Kreu Histori Prof. Dr. Irakli Koçollari: Martin Firmano kardinali shqiptar, organizatori i kryengritjes më...

Prof. Dr. Irakli Koçollari: Martin Firmano kardinali shqiptar, organizatori i kryengritjes më të madhe për çlirimin e Arbërisë (1493-1499)

Qëndresa e madhe e popullit shqiptar kundër invazionit Osman, nën udhëheqjen e Heroin Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut la gjurmë të thella jo vetëm në kancelaritë europiane, të cilat përjetonin aso kohe me ankth fushatat e përgjakshme osmane që avanconin drejt zëmrës së kontinentit, por për më tepër edhe në vetë ndërgjegjen e popullsive shqiptare, ballkanase dhe më gjerë. Të frymëzuar, të kurajuar dhe të bindur në fuqinë e qëndresës së tyre, shqiptarët vazhduan edhe mbas pushtimit Osman luftërat dhe përpjekjet e tyre për çlirim prej zgjedhës osmane. 

Një nder to, ndoshta më sinjifikativja është përpjekja për një kryengritje të madhe, e mbështetur në mënyrë të fshehtë edhe prej mbretërive europiane, që zë fill në vitet 1493.

Ishte Philippe de Comines, këshilltari i Mbretit të Francës, i cili në librin e tij “Kujtime….”, të botuar në vitin 1539 ekspozoi për herë të parë një numër dëshmish dhe dokumentesh për një Kardinal shqiptar (Albanese), i cili kishte organizuar një kryengritje ndër më të madhatë kundër pushtimit osman. (1)

Fatkeqësisht, për të është shkruar fare pak, për të mos thënë aspak. Dokumentacioni arkivor për këtë ngjarje mjaft të rëndësishme është ruajtur nën sekrecinë më të madhe për dy tre shekuj, në fondet e “Këshillit të të Dhjetëve”- Venedik. Për shkak të prapaskenave të rrezikshme madje kriminale që u përdorën ndaj udhëheqësve kryesorë arbërorë të kësaj kryengritje, dokumentacioni dhe informacionet që pasqyrojnë tërë peizazhin e kësaj ngjarjeje të madhe është mbajtur në fshehtësi të madhe nga ky institucion i rëndësishëm dhe i veçantë i Republikës së Venedikut, të paktën për tre shekuj.

“KËSHILLI I TË DHJETËVE”

Na duhet të sqarojmë që në fillim se ç’ishte ky “Këshill”, mbasi me të, me funksionet që ai kryente dhe vendimet që ai ndërmori ndaj kësaj kryengritjeje të madhe të arbërorve në fundin e shekullit të XV, lidhen pasojat e dhimbshme që shoqëruan fatet e hidhura të popullsisë shqiptare dhe më gjerë.

“Këshilli i të Dhjetëve” (“Consiglio dei Dieci”) ishte një nga institucionet më të rëndësishme, në mos më i rëndësishmi i Republikës së Venedikut për gati pesë shekuj të dominimit të fuqisë të kësaj Republike. “Këshilli i të Dhjetëve” thërritej kështu, pasi ai përbëhej nga dhjetë anëtarë, të cilët ishin të zgjedhur nga radhët e aristokracisë venecjane që gazonin dhe njiheshin për emër, tradita fisnikërie, besnikëri dhe kontribute të veçanta ndaj interesave të këtij vendi. (2)

Ajo strukturë u krijua në vitin 1310 dhe kishte në kompetencë të mbronte shtetin nga – kryengritjet që mund të kërcënonin Venedikun, – tradhtitë e brendshme dhe të jashtme politike, – komplotet dhe kërcënimet konspirativë. “Këshilli i të Dhjetëve” kishte aq kompetenca dhe fuqi sa me të drejtë konsiderohej pushteti i vërtetë i kësaj Republike. Mbledhjet e saj zhvilloheshin në fshehtësi të plotë dhe vendimet që merreshin nga ky Këshill mbaheshin sekret. Askush nga këshilltarët nuk kishte të drejtë të nxirrte apo përhapte informacionet apo vendimet që merreshin në këto mbledhje. Vendimet e shkruara mbaheshin të mbyllura për tërë institucionet e Venedikut, për dekada dhe shekuj me radhë, për shkak të rëndësisë dhe kompromentimit të rëndë publik që ato mund të kishin.

Pikërisht me këtë “Këshill” dhe vendimet e tij lidhen fatet e kësaj ngjarjeje që trajtojmë më poshtë.

PËRGATITJA E NJË KRYENGRITJEJE TË MADHE ARBËRORE

Menjëherë mbas pushtimit të Mbretërisë së Napolit, në vitin 1484, nga ushtritë franceze, prej Mbreti i Francës, Karli i VIII, ky i fundit pati idenë e organizimit të një kryqëzate të madhe antiosmane, me qëllim çlirimin e tokave të Ballkanit dhe Europës nga pushtimi turk. (3) Nën këtë dëshirë, që ishte e pranishme aso kohe edhe në oborret e tjera mbretërorë të Europës, një numër përfaqësuesish të familjeve fisnike shqiptare, të cilët kishin emigruar në Itali dhe kryesisht në Mbretërinë e Napolit ndërmorën një numër aksionesh me karakter politik dhe diplomatik për të frytëzuar idenë e çlirimit të vendit të tyre – Arbërisë.  Ndër ata, që shquhen qartë në dokumentacionin e shumtë të arkivave europiane, sikundër në Mbretërinë e Napolit, atë të Vatikanit, të Venecjas, të Parisit, Gjermanisë e gjetkë, është padyshim Gjon Kastrioti, Kostandin Arianiti, Mërkur Bua, Muzakajt, Kladhat, etj. (4) 

