Mbi romanin “Zonjëza me pirpiri”
të Odise Kotes , “Toena”
Në atmosferën e letërsisë së sotme, ky roman vjen si një vërshim i beftë i një rrëkeje që buron nga pjesët shkëmbore të qytetit të gurtë jugor, kapton vise të largëta dhe të afërta dhe derdhet në limanin e një letërsie të përbotshme- weltliteratur e pati cilësuar Gëte këtë lloj krijimi.
Përgjatë shestimit të një arkitekture të sofistikuar kompozicionale, autori na ka futur në shtjellat e një narrative plot labirinte dhe ndeshtrasha, të cilat në krye të herës janë spërkatur me një mjegullinë të qëllimshme, brenda së cilës nëpërduken hije personazhesh që presin të plazmohen doradorës në qartësinë e tyre, qartësi që sendërtohet nga zembereku rrëfimtar i cili realizohet prej tri rendeve narrative: prej autorit- rrëfyes i gjithëdijshëm, prej personazhit të Annabel Arçer, një zonjë londineze, rrëfimet onirike të së cilës ndriçojnë skutat ontologjike të ansamblit të personazheve, si dhe prej dialogjeve mes personazheve, që i japin tekstit të veprës një frymëmarrje të ngjashme me atë të veprave skenike.
Vendkoha e kësaj vepre është gati e parrokshme. Skenat janë Londra, Boni, Korfuzi, Vjena, Gjirokastra dhe ngjarjet shtrihen nga e sotmja deri në kohën e lavdishme të principatave.
Gjithë mizanskena e veprës përshkohet, ndriçohet dhe sublimohet nga skenografia e hijshme, thuajse mahnitëse dhe magjike e veshjes që quhet “Pirpiri”. Pirpiria na shfaqet në fillim si eksponat i muzeut britanik, cilësuar si veshje tradicionale ballkanike, e kundruar me skepticizëm nga zonja londineze Annabel, skepticizmi i së cilës ka lidhje me dramat shpirtërore dhe dashurinë e stuhishme që krijon kjo veshje me aureolë aventure.
Pirpiria,ky objekt polisemik- një muzeum lëvizës- e vë gruan Annabel, në qendër të vëmendjes nëpër të gjitha takimet e saj në publik, e çon hijeshinë femërore në nivelet më të epërme, dritëson çdo tipar dhe lëvizje të saj. Këtu autori përshkruan si në pjesët më të ndritura të një poeme cilësitë e pirpirisë.
Ajo është kryefjalë, ëndërr, fatalitet, hijeshi, kob, titull fisnikërie, është fizike dhe metafizike. Ajo është institucion, memorie kulturore, dritë verbuese, mit, legjendë.
Dinamika rrëfimtare na tregon përmes retrospektivës njohjen e Zonjës Annabel me mjeshtrin që ka ndërtuar pirpirinë, Andre Gjinobardhi dhe idilin e tyre dashuror.
Dhe Andrea vetë, mjeshtri i Korfuzit, ky bir shqiptar, dishendent i një fisi të përmendur nga qyteti i mistershëm i Gjirokastrës rrezaton hirin e një orfeizmi mbresëlënës.
Ky orfe artizan, simbol i një demiurgu të veshur me pushtetin e fuqishëm të artit të vet, pajisur me një botë tejet të pasur shpirtërore, bëhet toposi që burimon dhe rrezaton të gjitha këndet e kësaj vepre.
Autori Odise Kote, me një opus tashmë të pasur dhe autoritetin e një shkrimtari të spikatur shqiptar shfaqet në këtë vepër si një krijues që dominon jo vetëm realitetet e diskursit që shtjellon, por edhe arrin t’i sublimojë ato nëpërmes frymëzimit, intuitës dhe virtuozitetit artistik në eliksir tërheqës dhe të freskët estetik.
Romani “Zonja me pirpiri” transmeton fuqinë e traditës sonë popullore, efektet madhore që e bukura e ardhur prej shekujve të largët, prej gjenezave të hershme zanafillore të kombit tonë të lashtë ka rrezatim tronditës në mbarë kulturën botërore. Gjithashtu, kjo vepër është një apologji e qartë e ontologjisë humane, e cila shfaqet tek qenia njerëzore e çdo epoke, e çdo vendi apo kulture si një substrat i përbashkët dhe mjet i pashmangshëm komunikimi. Autori arrin të universalizojë jo vetëm këtë souvenir mbresëlënës, të kulturës shqiptare, por edhe të rikonfirmojë universalitetin e qenies humane.



