Viktor Qurku përbën një kujtesë të nevojshme dhe të rëndësishme për poezinë shqipe, e cila në krijimtarinë e tij pati gjetur një talent të padiskutueshëm, por edhe një poet, në poezinë e të cilit u pasqyrua bota shpirtërore e një njeriu me ndjenja të zgjuara shoqërore, të natyrës, dashurisë, të shprehjes artistike të një poezie e krijuar mbi “syzhetë” më bashkëkohore të figurës dhe gjuhës, të lidhjes me kohën, njerëzit dhe progresin social. Them progresin social për një arsye të thjeshtë, emri i Viktor Qurkut u shfaq në poezinë shqipe në nyjën më të rëndësishme të zhvillimit të poezisë shqipe, që ndryshe në historinë e letërsisë është quajtur periudha e saj moderne, kufijtë e së cilës janë vitet ’60 të shekullit të XX.
Viktor Qurku pati lindur poet, pasi koha tregoi se ai përveçse botoi mjaft poezi interesante, ajo nga dita në ditë bëhej më e bukur dhe më me mesazhe estetike dhe individuale-shoqërore. Një poet si Viktor Qurku arrinte që refleksionet personale, motivet që i gëlonin në shpirtin e trazuar rinor, t’i kthente në ndjesi dhe komunikime të natyrës shoqërore, nën një estetikë të zhdërvjellët, i cili duke e përdorur mjeshtërisht gjuhën shqipe në leksikun e saj të gjerësishëm arrinte të bëheshin shprehje emocionale e kohës.
Viktor Qurku erdhi në këtë jetë me një botë të pasur shpirtërore, me një angazhim sublim siç është poezia dhe krijimtaria artistike, dhe pikërisht për këtë arsye madhore, të një shpirti brilant, të një talenti të padiskutueshëm të kohës, poezia e tij dhe udhëtimi i tij jetësore do të lenin gjurmët e tyre si në kujtesën njerëzore, po ashtu dhe atë të poezisë, të një poezie dendurish të mbushur me momente të diskutueshme, për shkakun e gjetjeve dhe fuqisë që e përshkonin atë.
Kisha patur fatin ta njihja qysh në vitet 1975-1978, nën miqësinë e kompozitorëve Kastriot Gjini, Kujtim Laro dhe Aleksandër Lalo, jo vetëm në Tiranë, por edhe në verën e vitit 1977, kur së bashku me mikun e tij, kompozitorin Kastriot Gjini, bujtën disa ditë në Ujët e Ftohtë të Vlorës dhe diskutonin mbrëmjeve për poezinë, muzikën dhe polifoninë e Labërisë.
Duhet të ketë qenë 23 tetori i vitit 1983, kur ai erdhi në qytetin e Vlorës, ku piu një kafe të përmallshme në shtëpinë e të kushëririt. Lluka Gjipali që e donte fort. Në shtëpinë time te Sahati i qytetit, ndenji deri vonë, në bisedat tona, për babain e tij At Vasilin, për nënën, motrat, për poetët: Ismail Kadare, Dritëro Agolli e Sulejman Mato, Sadik Bejko, Josif Papagjoni, Miho Gjini, Niko Kacalidha, por edhe për takimin një ditë më parë me të vëllain në Durrës. Të nesërmen, më 23 tetor, me autobusin Vlorë-Kuç, ai fluturoi për në vendlindje. Ashtu i përhumbur, me sytë që i xixëllonin, në mëngjes më tha: “Nuk ka si vendlindja, ajo është parajsa e botës”.
Çorraj ku ai lindi në vitin 1941, dhe pse mbeti vendlindja dhe vendi ku tragjikisht dhe frymën e fundit, u shndërrua në simbole të rëndësishme jo vetëm në krijimtarinë e tij, por edhe në ëndrrën që poetët i bën të ndërtojnë realitete të jashtëzakonshme për të ardhmen. Viktor Qurku ishte dhe mbetet poeti me një rrugëtim të ndërprerë, rrugëtime që i përshkojnë përfytyrime dhe hipoteza të shumta shkëlqimi, ku natyrshëm rrugë- ndërprerja dhe fati tragjik i të cilit nuk mund të shihet ndaras dhe me atë që ai do t’i sillte krijimtarisë së tij dhe poezisë shqipe në përgjithësi.
