishte dhe dialektologjik dhe kjo e ngërthente vështrimin historik. Këtë veçori historiko-dialektologjike Fiedler-i e ka theksuar në versionin përfundimtar të veprës së tij.

Albanische Grammatik (Gramatikë e shqipes), Leipzig 1987, e hartuar në bashkautorësi me O. Buchholz, sillte shpërfaqjen e parë të gjerë publike të këtyre autorëve në ndërmarrjet e mëdha sintetizuese të tipit të gramatikave të njohura si ‘të akademisë’. Në të sistemi gramatikor i shqipes së sotme vështrohej në tërë gjerësinë e tij: në fonologji, në strukturën morfologjike dhe në fushën sintaksore. Pjesën për morfologjinë në këtë gramatikë e karakterizon tendenca për të qenë shterruese sa u përket formave. Bie në sy qëndrimi risimtar në raport me gramatologjinë për shqipen në shumë aspekte të shqyrtimit të çështjeve morfologjike, sidomos në sistemin e foljeve. Tërë vështrimin e morfologjisë së shqipes e cilësojnë konsideratat për format dhe varietetet në gjallninë e shqipes së sotme dhe në kompleksitetin që presupozon vështrimi i integruar formal dhe semantik, përfshirë aspektet pragmatike brenda. Kjo bie në sy në trajtimet e veçanta të sistemit të mënyrëve të foljes dhe të admirativit, pastaj të posibilitativit dhe të kompelseve të ndërtimit të pyetjeve e të përdorimeve infinitivale.

Në fushën e sintaksës autorët kanë ditur të integrojnë në veprën e tyre për shqipen aspektet formale e semantiko-pragmatike në fushat e morfologjisë, pra të kategorive gramatikore, jo vetëm në vështrimet sistematike sintaksore sa i përket funksioneve gramatikore, ndërtimeve të atributit adnominal dhe të gjymtyrëve të fjalisë, jo vetëm të përbërjes minimale strukturore të fjalisë apo të kompleksitetit hierarkik të zhvilluar të saj më tej, jo vetëm të llojeve të fjalisë, të tipologjisë më të suksesshme që kemi njohur deri sot, as vetëm të shqyrtimit të intencave të folësit në këtë kuadër makrosintaksor, po edhe të rezultateve e vështrimeve teorikisht të ndryshme të studimeve linguistike nga gramatologjia tradicionale e sh. XX, nëpër vështrimet funksionale e strukturale e deri tek vështrimet e hershme gjenerative. Kjo gramatikë sot konsiderohet ndër veprat bazë të gramatologjisë shqiptare në përgjithësi. Ata me shumë mprehtësi kanë ditur të përkapin elemente të rëndësishme të varieteteve të mëhershme të shqipes letrare apo edhe të varieteteve rajonale mbidialektore e dialektore dhe kanë ofruar shpjegime plotësuese për shqipen standarde, në një anë, dhe për reflekset areale e më tej ballkanike, në anën tjetër.

Studimi për Buzukun

Libri i W. Fiedler-it Das albanische Verbalsystem in der Sprache des Gjon Buzuku (1555) (Sistemi foljor i shqipes në gjuhën e Gjon Buzukuz (1555)) është një monografi e gjerë dhe gjithëpërfshirëse. Si në asnjë të ngjashme në tërë albanologjinë, në të janë shqyrtuar në mënyrë të detajuar të gjitha aspektet e sistemit foljor të gjuhës shqipe te libri i parë i botuar “Meshari” (1555). Për ta bërë këtë, atij i është dashur të rimerrte në detaje tepër të ndërliqshme studimet e deritashme për grafinë dhe për sistemin fonologjik të gjuhës së Buzukut, që do të shërbente si bazë për hulumtimet dhe interpretimet e tij të sistemit morfologjik të foljeve. Shënimet kritike për transkriptimin bashkë me kapitullin për sistemin fonetik-fonologjik të gjuhës së Buzukut paraqesin një monografi më vete.