KARDINALI MARTIN FLAMINIO ORGANIZATOR I KRYENGRITJES

Por, njoftimi i parë për organizimin e një kryengritjeje të madhe në territoret e Arbërisë qendrore, bëhet i njohur aty rreth viteve 1494. Ideologu, frymëzuesi dhe organizatori i saj ishte një Kardinal shqiptar me emrin Martin Firmanio. Dokumentet na bëjnë me dije se ai ishte Kardinal i Durrësit, madje ato theksojnë qartë se “ai ishte një shqiptar”. (5)

Po ky dokument duke folur për situatën në territoret e Arbërisë nën sundimin Osman, bën me dije se “….popullsia shqiptare e këtyre vendeve  (Arbërisë) mbante kontakte dhe merrte lajme për përpjekjet e Mbretit (të Francës) për mbështetjen e kësaj kryengritjeje, përmes miqve që ata kanë në Venedik dhe në Pulja, me të cilët ata komunikojnë me shkrim”. (6)

Jo vetëm kaq, por Kardinali shqiptar me këtë mision të shenjtë pati shkuar edhe në Itali dhe kishte marë kontakte me familjet fisnike shqiptare të vendosur atje dhe kishte punuar për t’i bindur dhe tu bënte thirrje atyre të mbështesin idenë e kryengritjes së madhe dhe më tej ti bashkangjiten asaj. (7) “Sepse shumë nga ata ishin të gatshëm të ktheheshin në vendet e tyre në Ballkan, mbasi ishin bij dhe nipër të shumë zotërve dhe njerëzve të famshëm të atyre viseve, sikundër djali i Skënderbeut, djali i Arianitit (Gjergj Arianitit)…etj.” (8)

Në këtë fushatë mobilizuese, dokumentet arkivore na bëjnë me dije se Martini kishte blerë dhe grumbulluar një sasi të madhe “shpatash, shqytash dhe shtizash, për tua shpërndarë atyre me të cilët ai ishte në marrëveshje”, pra kryengritësve shqiptarë. (9)

Historiani, burri i shtetit dhe diplomati francez, Philippe de Commines, që jetoi ato vite dhe ndoqi nga afër zhvillimet në Arbërinë e asaj kohe, në veprën e tij “Memoires”, flet për gjithë përpjekjet e bëra për organizimin e kryengritjes dhe situatën në Arbëri me hollësi. Vetë Commines kishte takuar këtë vit, strehuar dhe mbajtur të fshehur në banesën e tij, në qytetin e Venecjas, një ndër mbështetësit dhe bashkëorganizatorët e kësaj kryengritjeje Kostandin Arianitin, prej të cilit kishte mësuar mjaft hollësi, që ai i shkruan në ditarët e kujtimeve të tij. (10)

KOSTANDIN ARIANITI DHE ROLI I TIJ NË KRYENGRITJEN ARBËRORE

Kostandin Arianiti ishte i biri i princit të njohur arbëror Gjergj Arianiti (1456–1530) dhe vëllai i Donika Kastriotit, gruas së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Kishte lindur në Durrës, por në moshë fare të re u detyrua të emigrojë në Itali së bashku me familjen pas pushtimit të territoreve arbërore nga forcat osmane. Shumë shpejt fitoi reputacion dhe u bë i pranishëm në kancelaritë e territoreve italiane dhe atyre europiane të fundit të shekullit të XV dhe fillimet e shekullit të XVI, si një diplomat, ushtarak dhe interlokutor me mjaft autoritet dhe i rëndësishëm në zhvillimet jo vetëm italiane por edhe ato europiane të këtyre dekadave. Shërbeu si këshilltar i Papëve të Vatikanit, i Perandorit gjerman Maksimilian, apo mes republikave, Dukateve dhe Mbretërive italiane të kohës. Ndërmjetësoi në realizimin e një numër marrëveshjesh, traktatesh dhe aleancash të rëndësishme ku u pleksën fuqitë më të mëdha europiane të shekujve XV-XVI. (11)

U evidentua kudo si një diplomat dhe politolog me shumë autoritet dhe eksperiencë.

U përfshi në shumë prej lëvizjeve të mërgatës shqiptare në Itali dhe më gjerë për çlirimin e territoreve arbërore nga pushtuesit osmanë.

Burimet arkivore bëjnë me dije se në fund të shekullit të XV, aty rreth viteve 1490 u lidh me Kardinalin shqiptar të Durrësit, Martin Firmano, në përpjekjet e përbashkëta për të mobilizuar familjet fisnike shqiptare të emigruara në Itali, të ktheheshin në tokën amë për të marrë pjesë në kryengritjen e madhe për çlirim.