I quajtur ndryshe si “Majakovski shqiptar” Viktor Qurku mbaroi studimet në Fakultetin për Gjuhë Ruse, dhe për shkakun e të qenit një student me rezultate të larta, i pjekur dhe formuar mirë shkencërisht dhe nga ana pedagogjike, do të emërohet pedagog në Fakultetin Histori-Filologji, duke i krijuar mundësi të ishte afër zhvillimeve letrare në kryeqytet, po ashtu afër organeve qendrore të shtypit letrar dhe shtëpive botuese të librit artistik.
Dhe pse në detyrën e pedagogut punoi vetëm për dy vite, Viktor Qurku la gjurmë të rëndësishme në gjithë atë që të afron puna e një pedagogu, ndërsa emri i tij ishte i njohur në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, por edhe qendrën më të madhe kulturore të kryeqytetit dhe vendit si Pallati i Kulturës, duke i dhënë emrit të tij dhe poezisë, fuqinë e një personaliteti dhe njeriu të dijes dhe talentit të spikatur. Krahas punës në institucionet e ndryshme, ai shkruante poezi të bukura, kurajoze dhe më një zhdërvjelltësi figurative dhe të shprehjes artistike të madhe. Poezitë e tij gjenin jo rrallë vendin në faqet e gazetës së njohur “Drita”, ndërsa krijimtaria e konsiderueshme e tij, në një hark kohor jo të madh, u botua në tri libra poetikë, siç ishin vëllimet “Midis Jush” (1967), “… Stinë pas stine” (1971) dhe vëllimi i fundit që ai botoi “Mos harroni” (1976).
Më pas në jetën e tij do ta përfshinte një kalvar i madh i një përndjekje cinike, tinëzare dhe të fshehtë, sa për arsyen e të kaluarës familjare, pasi babai i tij, At Vasil Qurku kishte qenë prift para vitit 1967, por që e hoqi rrobën kishtare pas 1967, për të cilin dihej se ishte një atdhetar i spikatur, ndërsa i vëllai i tij, Polo Qurku, kishte rënë dëshmor, Viktor Qurkun e përfshinë në qerthullin dhe spiralen e njeriut, që në të shkuarën kishte një njollë, e më pas në këtë spirale u shfaq dhe kritika ndaj tij për tendenca liberale.
Viktor Qurku vinte nga një familje me katër motra dhe tre vëllezër, një familje e lidhur fort pas nocionit tradicional shqiptar të familjes. Siç dhe e shpjegon jeta e tij, Viktori ishte një njeri i brishtë, emocional, të cilin në fillim filluan ta “vrisnin” se vinte nga një familje prifti, më pas për shkakun e kulturës dhe dijeve të nxëna nga librat e lexuar, falë njohjes së mirë që ai kishte nga gjuha e huaj, e akuzuan për liberal, një goditje dhe mallkim për periudhën ideologjike nëpër të cilën po kalonte Shqipëria. Më pas tendenca dhe kritikat për poezinë e tij, krijuan ferrin dhe ngarkesën e madhe psikologjike ndaj Viktor Qurkut në kulmin e krijimtarisë së tij.
U akuzua në kulmin e armiqësisë ideologjike të Shqipërisë me Rusinë, si i ndikuar nga poezia dhe kultura liberale ruse, ndërsa kritika dhe hijet që e ndiqnin pas arritën të prishin marrëdhënien dhe fejesën me bashkëshorten e ardhshme, duke i ndarë nga njëri-tjetri, këtë nënkuptonte armiqësia me ideologjinë e kohës, ndaj këto bënë që Viktor Qurkut t’i errësohet horizonti dhe e ardhmja, i cili ndërmerr aktin vetëmohues, vetëvrasjen në humnerë në vendlindjen e tij, duke marrë më vete përqafimin e fundit të nënës së tij, Lenës.
