Kreu Letërsi Bibliotekë Rexhep Ferri: Rimodelimi i botës (ese)

Rexhep Ferri: Rimodelimi i botës (ese)

1.

Po rimodeloj botë.
Cilën botë?
Botën e hiçit pa kufizime dhe Botën e gjërave të prishura. Të Botës që është e vetmja Botë dhe e vetmja kohë e tri kohëve.
Dhe koha e një ore kohë.
Nga vdekja 24 orë kohë.
Jo, jo…
Diçka në mes.
Diçka në fillim
Shikoni:
Po ikim!
Ku po shkojmë?
Për të thënë diçka për jetën, deri tani fjala publike është përdorur si fasadë.

2.

O patriot, o hajdut bën diçka!
Shkuam kot.
Nga tani e tutje nuk e di çka të them.
Asgjë s’po kuptoj.
Ku do të ndalem. Pyetje dhe përpjekje e bukur.
Zotin e kam dëshmitar.
Përtej botës terri qeshi.
Kopili që e kisha anash më doli përpara.
Isha vetëm.
U bëra vetë i katërdhjeti.
S’ka më mirë se të jesh vetë i katërdhjeti.
Kur nuk arrijmë të besojmë aventurat kthehen në ngjarje të zakonshme.
Nuk gjej fjalë për të shpjeguar pse.
Niveli i miqësive të niveleve të larta, i miqësive simpatike kohë pas kohe po del si kohë e ndryshimeve.
Njeriu është mur që është ndërtuar më parë.
Dua të besojmë e të mos koritemi.
Faqja e bardhë nder i madh.
Diçka që fillon me historinë.

3.

Kur nuk kuptojmë asgjë nuk arrijmë të besojmë në asgjë.
Kuptimi i vërtetë nuk ka kuptueshmëri.
Buzëqeshja vizatohet vetë.
Humb vetë.
Një erë e fortë troket në dritare.
Në të dyja anët e rrugës janë urrejtjet e luftës së fundit.
Unë ende po kërkoj varrin e djalit të Skënderbeut, Gjergjit, që mori rrugën e gurbetit.
Maskat janë në formë.
Në veri të modeluara me erën e veriut.
Në jug me erën e jugut.
Ka shumë shembuj me shqetësime dhe biseda akademike.
Turp t’i përmendim.

4.

Për ta fotografuar krimin unë mbeta si të isha i balsamosur e nën akull.
Për të shprehur zhgënjimin pyeta:

Në çfarë kohe po jetojmë?
Pas perëndimit të diellit, në kohë lufte, në kohë pas lufte.
Me patriotë çka mund të shihet në shqiptarhane.
Prapë besojmë se gjithçka shkon.
Gjithçka jeton.
Ka shumë shembuj e shembuj.
Mos u çmend!
Për hir të Zotit, kush jemi?
Lutja ime e kupton!
Mënyra se si po sillem e se si po mendoj, po flet se s’jem kurrkund.
Jeta është fantazi.
Ka edhe shumë gjëra që nuk i kuptojmë.
Nuk e kemi idenë pse po jetojmë.

5.

Në periudhat e shkurtra kohore asgjë nuk fitohet pa vuajtje.
Shikoni afër.
Amanet te Zoti.
Njeriu ka rrëshqitur drejt problemeve dhe shkëmbinjve të çastit.
Kur çmenduritë më shumë se keq, më shumë se mirë bëjnë gjithçka.
Ëndrra ka të drejtë edhe kur nuk ka të drejtë.
Me periudhat e shkurtra kohore, Zoti na ruajtë!
Kur nuk kemi asgjë, ka mundësi që Mesjeta të na përsëritet.
Vullneti është një lloj kompromisi.
Kur nuk e kemi idenë pse jetojmë, rreziku për jetën vjen.
Rreziku për jetën kalon.
Jeta kohë pas kohe i ka dy profile:

Jeton vetëm.

Shkon vetëm.
Kërkon të takojë dikë.
Unë e kam njohur në pjesën e parë të jetës.
Më thoshte lëre natyrën ta ndjekë natyrën.
Kur flasim për jetën dhe vdekjen.
Në rregull.
Mos luani me zjarrin.

6.

Tani çdo gjë është e kuptueshme.
Ose aspak e kuptueshme.
Kur vriten njerëzit, njerëzit mendojnë se po vriten lepujt.
Edhe pse zemrën e kemi si të lepurit, nuk mërzitemi për asgjë.
Për interesa personale janë katandisur dhe mprehur si maja e shpatës.
As vetë nuk e di pse.
Ngjarje e pabesueshme.
Si fund i pakuptueshëm i një përralle për dramat e Shekspirit.
Me këmbën mbi këmbë dhe me gishtin tregues pa asnjë mëshirë shkojmë për gjueti të shtrigave.
Njeriun e shqiptarhanes që e shoh edhe pa e njohur, njerëzit që sa më shumë i gënjejnë njerëzit ia qajnë hallin.
Tani fati i kthyer në hi është gojë e mbyllur.
Ishte gojë e besimit.
Patjetër faktor i rëndësishëm kur mbyllet muhabeti.
Doja edhe pak hapësirë, por oksigjeni po na mungon të gjithëve.
Virusi Corona-19 është një histori e afërt.
Aspak e kuptueshme.
Kadalë, kadalë, mbajeni dhe ruajeni distancën!
Ka diçka më shumë se leximi i parë.
Koha është jeta e jonë.
Me maska e maska.
Me realitete e pa realitete.
Me të njëjtën monedhë.
Nëse na prinë fati e tejkalojmë historinë.
Ndoshta më keni keqkuptuar, më shumë se keqkuptuar.
Njeriu i besueshëm ku shkoi?
Kudo e kurdo, a jemi normalë?

7.

Një fjalë thotë:
Zoti vonon, por nuk harron.
Mos ta harrojmë edhe këtë pak dinjitet njerëzor që na ka mbetur.
Gjatë natës që më zuri virusi Corona-19, dëgjova një këngë.
“O vika deti moj nane o tallaz tallaze!”
Me maskë, pa doreza e pa fener.
Me qytetërim arrogant e me kujdes për vete dhe të tjerët.
E djathta kombëtare qeshi.
Kryqin e besimit e kemi përtej vetvetes.
Në kornizat e natës reale ishim më të lashtë se deti.
Një dokument për vite e shekuj.
Në historinë e absurdit ka vend edhe për një histori të pashkruar.
Nuk dua ta di pse.
S’kam ku shkoj tjetër.
I urrej ata që vonohen.
Priteni pak.
E rëndësishme është të bëhemi të padukshëm.
Darka e fshehtë është gati.
Po, për një minutë.
E kundërta e pasqyrës sime, pse të ikim?
Në kohë të tilla nuk na duhet të pyesim se ku shihemi.
Shija e ëndrrave është e vetmja mundësi.
Pa e kuptuar të vërtetën, nuk do ta kuptojmë as historinë.

Exit mobile version