Kreu Letërsi Shënime mbi libra Prof. Dr. Klara Kodra: Ngjyrat e errëta të thellësisë

Prof. Dr. Klara Kodra: Ngjyrat e errëta të thellësisë

Mbi vëllimin me tregime “Plotës që më lënë” të Esmeralda Shpatës

“Plotës që më lënë” – një titull intrigues.

Është titulli  i një vëllimi me tregime me autore Esmeralda Shpatën, një prozatore  të talentuar bashkëkohore. I kemi quajtur “tregime”, po në të vërtetë  keto krijime – të një  lloji të shkurtër  që jo rrallë arrijnë  shkurtësinë maksimale – i përkasin  një zhanri të vështirë për t’u përkufizuar.

Skica? Proza poetike? Parabolë? Tregime të shkurtëra? Ato në thelb  dallohen për një koncentrim  të madh të fjalës  dhe të mendimit, një ekonomi të habitshme fjalësh. Autorja zotëron  mjeshtërinë e konçizitetit. Krijimet e saj janë tablo  të vogla plot  forcë shprehëse. Brenda një  hapësire të  shkurtër – herë – herë tej mase të shkurtër – ndeshim  thellësi  mendimesh, bulëzim  ndjenjash, pasuri simbolesh, herë një ironi  në caqet e sarkazmës që përshkon  tej për tej  shkrimin.

Realiteti që gjejmë në këto krijime është një realitet kaotik. A është realiteti i viteve  të vështira të tranzicionit pasdiktatorial në Shqipëri, të një lirie që jo rrallë  degjeneron në anarki,  të një bote kundërvlerash ku vlerat humbasin?

Pa dyshim ky realitet është i pranishëm në shndërrimin që i bëri arti. Njëkohësisht tok me realitetin shqiptar këtu ndeshim  një realitet më të gjerë, realitetin e një armiqësie midis njeriut dhe mjedisit, realitetin e një bote  kundërvlerash, një bote absurde, një bote që humbet besimin te njeriu  në shkallë  planeti, një realitet europian dhe botëror.

Ç’vend  ka në këtë realitet njeriu?

A mund të bëhet  ende fjalë  për progres?

Autorja i  sheh gjërat në optikën  e hermetizmit dhe pas-hermetizmit. Krijimet e saj janë të endura me fijet e një bote që e gjejmë edhe në folklor, të “botës se përmbysur”. Krijimet  e Esmeralda Shpatës janë në dukje  të vështira për t’u deshifruar ngaqë i drejtohen një lexuesi  tepër elitar. Ato i karakterizon errësia, tipike për hermetizmin. Në këtë  errësi dallojmë  pika të ndritshme që mund të jenë  pika referimi.

Si t’i  interpretojë këto drita të vogla lexuesi?

Këtu lind pashmangësisht pyetja: cili  lexues? Tregimet e Esmeraldës, pa dyshim nuk i drejtohen  një publiku të gjerë. A i  drejtohen ato lexuesit Model? Apo lexuesit – kritik?

Në këto  tregime  gjejmë temat  ekzistenciale të dashurisë dhe të vdekjes. Gjejmë  si një  leitmotiv edhe temën e çmendurisë. Tok me të edhe pyetjen se si ta ruajmë arsyen në një botë të çmendur.

Po ka edhe pikëpyetje të tjera. Ç’vlerë ka jeta? Ç’kuptim ka vdekja? Sa vlen dashuria?

A është ende jetëkrijuese? A është ende  burim lumturie a të paktën gëzimi?

Këto pyetje shtrohen, po nuk u jepet  përgjigje. Nënkuptohet  se autorja po kërkon edhe vetë një përgjigje. Nuk  kënaqet me përgjigjet e gatshme  të disa filozofive  a feve a ideologjive. Po ku qëndron e vërteta? A ka një të vërtetë absolute pas të vërtetave të vogla relative?

Mos vallë përgjigjet që jep shkenca?  Po edhe  shkenca ka caqet e saj, enigmat që nuk i ka deshifruar.

Lexuesi përpiqet të gjejë këtë të  vërtetë së bashku  me autoren  e cila ka një  respekt të veçantë për të. Për këtë arsye ne – lexuesit dhe kritikët – hyjmë në një labirint të ngatërruar dhe duhet të gjejmë fillin e Arianës. A po mos është  fjala për një pyll? Një pyll të errët ku gjethnaja fsheh drurët? A ndodhet aty pema legjendare e së mirës dhe së keqes?

Fruti i ndaluar ka një shije të hidhur.

Lexuesi i çan  vetes rrugën  në mes të një pylli simbolesh. Edhe  kategoritë  gramatikore si, bie fjala, plotësat janë ngritur  në lartësinë e simbolit.

Një simbol i veçantë është lopa e kuqe. Një simbol i shenjtë  në një botë  të çshënjtëruar: (“Strukturë e kuqe”).

Idhujt kanë zënë vendin e idealeve.

Kafshët kanë zënë vendin e njeriut.