Pjesën për foljet në këtë vepër Fiedler-i e fillon me sistemin e formave foljore sintetike. Tre tipat e formave foljore janë shqyrtuar nëpër tri shtyllat e mëdha semantike-sintaksore të temporalitetit, të aspektualitetit-akcionalitetit, të modalitetit-emocionalitetit. Si në gramatikën e shqipes së sotme, merret me format kohore ‘perifrastike’, me problemin e admirativit te Buzuku, për të kaluar pastaj te shqyrtimi i gjerë për format sintetike modale dhe përdorimi i tyre dhe problemet e gramatikalizimit, duke shqyrtuar çështje nga më të ndryshmet lidhur me përdorimin e formave të përbëra foljore. Nuk janë lënë anash as ndërtimet e sistemit foljor të shqipes me ‘pjesëza formë-formuese’, pjesorja dhe zgjerimet e saj, duke përfshirë këtu kompleksin e infinitivit dhe çështjet që lidhen me të.

Përtej përshkrimit të sistemit foljor të shqipes, paraqitjes së funksionimit të formave foljore, të relacioneve semantike e sintaksore, interes shkencor paraqesin vështrimet dhe komentet e shpeshta të autorit në aspektin ballkanistik. Krahasimi i formave dhe kategorive të gjuhës së Buzukut me forma dhe kategori të folmesh e dialektesh të gjuhëve të tjera ballkanike, siç mund të shihet dhe në një varg studimesh të tjera të këtij autori, e vënë atë në shkallën e ballkanologëve më të kërkuar. Gjithsesi me këtë vepër begatohet ndjeshëm buzukologjia dhe studimi i sistemit foljor të shqipes në tërësi.

Studimet albanistike, fjalorët, përkthimet

Fiedler-i ka në dorëshkrim dhe një Hyrje në studimet albanologjike, që mund të gjendet në internet dhe që pret ndonjë botim klasik.

Me studimet e tij frymëgjatë, me gjerësinë e jashtëzakonshme të njohjeve gjuhësore – nga gjuhët gjermanike tek sllavet e baltiket, tek romanet e greqishtja e hungarishtja, me thellimin në hulumtimin e fenomeneve, me këmbënguljen e pashembullt në respektimin e realieve gjuhësore dhe të detajit në përgjithësi, ai ia ka dalë të na japë një sërë studimesh të dorës së parë, qëndrueshmëria e të cilave nuk zbehet. Do vënë në pah qysh tash se në tërë këtë gamë të gjerë interesash e njohjesh, studimet për gjuhën shqipe zënë gjithsesi kryet e vendit në interesimet e thelluara të profesor Fiedler-it. Duke e parë gjuhën shqipe në një kuadër më të gjerë, në një anë hapësinor ballkanik, në anën tjetër tipologjik, ai na ka sjellë dhe vijon të na i begatojë dijet dhe horizontet me njohje optimalisht të verifikuara deri në detajet më të vogla dhe gjerësisht të vendosura në një tablo më të gjerë të studimeve për gjuhët moderne të Europës. Profesor Fiedler-i, vetë studiues i thelluar, shquhej dhe me tiparin fisnik të bashkëpunuesit të zellshëm me të tjerët në këtë punë: hulumtimet e tij për botën shqiptare kanë nisur me një bashkëpunim të veçantë me studiuesit e folklorit muzikor D. dhe E. Stockmann në fushën e muzikës popullore çame, për të vijuar me O. Buchcholz në studimet në fushën e gramatikës së shqipes, në përkthimet e letërsisë shqipe në gjuhën gjermane, në Wörterbuch Albanisch-Deutschme O. Buchholz dhe G. Uhlisch; Albanische Grammatik, me A. Klosin në Wörterbuch Deutsch-Albanisch, me profesor dr. Norbert Boretzky-n, dhe sidomos në fushën e mësimdhënies së shqipes i njohur ndër shumicën e albanologëve të sotëm gjermanë.

Profesor Fiedler bashkë me O. Buchholz njihet po ashtu si përkthyes i letërsisë shqipe në gjuhën gjermane sidomos me Gjeneralin e ushtrisë së vdekur dhe me Novelat e I. Kadaresë, me Palimpsestin e M. Camajt, Tregimet shqiptare dhe Antologjinë e poezisë shqipe të Kosovës, ashtu si me përkthime gjermanisht nga gjuhë të tjera sllave, baltike e hungareze.

