Kreu Letërsi Bibliotekë Qazim Shehu: Jetoj në një dhomë kubike (poezi)

Qazim Shehu: Jetoj në një dhomë kubike (poezi)

JETOJ NË NJË DHOMË KUBIKE…

…jetoj në një dhomë kubike
Si bilbili i Mjedës në një kafaz,
I ndiej nga larg rrymëzat nazike
Të buzëqeshjes tënde që më ngas.
Jetoj në një dhomë kubike
Ku qenësohet dhe hungërin një mendim për ty,
Dhe skam dëshirë ta zgjeroj këtë dhomë, As ti çaj muret ,as tavanin të shtyj,
Ajo më mjafton në kruspullimën time
Dhe më duket se aty hapësira më të gjera ndryj.
Në ardhtë të më sjellë dikush ndonjë lajm
Ndonjë refleks të ikjes sate që u shua
Në hapësira të mëdha,
Këtë dhomë kam dëshirë ta ngushtoj se
Kaq sa është mua më shumë se ç`duhet
Më mba…
++++


ËNDËRR VICIOZE

Këtë qytet mund ta ëndërrosh vetëm kështu,
Ai me ngurtësimin e tij ka zhbërë çdo mundësi
Ndryshe për ta ëndërruar.
Pallatet si hunj dordolecësh
Dhe përrenjtë e verdhë të rrugës,
Parqet e rralluara
Dhe sheshet e zvogëluara,
Dhe njerëzit, njolla surreale,
Na thonë se mundësi tjetër s`mund të ketë,
Ata që së pari e projektuan
Vafshin në dreq….


KËNGËT KRESHNIKE

Këngët e kreshnikëve u ndrynë
Në kutiza celulari,
Lahuta kujt më në punë si hyn
Tha Martin Camaj i pari.
Të krijuara pas një beteje
Kur jehonin shpat më shpat
Dhe i freskonte një dragua reje
Orteqe të rrokullisura në monopat…
Vallë e dinin se jejehona prej rrufeje
Do mbyllej në aparat?
Kur sa gjokse burrash shpërthyen
Sa zemra kur ngritën luftëtarin- ujk
Një kuti si nuk e thyen
Një gjëmim si nuk çuan
Në veshët kufje-pambuk…


Në zall të Kostenjës
Heshtja vjedh
Ndonjë hap të arratisur..

Lugina zhvirgjërohet
Nga një rreze,
Mëngjesi shtron ngjyrat…

Emrin e gdhenda
Te një gur i zallit,
S`iu ngjita dot malit…

Exit mobile version