Viktor Qurku ishte një njeri social, komunikues, i ditur, orator, i heshtur, një njeri që kishte nxënë dije, kulturë dhe pjekuri në gjithë rrugëtimin jetësor, ishte i çiltër, diskutonte me shokët dhe brezin e tij të poetëve, kërkonte mendim dhe dëgjonte gjithmonë. Kronikën e gjerë të jetës së tij e ka sjellë për lexuesin studiuesi Sadik Bejko në librin e njohur “Sytë e Gështenjave të Egra”, ku për Viktor Qurkun shkruan: “… Ndërsa jeta e tij (Viktor Qurkut) ka qenë për shumëkënd krejt e panjohur. Dhe është një jetë dramatike.”, ashtu siç shpjegon në një të përditshme të Tiranës, se: “Viktori ishte një njeri që u ndëshkua në atë periudhë për arsye se një poemë e tij në shtypin e kohës u quajt liberale. Mbas kësaj, ai pësoi një zhgënjim tjetër në planin personal…”.
Në rrethanat e reja të reflektimit të njohjes jo vetëm të poezisë që shkroi Viktor Qurku, por edhe të dimensionit të tij prej njeriu, krijuesi dhe intelektuali, bashkënjohësit, bashkëstudentët që jetuan me të, tregojnë se Ai njihte mjaft mirë letërsinë e huaj që nga Pushkini, Lermontovi, Uitmani, Nekrasovi, Shekspiri, letërsinë antike, sidomos atë romake, letërsinë e vjetër shqipe, duke qenë njiherësh dhe një përkthyes i mrekullueshëm. Vdekja e tij, duke u vetëhedhur nga shkëmbi në humnerë ishte një sakrificë, të cilës i shkon për shtat atë që thotë disidenti i njohur Jeftushenko, se “… një vetëvrasje është një vrasje!”, e bën figurën e tij komplekse dhe të nevojshme për ta rishfaqur në kohën tonë.
Viktor Qurku kishte një vizion të gjerë poetik, dhe motivet në poezinë e tij janë të shumta; ata lidhen me psikologjinë njerëzore, ndjenjat e thella që shpërfaqen në struktura të ndryshme të poezisë së tij, lidhen me psikologjinë e dhimbjes dhe dashurisë, shpërfaqur në referime të ndryshme, lidhen me fondamente bazike të trashëgimisë shqiptare që nga besimi, motivet tradicionale, lidhjet e forta me të kaluarën nëpër të cilën ka shtegtuar populli shqiptar, që në momentet kur ai krijoi referimet sociale dhe komunikimet kolektive. Poeti shkruan për natyrën, poezi të cilat kanë një fjalor të zgjedhur dhe të larmishëm, pasi Viktor Qurku e përjeton thellë marrëdhënien dhe raportin me familjen dhe vendlindjen, ku motivet e natyrës së vendlindjes, pikërisht fëmijëria e tij, i japin një ritëm të brendshëm poezisë në përshkrimet dhe fotografimet përmes të cilëve vjen vendlindja.
Në artin e tij poetik, ai përjeton gjithashtu gjendjet emotive, përmes të cilave prek zonat e thella shpirtërore. Në trajtesën e shkurtër mbi poetin dhe për poezinë e Viktor Qurkut, do të sjellim refleksione të shkurtra komentare mbi 3-4 poezi, të cilat gjithsesi krijojnë një lloj kumti dhe njohjeje të qëndrueshme mbi stilin, mënyrën e komunikimit, stilin, figurën apo ligjërimin poetik dhe nëntekstet jo të pakta që ajo mbart nënstrukturën e saj.
Poezia “Kur dashuria bën apel” është një poezi që lidhet me një lloj uni. Viktor Qurku e lëvroi poezinë e dashurisë, apo më mirë me thënë, lëvroi lirikën, e cila buronte nga një ndjeshmëri e hollë dhe shumë komunikuese, në kohën kur ajo u shkrua. Natyrisht, lirika e tij dhe poezia e dashurisë përbën moshën dhe kohën e tij, por në të plekset jeta njerëzore, dialektika e saj dhe burimi jetësor, që poeti Qurku e përshkruan me një larmi poetike interesante.