Nga një numër dokumentesh të Arkivit të Këshillit të të Dhjetëve duket qartë se policia e fshehtë e Venedikut e shqetësuar dhe e trembur për rolin e tij e ka ndjekur dhe survejuar nga afër tërë lëvizjet dhe kontaktet që ai ndërmerrte nëpër territoret italiane dhe më gjerë. Një numër raportesh të hartuara nga policia venecjane rrëfejnë survejimin intensiv dhe të afërt që i bëhej këtij diplomati (12)

VEPRIMTARIA E FSHEHTË E MARTIN FIRMANOS PËR ORGANIZIMIN E KRYENGRITJES

Kardinali, Martin Firmano, për muaj me radhë, përgjatë misionit të tij nëpër territoret italiane dhe më gjerë, kishte nxitur dhe mobilizuar shqiptarët e emigruar nëpër territoret italiane, të ktheheshin në tokën arbërore për të marrë pjesë në kryengritjen e afërt. “Ai u kishte folur shumë vetëve, – bëjnë me dije dokumentet arkivore, të cilët ishin të gatshëm të ktheheshin në vendin e tyre në Ballkan, sepse ata ishin bij dhe nipër të shumë zotërve dhe njerëzve të famshëm  të atyre viseve, sikundër të Skënderbeut, nipat e zotit Kostandin Arianiti…etj.” (13)

Dokumentet bëjnë me dije gjithashtu se ai kishte grumbulluar edhe ndihma financiare. Të gjitha lëvizjet e tij, Kardinali i kishte bërë në fshehtësi të plotë, duke iu shmangur syrit të venecjanëve.

Për ti shërbyer misionit të tij të rëndësishëm, në përpjekjet për të gjetur aleatë dhe ndihma, Firmanoi kishte shkuar gjer në oborrin e Mbretit të Francës dhe kishte takuar edhe vetë Karlin e VIII. Duke njohur prirjet e Mbretit frëng dhe synimet që ai kishte për çlirimin e territoreve të Ballkanit dhe Europës prej zgjedhës osmane, Firmano i kish treguar monarkut francez tërë planin për kryengritjen shqiptare. Në mbështetje të këtij misioni që kishte ndërmarrë Kardinalit shqiptar, Karli VIII i kish dhënë atij një sasi prej 40 000 dukatësh. (14)

Duket qartë që me to, Firmano veç të tjerave kishte blerë një sasi të madhe armatimi për nevojat dhe të mbështetur kryengritjen. Dokumentet arkivore na njoftojnë gjithashtu se kjo sasi armatimi ishte imbarkuar në dy anije të cilat qenë ankoruar në portet e Venedikut.

Të gjitha përpjekjet për organizimin e kryengritjes, Kardinali Firmano, i cili shërbente në atë funksion në qytetin e Durrësit, i kryente në fshehtësi dhe konspiracion të plotë, që të mos mësonin asgjë autoritetet venecjane, të cilat aso kohe kishin në duart e tyre këtë qytet. (15)

Por, Kardinalit shqiptar i duhej që të ruhej jo vetëm nga venecjanët, që aso kohe ishte në duart e tyre Durrësin, ku ai qëndronte si Kryepeshkop, por edhe nga autoritetet turke të cilat kishin nën pushtim dhe kontrollonin tërë territoret arbërore, krahinat, qytetet dhe fshatrat përtej Durrësit dhe më gjerë.  I duhej të vepronte kështu pasi Firmano e dinte fare mirë që kishte një Aleancën Turko – Venecjane për të ndihmuar dhe mbështetur njëri tjetrin.

TRAKTATI  TURKO – VENECJAN

Pas vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, ushtritë osmane kishin shtrinë ofensivat e tyre të suksesshme dhe kishin pushtuar njëra pas tjetrës pothuaj tërë territoret ballkanike. Në vitin 1477 përmes operacioneve të tyre të pandalshme, duke plaçkitur, grabitur dhe shkatërruar gjithçka, turqit i qenë afruar Istrias dhe Friulit. Tymi dhe flakët e zjarreve, që ata kishin ndezur mbi pyjet dhe fshatrat e këtyre anëve, tanimë dukeshin qartë me sy të lirë edhe nga kulla e kambaniles, në Sheshin e Shën Markut, në Venecia. (16)

Të tmerruar nga rreziku që afrohej pa u ndalur, venecjanët, “Këshilli i të Dhjetëve”, i mbledhur me urgjencë kishte vendosur të gjente një zgjidhje oportune, ti bënte lëshime për gjithë çfarë kërkonin agresorët.

Në këto rrethana, në vjeshtën e vitit 1478, venecjanët që tanimë shihnin qartë se ndodheshin nën kërcënim të drejtpërdrejtë dhe  rrethana të disfavorshme lufte, kërkuan menjëherë prej Sulltanit të nënshkruanin një marrëveshje paqeje, që në thelb ishte një Traktat nënshtrimi. Tanimë, turqit superiorë në avantazh ushtarak dhe politik imponuan hartimin e një “And name”, në favor të interesave të tyre.

Ky dokument, “Traktati” i shkruar në gjuhën greke, që mban datën 25 janar 1479, në emrin personal të Sulltan Mehmetit II, nënvizonte:

Unë, Sundimtari i Madh dhe Emiri i Madh, Sulltan Mehmet bej, biri i Sundimtarit të Madh, të ndjerit Murat bej….meqënëse zotërimi ka pasur më parë dashuri dhe miqësi me zotërimin shumë të shkëlqyer dhe shumë të lartë të Venedikut, prapë dua të kemi miqësi të re dhe të bëjmë betim për siguri të mirë…

…. Askush prej njerëzve të Venedikut  të mos guxojë t’u shkaktojë dëme zotërimeve të mija (Territoreve që tanimë ishin të pushtuara nga turqit) as njerëzve të mij…. Nga ana tjetër Venediku detyrohet t’i dorëzojë zotërimit tim kështjellën e quajtur të Shkodrës në Shqipëri….”(17)

Sikundër shihet nga ky dokument, venecianët patën pranuar tërheqjen nga qëndresa dhe dorëzimin e qytetit të Shkodrës dhe për më tepër kishin premtuar të mos lejonin që në territoret e pushtuara nga turqit (në Arbëri dhe më gjerë)  të kryheshin veprime konspirative apo kryengritje që do të kërcënon autoritetet turke të pushtimit. 

