Kreu Letërsi Bibliotekë Ray Bradbury: Si ta ushqesh muzën

Ray Bradbury: Si ta ushqesh muzën

S’është e lehtë. Askush s’e ka bërë përgjithnjë. Kush përpiqet më shumë se të gjithë, e tremb për vdekje. Atë që e shpërfill dhe bredh duke fishkëllyer lehtë, ajo e dëgjon duke e ndjekur në heshtje nga pas, e joshur nga një lloj përçmimi i matur dhe i shfaqur me kujdes. Sigurisht që po flasim për Muzën. Termi sot ka dalë nga përdorimi i përditshëm. Na ndodh shpesh që kur dëgjojmë të flitet për të, buzëqeshim dhe në mendje na mësyjnë imazhe të ndonjë perëndeshe të brishtë greke, veshur me rroba të zbukuruara, me harpë në dorë, duke ledhatuar ballin e Skribit që djersin. Muza, pra, është ajo që tmerrohet më shumë nga të gjitha virgjëreshat. Ajo fillon të lëvrij nëse dëgjon një tingull, zbehet nëse i bën pyetje, të kthen shpinën dhe zhduket nëse e ngacmon. Çfarë e shqetëson? – mund të pyesni ju. Pse dridhet ndërsa shikon ngultas? Nga vjen dhe ku shkon? Si mund ta bëjmë që të na vizitojë për një kohë më të gjatë? Cila është temperatura e përshtatshme? Ku blihet ushqimi për të, çfarë cilësie dhe sasie, dhe cilat është orar i darkës? Mund të fillojmë me poezinë e perifrazuar të Oskar Uajldit, ku fjalën “dashuri” e zëvendësojmë me fjalën “art”. Arti fluturon nëse mbahet shumë çlirët/Arti vdes nëse shtrëngohet tepër, /Çlirët, shtrënguar, s’i mund ta di/Nëse po rri apo do të ik?

Po të doni, fjalën “art”, mund ta zëvendësoni me fjalën “aftësi krijuese” ose “nënvetëdije” ose “zjarrmi” cilado qoftë fjala që përdorni për atë që ndodh kur vërtitesh si fugë dhe “shkruan një histori”. Një mënyrë tjetër e përshkrimit të Muzës mund të jetë rivlerësimi i njollave të vogla të dritës, atyre flluskave prej ajri para syve, defektet e vogla në lente ose në lëkurën e jashtme të syrit. Të pavëna re për vite me radhë, kur i pikasni për herë të parë, ato mund të kthehen në shqetësim të padurueshëm, të shpërqendrojnë në të gjitha orët e ditës. Pengojnë atë që po shikoni, duke u dalë përpara. Njerëzit kanë shkuar te psikiatri për problemin e “njollave” në sy. Këshilla e pashmangshme: shpërfillini dhe do të zhduken. Fakti është se nuk zhduken, mbeten, por përqendrohemi përtej tyre, te bota dhe objektet gjithnjë në ndryshim, ashtu siç duhet të bëjmë. Kështu ndodh edhe me Muzën tonë. Nëse përqendrohemi përtej saj, ajo s’na del përpara.

Është bindja ime që për ta mbajtur pranë teje një Muzë, së pari duhet ta ushqesh. Se si mund të ushqesh diçka që ende nuk ekziston, është pak e vështirë të shpjegohet. Por ne jetojmë të rrethuar nga paradokse. Një më tepër s’prish punë. 

Është kaq e thjeshtë. Gjatë gjithë jetës, duke pirë ujë dhe duke u ushqyer, krijohen qeliza, rritemi, bëhemi më të mëdhenj dhe më thelbësorë. Ajo që nuk ishte, është. Procesi nuk vihet re. Bie në sy vetëm kohë pas kohe. E dimë që po ndodh, por s’e dimë mirë se si dhe pse. Në mënyrë të ngjashme, ne e mbushim veten gjatë një jete me tinguj, pamje, aroma, shije dhe përshtypje të njerëzve, kafshëve, peizazheve, ngjarjeve, të mëdha dhe të vogla. E mbushim veten me këto përshtypje, përvoja dhe reagimin tonë ndaj tyre. Në nënvetëdijen tonë s’regjistrohen vetëm të dhëna faktike por të dhëna reaguese, lëvizja jonë afër ose larg ngjarjeve të ndiera. Kjo është lëndë, ushqim me të cilën rritet Muza. Kjo është depoja, skedari, tek i cili duhet të kthehemi çdo orë kur jemi zgjuar për të kontrolluar realitetin me anë të kujtesës dhe gjatë gjumit për të kontrolluar kujtesën me anë të kujtesës, që do të thotë fantazmën me anë të fantazmës, që të çlirohemi nga e keqja, nëse është e nevojshme. 