Poezia “Kur dashuria bën apel” është një motiv njerëzor dhe me një shqisë të thellë shpirtërore, që buron nga instinkti i brendshëm dhe i përbotshëm njerëzor, ai i dashurisë, ai i kërkimit të shpirtit binjak, siç thuhet ndryshe: “Mbi pellgje ndrit unaz’ e hënës,/ Dhe flokët e mijë i përkëdhel,/ O mbrëmje plot me gaz e brengë,/ Kur dashuria bën apel…”, vargjet të kujtojnë një sfond dhe mjedis tipik dashurie: hëna, yjet, veçsia, një hënë e plotë që ndriçon tokën, ndërsa brenda poetit ka një kontrast të bukur, ndjenja e dashurisë dhe brengosjes, mungesa e dashurisë, e cila siç duket ndërton gjithë poezinë e dashurisë në këtë rast.
Strofën e dytë të poezisë e përshkon zgjatimi i një gjendjeje prej brenge. Ai shkruan: “Në stol të jetës gjer tani,/ Jam ulur vetëm fillikat,/ O mbrëmje dritëfarfuri,/ Kur çiftet puthen nëpër park…”, dhe siç mund të shihet, poeti e përmason, e kthen në një motiv jetësor këtë gjendje të tij, duke u ndjerë ndofta dhe pak fatal, pasi ende në stolin e jetës është ulur vetëm, ndërsa në park njerëz të dashuruar që i përkasin njëri-tjetrit puthen dhe përqafohen.
Përjetimi i dashurisë është tipik rinor, i ndërtuar me pasion dhe delikatesë, kur ai shkruan: “Kjo zemër dridhet porsi fletë,/ E s’di seç ndjej tani në gjoks,/ Kur fryjnë porsi flladi vjetër,/ E dashuria me to loz…”, që përçon gati gjithë frymën e poezisë, ku mungesa e saj përveçse është pak trishtuese, ajo ka dhe një sëmbim të brendshëm, një lloj ankthi, që e trazon së brendshmi atë: “Me dhjetëra vajza hedhin valle,/ Përpara syve pa pushim,/ Po cila sonte fjongon alle,/ Ma lidh këtu në shpirtin tim?”, për t’i çelur atij shtegun e jetës siç shënon në njërin nga vargjet e strofës së fundit.
Poezia “Pagëzimi im” është poezia që ekspozon vëmendjen për të kuptuar syrin kritik dhe vëzhgimin ndaj asaj që shpërfaq poezia. I lindur në një familje me trashëgimi dhe kulturë të mirë besimi, babai i tij ishte një prift, raporti i tij me frymën hyjnore që përcjell besimi në përgjithësi do të ishte dhe një nga refuzimet e kohës, që do të shpërfaqeshin në rrugëtimin e tij poetik.
Poezia nis me fjalën (ndajfoljen e kohës- dikur- dikur, që natyrisht në poezi, për shkakun e komunikimit dhe hapësirës që merr fjala krijon një refleksion të debatueshëm për kohën. Fjala “dikur”, e çon leximin dhe refleksionin e tij përtej të tashmes; shqiptarët janë një popull, që kanë kultivuar që nga lashtësia dhe qytetarinë e besimit, si një popull i vjetër i Ballkanit.
Pagëzimi, futja në ujin e besimit, uji i jetës (bekuar) në poezi, në mënyrë të natyrshme, në emocionalitetin dhe kuptimësinë e vet, merr vëmendje në poezi, si një qendërsi për të kuptuar raportin e tij me besimin, dhe pse të gjithë poezinë e përshkon një korrelacion dyshimesh, një zbehje e çuditshme, për të kuptuar kohën kur është shkruar poezia, dualiteti dhe dyzimi, për shkakun e refuzimit që koha kishte shpallur ndaj besimit, e thënë ndryshe, pagëzimit të tij. Ai shkruan: “Dikuri im at’ më pati futur n’ujë,/ Për t’më ngjitur një emër ortodoks,/ Që biografinë të mos ia prishja unë…” dhe nëpër gjithë poezinë, poeti krijon situatat e çuditshme përmes kontrasteve: “Ma tundte temjanicën si një lodër,/ Mbi kokë, mes të kaltërit temjan…”, apo: “Nuk ishte e para herë, as e fundit,/ Që ati im këndonte këtë rit…”, e më pas “Por këtë herë s’bënin kryq plakat,/ Në ceremoninë time njerëz s’kish…”, se “Teshtija unë e qaja n’atë kovë,/ Siç qanin edhe plumbat nëpër mur;/ Për atin tim kjo ish m’e larta provë,/Jo në altar të shenjtë, por në ahur…”, duket se shpjegon shpirtërisht dhe emocionalisht kontrastet dhe hapësirat e kërcënueshme mes të shkuarës së besimit të tij dhe pagëzimit. Poetit kjo njollë, e babait prift iu shpërfaq në mjaft raste në qëndrimet e ashpra dhe dyshuese që u mbajtën ndaj tij.
