MAKTH
S’ kam gjumë,s’kam-s’kam-s’kam,
Hiqmani këtë xhind çalaman-man-man…
Që m’i çakërdis-dis-dis-dis,…
Qerpikët-ikët-ikët-ikët…
Largomini këto ëndrra grera
Që më pickojnë-ojnë-ojnë-ojnë,…
Gjakun-gjakun-gjakun,…
Mbulomëni edhe më-më-më…
TULIPANI I ZI
Dita vodhi mbrëmë kopshteve të natës
Një tulipan të zi,
E vari mbi gjoks dhe asnjëherë më parë
S’ish dukur aq e bukur, e djallëzuar dhe aq
E bardhë!
TMERRËSISHT VETËM
Të paskam gërmuar kot o mi i vogël, i hirtë,
Që fytyrën dot s’ta shoh.
Paskam dashur të të mbyt, të të vras,
Ndërsa ti,
Nën dërrasë,
Skërmit e gjakos gjysmëhënëzën time të mekur.
VAJ QIELLOR
Yjet hungërijnë mbi gurët e varreve.
Qajnë të vdekurit e tokës dhe të qiejve.
Qajnë.
Lëmojnë gurët pafaj,
Ndezin për qirinj iskra farfurie nga trupi i tyre,
Dhe duarmbledhur,
I ruajnë ndezur nga natë e marrë.
Hungërijnë,
Gërvishtin dhenë e ftohtë,
Ciflosin thonjtë,
Dhe,në vend të luleve,
Si gjurmë ngashërimesh,
A prehje dhimbje,
Lënë mbi varre ,
Si djaj,
Fanepsje blu.
LUTJE VESËS
Ti duhet të vdesësh tani!
Bari zhveshur pret rrëkezën tënde të dhimbjes,
Të dridhërohet e të luajë kapriçiot e ditës!
Duhet të vdesësh,
Dëgjon?
Shpirti më kërkon një dhimbje.
LOT’ I BURRIT
I rëndë ky lot i burrit,
Gur.
E bie,
E s’thyhet,
E bëhet mur.
ODE GRAVE
Ashtu, aty!
T’i puthim nga bishtiiI syrit tek thoi i vogël, i artë,
Mos na rrënohet një fije mrekullia e parë e botës.
Ashtu, aty!
Ngulur shtratit të tyre
Si rrapi buzë lugine.
Kur duhet,
Mbushur të jemi
Si degë më degë,
Si gjeth mbi gjeth,
Sa qielli prekur, të dridhet.
Kur duhet të shuhemi pa gjurmë,
Pa hi,
Sa palca e qirinjve të tërbohet zilie.
Ashtu, aty!
Kur duhet fuqishëm të jemi
Si mal mbi mal palosur,
Sa gjer në eshtër të shuajnë etjen brigjet,
Kur duhet,
Shtuf,
Të vetshkërmohemi,
Sa rëra të lajthitet.
Ashtu,
Aty.
PRITET TË DALIN YJET
Seç ka një mister ky qiell
Si gratë nën këmishë.
Po si’a grisët gurkalin mantel,
U dogj nga stolitë.
VDEKJES
Qenkam i marrë që grindem me ty fytyrë e shprishur prej helmit.
Më ke hyrë mes gëzimit herë si hienë
Herë si e shtëpisë,
Ke tundur krifën tënde te zezë
Brenda ëndrrës sime të bardhë,
E unë të kam qortuar, fyer, sharë,
Ti prapë s’ke pyetur,
Prapë ke ardhur
Si ke dashur,
Sa herë ke dashur.
I marrë qenkam!
Duket harroj se duhet të vij shpesh në kopshtin tënd
Të ujis eshtrat e fisit tim.
PYLLI LËVIZ NË MUZG
Po,në muzg,
Makbethi nuk gënjen.
Drurët, mos pengohen,
Largohen ca nga njëri tjetri,
Gjethet,
Nën sqetull,
Venë qiell, për fener,
E nisen për udhë.
Mos pyesni ku,
Është karvani më pagojë,më tundues,
E ndjekin pas re të përgjakura,
Shpirtra të etur për udhëtim,
E ndjek `dhe shpirti im,
Po,
Në muzg.
EROS
Pika mavi
Llërës shëtit.
Sa një lajthi
Pika mavi.
Aty dhimbje,
Atje stoli.
TINGUJ FUNEBRE
Qyqet pyjeve
Zgjedhin
Degëza për qivuret tanë,
Qyqet!
Syri i dylltë i vyshkjes,
Kinse i nget
Dhe qesh.
VIJËZA E GJINJVE
Kjo vijëz ndarëse,
Varëse
Në qafë të epshit.
E prek,
Më dredh.
S’e prek,
Më ndjek.
Kjo vijëz ndarëse,
Varëse.
SHTRATI TRAGJIK
Ajo gjumit,
Shtrirë cep
më
cep.
Ai zgjuar,
Strukur në çarçafë.
Kuçedra natë,
I tall nervin e ngordhur.
E DASHURA TREMBET
Nëse ky gji
Mbretëri
Me kopsat
Inxhi,
Mureve të rrobës,
Më
S’gjitet
Zvarritet,
Ti
Skllavi im,
S’je më skllavi im,
Ta dish!
TRI NET
Edhe mbrëmë na u sul demon i dashurisë.
Na ç›veshi si për pagëzim
Dhe me te linjtat tona brirëve
Kërcente dhomës polka të çuditshme.
Mbimbrëmë,
Të lodhur,
Shpinave linim hieroglive.
LULET DHE PLAKAT
Zhduki plaka
Të liga re,
S’duam të shkojmë
Me plak nën dhe’.
Gremisuni plaka
Honeve.
Afrohi plaka
Të mirka vasha
Me djem nën rrasa
Stolisur vemë
E tok do flemë
Makabrit shtrat.
Afrohi plaka
Të mirkat vasha.
TEPTISJE
Edhe fle, edhe s’fle.
Diç i teptis nën këmishë,
Një si lojë,
Si kurth.
Ajo pikasur më ka,
E dalngadalë,
Si nën qepallë,
Nis dy sy,
Të egër,
Të thellë,
Dy sy që presin
Ëmbël të tresin
Thekshëm të vdesin
Dashurinë time.