Kreu Opinion Prof. Dr. Klara Kodra: Receptimi i veprës së Fishtës dhe gjuha e...

Prof. Dr. Klara Kodra: Receptimi i veprës së Fishtës dhe gjuha e njësuar letrare

Klara Kodra

Po e ndjek me dhimbje polemikën e ashpër që u zhvillua te “ExLibris” midis prof. Emil Lafes, ish pedagogut dhe kolegut tim të nderuar dhe Primo Shllakut, njërit nga studentët e mi më të mirë, rreth çështjes së plaksje së gjuhës dhe problematikave të poetit të shquar Gjergj Fishta dhe të moskuptuarit të tij nga brezi i ri i sotëm si edhe çështjes së gjuhës standarde të vendosur në vitin 1972.

Mendoj se në të dy artikujt që i kundërvihen njëri-tjetrit, nga një anë artikulli “Fishta dhe viti 1972” i Emil Lafes dhe nga ana tjetër, replika e Primo Shllakut “Kapërcimat e zotni Emil Lafes”, e datës 27 gusht, ka çështje të cilat duhet të ndahen nga njëra-tjetra, çështja e mohimit të padrejtë për më tepër se gjysëm shekulli e veprës së Fishtës, çështja e plakjes së gjuhës dhe problematikave të tij që mund të shpjegonte mungesën e receptimit nga brezi i sotëm dhe çështja e vendosjes së gjuhës standarde në vitin 1972 që, sipas mendimit tim, s’ka të bëjë fare me dy çështjet e mësipërme.

Primo Shllaku e sheh vendosjen e kësaj gjuhe si një nga mënyrat e shumta për ta rivrarë Poetin në kohën e diktaturës, pasojat e së cilës ndihen edhe sot.

Le të më falë Primo Shllaku, ish studenti im i nderuar dhe i dashur, po unë nuk e kuptoj dot se në ç’mënyrë gjuha e njësuar letrare e 1972-ës ka mundur ta rivrasë Fishtën tonë dhe këtu solidarizohem me prof. E. Lafen.

Kam qenë dhe jam e mendimit se nuk është patriotike që njësimi i gjuhës më 1972 në Kongresin e Drejtshkrimit të quhet si katastrofë dhe si krim.

Shumë-shumë ky Kongres me vendimet e tij mund të quhet si një zgjidhje e diskutueshme e çështjes së gjuhës së njësuar letrare.

Është e vërtetë se nuk u arrit një shkrirje e dy dialekteve bazë dhe se gjuha standarde e sotme ka në bazë të vet toskërishten. Po gjuha zyrtare e përdorur në vitet 30-të kishte në bazë të vet gegërishten dhe me sa di unë, shkrimtarët toskë nuk u ngritën atëherë në protestë, madje as e hodhën fjalën sikur ishte vrarë gjuha e Naimit apo Lasgushit.

Pse kjo anshmëri ndaj njërit prej dialekteve bazë të gjuhës shqipe? A thua vetëm gegërishtja zotëron vlera gjuhësore të epërme? Po atëherë si mundën Lasgushi dhe Noli të arrinin një formë pothuajse të përsosur kur e ngritën toskërishten e tyre në gjuhë poetike? Si mundi Naimi mbi të njëjtën bazë të mbështeste poezinë e vet që hodhi themelet e romantizmit tonë të Rilindjes ?

Nuk kam ndërmend të bie në një skajshmëri tjetër, duke e lartësuar toskërishten mbi gegërishten. Përkundrazi dëshëroj të kujtoj, siç kam bërë edhe në një artikull tjetër para disa viteve, që ka qenë pikërisht një poet i shquar i veriut, Ndre Mjeda që pohonte: “Geg e toskë, Malci, jallia/ janë një komb m’u da, s’duron/ Fund e majë nji â Shqypnia/ Dhe nji gjuhë të gjithë na bashkon” duke u ngritur mbi përçarjet krahinore.

Dua të kujtoj se dallimi midis dy dialekteve tosk dhe geg, si dallimi midis dy binjakëve jo të njëjtë, s’është aq i madh sa të krijojë një mur të pakapërcyeshëm midis tyre; se të zgjedhësh njërin prej tyre në bazë të gjuhës standarde nuk do të thotë pashmangësisht ta vrasësh tjetrin (natyrisht as shkrimtarët që shkruajnë në njërin a tjetrin variant, siç është fjala për Fishtën).

Do të mund të kujtoja gjithashtu se ç’ndodhi historikisht në një shtet si Italia, dikur i copëzuar në disa shtete të vegjël që do të bashkohej politikisht relativisht vonë, po që e fitoi identitetin e vet përmes gjuhës disa shekuj më parë: kur u vendos dialekti i Firences në bazë të gjuhës letrare italiane, u flijuan shumë të folme të italishtes që ishin shumë më tepër të ndryshme midis tyre se sa toskërishtja dhe gegërishtja; megjithatë kjo gjuhë letrare u konsolidua prej shekujsh, ndërsa të folmet krahinore vazhduan të gjallonin dhe madje të shkruhen prej shkrimtarëve të ndryshëm, pa i penguar të arrinin famën. Edhe sot ka në Itali shkrimtarë që shkruajnë në të folmen e vendlindjes, madje edhe në siçiliançen që ndryshon shumë më tepër nga toskanishtja e Firences se sa toskërishtja prej gegërishtes. (Mund të përmendim shkrimtarin e njohur sicilian Andrea Camilleri).

