Mbi ekspozitën e piktorit dhe studiuesit Oltsen Gripshi “Stinët e qenies apo himni i jetës”
Arti ka fuqinë sa të imitimit, paraqitjes a shpërfaqjes së një objekti, dukurie, aq dhe të rikrijimit, të sendërgjimit, të transformimit, të përlindjes prej ashtit të perceptimit të diçkaje “ndryshe” nga jeta dhe njeriu, nga lëndorja dhe natyrorja, por që të shpie po te jeta dhe njeriu, por tashmë të përthyera përmes filtrash të hollë psikikë, transcedentalë. Teksa shihja ekspozitën e piktorit dhe studiuesit Oltsen Gripshi “Stinët e qenies apo himni i jetës”, çelur në mjediset e Ministrisë së Kulturës, ma fshiku syrin, trurin dhe zemrën pikërisht kundërshtia përplotësuese që thash më sipër, e cila është pjesë e thelbit të artit. Paraqitja konceptuale e mesazhit dhe domethënies së saj, e shkruar nga vetë Oltsen, më bëri të ndalem mes fjalive të tij prej një ligjërimi të lartësuar, filozofik madje, që dëshmonte sa kulturë, dije, ndërgjegje estetike, edhe një dritësim mbi konturet e lëbyrta të punimeve të tij, të cilat na bëhen edhe më të rrokshme në domethëniet e veta. Kam pasur rastin ta njoh Oltsen Gripshin në periudhën 5 vjeçare të përgatitjes së doktoraturës së tij, e më pas të mbrojtjes plot kompetencë, sikundër edhe me botimin e disa studimeve të tij në revistën “Studime për artin”, ku unë isha kryeredaktor. Përpos energjisë dhe ambicies për të mbërritur në “kullën e vet” te “qyteti” i artit bashkëkohor shqiptar, ajo çka më mbresonte më shumë tek ai ishte formimi profesional prej shkollës italiane të arteve, ku edhe ishte diplomuar dhe kishte fituar “masterin”. Dallonte nga gjuha e përdorur dhe koncepti i ri që kishte kundruall proceseve të zhvillimit të artit shqiptar në trajtat moderne e postmoderne të tij, ku shëmbëllimi i thjeshtë thuajse ishte flakur dhe në syrin e piktorit buisnin lloje të tjera imazhesh: shpikje të mendjes, vegime prej ëndrrave, maktheve, virulencave psikike, përfytyrime të cytura prej narrativave poetike, fluturake e mitologjike, që ngrenin mbi kështjellat e vjetra e të rënda prej një realiteti gri, të tjera “kështjella”, shpesh të “ajërta” me struktura mentale paradoksale – një surealitet drithërurs, i habitshëm, çudan, grotesk dhe rëndom i frikshëm. Kjo materie e re, e quajtur në të shumtën surealizëm me degëzimet konceptuale të tij, është pikërisht e pranishme dhe përcaktuese edhe te mendja krijuese e Gripshit te ky instalacion. Kjo s’ka nevojë të vërtetohet. Ndjehet kudo. Vetëshprehet. Duket. Porse, ndryshe nga një pjesë e konsiderueshme e artit surealist, këtu piktori ngjan se i shmanget të shëmtuarës, të neveritshmes, tmerrueses, paranojakes, tema e motive preferenciale të këtij drejtimi. Përkundrazi, ai paqtohet me motive, imazhe e kategori estetike, që lidhen më së shumti, sipas meje, me sublimen, liriken, poetiken, të madhërishmen, simboliken, filozofiken, prandaj edhe ai e thekson enkas qasjen e dytë të karakterit të kësaj ekspozite me instalacione: konceptualizmin. Konceptualizmi shfaqet si diç e natyrshme, e brendshme, ontologjike, ku simbolika dhe metafora shkrijnë në mënyrë harmonike lëndoren e të rastësishmen me shpirtëroren e të përzgjedhurën.
Pashë “muret e qelqta të qenies” artistike të Oltsenit, siç i quan ai. Në ato mure ai kridhet te metaforat shumështresore që të menduarit e tij artistik kanë vjelur nga jeta, ngacmimet e ardhura prej andej, çka e kanë çuar fantazinë e tij për të rindërtuar tashmë “mure” të tjerë, të një tjetër alkimie, hapësire, dimensioni e forme. Hapësirat boshe e të tejdukshme mbushen tashmë me imazhe që na ftojnë të përjetojmë fshehtësitë tona, dritën që buron nga dikah dhe hyn thellë territ të qenies sonë që të na thotë se kush jemi e çfarë jemi, të na shpjegojë ndoca mistere ardhur nga loja e imazheve onirike, të cilat teksa i shohim e i prekim, mbërrijnë në të tjera domethënie. Kjo ecejake nga e thjeshta në dukje të parë drejt asaj që tashmë qenka më e thellë e më shumështresore, mua më kumtonin përftesat mesazhore të artit të Gripshit, i cili i ikën të rastësishmes, pa qenë aspak i një çasti vetmitar, sado fatlum qoftë ai. Kjo dëshirë për të migruar përtej krijimeve të Oltsenit, duke u përqasur me veten time dhe ato çka mendja ime koncepton e përfytyron, m’u duk se më bëri një bartës të artit të tij, sa dhe një kumtar (doemos nisur nga dritarja estetike e perceptimit tim).