Çfarë është nënvetëdija për çdo njeri tjetër, në aspektin krijues, për shkrimtarët bëhet Muza. Janë dy emra për një gjë. Por, pavarësisht se si e quajmë, këtu është thelbi i individit që mëtojmë të lartësojmë, ai për të cilin ndërtojmë faltore dhe i thurim lavde në shoqërinë tonë demokratike. Këtu gjendet lënda e origjinalitetit. Sepse kjo lëndë përbëhet nga tërësia e përvojës së regjistruar dhe të harruar, që secilin prej nesh e bën të ndryshëm. Sepse askush s’i sheh të njëjtat ngjarje në të njëjtin rend, në jetën e tij. Dikush e sheh vdekjen më i ri se një tjetër, një njeri e njeh dashurinë më shpejt se një tjetër. Dy njerëz, siç e dimë, kur shohin të njëjtin aksident, e përshkruajnë  duke dhënë dëshmi të ndryshme, me një pjesë tjetër të alfabetit të tyre të huaj. E dimë se sa befasues  dhe origjinal është çdo njeri, madje edhe më i ngadalti dhe më i mërzitshmi, nëse i drejtohemi si duhet, bisedojmë me të, e pranojmë siç është, dhe më në fund i themi, “Çfarë do në jetë? (Ose nëse është shumë i moshuar, çfarë ke dashur në jetë?) çdo njeri do të flasë për ëndrrën e tij. Dhe kur dikush flet me fjalë që i burojnë nga zemra, në çastin e tij të së vërtetës, flet sikur po krijon poezi.

Kjo më ka ndodhur jo një herë, por një mijë herë në jetën time. Im at dhe unë nuk ishim miq të shkëlqyer, deri shumë vonë. Gjuha, mendimi i tij, nga dita në ditë, nuk ishte e jashtëzakonshme, por sa herë që i thoja, “Babi, më trego për qytetin e Tombstone në Arizona që e ke vizituar kur ke qenë shtatëmbëdhjetë vjeç”, ose “për fushat e grurit në Minesota, kur ishe njëzet vjeç”, babai fillonte të fliste për ikjen nga shtëpia në të gjashtëmbëdhjetat, tregonte si kishte shkuar drejt perëndimit në fillim të shekullit XX, para se të përcaktoheshin kufijtë e fundit, kur s’kishte autostrada, por vetëm shtigje kuajsh, shina trenash, dhe arkërkuesit mësynin Nevadan.

Muza ishte befas atje për babanë. E vërteta shfaqej lehtë në mendjen e tij. Nënvetëdija thoshte fjalën e saj, e paprekur duke e ndihmuar të fliste rrjedhshëm. Ashtu siç duhet të mësojmë të bëjmë në shkrimet tona. Ashtu siç mund të mësojmë nga çdo burrë, grua ose fëmijë përreth nesh kur të prekur dhe emocionuar, tregojnë për diçka që e deshën ose e urryen sot, dje ose një ditë në të kaluarën e largët. Në një çast të caktuar, siguresa hiqet, dhe shpërthejnë fishekzjarret. Jo në minutën e parë, as në të dytën, as në minutën e tretë, jo, nuk ndodhte kjo te zërit i babait, ritmi i duhur, apo fjalët e duhura vinin pasi kishte biseduar pesë ose gjashtë minuta ndërsa thithte i qetë llullën, atëherë, krejt papritur i shfaqej pasioni i ditëve të hershme, meloditë e dikurshme, moti, pamja e diellit, tingulli i zërave, karrocat që udhëtonin vonë natën, burgjet, udhët e pluhurta që ngushtoheshin pas tij, ndërsa përpara shtrihej horizonti i Perëndimit, të gjitha, të gjitha, ritmi i të ecurit, çasti, çastet e shumta të së vërtetës, dhe, për këtë arsye, poezia.