Në Itali dialekti i Firences u imponua në saje të gjenialitetit të një poeti të madh si Dante Aligieri.

Në Shqipëri çështja ndryshon: të dyja dialektet kanë arritur të shndërrohen në gjuhë poetike prej autorësh të shquar: Fishta, Mjeda, Migjeni, Koliqi, Camaj dhe mjaft të tjerë në gegërisht, Naimi, Çajupi, Lasgushi, Noli, Kadareja etj., në toskërisht. Kështu që nuk mund të zbatohet një kriter i tillë për të zgjedhur njërin dialekt në bazë të gjuhës letrare. Gjithashtu, secili prej këtyre dialekteve ka avantazhet e veta gjuhësore (ruajtja e paskajores në gegërisht, dukuri e rrallë; homogjeniteti relativisht më i madh i toskërishtes). Kështu që teorikisht secili prej tyre do të mund të zgjidhej për rolin e lartpërmendur.

Zgjedhja e një gjuhe standarde ishte domosdoshmëri. Se cili dialekt do të zgjidhej, ishte diçka relative, po fakti se gjuha standarde në këtë gjysëm shekulli u konsolidua provon se nuk ka qenë fjala për një zgjedhje në thelb të gabuar që do ta pengonte evolucionin e natyrshëm të gjuhës.

Duke mos qenë gjuhëtare, nuk pretendoj të depërtoj në shkaqet e zgjedhjes së 1972-ës, megjithatë jam e mendimit se kjo zgjedhje nuk ka pasur, siç pretendohet, arsye politike, po kryesisht arsye gjuhësore (bie fjala, karakteri më i njësuar i të folmeve toske që e përmenda më lart, ndofta edhe një lloj elasticiteti më i madh i toskërishtes.

Megjithatë kjo “fitore” e toskërishtes nuk u bë shkak për shtypje a më keq vrasje të gegërishtes.

Mund të verifikohet lehtë se shkrimtarët gegë, si para 1972-ës, ashtu edhe pas këtij viti e kanë përdorur pa pengesë dialektin e tyre në veprat e veta letrare (bie fjala, Llazar Siliqi ose Kolë Jakova kanë vazhduar të shkruajnë në gegërisht).

Madje, gegërishtja u lejua edhe në përkthime. Një nga variantet më të goditura të “Zonjës Bovari” në shqip është shkruar në të folmen gege. Po sjell ndërmend se ëndërra (e pamundur, ndonëse fisnike) e De Radës ishte krijimi i një gjuhe kombëtare në bazë të arbërishtes.

Ç’do të ndodhte vallë sikur (për absurditet!) kjo ëndërr të realizohej? Do të protestonin, do të revoltoheshin të dyja palët, gegë dhe toskë?

Do të doja të kujtoja gjithashtu se unë vetë, bijë toske nga babai im gjirokastrit, e kam mësuar gegërishten që fëmijë, duke lexuar veprat e ndaluara të Fishtës, që ruante fshehurazi mamaja në bibliotekën e vet dhe i pëlqeja të dyja dialektet, duke i shkrirë ato në dashurinë për gjuhën shqipe, një dhe të pandarë.

Mendoj se çështja e plakjes së gjuhës së Fishtës për të cilën flet studiuesi E.Lafe është e diskutueshme. Gjithashtu, kam rezerva për vjetërimin e tematikave (ndoshta i pjesshëm, po sigurisht jo i vjershave lirike të mrekullueshme filozofike ose patriotike).

Jam e vetëdijshme se gjuha e Poetit ka disa veçanësi krahinore që e vështirësojnë të kuptuarit e saj, aq më tepër pas një tetëdhjetëvjeçari nga ndarja e tij prej jetës; megjithatë jam e bindur se as patriotizmi i tij i zjarrtë, as lirikat e tij të mrekullueshme ekzistenciale (“Nji lule vjeshtet”, “Gurrave të Jordanit”), as forma e lartë e veprës së tij nuk janë plakur, ashtu si nuk janë plakur mesazhi i thellë pannjerëzor dhe forma e përsosur e “Komedisë hyjnore” nën veshjen arkaike të italishtes mesjetare.

Receptimi i Fishtës nga brezi i sotëm është një problem më vete; mendoj se tekstet e Poetit duhen shoqëruar me shënime dhe natyrisht të interpretohen drejt nga mësuesit dhe pedagogët, duke aktivizuar studentët në rolin e lexuesve bashkëveprues.

Mendoj se ka ende mundësira për një lexim të ri të krijimtarisë së Poetit dhe në këtë drejtim detyra të mëdha u takojnë kritikëve dhe studiuesve të letërsisë sot (të cilët, siç është thënë shumë herë, po jetojnë një krizë, po besojmë se s’kanë vdekur siç pretendojnë disa.

Mendoj se duhet të vlerësohen përpjekjet për një interpretim të ri të Fishtës nga ana e Aurel Plasarit, Blerina Sutës, Tonin Çobanit.

Do ta përfundoja shkrimin tim me pohimin se shkenca letrare i pranon, madje i kërkon debatet, po studiuesit duhet të respektojnë një lloj etike në këtë drejtim (të kujtojnë se sharja nuk është argument, edhe po të jesh i sigurt se mbron të vërtetën), gjithashtu duhen të përpiqen të shmangin anshmërinë dhe skajshmërinë dhe të përpiqen, jo për të afirmuar me çdo kusht tezën e vet, po për t’iu afruar së vërtetës objektive shkencore të bazuar mbi argumenta dhe fakte.

Exit mobile version