Krijimet pamore të sjellë te tablotë e këtij instalacioni polisemantik janë mirëfilli konceptuale. Ato artikulohen në katër njësi kuptimore, që janë katër stinët: pranvera, vera, vjeshta dhe dimri. Është cikli vjetor natyror, por ne e konotojmë atë dhe si cikël i jetës njerëzore, sepse edhe jeta e njeriut e tillë është: katërstinore. Pranvera që na mbush me optimizëm, gjallëri, erotikë, shpresë dhe qiej të hapur në fëmijëri dhe rini pasohet nga vera me zjarrminë, frutat, energjinë për të mbërritur në epëritë e fuqisë, pasionit, egos, riprodhimit seksual, personalitetit, siç është edhe mosha e burrit dhe e gruas, mosha e punës dhe e pllenimit. Ja ku mbërrin dhe vjeshta, një gjethurinë e shpërndarë për tokë, si e rrëmbyer nga era, teksa gjelbërimi ka mbaruar dhe e kuqërremta mbush peizazhin, drurët zhvishen, ka nisur lodhja dhe mundimi nga vrapi i kohës dhe mbijetesa, siç është në fakt edhe mosha kur njeriu ndjen mbi shpinë qiejt e ngarkuar me shira, rrebeshe të pritshme, gjëmime, mes një vuajtje ekzistenciale që duket se është e pambarimtë. Dhe në fund vjen dimri, i ftohtët, ngricat, drita e hirtë e përthyer nga qielli gri me barkun e mbushur me borë, llohë, akuj, kur pemë e kafshë, dhe krejt gjallesat, struken foleve për t’i shpëtuar peshës mortore të tij, njësoj siç është dhe njeriu i ngratë viteve të pleqërisë, gdhihu e ngrysu mes lëngatave, pamundësive, vetmisë, rrudhjes, heshtjes dhe shurdhërisë.
Unë i solla këto “stinë”, sa të natyrës aq dhe të qenies njerëzore, përmes një narrative të thjeshtë, me përqasje kah njeriu dhe mosha e tij. Porse në imazhet e ardhura nga ekspozita e Oltsenit mendja e vizitorit lihet e lirë. Ti mund të ecejakesh e të vraposh hirit të simbolikave me dekriptime që vijnë pikërisht nga shija jote estetike, nga perceptimi yt vetjak, nga çasti i përjetimit dhe i ngacmimi për të bredhur një grimë herë nëpër meditime filozofike. Sepse është pikërisht “filozofike” ajo që na jepet nga instalacioni katër-pjesësh a katër-stinor i Oltsenit. Ai e pohon vetë këtë teksa thotë se e gjitha dekodohet si: “Konceptualizmi si alfabeti i im, i dialektikës sime, i universit tim eremit, i qenies sime kozmike, e cila shtegton për t’i qëndruar përballë të vërtetës dhe për ta shpërfaqur atë nëpërmjet një procesi ndjesor, intim dhe vetjak”.
Po sjell në vëmendje të lexuesit emocionin tim, besoj edhe të shumë vizitorëve të tjerë të kësaj ekspozite, që grishet dhe buron nga të menduarit estetik e filozofik të Oltsenit. Shumëçka nuk e dija, por teksa lexova edhe mendimin shoqërues të vetë artistit Gripshi se nga dhe se si kishin ardhur ngacmimet lidhur me çdo “tablo”, u qartësove për shumëçka dhe dekriptimi im ishte më i lehtë, sidomos për ndonjërën nga tablotë, ku shtresa simbolike më dukej si pasive dhe opake. Në kryeherë, si tablo prezantuese, ndofta edhe si elementi cytës, piktori kishte vendosur një jorgan ngjyrë blu. Ç’ishte vallë ai, ç’kuptim kishte? Unë mund të sajoja disa kuptime, por shpjegimi i Oltsen Gripshit ishte sa domethënës e sqarues për mua, aq dhe prekës. Është fjala për jorganin e vjetër nga paja e të ëmës, i cili u nxor nga rrënojat e shtëpisë së tij të shembur prej tërmetit të tmerrshëm të nëntorit të vitit 2019. Është një relikte e shtrenjtë dhe e shenjtë, e nxjerrë nga vuajtja dhe kujtesa, nga mallëngjimi, përdëllimi dhe respekti që të gjithë neve kemi për prindërit tanë, rrënjët tona, mbamendjen tonë. Por dhe nga fati, që na ndihu të mbetemi gjallë, teksa një siluetë korbi poshtë këtij jorgani na kujton se kemi shpëtuar nga vdekja në qime të flokut. Pra, ky është një prolog përhirues, që na fton të udhëtojmë në semantikën e tablove të tjera, të cilat përveçse metafora dhe simbole të lexueshme stinore e më gjerë, janë po ashtu edhe shenja që shkojnë më tutje, shenja që kridhen thellë në qenien krijuese të vetë Oltsenit si artist dhe të Oltsenit si bir, burrë, prind e njeri, që përjetoi tmerrin e një fenomeni natyror katastrofik siç qe tërmeti me rrezikimin e jetës teksa shtëpia iu shemb.
