Kreu Letërsi Bibliotekë Rexhep Ferri: E keqja na çoi në kujtesë (ese)

Rexhep Ferri: E keqja na çoi në kujtesë (ese)

Rexhep Ferri

1.

Mos harroni.

Kam shumë arsye për të besuar dhe shumë arsye për të dyshuar.

Njeriu e shkruan historinë edhe kur çdo gjë është larg.

Për sekrete e të vërteta po flitet pas shpine.

Si guxojnë të flasim në emër të dikujt tjetër.

Pas një pushimi të shkurtër a ka ndonjë plan që duhet ta kuptojnë.

Unë ende s’e kam parë detin.

Kur ta shoh do të ndalem e do t’i them se e kam parë edhe përtej detin.

Sa të besueshme janë këto të vërteta.

Nuk po them se e di.

Sot do të paguaj unë.

Gjërat e pasluftës do të na tregojnë.

Kend ta pyes çka i mungon njeriut.

Si do ta takoj.

Të humbur në turmë si ta gjej.

Me të gjitha vërejtjet që mund t’i kem, i varfër jam pa të.

Për t’u mbrojtur nga lakmia e turmës nuk po dihet çka do të ndodhë gjatë rrugës.

Logjika e parasë syrin e uritur e qiti në det për ta zënë peshkun e artë.

Kujt t’i them se kjo e vërtetë nuk i ka mbyllur të gjitha marifetet.

Prandaj po presim.

Shpirti i vdekur dhe shpirti i gjallë kanë se çka të mësojnë nga njëri tjetri.

Për ta shprehur veten.

Përtej urrejtjes shumë gënjeshtra e shumë mashtrime i kemi ngritur në shkallë miti.

Cikli i jetës si fillon ashtu edhe mbyllet.

2.

Nga hapi i parë deri te hapi i fundit, me të njohura e të pa njohura, ende e kam një pyetje:

A vriten të gjithë njerëzit për ta shpëtuar planetin?

Ende na mungon hapësira si mund ta shpëtojmë planetin.

Qytetarët e para Krishtit e të kohës së pas Krishtit kërkojnë hapësirë për të pyetur se ku po shkojnë e pse po shkojnë e çka po kërkojnë.

Nuk bëhet fjalë për të besuar për pesë më pak apo për pesë më shumë. As për çka të bëjmë për të ardhmen e as për çka të bëjmë për veten.

Për ta kuptuar se kush kemi qenë e kush jemi, fjalët ende pa na dal nga goja, na varfërohen.

Në pasqyrën e jetës zbehen.

Njerëzorja bie në gjunj.

Rrëzohet.

Të gjitha këto ngjarje mashtruese i shohim dhe nuk shqetësohemi.

Bota qeshet.

Me ligje e mbi ligje ndryshon historia.

Deri në fund të shekullit këtë dhuratë e kemi si mjegull mitologjike.

Gjatë një nate me hënë, një mollë e kafshuar më shikoi.

Unë ia lëshova një palë sy.

Ajo qeshi.

Kur desha t’i afrohem ajo iku.

Si ta gjej.

Kërrkund nuk është.

Çka ka ndodhur kërrkush nuk e di.

Ndoshta është një keqkuptim.

Diçka nuk po shkon.

Jam mësuar të pres.

Në peshoren e farmacistit veten e pyeta: ku po shkoj?

Pse po shkoj?

Çka po kërkoj?

Kur dikujt i kthehet kujtesa, sipas daulles një vetmi këputet nga vetmia.

3.

“Më 1914 në Kavajë, e në krahinat e rrethit dëgjuam se berberi i qytetit ose një individ tjetër i së njëjtës kategori e kishte shpallur veten president i Republikës së Re. Flamuri kombëtar ishte rrëzuar për tokë e në vend të tij ishte ngritur ai turk”.

Për ta shitur qorrfermanin, shumë qytetarë dolën para pasqyrës.