Ndërsa dy poezitë e tjera “Mali” dhe “Në vjeshtë” përziejnë bashkë një ndjenjë të thellë shpirtërore, që përveçse lidhet me fëmijërinë e tij, duket se na tregon atë poetikën e thellë, e cila shfaqet dhe formësohet në përshkrime poetike, të përçuara deri në ind nga malli, dashuria dhe kujtesa janë shndërruar në mall. Duke treguar se: “Do të dal në kopshte dhe vreshta…” një kryemotiv përmes të cilit poeti e përshkruan vendlindjen në gjithë intimitetin e saj, si “Do të pij ujë me grushte!…”, “Dhe do të zbres monopatit, në fushë…”, “Pa do mundem mbi barin e njomë,/ Me vërsnikët, ballëqeshurit shokë…”, “Do të ngrihem. Në tufën e dhive…”, “Do të ndez një zjarr përmbi kodër…”, etj, shpërfaqet një pejisazh shpirtëror i poetit që përthyhet në vizatimin mjeshtëror në poezinë “Në vjeshtë”.
Vjeshtën në poezinë “Në vjeshtë”, poeti Viktor Qurku e quan panair, pra që ka gjithçka, që nga bletët, lëngu i frutave, zogjtë, fshatarkat që mbledhin prodhimet, retë e bardha, duart që ngjisin nga lëngjet e frutave, këmisha që bëhet pis nga lëngu i shalqirit a dardhës vjeshtore, xhepat me mollë, zogjtë e ngopur, për ta përmbyllur: “Dhe shkoj te bari i thatë/ Të fshij këtë lëng karpuzi (begatia e vjeshtës)/ Kjo tokë e gjitha është mjaltë.”.
Poeti Viktor Qurku është pa dyshim një nga rastet sesi një poet i talentuar kuptohet mirë në kohë dhe përshëndetet nga adhuruesit e poezisë, por kritikohet nga instancat shtetërore dhe partiake për pikëpamjet e tij që shprehin lirinë në art, dhe poeti, si i ndjeshëm, duke ndjerë trysninë e një kohe të gurtë nuk e duron këtë dhe hidhet nga shkëmbi në vendlindje, shenjë e një shpirti të thyer dhe njëkohësisht të revoltuar me cinizmin pushtetor, por edhe me smirën e mediokrëve që e rrethonin.
Koha kur jetoi ishte një kohë pa mundësi, një kohë, e cilat i kishte vendosur shenjat e saj kufizuese, megjithatë, poetët e vërtetë me talentin e tyre e gjejnë mundësinë që të hapin shtigje të reja në art, qoftë edhe me mjetet shprehëse, me konceptimet e tyre të holla e me mendimin e thellë. Siç shihet, ai ka botuar pak dhe kjo nuk ka rëndësi sepse poetët e vërtetë nuk çmohen nga numri i vargjeve, por nga forca e tyre kreative. Ata nuk rendin pas sasisë, por pas cilësisë. Pastaj, edhe ndërprerja e jetës së tij nga vetëvrasja tragjike është një arsye.