TRADHËTIA DHE ARRESTIMI I KARDINALIT

Ndërsa dy anije të ngarkuara armatim, me një numër luftëtarësh arbërorë në bord dhe bashkë me ta edhe Kardinali, Martin Firmano (apo Martin Durrsaku – sic gjendet shpesh i shkruar në dokumentet e kohës) dilnin nga portet e Venecjas drejt brigjeve arbërore të Durrësit, policia venecjane në shërbim të “Këshillit të të Dhjetëve”, kishte ndaluar dhe bllokuar me të shpejtë ato dhe vetë Kardinalin shqiptar. (18)

Nga kontrolli i ushtruar me imtësi mbi anijet e Kardinalit dhe mbi vetë atë ata, policia i kishte gjetur Firmanos një sasi letrash dhe korrespondence, të cilat zbulonin tërë planin, organizimet, krerët e kryengritjes dhe mobilizimin e shqiptarëve për luftimet që bëheshin gati të nisnin atë kohë.

Menjëherë mbas kësaj ngjarjeje, të befasuar dhe tronditur autoritetet venecjane, “Këshilli i të Dhjetëve”, “pati dërguar me urgjencë korjerë mbrinin fortesat më afërta të pushtuara nga turqit, në bregdetin dalmat që ti njoftonin për komplotinkryengritjen e madhe që ishte përgatitur kundër tyre prej shqiptarëve”. (19)

Kapiteni i anijes të ngarkuar me armatim, sikundër bën me dije dokumenti i shkruar nga de Comines, ishte një shqiptar, cka tregon se në këtë ndërmarrje dhe organizim ishin përzgjedhur dhe përfshirë vetëm shqiptarë. Mbasi kishte konstatuar lëvizjet e policisë venecjane, dhe ndalimin e e Kardinalit, kapiten shqiptar kishte njoftuar me të shpejtë Kostandin Arianitin, bashkëorganizatorin e kryengritjes së madhe, mikun e afërt të Firmanos. “Nëse nuk do të kishte bërë këtë. Arianiti do të ishte kapur rob…” sqaron Filippe de Comino, por ai mundi të largohet fshehtësi dhe mbriti Pulje.” (20)

REAGIMI I TURQISË DHE VENECJANËVE KUNDËR KARDINALIT “RREBEL” TË DURRËSIT DHE KRYENGRITËSVE SHQIPTARË

Mbasi qenë informuar për gjithë mobilizimin dhe organizimin e kryengritjes, turqit kishin marrë masa urgjente në terrenin shqiptar, në krahinat rreth Durrësit dhe gjithë Shqipërinë. Nga informacionet e tyre, ata kishin mundur të mësonin se “ai, Arqipeshkvi i Durrësit kishte ngritur rreth 30 000 shqiptarë në Shqipëri… që të çliroheshin nga robëria e turqve…” (21)

Nga ana tjetër Venecjanët në situatat e krijuara, kishin sqaruar palën turke, pranë Portës së Lartë se “ata asnjëherë nuk kishin pasur qëllim të mbështesnin këta kryengritës dhe as Kardinalin rebel shqiptar”. (22)

Edhe më tej, më datë 5 Mars 1495, “Këshilli i të Dhjetëve” i dërgonte Dozhëve të Venedikut (Kuvendit) një informacion të hollësishëm, sqarues, ku e bënte me dije për “aktivitetin e rrezikshëm” të Kardinalit shqiptar të Durrësit. Në këtë informacion shkruhej: “Po ju bëjmë me dije për marveshjet skandaloze, të pabesa, dhe të rrezikshme të Martinit, Arqipeshkvit Durrësit, nxitës i popullsisë, dëm situatës tonë mirë…. Prandaj, i kërkuam këtij Këshilli të arrestohet dhe të mbahet i mbyllur në burgun tonë fshehtë dhe mbasi të bëhet kjo, të vendosni se si duhet të veprohet më tej më këtë cështje….”(23)

Për të dhënë edhe një herë prova të marrëdhënieve miqësore dhe të sinqerta ndaj Perandorisë Osmane, venecjanët më datë 7 Mars 1495 kishin marrë vendim dhe urdhëruar arrestimin e Kardinalit shqiptar, Martin Firmano. Vendimi që ishte shkruar atë ditë, thosh: “të arrestohet Arqipeshkvi, Martin Firmano për shkak se ka tentuar të pushtojë qytetin e Krujës…” (24)

Dhe menjëherë pas kësaj, Kradinali, i cili ishte ndaluar në qytetin e Venecjas “u kap dhe u fut në hekura”. (25)

Propozimi për arrestimin e një Kardinali, ishte sigurisht një akt ekstrem, që do të sillte pasoja jo vetëm në opinionin e Venedikut, por edhe më gjerë. Në botën kristiane të asaj kohe, ndjeshmëritë ndaj institucionit dhe autoritetit të kishës katolike ishin tepër të mëdha. Ato qenë delikate, sepse preknin raporte delikate, për më tepër kur bëhej fjalë për ndëshkimin e një përfaqësuesi nga hierarkia e lartë e papatit. Në ato rrethana kërkesa e “Këshillit” për arrestimin e Kardinalit ishte votuar nga Dozhët, por me diferencën e një vote, propozimi për arrestimin e Martin Firminio ishte hedhur poshtë. (26)