Për të parë sa kemi humbur.

E çka kemi fituar?

Nga kjo paturpësi kriza e moralit zhytet edhe më thellë.

Piratët, kaçakët, hajdutët e pabesueshëm, me ligje e pa ligje çohen peshë.

Veten të gjithë e shpallin të fortë.

Të fshehur në arrati, për çka.

Vrasin kend u del përpara.

Për ta heshtja është një dhimbje që lexohet si fat.

Të përqeshurit e botës këputen së qeshuri.

Për diçka ndryshe nga të tjerët.

4.

Kujtimi im prapë po të afrohet.

Pa thënë asnjëherë jo.

E harruam njëri tjetrin.

Kur humbet diçka.

Çka?

E mrekullueshme dhe e harruar.

Pyete veten pse.

Deri te hëna e yjet.

Lutja e para gjumit ku shkoi.

Kjo nuk është ajo që po e kërkoj.

Ajo që po e kërkoj, është dashur të jetë këtu.

Karriga e vetmuar.

Çka m’i ke ngulur sytë, u zemërova dhe zemërimi më bëri të mendoj.

Nuk lëviza shumë.

S’e kuptoj pse.

Shumë mirë.

Më lini t’u shikoj.

Mos më lini të iki.

Sot më thanë se kam një takim.

Dua të marr një bekim.

T’ia ndërroj mendjen çmendurisë.

5.

Duke vizatuar një autobigrafi, më 1944 shkova në Shkodër.

Aty më zuri Lufta e Dytë Botërore.

Në Shkodër, komunistët e neokomunistët duke festuar fitoren me rrugaçëri.

Nga kumbonarja e kishës katolike e hoqën flamurin shqiptar dhe e vendosën flamurin jugosllav.

Në rrugë si të humbur.

Kur më pa im atë më tha:

– Eja, të shkojmë në shtëpi.

Nga kjo çmenduri kemi me pa histori të njohura e të pa njohura.

Këto tragjedi për ne janë për t’u ngjitur shkallëve të Teatrit Kombëtar, e për të hyrë, e për t’ia ladruar nënën dramave të Shekpirit.

Nga terri i vetmisë, shumë gjëra duke mos i parë i kemi pagëzuar ashtu si na janë dukur.

Kjo verbëri shumëçka ka ndryshuar.

Gjërat për t’i njohur më mirë duhet t’i çojmë te pagëzimi i parë.

Për historinë e pa shkruar të kërkojmë falje.

Këtë udhëtim e kam në pikturat e mia.

Urdhëroni në ekspozitë.

Ndoshta diçka ju kujtohet.

Duhet të ishte traditë.

Ka qenë traditë.

Tani ndihem keq.

Me flamur tjetër e pa histori.

Nesër kush do ta ngushëllojë popullin.

6.

Njeriu është i kohës së vet.

I dramës së vet.

Nuk është punë e lehtë të ndalet ora.

Të kthehet ora.

Më vjen keq.

Është punë që kushton shtrenjtë.

Më dëgjo, vetes i thashë: deri në ç’masë njeriu nuk e kupton as vetveten.

Koha për të parë veten kërkon një palë sy.

Edhe nëse është për dy palë sy, ndalu.

Merr pak frymë.

Qetësohu.

Edhe çka tjetër mund të presim.

Si ta japim përgjigjen.

Ku po ndalemi.

Malet me pleqërinë e vet flasin për kohën që vjen.

Kohën që shkon.

Gjatë këtij udhëtimi, te çerdhja e korbit ndjeva një krrokamë të frikshme.

Nëse i afrohemi të vërtetës, askush nuk beson.

Nuk e di njeriu si mund ta përjetojë lumturinë, kur s’ka hapësirë për lumturi.

Vendosa të ndalem.

Përpara se të ndalem, kohën e ardhshme e përqafova.

Kohën e tashme, ndoshta nuk do ta harroj.