Në qendër të hapësirës së ekspozimit, e cila është edhe pjesa më e ngarkuar me simbole, janë vendosur katër objekte: një kafkë njerëzore në qendër, që na çon vetiu te vdekja si fenomenologji dhe përjetësi, si rrezik, proces natyror dhe tragjedi; majtas është një tulipan i porsaçelur, që na çon vetiu te lulëzimi, kur nga hiri i vdekjes fuqia e jetës triumfon mes bukurisë dhe hijeshisë; djathtas është një sahat egjiptian me rërë, klepsidra, e cila na kujton se koha është eterne, formë perceptimi sa brenda ndërgjegjes sonë aq dhe jashtë e pavarësisht asaj. Sakaq koha e matshme njerëzore përcakton caqet e jetës sonë në segmentin jetë-vdekje si dhe çdogjësendi tjetër; elementi i katërt, sipër, është një vezë, pra embrioni i jetës, i qenësisë, i vetë kozmosit, e cila riprodhon materien dhe frymën në një cikël shkatërrimi dhe ndërtimi, fundi dhe fillimi, stopimi dhe vijimi – një proces ky i përhershëm dhe i përjetshëm, kulm e themel njëherit i vetë ekzistencës.
Në një sipërfaqe disa ngjyrëshe mes të kaltrës, rozës dhe grisë, syri ynë dallon një dallandyshe. Është zogu i hershëm i pranverës, fluturaku që na bujt nëpër shtëpia dhe na kujton se dielli është me ne, përtëritja është me ne, ringjallja dhe pranvera janë me ne. Në fakt është një triptik dallëndyshesh, sepse në mes të tabosë e shohim këtë zog fluturak se si ngazëllen në ajrinë qiellore, ashtu i shpenguar dhe i bukur, ndërsa sipër spikatin bishtat e dy dallëndysheve të tjera, që mesa duket kanë ngritur folenë dhe po çiftëzohen, si himni i vetë jetës, si ringjallja dhe “Kënga e Këngëve” e Solomonit. Jo lehtësisht e rrokshme është edhe simbolika e tabosë së mbushur me ngjyrë të verdhë, ku rrëshaqsin tre gjarprinjë (apo i njëjti gjarpër), ndërsa në mes është një mizë. Totemi i gjarprit është i njohur, madje edhe në mendësinë dhe antropologjinë tonë kombëtare. “Gjarpri i shtëpisë” themi dhe i atribuojmë atij cilësi mistike, eskatologjike, si mbrojtësi i mureve të konakut ku frymojmë, por edhe i gjindjes. I dalë nga ftohma, dimri, ngrirja, letargjia dhe palëvizshmëria, ai rrëshqet tashmë drejt jetës, të ngrohtës, lëvizjes, shkrifërohet, heq lëkurën dhe rinohet përmes rigjallërimit. Por simbolika e gjarprit është edhe ajo e racionales, pasi gjaku i tij është i ftohtë. Po miza e qetë dhe “indiferente” çdo aty, pranë gojës së gjarprit? Nuk është një kavie-kufomë-kalbësirë. Kuptimi këtu alternohet mes të përkohshmes dhe të përhershmes, mes të voglës dhe të madhes, mes rrëshqanores dhe fluturakes. Duken si dy botë jokomunikuese, indiferente ndaj njëra tjetrës, por duke u kredhur në simbolikë në biem dakord me shpjegimin e vetë artistit Gripshi se miza është insekti i kudogjendshëm, në jetë, kalbje dhe vdekje, një ndërmjetme gjalluese që sfidon rrënimin, vdekjen, stinët, përmasat, duke vërtetuar me praninë e saj të tërëjetshmen dhe të përkohshmen, shpejtësinë dhe ngathtësinë, çastin e shkurtër dhe atë të pafund, tokën dhe qiellin, jetën dhe vdekjen.
Njësia piktorike dhe pamore më e kompozuar dhe më mbresëlënëse për mua është “Vjeshta”. Ajo gjethurinë e bukur, që bie nga lart poshtë në dysheme dhe i vishet sfondit të zi si një kulpër lisit të madhërishëm, duke u mbledhur më poshtë te një tog që sikur merr frymë ende, më ka dhënë emocionin më të beftë, më të bukur. E gjitha më duket lirike, e gjitha si një fluturim ajrisë dhe si këputje e ëmbël, teksa një erë fryn dhe ne sikur ndjejmë trishtimin vjeshtor. Ka diçka që e fton jo vetëm mendjen tonë të migrojë ku ajo dëshiron, por edhe syrin tonë të këndellet me poemën e madhe të natyrës dhe të vetë jetës.