Studimet ballkanistike

Wilfried Fiedler-i në studimet e tij u jepte rëndësi të veçantë vlerësimeve tipologjike. Vështrimet e tij për shqipen nga aspekti i tipologjisë lidhen drejtpërsëdrejti me fushën e rëndësishme për hulumtimet e tij, e që është ballkanistika. Si ndërlidhen ato dhe në ç’drejtim dalin kështu te vështrimet ballkanistike? Le të kujtojmë këtu diskutimet e gjera për çështje si habitorja, për aspektet e ndryshme në fushën e foljeve, për çështjet e mohimit, etj. Ka, megjithatë, një shqyrtim të veçantë në të cilin janë dhënë shpjegime pak më të sakta lidhur me këtë raport me ballkanistikën, e ai është studimi “Ist das Albanische ‘dem Typus nach’, die entscheidende Sprache der ganzen balkanischen Gebiets?” (A është shqipja ‘sipas tipit’ gjuha vendimtare e tërë hapësirës ballkanike?) Në këtë studim dhe të tjerë në këto fusha, qëndrimet e të cilave janë rimarrë dhe te libri shumë i rëndësishëm i tij Vergleichende Grammatik der Balkansprachen, 2018, ai nisej nga konstatimi i përmbledhur kështu: në shqyrtimin e rolit të shqipes në kuadër të gjuhëve të Ballkanit nuk është më e rëndësishmja të evidentohen vetëm përbashkësitë në fushën e leksikut, madje as të numërohen qoftë dhe në mënyrë shteruese tiparet e përbashkëta të njohura si ‘ballkanizma’, gjë që del e vetëkuptueshme në veprat standarde ballkanologjike. Në vend të kësaj ai propozonte të përshtatej një karakterizim arealtipologjik. Dhe këtë e bënte duke u mbështetur te studimi i Ernst Levy – “Der Bau der europäischen Sprachen”, Dublin 1942. Ndryshe nga ata që në kuadër të ballkanistikës i kërkojnë tiparet e përbashkëta, ai mendonte se duheshin kërkuar më parë varësitë e ndryshueshmërisë brenda një sistemi gjuhësor dhe pastaj brenda një sistemi të përbashkët të arealit ballkanik. Ai e theksonte pamjaftueshmërinë e kuadrit konceptual të ‘Sprachbundit’ ballkanik me 4 a 5 anëtarë. “Jemi shumë më tepër të mendimit se Ballkani – në krahasim me rajonet e tjera të pjesës sonë të botës – ofron vetëm një ngjeshje izoglosash të përbashkësive të kushtëzuara nga intereferncat brenda gjuhëve të Europës dhe të hapësirës përreth”.

Sipas këtij koncepcioni, do të duhej të shihnim a mos ka diçka si bërthamë areale (Arealkern), ku ndikimet e intereferencave do të shiheshin më së qarti. Në atë rast gjuhë ‘vendimtare’ nuk do të ishte ajo prej së cilës në radhë të parë shkojnë ndikime drejt gjuhëve fqinje, po e tillë do të ishte ajo që “do të duhej të qëndronte vetëm në raportet më intensive në relacionet e interferencave me shumë gjuhë fqinje”.

Se shqipja mund të jetë gjuha ‘vendimtare’ ballkanike në kuptimin arealtipologjik, pra se tiparet e ndryshme do të duhej të përqendroheshin në një mënyrë specifike areale në morofologji, këtë Fiedler-i përpiqej ta mbështeste më së qarti në këtë mënyrë: “Brendapërbrenda tipave markues përgjithësisht karakteristikë për Ballkanin tipar markues të shqipes do të duhej të anonin të jenë më të shpeshtë dhe/ ose të të drejtonin te një shkallë më e lartë e morfologjizimit sesa në gjuhët fqinje”.

Se shqipja shpesh qëndron në pikë kryqëzimi sub-arealesh të ndryshme, prandaj mund të interpretohet si “gjuha vendimtare e Ballkanit”, këtë ai e shihte të përtreguar në paradigmën e formave joaktive të foljeve:

– ekzistenca e përbashkët e formave joaktive sintetike në greqishten e re dhe në shqipen përbën një tipar markant;

– te kohët e foljeve, që ndërtohen sipas parimit folje ndihmëse + folje e plotë në trajtë joveprore, si në të gjitha gjuhët fqinje, edhe në shqipen format veprore dhe joveprore dallohen përmes kundërvënies së foljeve ndihmëse ‘habere’ dhe ‘esse’;