MASA PËR NDALIMIN, KONTROLLIN DHE IZOLIMIN E KARDINALIT PREJ KRYENGRITËSVE SHQIPTARË

E megjithatë ky “Kardinali i rrezikshëm” “duhej mbajtur nën kontroll të rreptë, së bashku me kapelanin dhe shërbëtorin e tij,” nën një izolim të plotë në fortesën e portit të Venecjas – Lindo. Por, duket qartë se dëshira dhe përpjekjet e Firmanos nuk ishin ndalur. Pikërisht, më datë 6 Mars të vitit 1495, në errësirën e një natë, “arqipeshkvi i Durrësit u kap nga rojet, policia venecjane, ndërsa ai kishte hipur në një grip (anije) dhe largohej nga qyteti…” Me këtë rast “Këshilli”, kishte dhënë urdhër urgjent, që ndalonte daljen dhe largimin e të gjitha anijeve dhe barkave nga porti i qytetit.

“Këshilli” kishte urdhëruar të zbrisnin menjëherë Kardinalin nga anija me të cilën kish tentuar të largohej, dhe “të kontrollohej kudo nëpër trup me kujdes dhe hollësisht, ti merreshin të gjitha dokumentet që ai kishte me vehte… Mandej, të gjitha ato shkresa që ai ka të shqyrtohen me kujdes dhe vetë ai të pyetet për të mësuar shkakun e përpjekjeve të tij për tu arratisur dhe në cilin vend donte të shkonte…” (27)

Po ashtu, “Këshilli” kishte urdhëruar që:

a. të bëheshin verifikime dhe të hetoheshin të gjithë burrat e tjerë që kishin qënë anije me Kardinalin se çfarë përfaqësonin ata dhe cilët ishin planet e tyre,

– b. të merrej në pyetje vetë Kardinali shqiptar dhe të sqaroheshin motivet se përse ai në fshehtësi ish përpjekur të largohej (arratisej),

– c. të sqarohej nga Kardinali se ku kish tentuar ai të shkonte, cili ishte destinacioni i tij?

– d. Asnjë nga të sipërpërmëndurit dhe as anija në të cilën ishte imbarkuar Kardinali të mos lejohej të largohej nga porti i Venecjas, pa urdhërin e atij “Këshilli”. (28)

Mbasi të ishin sqaruar “tërë veprimet e rrezikshme” të Kardinalit, “Këshilli” duhej të vendoste që ta mbante shqiptarin kryengritës “të izoluar, në një dhomë të tijën, nën mbikqyrjen e rojës”.

Bashkë me këto masa, “Këshilli i të Dhjetëve” kishte urdhëruar që të ndaloheshin, të merreshin në pyetje dhe të hetoheshin të gjithë udhëtarët e tjerë, që ishin kapur në bordin e anijes, së bashku me padronin e gripit (anijes). (29)

Por, në një informacion tjetër të Arkivit të Venedikut që mban datën 6 Mars 1495, i cili është gjetur në këto fonde prej historianit të njohur Kostandin Sathas, thuhet se: “Arqipeshkvi i Durrësit, Martini, i cili po vinte prej Mbretit të Francës dhe që kishte marë me vehte edhe letrat e tij, më datën 6 Mars 1495 ishte arrestuar”. (30)

Më datë 7 Mars 1495 mbasi plicia kishte kryer tërë veprimet dhe verifikimet policore, “Këshilli i të Dhjetëve” kishte lejuar pronarin e gripit (anijes) së bashku, me udhëtarët e tjerë të nisnin udhëtimin për në destinacionin e parashikuar, përveç Kardinalit shqiptar, kapelanit dhe shërbëtorit të tij. Vendimi i “Këshillit”, i kësaj date shkruan: “Këta të tre të qëndrojnë këtu, të ruajtur mirë, brenda në kështjellën e bregdetit – Lindo, dhe të presin aty gjer në daljen e vendimit të këtij Këshilli.”(31)

REPRESION I ASHPËR I VENEDIKUT MBI KARDINALIN KRYENGRITËS

Por, veprimet policore dhe ato represive ndaj Kardinalit kryengritës, nga ana e aparatit shtetëror dhe policisë së Republikës së Venedikut nuk ishin mjaftuar me kaq. Cdo të bëhej më tej me Aqipeshkvin e Durrësit, Firmanon? Venecjanët për t’i treguar edhe më tej Perandorisë Osmane servilizmin dhe zellin e tyre në shërbim të interesave të saj, në një mbledhje të Këshillit, të datës 8 Mars 1495, deklaronin: “Nuk është në interesin e Venedikut dhe aq më pak në interes të çështjes së krishtërimit, që Arqipeshkvi i Durrësit (Kardinali) të largohet nga ky qytet (i Venecjas). Prandaj, të merret vendim nga ky Këshill që ky Arqipeshkv thërritet dhe në praninë e krerëve të këtij Këshilli ti drejtohet atij me fjalë rënda, sikundër e lyp puna, për ta përbuzur atë për skandalin dhe dëmin që ai ka shkaktuar me përpjekjet për trazira. Veprimet e tij i kanë sjellë dëm krishtërimit dhe do të sillnin pasoja të rënda paqes së mirë që ne kemi me Sulltanin.” (32)

E thënë me fjalë të tjera, Venediku kishte shprehur hapur qëndrimin se për interesat e tij, ai është i gatshëm të sakrifikonte jo vetëm një Kardinal shqiptar por edhe një popull të tërë të robëruar, fatet dhe lirinë e tij të humbur, madje të ndëshkonte pa mëshirë fate dhe jetë njerëzore.