Le të kujtojmë krijimin “Garë pa kokë”. Bukuria e këmbëve  ka zënë  vendin e bukurisë shpirtërore, e bukurisë  së trurit. Trupi i njeriut hyjnizohet vetëm nëse është  shndërruar në send, në objekt epshi.

S’është fjala as për një rikthim  te kulti  pagan i Erosit dhe i bukurisë fizike ku kishte ende  diçka të shëndetshme. Tani njeriu është  shkëputur egërsisht nga natyra dhe nga lidhjet me të, nuk e sheh më si nënë. Bukuria artificiale ka zënë vendin  e bukurisë  natyrore.

Dashuria si ndjenjë e fuqishme dhe e bukur, kulti  i ndjenjës dhe kulti i gruas janë zëvendësuar  me hipokrizi, me një kult të shkëlqimit  të jashtëm që mbulon  neverinë e brendshme (“Martesa e lumtur”).

Ironia që përshkon  shumicën e shkrimeve të Esmeraldës s’është një ironi që shkatërron tabu  dhe mite për të krijuar  vlera të reja, është një ironi tepër çmitizuese që  gjeneron  pesimizëm, jo ironia  romantike, po ironia e pamëshirshme e pashermetizmit.

Krahas ironisë, në këto krijime rrjedh  një rrymë e brendshme patosi dramatik të fshehur.

Në disa krijime  ndihet etje  për një dashuri të pamundur a ndofta  të përkohshme, të lidhur  me shijimin  hedonistik të çastit (gjersa miti i dashurisë  së përjetshme është shembur prej kohe).

Krijime të tilla janë “Të kam, të gjeta”, “Me titullin, martohemi”, “Falje”, “Shkartisje”, “Pothuajse ty”, “Ngulmueshëm”, “Po ti eja prapë”, “Pëshpërima të sikletshme”, “A më do?!”, “Në majë të gishtave”.

Jo rrallë Erosi dhe Tanatosi janë pranë (“Në qetësi me Jurën”).

Këto dy forca nuk  shihen si antitetik, po si  bashkëplotësuese.

Vdekja e fuqizon  dashurinë dhe fati  i gruas  personazh mbyllet në një kornizë absurditeti dhe tragjizmi. Një  lumturi  e shkurtër  pasohet  nga një  vuajtje  e  thelle e gjatë, po shmanget  agonia e ngadalshme e dashurisë dhe lumturisë.

Te “E mbrujtur me fat” protagonistja  dhe vdekja  janë  të  bashkuara në një  dialog  sureal dhe paradoksal (“I thashë se nuk  doja të vdisja …Vdekja  ime  qante  për mua”).

Frika  shfaqet  në  krijimet e Esmeraldës si  kujtesë historike (e lidhur  me detaje  konkrete të realitetit të diktaturës) dhe  si  ankth ekzistencial (“Frikë”).

Mbi këtë  realitet kaotik nganjëherë ngrihet  një Perëndi  që luan rolin  e rregulluesit (“Zoti është i majtë”, “Në stacione”, “Braktisje jo e fshehtë”).

Perëndia (simbol a hipotezë filozofike?) përpiqet të ndreqë gabimet e njerëzve.

Te “Braktisje jo e fshehtë” përpiqet të  ndreqë paditurinë e tyre duke i detyruar  me urdhër të lexojnë. Po ilaçi del më i keq  se sëmundja. Një ironi e dhimbshme me një botë që humb  çdo ditë  e më tepër dëshirën  për dije.

Ka krijime si “Ema pa emër”, “Plotës që më lanë” ku ndihet si një kube e errët rënduese mungesa e së ardhmes. Dëshira  për të lindur fëmijë shndërrohet në pamundësi, e tashmja  dhe e shkuara  ngatërrohen për të penguar të ardhmen.

Ema është vajza që mund  të lindte, po  ka shumë arsye për të mos lindur.

Djali që i kërkon nënës së ardhme ta lindë ngatërrohet me gjyshin.

Individi në krijimet e Esmeraldës është  më tepër se i dyzuar, i copëzuar. “Infiniti” virtual i copëzave të personalitetit të  individëve të skicuar synon drejt zeros, domethënë shkrirjes, asgjësimit të këtij personaliteti. Ata janë kryesisht njerëzit – valë të  modernizmit, njerëzit që kanë humbur “un-in” e tyre. Shkatërrimi i personalitetit të tyre  ka shkaqe  historike dhe ekzistenciale, është i lidhur  ngushtësisht me humbjen e një “qendre” rrezatuese që zëvendësohet me “rreze” të panumërta  të shpërndara nga të gjitha anët.

Krijimet e Esmeraldës shtjellohen në përmasat e absurditetit dhe të një realiteti onirik.

Në  to ndihen  ndikimet e Sartrit dhe të Kamysë dhe, ndofta  më tepër  ndikimet e autorëve italianë Kalvino dhe Landolfi.