– parimi i tretë i diskutuar aty – parimi i formave me pjesëza parashtesore, si në gjuhët fqinje sllave, përdoret vetëm në lidhje me forma të caktuara, p.sh. të aoristit, të optativit, të admirativit, pra kategoritë e krijua-ra vonë; dhe lidhur me këtë e shihte tipar dallues pjesëzën u nga IE *se, ndërtim që është morfologjizuar, ashtu si në pjesën perëndimore të sllavishtes ballkanike në një pozitë të ngulitur të shtrënguar me temën e foljes, dhe jo si në sllavishten ballkanike lindore si element enklitik; në shqipen kjo mund të demonstrohet edhe në një rrethanë: perfekti është hapur = u ka hapur, pluskp. ishte hapur = u kishte hapur, perf. II ka qenë hapur – u ka pasë hapur.

Në të tri rastet e përmendura shqipja ka arritur shkallë më të lartë morfologjizimi, prandaj mund të themi se “grupi foljor në shqipen është ndërtuar në mënyrën më të fortë të morfologjizimit”; se ky tipar këtu del më së qarti dhe në mënyrë më konsekuente e sistematike (shih W. Fiedler, Einführung in die Albanologie:43-46).

Tani në parathënie të librit të rëndësishëm Vergleichende Grammatik der Balkansprachen, autori Fiedler vjen e mbindërton te ky konceptim i shprehur në studimin e përmendur, çka do të thotë se kemi të bëjmë me një koncepcion të ndërtuar në bazë të vrojtimeve frymëgjata të gjuhëve në terren. Pas paraqitjes së përmbledhur të orientimeve kryesore në studimet ballkanistike, qysh nga Kopitar-i e deri te të sotmit, ai sikur pajtohej në njëfarë mase me Claus Steinke-n: lidhur me konceptet e Sprachbundit, të ballkanizmave, pra të ballkanistikës të kuptuar tradicionalisht, teorikisht kemi të bëjmë me një term dubioz. Në të vërtetë “Sprachbund” duhet në mënyrë të veçantë të merret si metaforë për një formë posaçërisht intensive të kontaktit gjuhësor në bashkësitë shumëgjuhëshe (Steinke, s. 443, sipas Fiedler 6). Prandaj ai pyeste: çka mbetet nga gjuhësia ballkanike? Do të jetë ajo Gjuhësi e Europës Juglindore dhe Eurolinguistikë, apo do të vazhdojë më tej?

Përgjigjen e tij Fiedler-i përpiqej ta formësonte përmes një pyetjeje tjetër: pse nuk i marrim të dy alternativat, pra edhe si Gjuhësi e Europës Juglindore edhe si Eurolinguistikë, por njëherësh edhe si disiplinë më vete? Këtë libër, lidhur me idetë e riaktualizuara kështu nga punimet e tij të mëhershme, ai e shihte si një sprovë, që do vështruar në detaje dhe zgjeruar. Dhe detajet aty zhvendosin shumëçka. Mjafton të shohim se sa shumë flitet aty për implikimet e krahasimeve me gjuhë si arumanishtja, meglenorumanishtja, sllavishtja torllakishte, duke mos lejuar që realiet të mbuloheshin nga emërtimet e përgjithshme si rumanishte, bullgarishte, serbishte, apo përgjithësisht gjuhë në kuptimin e standardeve.

Shqipja atij i dilte si gjuhë e pikënisjes. Në një konceptim tipologjik dhe arealtipologjik të gjuhëve të Europës Juglindore në raport me shqipen konkretisht ai gjente një mbështetje në më shumë drejtime. Këtë mbështetje teorikisht e kërkonte sërish te E. Levy i përmedur dhe shtronte pyetjen: “A është shqipja ‘sipas tipit’ gjuha vendimtare e tërë hapësirës ballkanike?” Menjëherë shtonte se këto kërkime nuk i bënte si studiuesit që te Sprachbund shohin një njësi relativisht të mbyllur me 4 ose 5 gjuhë anëtare të unionit, po më shumë mendonte se Ballkani ofron një hapësirë interferencash si dhe rajonet e tjera ku ka interferenca. Prandaj pyeste nëse mund të gjenden bërthama arealësh prej nga vijon ndërtimi më tej? Dhe gjuha ‘vendimtare’ nuk do kuptuar ashtu që ndryshimet drejt gjuhëve fqinje të kenë nisur në radhë të parë prej saj, apo të kenë ndodhur vetëm në ndikim të saj: kjo gjuhë do të duhej të kishte një raport më intensiv ndaj interferencave në aspektin tipologjik relevant dhe për shumë gjuhë fqinje.