Në historinë e letërsisë botërore mjaft poetë e kanë kaluar jetën nëpër vrulle shpirtërore dhe kriza morale, duke kërkuar të gjejnë një shteg a të sjellin diçka të re dhe nuk kanë jetuar gjatë. Ata u ngjajnë flakadanëve që ndizen shpejt dhe shuhen po shpejt nga një stuhi e padukshme,por drita e tyre mbetet gjatë në kujtesë. Në një poezi ai thotë: “Në fusha kish më shumë gëzhoja se kallinj/ Pluhuri i gërmadhave ngrihej porsi tym…”
Edhe pse i referohen një kohe të caktuar (Luftës së Dytë Botërore), këto vargje ngrihen në një vlerë simbolike të pazakontë, duke dëshmuar shpirtin e ndjeshëm të një poeti që ndihet ngushtë, që kërkon një botë më të gjerë, më të pastër.
Në këto vargje ndihet më së miri kuptimi i drejtpërdrejtë dhe ai alegorik në kontekstin e kohës kur jetoi ky poet që ndiente rrethanat e pritshme jo të mira të fundit të tij. Të qenit poet nuk përcaktohet nga ai që është poet apo i vetëthotë vetes se është i tillë. Të qenit poet është një dhunti dhe poeti shkon në mënyrë të natyrshme drejt vargut që buron në mënyrë instiktive e pastaj filtrohet në vetëdije e kalon në mënyrë të kulluar për t`u hedhur në letër. Për shkak të lirisë së fjalës dhe mendimit, që e injekton poezia e vërtetë, poeti del nga shinat dhe kodet e ngurosura të moralit hipokrit dhe ideologjik e për këtë arsye ai viktimizohet pa dashje, pa e kuptuar se çfarë të keqe i sjell “botës” poezia.
Në një çast vetëndërgjegjësimi, poeti ndjen brengën që i jep pendesa e çastit, por ai nuk mund të pendohet më vonë: “Nëpër dhomë sonte veten bluaj” – thotë poeti në një varg të tij. Ai e kupton se absurdi i jetës po ia ngushton lakun, por ai nuk e kupton përse të ndodhë kështu, a mund të quhet fajtor pse është poet dhe i ndjeshëm? Vargjet e tij herë disi aluduese e herë të hapura me një kuptim të drejtpërdrejtë kanë prishur qetësinë e dikujt, po kurrë qetësinë e poetit. Ai është i çliruar nga makthi i tyre. Poeti i vërtetë dashurohet me vargun e tij i vetëdijësuar se ka bërë diçka të bukur.
Poezia e Viktor Qurkut i këndon jetës me motive të sinqerta,me ngacmime të çasteve baritore e idilike, vajzave nëpër lëndina, shelgjeve, hënës-natyrës dhe gëzimit të jetës. Viktor Qurku është një poet lirik me prirje të theksuar në intonimin intim për t`i parë gjërat në shfaqjen e tyre të parë ose për të shkuar sa më bindshëm te e natyrshmja,tek ajo që besohet më shumë,më qashtër e më me vlug. I dashuruar me brigjet detare, udhët, vendet, peizazhet, burimet e kthjellta, poezia e tij josh me ëmbëlsinë e vargut dhe me një prirje bohemi, ashtu siç e kanë pasur këtë prirje poetët rusë si Esenini dhe Bagricki.
Poeti studioi gjuhë dhe letërsi ruse dhe u pajis me kulturë nga kjo letërsia e madhe, (madje përktheu nga ajo), por në krijimtarinë e tij ,përveç një ndikimi të jashtëm që edhe mund ta marrësh ose jo si të vërtetë, gjithçka është vetanake dhe gjurmëlënëse-qurkiane. Ai është krejt origjinal dhe në vargjet e tij manifeston një shije të hollë, frut i intuitës vetjake, por edhe i kulturimit që vjen nga shkolla dhe nga leximet e poezive të poetëve të mëdhenj rusë,që ai i lexonte në gjuhën e tyre.