Së fundi, “Këshilli i të Dhjetëve” për të shuar me çdo kusht përpjekjet për realizimin e kryengritjes të shqiptarëve të përgatitur prej Kardinalit arbëror, në bashkëpunim me fisnikët arbërorë të emigruar në Itali, dhe krerët e tjerë të familjeve nëpër hapësirat arbërore, me “vendim” të veçantë urdhëronin: “T’i jepet urdhër i ashpër dhe i fortë, me indinjatë dhe kërcënim, Kardinalit të Durrësit, se me vendim të këtij “Këshilli” nuk duhet të largohet nga Venediku pa urdhërin dhe lejen tonë dhe posaçërisht këtijKëshilli”. (33)

IZOLIMI I PLOTË, KONTROLLI POLICOR DHE NDALIMI I KONTAKTEVE ME KRYENGRITËSIT

Aq shqetësuese ishte bërë situata për venecjanët, nga përmasat e organizmit të kryengritjes shqiptare prej Firmanos, sa një ditë pasi “Këshilli” kishte marrë vendimin e mësipërm, më datë 9 Mars 1495 ishte detyruar të rimerrte një vendim dhe të argumentonte nevojën e ndalimit dhe të kontrollit të “Kardinalit rebel”. Në vendimin e kësaj date, “Këshilli” urdhëronte: “Sa për Venedikun aq edhe për punët e krishtërimit nuk bën që Arqipeshkvi i Durrësit të largohet nga ky qytet… prandaj nesër në mëngjes ai të sillet në praninë e krerëve të këtij “Këshilli”… dhe Princi ynë i nderuar ti thotë fjalë të ujdisura mirë me qëllim që ai të detyrohet të përbuzë gabimin e tij dhe të ndalojë lëvizjet e kurdisura, që i sjellin rreziqe krishtërimit dhe paqes që ne kemi me Sulltanin. Në fund ti jepet urdhër i prerë, që me vendin të këtij “Këshilli” atij i ndalohet të largohet nga qyteti i Venecjas”. (34)

Sikundër shihet, për interesa të tyre dhe të pushtuesve osmanë, venecjanët synonin të shkëpusnin me çdo kusht Kardinalin shqiptar nga komanda dhe kontaktet e tij me kryengritësit shqiptarë, të cilët prisnin në qytetin e Durrësit udhëheqësin e tyre dhe bashkë me të armatimin e blerë në perëndim! Me këtë veprim venecjanët kërkonin ti hiqnin “trurin” kryengritjes dhe bashkë me të ti jepnin një goditje të rëndë vetë luftëtarëve të saj.

Me këto akte represive të ndërmarra nga Republika e Venedikut në bashkëpunim me turqit, venecjanët kishin mundur të frenonin një kryengritje të fuqishme të shqiptarëve, e cila përllogariste një forcë goditëse të mobilizuar prej rreth 30 000 luftëtarësh dhe që shtrihej pothuaj në tërë territoret e arbërisë mesjetare duke filluar nga Durrësi dhe që zgjerohej në Krujë, Lezhë, Shkodër, Berat, Korçë, Gjirokastër, Thesali dhe më në jugë akoma.  (35)

Kështu, Kardinali shqiptar ishte izoluar në qytetin e Venedikut dhe ishte vënë nën një kontroll të rreptë policor, për të parandaluar çdo akt të mundshëm të arratisjes apo të vendosjes së kontakteve me kryengritësit në territoret e Arbërisë.

Në një dokument sekret të Arkivit të Venedikut, një analizë e veçantë për këtë ngjarje, bëhet fare e qartë se përse duhej ndaluar kthimi i Arqipeshkvit (Kardinalit) të Durrësit, Martin Firmanos në territoret e Arbërisë. Në të thuhet: “Venecia kishte arsye serioze për të parandaluar një kryengritje të krishterëve, sepse rrethanat politike të kohës e detyronin më shumë se kurrë Italinë (Venedikun) të qëndronte në marrëdhënie të mira me Turqinë. Ishin këto arsye që udhëhoqën “Këshillin e të Dhjetëve” në lidhje me arrestimin e këtij kryepeshkopi. Por, në vitin 1499 rrethanat ndryshuan dhe Venecia, në mes të luftës me Turqinë, u detyrua t’i drejtohej kryepeshkopit për të njëjtin qëllim, që vite më parë e kishte aq shumë frikë.” (36)

KARDINALI SHQIPTAR – NGA KRIMINEL NË SHPËTIMTAR PËR VENEDIKUN!

Kjo gjendje e rëndë kërcënuese, kontrolli dhe pse jo terrori ndaj Kardinalit shqiptar do të vazhdonte gjatë. Vetëm gati pas katër vitesh rrethanat për  kryengritës do të ndryshonin, por edhe në këtë rast jo për bamirësinë apo zemërgjerësinë e Venedikut. Zhvillime të papritura politike dhe ushtarake kishin ndodhur dhe papritur ky Kardinal i padëshirueshëm, madje i rrezikshëm tanimë, do të thërritej për ndihmë për nevojat akute dhe interesat e Venedikut.

