Në prag të 100 vjetorit të tij, Ernesto Sabato mbylli sytë në Santos Lugares në Buenos Aires të Argjentinës, vendin plot gjelbërim dhe pemë, ku u vendos që përpara 70 vjetësh, dhe ku nuk rreshti së thëni, siç rrëfen në librin e tij testament Përpara Fundit, se prirjen për pikturën e kishte nga damari mesdhetar, dhe se mund të vdiste zemërlumtur në çdo çast të ditës, që pas vitit 1996, kur arriti të shohë malet e Shqipërisë, vendin e nënës së tij.
Origjina arbëreshe e nënës së Sabato-s, malet e Shqipërisë si pengu i jetëvdekjes së atij që u quajt një nga tigrat e letërsisë latinoamerikane, por edhe Skënderbeu, lidhen me ekzistencën dhe historinë e çmimit letrar ndërkombëtar që u krijua nga fondacioni kulturor privat “Velija”, që më 1995. Qe koha kur Ministria e Kulturës kish pushuar së qeni strategia e madhe e kulturës shqiptare dhe kish nisur të lulëzonte nisma private në kulturë, ndonëse burimet financiare qenë të pakta dhe ligji për mecenatin nuk ekzistonte. Juria letrare prej pesëmbëdhjetë anëtarësh (kishte anëtarë edhe personalitete kulturore nga Kosova dhe Maqedonia) e fondacionit “Velija” të cilin e drejtoja, e pranoi idenë time për të krijuar një çmim letrar ndërkombëtar; mesazhi qe i qartë për promovimin e kulturës sonë: në dialogun e madh kulturor të popujve, ku ska kultura të mëdha dhe të vogla, mëtonim të hynim si të barabartë mes të barabartësh. Mbetej veç të emërtohej çmimi. çështja u ndërlikua paq kur bëra propozimin tjetër për ta quajtur “çmimi Kadare”, sigurisht pasi të merrnim aprovimin e Kadaresë: u ndamë në pro dhe contra, ashtu si ditëve të mëpastajme, kur brenda një debati të përndezur, u nda një pjesë e mirë e intelektualëve shqiptarë në shtypin e kohës. Argumentat pro rrihnin më shumë në faktin se gjuha shqipe e kishte shkrimtarin e saj të përmasave botërore, dhe me këtë vlerë do të mund të barabitej në “tregun ndërkombëtar të vlerave”, do të gjykonte të tjerët, ashtu si edhe gjykohej prej tyre. Argumentat contra parashikonin dështim të plotë nëse çmimi do të kishte emrin e Kadaresë dhe shpreheshin se Kadareja qe gjallë e nuk qe praktikë emri i një shkrimtari të gjallë për kësisoj çmimesh; e dyta, i binte, sipas tyre, që laureati i çmimit ta konsideronte ca më të madh se veten Kadarenë që të nderohej me emrin e tij si kurorë mbi kokë, dhe kjo spara bënte vaki kollaj në botën e shkrimtarëve të mëdhenj, – propozonin që çmimi ndërkombëtar të merrte emrin e Shqipërisë. çmimi ndërkombëtar letrar ( me një vlerë prej 20 mijë dollarësh) mori emrin “çmimi Kadare” gjithsesi, por sfida qe shumë e madhe, – duhej qëlluar në shenjë që me emrin e parë, jo vetëm për t’i dhënë çmimit vlerën dhe dinjitetin që meritonte, por edhe për të krijuar traditën e tij: emri pasues i laureatit me siguri kishte për të qenë më i lehtë në përzgjedhje. Emri i argjentinasit Ernesto Sabato, shkrimtarit 85 vjeçar qëlloi të ishte i perëndishëm: qe një nga shkrimtarët e mëdhenj të botës dhe dinim që kish deklaruar me krenari faqe botës se kish në deje gjak shqiptari dhe në studion e tij të punës mbante një pikturë të heroit tonë kombëtar Skënderbeut. Më kujtohet biseda ime e parë me të në telefon, më kujtohet që nuk e fshihte asfare mallëngjimin e thellë dhe fjalët që i dilnin bashkë me ngashërrimet: “Nuk doja të vdisja pa parë malet e Shqipërisë, vendin e origjinës së nënës sime, por as që e imagjinoja se mundësia do të më vinte me anë të një çmimi letrar…” Vepra e Sabato-s asokohe qe botuar ne shqip vetëm në Prishtinë dhe “Tuneli” që unë e përktheva me një frymë, u botua në Tiranë më 1996, pas ardhjes së tij në Shqipëri. Pas shumë peripecish, më 17 prill 1996 Sabato mbërriti në Tiranë: qe personaliteti më i madh i kulturës botërore që kish shkelur ndonjëherë tokën e arbërit; – për një javë të tërë kryeqyteti njohu shumë ngjarje kulturore që lidheshin me të, – por tri ditë përpara ardhjes, ai i dërgoi me fax Shqipërisë Testamentin e tij shpirtëror disafaqësh, si një lloj biografie