Në diskutimet e konceptimeve të veçanta për ballkanistikën, Fiedler-i ndalonte te Henrik Birnbaum-i me orientimin që përbashkësitë në ballkanistikë të shihen kryesisht në tri dimensione:

1. të substratit (kryesisht trak e ilir)

2. të simbiozës dhe përzierjes së gjuhëve

3. të superstratit (bizantin, turk pas sundimeve të gjata),

por duke theksuar po ashtu se dalin edhe shumë risime specifikisht ballkanike nga ndikimet e greqishtes bizantine, po edhe më shumë nga romaniteti ballkanik.

Por Fiedler-i nuk e linte pa e shprehur nevojën për të kuptuar më mirë ç‘do të thotë “simbiozë”? Në vijim sillte pasqyrën që jepte Thede Kahl-i për jetën baritore në jug të Shqipërisë e në veriperëndim të Greqisë, ku përzihen shqiptarë, grekë e vlleh në zonat malore, për të konstatuar edhe një herë se shumëgjuhëria ballkanike nuk ishte domosdo e kufizuar vetëm në qytete.

Se shqipja ka qenë e hapur ndaj gjuhëve të tjera ballkanike, kjo mund të shihet edhe në leksik, siç mund të vërehet tek etimologjitë dhe raportet midis shtresave të ndryshme, por atij nuk i interesonte në këtë rast leksiku. Atij i interesonte në radhë të parë struktura morfologjike dhe morfosintaksore e gjuhëve ballkanike dhe specifikat e shqipes në këtë kuadër. Kërkonte të dinte nëse tiparet tipologjike të gjuhëve të Europës Juglindore mund të karakterizohen në aspektin areal-tipologjik dhe pikërisht nga ky aspekt do ta shihte sistemin foljor.

A paraqesin shqipja dhe gjuhët fqinje një tip të njësishëm dhe si do të matej kjo njëshmëri?

Në dikotominë teorike qysh nga A. Schleicher-i në sh. XIX – gjuhë sintetike/ gjuhë analitike atij i dukej se mund të gjenden baza shpjeguese në rastet si reduktimi i rasave dhe në përgjithësi për sistemin emëror, por kjo nuk duket e përshtatshme për sistemin foljor. Ky çift konceptual i dukej atij tepër i papërcaktuar (Grob), prandaj i drejtohej konceptimit të Lehmann-it 1985 lidhur me shkallët e gramatikalizimit. Kështu ai krijonte premisën se shqipja është gjuha ‘vendimtare’ ballkanike, sepse në shqipen tiparet shenjuese karakteristike shfaqen më së qarti. Brenda tipareve të atilla për Ballkanin tiparet shenjuese në shqipen duhet të jenë më të shpeshta dhe/ ose do të shfaqin shkallë më të lartë morfologjizimi sesa përkatëset në gjuhët fqinje, f. 13.

Dhe menjëherë pas kësaj, si për të shprehur shkallën e kompleksitetit të të menduarit, apo dhe të dilemave eventuale që mund të shfaqen në prapavijë, Fiedler-i kthehej tek Agnja Desnickaja, sipas së cilës mendimi i Edward Sapir-it, pas të cilit çdo gjuhë përmes ndërtimit të saj të veçantë jep një model po të veçantë strukturor, prandaj jo vetëm koncepti i aglutinimit, po edhe koncepti i fleksionit shtrojnë probleme. Sipas saj, ka tipa të ndryshëm të një strukture flektive.

Vëllimi I i veprës “Gramatikë e krahasuar e gjuhëve të Ballkanit” i zhvillon këto ide të Fiedler-it sipas vështrimeve në sistemin foljor. Një vëllim II do të merrej me shfaqjet në sistemin emëror, për të vijuar më tej në konceptimin e tërësishëm, që përfshin dhe çështjet e fonetikës e të fonologjisë e të fjalëformimit, të cilat këtu janë lënë anash. Jeta nuk i dha afat ta mbaronte.   

Në ASHAK ndjehemi krenarë që patëm mundësi të botonim tri veprat e mëdha të W. Fiedler-it: Buzuku, Pluralbilding, Vegleichende Grammatik. 

Exit mobile version