Po, është tejet e vështirë ta përdorësh gjuhën ashtu siç flitet në këto vende. Por unë kam dëgjuar fermerë që tregonin për korrjet e para të grurit në fermë pasi ishin zhvendosur nga një shtet tjetër, dhe nëse s’ishte Robert Frosti që po fliste, ishte kushëriri i tij, i zhvendosur pesë herë nëpër shtete. Kam dëgjuar inxhinierë lokomotivash që flisnin për Amerikën me tonin e personazheve të Thomas Wolfe i cili udhëtoi mbi kalë nëpër vendin tonë me veprën e tij letrare ashtu si inxhienierët udhëtuan me lokomotiva. Kam dëgjuar nëna që tregonin për natën e gjatë me të porsalindurin e tyre se si kishin frikë se mund të vdisnin bashkë me foshnjën. Kam dëgjuar gjyshen që fliste për ballon e saj të parë kur ishte shtatëmbëdhjetë vjeçe. Dhe kur shpirtrat e tyre ngroheshin, ata ishin të gjithë poetë.

Dua të them se ajo që kemi të gjithë te vetja, ka qenë gjithmonë aty, dhe kaq pak prej nesh mundohen ta vënë re. Kur më pyesin se ku i marr idetë, qesh. Sa e çuditshme, jemi kaq të zënë duke kërkuar mënyra dhe mjete letrare, sa harrojmë të shikojmë brenda vetes. Muza, për t’i shkuar në thelb çështjes, është aty, një depo fantastike, qenia jonë e plotë. Gjithçka që është më origjinale pret që ta nxjerrim prej aty. E megjithatë e dimë që s’është kaq e lehtë. E dimë se sa e brishtë është pëlhura e endur nga etërit, ungjët ose miqtë, të cilëve mund t’u prishet kjo magji e çastit nga një fjalë e gabuar, një derë e përplasur ose një zjarrfikëse që kalon. Kështu, edhe sikleti, vetëdija, kritikat e kujtuara, mund ta pengojnë një person që të jetë gjatë gjithë jetës gjithnjë e më pak i hapur.

Le të themi se secili prej nesh e ka ushqyer veten me jetën, në fillim, dhe më vonë, me libra dhe revista. Dallimi është se shumë ngjarje na ndodhën, dhe me të tjera u detyruam të ushqehemi. Nëse do ta detyrojmë nënvetëdijen të mbajë dietë, si do ta përgatisim menunë? Epo, mund ta fillojmë listën tonë kështu: Lexoni poezi çdo ditë të jetës. Poezia është e mirë sepse i shkrifëron muskujt që s’i përdorni shpesh. Poezia i mpreh shqisat dhe i mban në gjendje të shkëlqyer. Të mban të vetëdijshëm për hundën, syrin, veshin, gjuhën, dorën. Dhe, para së gjithash, poezia është metaforë e ngjeshur ose krahasim. Metafora të tilla, ashtu si lulet japoneze prej letre, mund të zgjerohen në forma gjigande. Idetë janë kudo nëpër libra me poezi, megjithatë sa rrallë kam dëgjuar mësues të shkrimit të prozës t’i rekomandojnë për shfletim.

Tregimi im, “Bregdeti në perëndim”, është një fyrit i drejtpërdrejtë i leximit të poezisë së bukur të Robert Hillyer-it që flet për gjetjen e një sirene pranë Plymouth Rock-ut. Tregimi, “Do të bien shira të butë”, mbështetet në poezinë me këtë titull të Sara Teasdale-it, dhe pjesa mëe madhe e tregimit përfshin temën e poezisë së saj. Nga poezia e Bajronit, “Dhe hëna do të jetë ende shkëlqimtare”, doli një kapitull për romanin “Kronikat Marsiane”. Në këto raste, dhe dhjetëra të tjerë, kanë qenë disa metafora që më kanë mbërthyer, më kanë dhënë shtysë dhe janë bërë shkak të krijoj një histori.