jetësore, biografi idesh, por edhe shpirtërore njëkohësisht, i cili u botua në shtypin e kohës, ku fliste edhe për nënën e tij e që niste me fjalët: “ Më quajnë Ernesto, sepse kur u linda, më 24 qershor 1911, ditën e lindjes së Shën Janit, porsa kish vdekur tjetri, Ernestoja i vërtetë, ai të cilin ime ëmë, edhe kur u plak, vazhdoi ta thërriste Ernestito, sepse vdiq kur ende ishte foshnjë. Nuk më kujtohet ta kem parë ndonjëherë duke qarë time ëmë, – kaq stoike dhe burrërore ishte gjatë tërë jetës së saj, – ndonëse, me siguri, duhet të ketë qarë fshehurazi…” Ceremonia e dorëzimit të çmimit qe madhështore dhe krejt e pazakontë në një sallë të madhe të Piramidës, ku, mes dhjetëra njerëzve të kulturës shqiptare të ardhur nga të gjithë trevat shqiptare, mes të cilëve edhe Kadareja, por edhe të shumë personaliteteve të huaja të kulturës, Sabato shpalli se tashma që kish parë malet e Shqipërisë e kish hequr më në fund “pengun” e jetës së tij dhe ndihej krenar për origjinën e nënës së vet; ku shkrimtar Visar Zhiti i solli një grusht dhe nga trualli i arbëreshëve të Italisë dhe ku të gjithë, me krijues dhe me dashamirës të çmimit Kadare, iu gëzuam triumfit të tij të plotë. Shtypi i rëndësishëm botëror shkroi për ngjarjen.
Kishim vendosur që në krye të herës që “çmimi Kadare” do të qe i përvitshëm; vjeshtën e atij viti, Sabato, me kërkesën tonë, sugjeroi disa emra shkrimtarësh si kandidat për çmimin e viti 1997; mes tyre qe edhe emri i Kundera-s. Juria vendosi për të. Ndonëse Çmimi Kadare” e pat kaluar me shumë sukses provën e madhe, sërish një lloj frike mbetej ende, aq më tepër kur dihej se të dy shkrimtarët e ish lindjes që jetonin në Paris, Kundera dhe Kadareja, nuk kishin ndonjë afëri me njeritjetrin; dihej edhe se Kundera kish refuzuar disa çmime letrare ndërkombëtare. Porse pranoi; pranoi dhe u ndje i nderuar të bëhej laureat i “çmimit Kadare”, ca më tepër që çmimi ishte marrë nga Ernesto Sabato, dhe vetë ai e pat propozuar si kandidat. Komunikimet me Kundera-n më së shumti i pata me faks, ose nëpërmjet të shoqes, Vera Kundera-s, që dukej se qeveriste gjithçka: që nga krijimtaria dhe gjer te frymëmarrja e shkrimtarit të madh. Kishte pamje fiksioni, por qe e vërtetë: Milan Kundera jetonte si në rrethim; pranimi i çmimit kushtëzohej nga: mosardhja në Tiranë (kuptova se Kundera pothuaj nuk udhëtonte fare), mosregjistrim i zërit të tij (në rast interviste) dhe mosfotografimi. Ca më e pazakontë më ngjau vajtja ime, në pranverën e vitit 1997, në apartamentin e tij pa emër në Paris, të dhënat për të cilin m’i dha vetë Kundera në telefon pak minuta para se të nisesha me taksi për tek ai, ku m’u desh të ngjitesha e të zbrisja në ca shkallë-rrugina labirintike dhe që i dhashë karar se, me siguri, qenë “huqe klandestinësh” atavike nga kohërat e ikjes prej vendit të tij komunist. Porse ceremonia e dorëzimit të “çmimit Kadare” që u bë në një sallë të shtëpisë së tij botuese “Gallimard” e që ndodhej fare pranë apartamentit të Kundera-s, ndonëse e thjeshtë, qe shumë e këndshme dhe e ngrohtë; aty njoha personalitete të kulturës, miq të Kundera-s, si romancierin dhe eseistin e njohur francez Philipp Sollers-in dhe të shoqen e tij, filozofen e njohur Julia Kriseva, romancierin, kineastin, dramaturgun dhe poetin e famshëm spanjoll, skenaristin dhe producentin e filmit të dëgjuar “Viva la muerte” (Rroftë vdekja) Fernando Arrabal, etj. Gjithçka dukej të vente shumë mbarë për çmimin letrar ndërkombëtar “Kadare” dhe ngjante se do të qe i përjetshëm: brenda dy vjetësh jo vetëm kishte kurorëzuar dy emra të mëdhenj të letrave botërore, por perspektiva ngjante e shkëlqyer: miq të mi, të vjetër e të rinj mes këtyre personaliteteve të kulturës botërore, me shumë entuziazëm kishin zënë të më jepnin propozime me emra të sigurtë kandidatësh. Porse ajo që nuk kishim parashikuar ne krijuesit e “çmimit Kadare” dhe që do ta humbiste atë përgjithmonë, qenë ngjarjet e vitit 1997 dhe shkatërrimi i Shqipërisë.