Të shtunën paradite, datë 20 dhjetor, u zhvillua në sallën “Kardinal Mikel Koliqi” prezantimi i librit “ShkodraExpress” të shkrimtarit dhe akademikut Stefan Capaliku. Kinseromani i Stefan Capaliku ruan dhe përcjell me shumë ‘finesë’ vlerat e qytetit të Shkodrës, njerëzve dhe historinë e tij. Stefan Capaliku ruan gjithashtu në libër raportet ndërmjet akademikut dhe artistit, shkrimtarit dhe poetit, dijes dhe artit. Prandaj Stefan Capaliku drejton me shumë kompetencë dhe pasion, ‘Qendrën e studimit të arteve’ në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Stefan Capaliku prezantoi vetë romanin ‘ShkodraEkspres’, me një ‘narrativë’ të veçantë që krijonte idenë e një ‘Pod-Casti’ skenik dhe akademik, me sfondin dhe simbolikën e sallës dhe portretit të “Kardinal Mikel Koliqi”. Prandaj për të lënë ‘shijen e narrativës’ së Capalikut, performancën e tij, nuk diskutova as nuk bëra pyetje, por po shkruaj një ‘ministudim’, për autorin dhe romanin ‘ShkodraEkspres’, duke e interpretuar në planin semiotik, shenjat dhe simbolet në punët e Capalikut. Semiotika është studimi i proçesit të shenjave (semiozave), që është çdo formë e veprimtarisë, sjelljes, ose çdo proçes që përfshin shenja, përfshirë prodhimin e kuptimit. Një shenjë është çdo gjë që komunikon një kuptim, që nuk është vetë shenja, tek interpretuesi i shenjës.
Stefan Capaliku, shkrimtari i ‘Ironisë ekzistenciale’, e jashtëzakonshmja ne veprën e Stefan Capalikut!
Në letërsi, ironia është një figurë retorike në të cilën ekziston një mospërputhje, një mosmarrëveshje ose një lidhje e pavullnetëshme me të vërtetën, e cila shkon përtej kuptimit të thjeshtë dhe të dukshëm të fjalës. Në veprën e Stefan Çapalikut, “e jashtëzakonshmja” shfaqet si shenjë semiotike që përfaqëson tensionin ndërmjet realitetit të zakonshëm shqiptar dhe përvojës metafizike, absurde ose ironike të jetës.
Semiotika e “jashtëzakonshmes” te Çapaliku shfaqet si:
-Shenjë e kundërshtisë ndaj rutinës
E jashtëzakonshmja tek Çapaliku është shenjë që prish rendin e përditshëm. Ajo shpesh paraqitet si një çast i papritur, një ndodhi e vogël që zbulon absurditetin e realitetit postsocialist. Në këtë kuptim, “e jashtëzakonshmja” është shenja e revoltës poetike kundër banalitetit.
-Shenjë e ironisë ekzistenciale
Përmes ironisë dhe absurdit, autori përdor shenjën për të demaskuar marrëdhënien ‘njeri–sistem’, ‘art–realitet’. Kështu, e jashtëzakonshmja bëhet ‘kod i ironisë’, që lexuesi duhet ta deshifrojë.
-Shenjë e kërkimit metafizik
Shpesh, në poezitë apo tregimet e tij, një detaj i thjeshtë (një zë, një aromë, një kujtim) merr kuptim simbolik, shenjë që hap një dimension tjetër më të thellë, të përjetimit njerëzor.
-E jashtëzakonshmja si akt interpretimi
Në termat e semiotikës, ajo është “shenjë e dytë” në kuptimin Barthesian. Përmes saj, Çapaliku na fton të lexojmë nëntekstin, jo vetëm tekstin. Pra, “e jashtëzakonshmja” tek Stefan Çapaliku është një shenjë polisemike. Ajo mbart njëkohësisht ironinë, revoltën, absurditetin dhe kërkimin për kuptim.
Shkodra Ekspres përfaqëson një ‘tekst hibrid’.
Shkodra Ekspres përfaqëson një ‘tekst hibrid’ ku narrativa letrare dhe ‘memoria urbane’ ndërthuren për të krijuar një sistem ‘shenjash komplekse’. Në këtë kinseroman, Shkodra nuk funksionon thjeshtë si hapësirë gjeografike, por si shenja qendrore semiotike, një “tekst i dytë” që flet përmes kujtesës, fragmentimit dhe ironisë. Në optikën e semiotikës kulturore të studjuesit Lotman, Shkodra shfaqet si një semiosferë: një hapësirë ku bashkëjetojnë kode të ndryshme kulturore , tradita, moderniteti, provincializmi, nostalgjia dhe absurdi postmodern. Qyteti është një shenjë polisemike: njëherësh real dhe imagjinar, historik dhe i trilluar, i përjetuar dhe i rikrijuar përmes diskursit narrativ.