(Le të kujtojmë  disa krijime të këtij të  fundit, tepër karakteristike “Babai i Kafkës”[1] dhe “Deti i Buburrecave”. Në shkrimin e parë shfaqet një  merimangë e përbindëshme me kokë njeri që identifikohet me të atin e Kafkës dhe i jep rast një dialogu surealist midis Kafkës – personazh dhe autorit. Protagonisti vuan  ndjenjën e fajit, po më në fund arrin ta vrasë merimangën  simbolike).

Natyrisht s’është fjala për imitime nga  ana e autores, as për një eklektizëm ndikimesh, po për impulse krijuese për të lindur shkrime të reja në frymë hermetizmi a pas-hermetizmi, meqenëse hermetizmi dhe pas-hermetizmi patën jetën e tyre të veçantë në letërsinë shqiptare  që i largon nga letërsitë  tepër të rafinuara  franceze dhe italiane. Tek ne këto rryma lindën vonë dhe iu desh të djegin furishëm etapat. Ato janë lidhur me individualitete të caktuara krijuese që i përkasin shekullit të njëzetenjëtë.

Gjatë përpjekjeve tona  për të shpjeguar domethënien e simboleve në  krijimet e shkurtëra të Esmeraldës, parabola a skica qofshin ato, të vjen  ndërmend  vërejtja  mjaft e mprehtë e studiuesit W.H.Auden në shkrimin e tij “Franc Kafka. Unë për veten” (Ex libris, Tiranë, 12.12.2020: “Kuptimi i një parabole është i ndryshëm për çdo lexues, prandaj një kritik s’mund të bëjë asgjë për ta shpjeguar” për të tjerët”.

Mund të diskutohet  nëse kjo vrejtje  mund  të shpjgojraninë e dy a më tepër të vërtetave relative që  zëvendësojnë të vërtetën absolute në krijimet e shkurtra të Esmeraldës apo karakterin polivalent të simboleve të saj apo të dyja këto dukuri që janë të pranishme  dhe ndërthuren.

Kritiku mund t’i sugjerojë lexuesit  njerin nga  shumësia e kuptimeve të mundshme, atë që ka hapur mendësia dhe ndjeshmëria e tij  dhe që, kuptohet, ka një  dozë të ndieshme subjektiviteti që s’përjashton  bërthamën objektive. Lexuesi i bashkëpunues aktiv me autoren apo me kritikun/kritiken mund ta pranojë këtë sugjerim ose jo, sidoqoftë mund  ta shohë si mundësi.

Sugjerimi i lartpërmendur mund të ndihmojë në gjenerimin e interpretimeve të reja.

Gama e ngjyrave në prozën e Esmeraldës është e kursyer. Në radhë të parë mbizotërojnë dy  ngjyrat  antitetike, dy ngjyrat jo-ngjyra, e bardha  dhe e zeza me kuptimet e veta simbolike që i venë vulën  disa krijimeve, mandej pasojnë e kuqja  dhe jeshilja.

Proza e shkurtër e kësaj  autoreje me talent ka arritur  të mishërojë  aspiratën e  surealistëve  për  shkrirje midis  ëndërrës dhe realitetit dhe synon t’u përgjigjet atyre dy thirrjeve që Milan Kundera i kërkonte  me mençuri për rilindjen e romanit në kohën tonë, thirrjen e lojës dhe  thirrjen e ëndërrës. Po bëhet fjalë për t’i realizuar në caqet e prozës së shkurtër, pra, në një  hapësirë të kufizuar që autorja  synon të ngushtojë sa më shumë, pra, për një mjeshtri të veçantë  të saj në artin e fjalës.

Duhet pasur parasysh se hermetizmi apo pas-hermetizmi i Esmeraldës nuk e përcakton në vetvete literalitetin e krijimeve të saj, nuk i japin vlerë më të lartë estetike nga ç’do t’i jepte, bie fjala, realizmi, ai lloj realizmi ende i pranishëm në letërsinë shqipe.

Krijimet e Esmeraldës zotërojnë në fakt literalitet,  meqenëse ajo s’e ka përqafuar  hermetizmin (apo pas-hermetizmin) për modë, po ka gjetur në këto rryma realizimin e individualitetit të vet krijues,  mënyrën e vet të të shndërrimit e realitetit në art.

Folëm më lart për konçizitetin e habitshëm të Esmeraldës, konçizitet që bashkohet me larminë e mesazheve të saj dhe fantazinë e saj të begatshme.

Duhet të shtojmë se autorja dallohet  edhe për një pasuri leksiku, për gërmimin në minierën e pasur  të shqipes në dialektet dhe nëndialektet e saj.

Errësia  në prozën e shkurtër  të kësaj autoreje zakonisht është shprehje thellësie, po ka  edhe raste që llava inkandeshente e fantazisë, vrulli  i frymëzimit e çojnë  shkrimtaren në një teprim  të kësaj errësie që mund të dobësojë efektin emocional.

Vëllimi Esmeraldës mbetet origjinal në kuptimin e plotë të fjalës.


[1]  Këtë skicë mund ta gjejmë te: Tommaso Landolfi, Faqet më të bukura, “Elite”, Tiranë, 2000. E dyta s’është përkthyer.

Exit mobile version