Më datë 13 Qershor 1499 Venecja kishte marrë lajme tronditëse, se forca të shumta të ushtrisë turke ishin nisur nga Stambolli, në dy drejtime, njëra drejt bazave (qytete-fortesa) në More (Peloponez) dhe tjetra drejt Qytetit të Durrësit, që gjer atëherë ishte nën zotërimin e venecjanëve. (37)

Sigurisht, Venediku e dinte fare mirë se repatet e pakta në numër, të garnizonit të saj në kështjellën e Durrësit, nuk mund ta mbronin dot këtë qytet nga ofensiva barbare osmane. Në këto rrethana “Këshilli i të Dhjetëve” ishte mbledhur me urgjencë për të gjetur një rrugë shpëtimi! Venecjanët kishin konkluduar se rruga e vetme e shpresës ishte Kardinali shqiptar që gjer atëherë ishte ndëshkuar, përndjekur, nëmur, izoluar  dhe kërcënuar për tu vrarë nga vetë ata.

Të mbledhur nën një shqetësim serioz, vendimi i “Këshillit“ ishte: “Të dërgohet Martini shqiptar, Arqipeshkvi i Durrësit, i cili adhurohet në këto vende, ku ka ndjeksa shumtë dhe ti jepen me vehte 50 dukatë…” (38)

Mbrenda po këtij muaji, më datë 28 Qershor 1499, “Këshilli” i alarmuar ishte mbledhur përsëri dhe kishte vendosur: “Që Arqëipeshkvi i Durrësit, i cili gjer tani qëndron këtu në Venedik, në bindje të vendimit të këtij “Këshilli”, të datës 9 Mars 1495, tanimë të lihet i lirë…. Dhe meqë ai mund ti sjellë shumë dobi Shtetit tonë (të Venedikut) veçmas territoret e Durrësit dhe të Ulqinit, të thirretdhe aty pasi të lavdërohet dëgjohet për propozimet e dobishme për mirën e shtetit tonë…” (40)

Pak ditë më pas, më datë 2 Korrik 1499, në proces-verbalin e mbajtur nga ky “Këshill” shkruhet: “U mbarua puna me Arqipeshkvin e Durrësit, i cili po shkon në Durrës”. Duket qartë se paria e Venedikut tanimë ishte kënaqur që Kardinali kryengritës po shkonte në vendin ku kërcënoheshin interesat e saj, një njeri me influencë që mund të mobilizojë njerëz që do të përballonin rreziqet e frikshme. (41)

Pak ditë mbasi ka mbërritur në Durrës, më datë 24 Korrik të vitit 1499, Kardinali shqiptar, duket se menjëherë është vënë në lëvizje për të mësuar për zhvillimet në atdheun e tij të dashur.  Në dokumentet e historianit venecjan Marino Sanudo ruhet një letër që Firmano u ka dërguar autoriteteve venecjane përmes të cilës i vë në dijeni se Sulltani me forca ishte gjashtë ditë larg Durrësit dhe në koordinim me planet e tij ishin gjithashtu edhe Pashai i Rumelisë, pashai i Anadollit dhe një pjesë e flotës osmane që pritet të afrohej nga deti drejt Durrësit. Kjo situatë e rëndë kish detyruar shumë fshatarë të krahinave të Arbërisë qendrore të kërkonin strehim në qytetin e Durrësit…(42)

NJË AKT KRIMINAL NDAJ KARDINALIT SHQIPTAR KRYENGRITËS

Në fondin e dokumenteve të Arkivit të Senatorit Malipiero gjendet një tjetër dokument që hedh dritë mbi zhvillimet e mëtejme rreth kërcënimeve osmane mbi qytetin e Durrësit, si dhe për vetë fatin e Arqipeshkvit, Martin Firmano. Informacioni i shkruar më datë 6 Gusht 1499 bën me dije për një ngjarje tepër tronditëse. Në të thuhet:

“Republika e Venedikut (Sinjoria), dy muaj më parë ka dërguar Ipeshkvin Martin Firmano nga Durrësi, në Shqipëri, për ti nxitur ata popuj kudër turkut. Ky Ipeshkv, më datë 6 Gusht 1499, duke qënë pallatin e Durrësit, me bajlin (Ambasadorin venecjan) Vido Diedo, konstatoi se ishte hematisur. Menjëherë pas kësaj ai mori në dorë pendën dhe i shkroi Sinjorisë (Këshillit Venecjan), sepse e ndjente se do të vdiste … dhe për këtë porosiste edhe nipat e tij.” (43)

Megjithëse në atë gjendje tepër të rëndë, nën efektet e helmatisjes, që vazhdonte ta rëndonte shëndetin e tij, Firmano ky shqiptar me shpirtin e tij të pashuar të revoltës, vazhdonte të punonte në terren për organizimin e kryengritjes. Kështu, më datë 7 Gusht 1499 Martin Firmano gjendjet i rënduar në një fshat në rrethet e Tiranës, i rrethuar nga burra të moshuar të këtyre krahinave “të cilët jo vetëm kundërshtonin dhënien e haracit Sulltanit por ishin bërë gati të coheshin kundër pushtuesve osmanë…” (44)

Duke ndjekur me shqetësim operacionet plaçkitëse të trupave të kalorësisë osmane në fshatrat përreth Durrësit si dhe kërcënimet serioze që i afroheshin vetë qytetit, Firmano megjithëse në një gjendje tepër të rënduar shëndetësore, u bën thirrje banorëve kryengritës t’i japin ndihmë Durrësit për të mos rënë në duart e turqve. Dhe si amanet të fundit ai i drejtohet Sinjorisë që të caktojë në vendin e tij, në funksionin e Arqipeshkvit të Durrësit, nipin Gjon Marinin. Mbas kësaj Kardinali kryengritës ka dhënë shpirt! (45)

KUSH E HELMOI KARDINALIN KRYENGRITËS???