“Ekspresi” si metaforë semiotike e tranzicionit. Termi ekspres nuk i referohet vetëm lëvizjes fizike, por funksionon si metaforë e kohës së përshpejtuar, e kalimit të dhunshëm nga një sistem shenjash në një tjetër. Personazhet janë figura tranzitore, subjekte që nuk arrijnë të ‘ankorohen’ plotësisht as në të shkuarën, as në të tashmen. Kjo gjendje ‘pezull’ krijon një tension semiotik mes kujtesës dhe harresës. Ironia tek ‘Shkodra Ekspres’ funksionon si mekanizëm semiotik distancimi. Ajo çmitizon mitet urbane, figurat autoritare dhe vetë nostalgjinë. Grotesku, nga ana tjetër, krijon një estetikë të tejzgjatur të së zakonshmes, duke e shndërruar realen në shenjë absurd, një strategji tipike postmoderne sipas Umberto Eco. Personazhet nuk ndërtohen si karaktere të plota psikologjike, por si ‘shenja identitare fluide’, të ndikuara nga rrethanat, diskurset dhe kujtesa kolektive. Ata janë bartës të fragmenteve kulturore, jo ‘subjekte heroike’, por figura që dëshmojnë krizën e identitetit urban shqiptar. Kujtesa në kinseomanin e Çapalikut nuk është arkiv statik, por proçes semiotik dinamik. Ajo rishkruhet vazhdimisht, duke prodhuar kuptime të reja sipas kontekstit aktual. Kështu, e shkuara nuk paraqitet si e vërtetë absolute, por si ‘narrativë e ndërtuar’. Shkodra në ‘Shkodra Ekspres’ funksionon si shenja qendrore semantike. Qyteti nuk është sfond, por subjekt i rrëfimit. Ai lexohet si tekst i mbushur me kode historike, nostalgjike, ironike dhe post-tranzitore. Në kuptimin e studjuesit Lotman, Shkodra bëhet një hapësirë semiotike e mbyllur dhe njëkohësisht e depërtueshme, ku kufijtë mes reales dhe imagjinares janë të paqëndrueshëm. Fjala ekspres shërben si metaforë semiotike e tranzicionit shqiptar. Lëvizja e shpejtë nuk nënkupton progres, por kalim të pakontrolluar nga një sistem shenjash ideologjike në një tjetër. Personazhet udhëtojnë jo për të mbërritur, por për të shmangur qëndrimin, një shenjë e krizës së identitetit urban.
Ironia dhe grotesku tek ‘ShkodraEkspres’ si kode leximi
Ironia në Shkodra Ekspres është një kod mbrojtës semiotik: ajo shmang patosin dhe e relativizon nostalgjinë. Grotesku shfaqet si shenjë e shtrembërimit të reales, ku e zakonshmja merr trajta absurde. Këto elemente e vendosin tekstin në një dialog të vazhdueshëm me lexuesin, i cili ftohet të deshifrojë, jo të konsumojë.
Kujtesa kolektive dhe personale trajtohet si montazh narrativ, jo si kronikë lineare. E shkuara shfaqet në copëza, fragmente, imazhe të ndërprera , një proçedurë tipike e kinseromanit, ku kujtesa është proçes interpretimi dhe jo arkiv faktesh.
Studim rasti: ‘Laboratori i shenjave tek ShkodraEkspres’.
Dosja e parë, Llagapet, Velerizmi, Diminiutivat, Prek Pasha, Fesi mexhidije, Dyrrotak, Zef Kopili, Ndreke Protestani, Oktagonale, Hotel Kuji, Goviç, Isidori, Dekë lodhshëm, Ago Pinuci, Yuppi du, yuppi du, a je i marrë, a je në balet, me të rrue Perja, antologjia e zallit të Kirit, paske kenë taman ashik, shkon për sherr ndizet bishtuku, me qira te Ndoc Nallbani, sentite o popolo shkodranë, Gjon, Gjon picigon, kujtesa zmadhon objektet e largëta, Rrok Baba, Jonuz Lami, Pjetër Gjini, Kel Marubi, Dulla i Komitetit, Mitro Siliqi, Rrok Nushi, Tish Rrumi, Lajde Bala, Kolë Tivari, numratori i parë telefonik, veç 100 numra, Palermo, Prill 2025,,,,,
Si përfundim, Shkodra Ekspres si kinseroman dëshmon se romani bashkëkohor shqiptar mund të funksionojë si laborator semiotik personazhesh. Shkodra Ekspres është një tekst ku semiotika e qytetit, e kohës dhe e subjektit ndërthuren në një diskurs postmodern. Kinseromani i Stefan Çapalikut shfaq Shkodrën si një sistem shenjash në lëvizje, ku kuptimi nuk jepet, por prodhohet nga interpretimi. Vepra mbetet një reflektim i thellë mbi tranzicionin kulturor shqiptar dhe mbi mënyrën sesi arti i rrëfimit transformon realitetin në shenjë.