Çfarë poezie? Çdo poezi që të rrëqeth. Mos u mundo shumë. Merre shtruar. Me kalimin e viteve mund të mbërrish te T. S. Elioti, madje edhe të kalosh më tej në endet e tua nëpër fushat e poezisë. Po thua se nuk e kupton Dylan Thomas-in? Po, por nyjet nervore të trurit e përthithin, ashtu si zgjuarsia jote e fshehtë, dhe të gjithë fëmijët e tu të palindur. Lexoje, ashtu siç mund të lexosh me sy lëvizjet e një kali të shpenguar në një livadh të gjelbër, të pa fund, gjatë një dite me erë.

Çfarë tjetër i përshtatet dietës tonë? Librat me ese. Përsëri, zgjidh dhe merr, më të mirët në shekuj. Do të kesh shumë për të marrë duke nisur nga kohët para se eseja të bëhej më pak popullore. Asnjëherë s’i dihet se kur mund të duash të dish përparësitë dhe të bukurën e të qenit këmbësor, si të mbash bletë, si të gdhendësh gurë varri ose rrathë. Ja kur duhet të hiqesh si diletant dhe shpërblehesh për këtë. Në fakt, je duke hedhur gurë në pus. Sa herë që dëgjon një jehonë nga nënvetëdija, e njeh veten pak më mirë. Një jehonë e vogël mund të lind një ide. Një jehonë e madhe mund të japë një histori. Për të lexuar, gjej libra që e përmirësojnë shqisën për ngjyrat, format dhe madhësitë në botë. Pse të mos mësosh për nuhatjen dhe dëgjimin? Personazhet ndonjëherë duhet të përdorin hundët dhe veshët ose mund të përkapin gjysmën e aromave dhe zhumave të qytetit, dhe të gjithë dridhjet pemëve dhe fëshfëritjet në lëndinat e qytetit.

Pse gjithë kjo këmbëngulje për shqisa? Sepse që ta bindësh lexuesin se është aty ku janë personazhet, duhet t’i drejtohesh secilës shqisë të tij, me ngjyra, tinguj, shije dhe cilësi. Nëse lexuesi e ndien diellin në mishin e vet, dhe  era ia lëkund mëngët e këmishës, gjysma e luftës është e fituar. Edhe rrëfenjat më të pabesueshme mund të bëhen të besueshme, nëse lexuesi, përmes shqisave, ndihet i sigurt se është midis ngjarjeve. Ai s’mund të refuzojë atëherë, të bëhet pjesë e tyre. Logjika e ngjarjeve gjithmonë ia lëshon vendin logjikës së shqisave. Nëse, sigurisht, s’bëni diçka me të vërtetë të pafalshme për ta hequr lexuesin nga konteksti, të tilla si ngadhënjimi i Revolucionit Amerikan me mitralozë, ose shfaqja e dinosaurëve dhe njerëzve të shpellave në të njëjtën skenë (kanë jetuar miliona vjet larg). Edhe pse, në rastin e dytë, një Makinë Kohe e përshkruar mirë, teknikisht e përsosur mund ta mbajë pezull lexuesin dyshimtar.

Poezi, ese. Po tregimet, romanet? Sigurisht. Lexoni ata autorë që shkruajnë në mënyrën që shpreson të shkruash, ata që mendojnë ashtu siç do të donje të mendoje. Por lexo edhe ata që s’mendojnë dhe nuk shkruajnë ashtu siç do të doje të mendoje dhe shkruaje ti, sepse kështu e nxit mendimin në drejtime të reja. Dhe përsëri, mos lejo që snobizmi i të tjerëve të të pengojë të lexosh Kiplingun, për shembull, edhe nëse askush tjetër nuk e lexon.