Në një informacion që mban datën 8 Gusht 1499, të shkruar nga bajli venecjan i Durrësit, drejtuar “Këshillit të të Dhjetëve” në Venedik shkruhet: “Sot më datën 8 Gusht, arqipeshkvi i Durrësit vdiq. Ai qëndroi i sëmurë vetëm gjashtë ditë. Kjo vdekje ka qenë një dëm i madh për qytetin e Durrësit sepse ai kishte pas vehtes shumë përkrahës…” (46)

Po kush ishte autori apo autorët e vrasjes së këtij arbërori kryengritës, të këtij Kardinali që nuk u nënshtrua gjer në frymën e tij të fundit duke u përpjekur dhe luftuar për çlirimin e Shqipërisë prej zgjedhës turke?

Në një informacion që gjendet mes dokumenteve të “Arkivit të Maliperos” shkruhet se “Ata që e kanë helmuar janë: Arqidhjakoni (Archidiacono), një Kanonik (Canonico) dhe një Gjakua (Zago), të cilët janë arrestuar dhe do të dërgohen në Venecja për tu gjykuar…”.(47)

Dokumenti jep edhe një hollësi të rëndësishme për aktivitetin e Martin Firmanos, i cili tregon se ky arbëror me të mbërritur në Durrës kishte filluar punën për riorganizimin e kryengritjes me shqiptarët e tij kundër pushtimit Osman. “Brenda dy muajve ky Arqipeshkv kishte mbledhur 6 000 shqiptarë, të cilët qenë të gatshëm dhe i shkonin atij pas. Këta do të kishin ngritur në këmbë gjithë vendin kundër Turqisë… Prandaj për vdekjen e tij është hidhëruar i gjithë vendi!” – përfundon informacioni. (48)

Sigurisht, të akuzuarit qenë arrestuar dhe dërguar në Venecja për tu gjykuar. Gjyqi i tyre është shtyrë dhe zvarritur për shumë kohë, madje vjet!. Gati tre vjet nga koha e arrestimit, më datë 4 shtator të vitit 1502, “gjykatësi komisioner, i ngarkuar nga Selia Apostolike”, i ka shpallur të pafajshëm dhe i ka liruar  personat e dyshuar për vrasjen e Kardinalit kryengritës!!! (49)

Po kush ishin vrasësit e Kardinalit, që gjer në momentin e fundit nuk u ep së luftuari për kryengritjen e madhe shqiptare kundër pushtuesit turk?

Në një letër dërguar patriarkut të Venedikut, Thomas Donatus, nga një informator anonim që mban pseudonimin “Hadriani”, më datë 5 shtator 1502, ai shkruan se “….është vërtetuar dhe besohet nga rrëfimi i të burgosurve se ata e kryen një krim të tillë, por jo me nxitjen e turqve… prandaj kjo çështje duhet të vazhdojë të hetohet…(50)

“REQUIEM AETERNAM “– “PREHJE E PËRJETSHME” KARDINALIT MARTIN FIRMANO QË U SAKRIFIKUA PËR LIRINË E ATDHEUT TË TIJ – ARBËRISË

Por, cilido që të ishte vrasësi apo vrasësit e Kardinalit Martin Firmano një gjë është e sigurt, se vrasja e tij kishte motive politike. Qëndresa, rezistenca dhe përpjekjet e tij të pandalshme për organizimin e një kryengritjeje mbarërbërore kundër pushtimit Osman ishin shqetësimi dhe tmerri për vetë pushtuesit lindorë por edhe për venecjanët. Mobilizimi i një force prej rreth 30 000 forcash arbërore ndoshta është e vetmja në historinë e trojeve të Arbërisë mesjetare me këto përmasa.

Kontaktet e Firmanos me Mbretin e Francës, me krerët e familjeve fisnike arbërore të larguara në perëndim, mbas vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, koordinimi i kësaj lëvizjeje me një prej figurave të shquara arbërore Kostandin Arianitin dhe Gjon Kastriotit, blerja e armatimit të nevojshëm për forcat kryengritëse, shtrirja e këtij mobilizimi nga Arbëria qendrore, në Durrës, në veri në Ulqin, në jug në Thesali dhe gjer tek arbërit e Peloponezit, përbënte një fuqi unike luftarake, si asnjëherë më parë dhe më pas, kundër perandorisë turke. Vetë Kardinali, Martin Firmano ishte truri dhe shpirti i frymëzimit dhe mobilizimit të kësaj kryengritjeje. Nëse nuk do të eliminoheshin përmasat e kësaj kryengritjeje, ajo do të ishin fatale për pushtuesit dhe për aleatët e tyre.

Duke ofruar dhe bërë të njohur këto dokumente dhe aktin e këtij Kardinali të pamposhtur, pionier të përpjekjeve për lirinë e Atdheut të tij – Arbërisë, do të ishte në nderin tonë, të qytetit të Durrësit, të Shqipërisë, por edhe të vetë kishës që ky hierark patriot, që u sakrifikua për këtë mision të shenjtë, të nderohej dhe të rreshtohej në altarin e heronjve pse jo të shenjtorëve të lirisë.

Exit mobile version