Armiku gjithmonë dërgon shërbëtorin e vet për t’ia sjellur lajmet e reja nga beteja.

7.

Si duket ashtu do të bëhet edhe pse për ashtu nuk jemi nisur.

Jeta kaq e thjeshtë e kaq e ndryshme si na doli.

Pas çdo lufte bie një flamur dhe ngritet një flamur tjetër.

A do ta gjejmë rrugën e humbur nuk e di.

Morali ka rënë poshtë, shumë poshtë.

S’kemi se çka të presim e as çka të kërkojmë.

Nëse me dikë jeni më shumë se shok, më shumë se mik, gaboni.

Për kohën e pabesueshme jemi njerëz të pabesueshëm.

Çuditërisht shpejt harrojmë.

Nga rrënojat antike po ndërtojmë diçka të madhe, të re.

Artefaktet arkeologjike po i hudhim në det, në fund të detit si mbeturina.

Për kend e për çka t’i ruajmë.

Harresa kalon lehtë.

Një shekull nuk është histori e gjatë.

Për një qëndrim qytetar nuk jemi duke ditur se kur duhet të ndalemi.

Për ta shëruar planetin, ende nuk jemi të gatshëm të ballafaqohemi me të kaluarën.

As me kohën e ardhshme.

Për trimërinë tonë, o ta zëmë kohën, o ta zëmë njeriun.

Njeriu kohën e koha njeriun e kanë bërë rrëmujë.

E keqja na çoi në kujtesë.

Më vjen mirë që shpresën ende e kemi gjallë.

Pa e pasur asnjë informatë.

8.

Ku shkoi?

Ku mbeti?

Sa për pak, skeleti i bishave qeshi.

Me gjuhën e nofullave të uritura shkoi në gjueti.

Si reagim ndalet.

Për të shpëtuar nga plumbi qorr, fat e quante të vdes me armë në dorë.

Unë për pak shpëtova pa i thënë se koha e reagimeve ishte dje.

Tani për çka ta drejtojmë kurrizin.

Paria e vendit, paria e fisit ka jetuar nga gjuetia.

Tani po jeton nga krahu i thyer i dorës së popullit.

Harresa e ditëve tona është e kurdisur nga disa fate të zeza.

Gjithçka në terr.

Momenti i errësirës është momenti i kujtesës.

Nga Kodi i ditëve tona.

Edhe po, edhe jo!

E shohim, s’e shohim.

Kush është ai që pyet ku është Zoti?

Ku shkuan fjalët?

Besimet tona?

Me to mund të bënim një jetë të qetë si qytetar.

Ka për të qenë një natë e gjatë.

Liria është vrarë me ligjet e të fortit.

Duke shkuar për ta treguar veten për kohën e kaluar, njeriu po e tregon veten për interesa personale.

9.

Çfarë do të bëjmë tani?

Herë po e herë jo!

Ç’kuptim ka kjo çmenduri e përsosur.

Mund ta shohim.

Paria që po na prin janë personalitete të njohura që po mendojnë sa më shpejt, sa më mirë të çlirohen nga varfëria.

Njëherë e përgjithmonë.

Nëse më pyetni a ka probleme, ka probleme.

Të gjitha këto premtime për popullin dolën ëndrra mashtruese.

– Tani e prishe, – një patriot sojli më tha. – Qartë e prishe. Qëllimi është jo të duash, por të jesh i fortë. Të gëzosh një përfaqësim. Aty ku ka vend të jesh i pari i vendit. Pa e harruar njëherë njeriun që nuk është përcaktuar për besimin dhe rrugën që do ta vazhdojë. Kur flasin se duhet të ndryshojë.

– Për çka të ndryshojë, – një i dëshpëruar pyeti.

– Po ku ta gjej përgjigjen për t’ia ngrohur pak zemrën.

E keqja na çoi në kujtesë…

Mars, 2020, Prishtinë

Exit mobile version