Kemi një kulturë dhe jetojmë në një kohë jashtëzakonisht të pasur si me gjepura letrare ashtu si edhe me thesare. Ndonjëherë është pak e vështirë të dallosh gjepurat nga thesari, kështu që përmbahemi. Por meqë duam t’i japim vetes tekste cilësore, për të grumbulluar të vërteta në shumë nivele, dhe në shumë mënyra, për të testuar veten kundrejt jetës dhe të vërtetave të të tjerëve, të ofruara si vizatime komike, shfaqje televizive, libra, revista, gazeta, shfaqje, dhe filma, s’duhet të kemi frikë të shihemi në shoqëri të çuditshme. Unë jam po aq Çarli Çaplin më 1935 sa jam lexuesi-shok i Aldous Huxley-t në 1961. Nuk jam një gjë. Jam shumë gjëra që Amerika ka qenë në kohën time. Kisha aq aftësi të kuptuari sa për të ecur përpara, sa të lëvizja, të mësoja, të rritesha. Dhe kurrë s’ua kam kthyer kurrizin gjërave që më kanë rritur. Kam mësuar nga Tom Swift ashtu si edhe nga George Orwell. Jam kënaqur me Tarzanin e Edgar Rice Burroughs (dhe ende e respektoj atë kënaqësi të vjetër edhe pse s’më bën dot lavazh truri) ashtu siç kënaqem sot me “Letrat e Skrutejpit” të C. S. Lewis-it. E kam njohur Bertrand Russell-in ashtu si edhe Tom Mix-in, dhe Muza ime është rritur nga ajo që ka qenë shumë e mirë, e keqe dhe pa interes. Jam një krijesë e tillë që mund të kujtoj me dashuri jo vetëm tavanet e Vatikanit të Michelangelo-s por tingujt e lashtë të emisionit radiofonik, “Viki dhe Sad”.

Cili është modeli që i mban të gjitha së bashku? Besoj se një gjë i ka mbajtur të gjitha bashkë. Gjithçka që kam bërë, e kam bërë me emocion, sepse doja ta bëja, sepse më pëlqente ta bëja. Mbetet e përhershmja: kërkimi, gjetja, admirimi, dashuria, reagimi i sinqertë ndaj asaj që ke në dorë, pa marrë parasysh sa të turbullta duken një ditë, kur u rikthehesh. Të ushqyerit e Muzës, më duket se është vrapi i vazhdueshëm pas gjërave që i do fort, përballja e këtyre dashurive me nevojat e tanishme dhe të ardhshme, kalimi nga tekstet e thjeshta tek ato më të ndërlikuarat, nga ato naive tek ato me njohuri më të gjera, nga ato jo-intelektuale tek ato intelektuale. Asgjë s’humbet kurrë. Nëse ke përshkuar territore të pamata dhe ke guxuar të duash gjëra pa kuptim, do të kesh mësuar edhe nga sendet më primitive të mbledhur dhe të lëna diku mënjanë. Do të kesh mësuar edhe nga një kureshtje e përhershme për të gjitha artet, nga një progaram i dobët radiofonik, shfaqjet e mira teatrore, nga çerdhet tek simfonitë, nga xhungla deri te “Kështjella” e Kafkës, janë të vërtetat e gjetura, të mbajtura, të shijuara dhe të përdorura më vonë. Të jesh fëmijë i kohës do të thotë t’i bësh të gjitha këto.

Mos hiq dorë, për shkak të parave, nga gjithë ato gjëra që ke mbledhur gjatë një jete. Mos hiq dorë, për shkak të kotësisë së botimeve intelektuale, nga ajo që je, nga ajo që është brenda teje dhe të bën individ, dhe për këtë arsye, të domosdoshëm për të tjerët. Për të ushqyer Muzën, duhet të kesh qenë gjithmonë i uritur për jetën qëkur ishe fëmijë. Nëse s’ke qenë, tani je pak vonë për të filluar. Më mirë vonë se kurrë, natyrisht. A ndihesh gati? Kjo do të thotë se duhet të bësh shëtitje të gjata natën, përreth qytetit ose qytezës tënde, ose shëtitje në fshat gjatë ditës. Dhe shëtitje të gjata, në çdo kohë, nëpër librari dhe biblioteka.

Dhe si ta mbash Muzën është problemi i fundit. Muza duhet të jetë në formë. Duhet të shkruash një mijë fjalë në ditë për dhjetë apo njëzet vjet në mënyrë që të përpiqesh t’i japësh formë, të mësosh mjaftueshëm për gramatikën dhe historinë në mënyrë që këto të bëhen pjesë e nënvetëdijes, pa e kufizuar ose shformuar Muzën. Duke jetuar mirë, duke vëzhguar ndërsa jeton, duke lexuar libra të mirë dhe duke vëzhguar ndërsa lexon, ushqen veten tënde më origjinale. Duke u stërvitur në aftësinë e të shkruarit, me ushtrime të përsëritura, imitime, shembuj të mirë, krijon një vend të pastër dhe plot dritë ku mund ta mbash Muzën. I jep asaj, një hapësirë ku mund të rrijë. Dhe përmes praktikës, e çliron veten aq sa mund ta dallosh menjëherë kur frymëzimi vjen në dhomë.

Për një gjë të jesh i sigurtë: Kur flet dashuria e sinqertë, kur fillon admirimi i vërtetë, kur emocioni rritet, kur urrejtja ngrihet si shtjellë tymi, s’ke pse të dyshosh se krijimtaria do të qëndrojë me ty për gjithë jetën. Thelbi i krijimtarisë duhet të jetë i njëjtë me thelbin e historisë  dhe të personazhit kryesor në historinë që po shkruan. Çfarë dëshiron personazhi yt, cila është ëndrra që ka, çfarë forme ka ajo ëndërr dhe si shprehet sepse kjo është dinamoja e jetës së tij, dhe jetës tënde si Krijues. Mu në çastin kur shpërthen e vërteta, e nënvetëdijshmja nxjerr një engjëll që shkruan në një libër të artë. Hidh sytë nga vetja, atëherë. Mendo për gjithçka me të cilën e ke ushqyer veten për vite me radhë. A ka qenë një banket apo një dietë urie? Cilët janë miqtë e tu? A të besojnë? Apo bëhen pengesë të rritjes tënde me tallje dhe mosbesim? Nëse s’ke miq, dil dhe gjej ca.

Dhe së fundmi, a je stërvitur mirë që të mund të tregosh atë që do të tregosh? A ke shkruar aq sa të jesh i çlirët dhe të lejosh që e vërteta të shfaqet pa u tjetërsuar nga qëndrimet e vetëdijshme dhe pa u ndryshuar nga dëshira për t’u bërë i pasur? Të ushqehesh mirë do të thotë të rritesh. Të punosh mirë dhe vazhdimisht do të thotë të mbash në gjendje të mirë atë që ke mësuar dhe ditur.

Përvojë. Punë. Këto janë dy anët e medaljes, të cilat kur rrotullohen s’janë as përvojë, as punë, por çasti i zbulesës. Monedha, prej iluzionit optik, bëhet glob i rrumbullakët, i ndritshëm, rrotullues i jetës. Është çasti kur dera e oborrit hapet lehtas dhe një zë flet. Të gjithë mbajnë frymën. Zëri ngrihet dhe ulet. Babai tregon për vitet e tjera. Një fantazmë ngrihet nga buzët e tij. Nënvetëdija trazohet dhe fërkon sytë. Muza shket nëpër fierin poshtë oborrit, ku në një ditë vere, djemtë e shpërndarë në lëndinë, dëgjojnë. Fjalët bëhen poezi që askujt s’ i shkon mendja se janë të tilla, sepse askush s’ka menduar t’i quajë ashtu. Koha është tek to. Dashuria është tek to. Historia është tek to. Një njeri i mirë-ushqyer mban dhe ndan qetësisht me të tjerët racionin e vet të përjetësisë. Kjo duket gjë e madhe në një natë vere. Dhe ashtu është, siç ka qenë gjithmonë nëpër epoka, kur ka ekzistuar gjithmonë një njeri që kishte diçka për të treguar, dhe njerëz të tjerë, të qetë dhe të mençur, që kishin dëshirë për të dëgjuar.

Përktheu: Ejëll Miraka

Exit mobile version