Një poet me shije të hollë dhe me një dashuri për njeriun të thellë duket edhe në një poezi drejtuar një vajze me emrin Vera. “Dy hapa drejt derës së mbyllur./Dhe ti s’e çel, s’e çel dot, Vera./ Një ditë, dy ditë / drejt derës./ Pas saj, babai yt me tëmtha të ndera”. Motivi i çlirimit të njeriut prej prangave të ndrydhura morale nuk është aq vështirë të kuptohet si një motiv që sendërton një kuptim më të gjerë.Vetë Viktori, duke pasur karakterin e çiltër të një poeti besues në ato që thoshte se nuk i bënte keq shokëve, lavdëronte letërsinë moderne sovjetike, pa e ditur se i bënte dëm vetes dhe se fjalët e tij regjistroheshin dhe përcilleshin nga miqtë “besnikë”, për tjetërkund – atje ku rrinte e fshehur sy e veshë “censura” e kohës.
Në këtë poezi për një vajzë ai i thur kult lirisë së njeriut në një kohë me liri të kufizuar apo të dhënies së “lirisë” brenda vijave të përcaktuara. Humanizmi dhe dashuria për njeriun shprehet me një komunikim të drejtpërdrejtë si formë këshille, nxitje dhe inkurajimi, por ndihet në këto vargje edhe dhimbja e dëshpërimi, një tonus i lehtë trishtimi. Të gjitha këto i shkonin një natyre të tillë poeti të butë dhe lirikës së tij subtile: “Vera, trokit e babait i thuaj,/babait tënd dhe plot baballarëve,/se s`je një çupkë e mbyllur dhomave,/që pret të të kërkoj dikush prej beqarëve” (poezi e shkëputur nga vëllimi “Stinë pas stine”).
Edhe pse kjo poezi është në rrafsh ideor në përputhje me idetë e kohës, ku kërkohej emancipimi i femrës, në të nuk ka asnjë indikacion të këtyre ideve – nuk përmendet asnjë asosacion ideologjik dhe asnjë paradigmë e kohës.Poeti ishte i vetëdijshëm se këto do ta rëndonin poezinë ose do t`i jepnin asaj një kuptim më të ngushtë rrethanor.
Kjo poezi, ashtu si të tjera të Viktor Qurkut e fitojnë një universalitet të kapjes së motivit dhe të qërimit ose të mungesës së ndikimit rrethanor, duke e bërë atë të gjithkohshme dhe mjaft të pëlqyer për çdo kohë: “I dua njerëzit të gjithë/Në këto vise ngjyrë -blu/A s’je dhe ti këtu për ditë?/A s’të kam parë ty diku?” – shprehet poeti me këto vargje në poezinë e tij “Kur dashuria bën apel”,– ku nëpërmjet vargjeve përftohet një trandeshencë lirike ndjellëse dhe një vetëbesim se dashuria nuk mbaron kurrë,mjafton ta duash dashurinë në viset e tij blu të Jonit,aty në fshatin Çorraj, prej nga ishte.
Por, për poetin, dashuria ishte larg edhe pse ai e donte dashurinë, pastërtinë e saj,atë mbase nuk ia afronin me përmasën e saj as sa ai e meritonte, qoftë faktorët socialë apo njeriu i veçantë që ai e donte.Dhe këtu fillon zhgënjimi i tij,një zhgënjim i thellë që e shpie poetin në dobësi,në vetëharresë të çastit dhe e çon atë drejt një akti vetsakrifikues. Shkëmbi nga ai u hodh në humnerë, mbase në një përfytyrim për një poet të tillë të talentuar, i ngjet një shkëmbi ku ndalon një zog dhe hidhet për t`u ngjitur lart në sferat e qiellit blu, por mjerisht nuk ndodhi kështu, poeti u hodh nga aty për të rënë në humnerë për t`i dhënë fund jetës.
Poeti që pat kënduar: “Do të pi ujë më grushte/Nëpër kroje, ku gjer vonë unë lozja,/Dhe do zbres monopatit, në fushë,/Ku një tufë bravare kullosja”, tashmë e kishte bërë zgjedhjen e tij ose jo të tij, me këtë akt tragjik. Poet i peizazhit fshataresk që vizatohet me penelata të buta e të njoma dhe aromatike, që pati kënduar: “Po kthehem nga panair i vjeshtës/Bulçitë me mollë të fryrë/S’më ndahet gumëzhitj’ e bletës/Mbi kokë, mbi duar, mbi fytyrë”, tashmë zgjodhi natyrën për t`u shkrirë bashkë me të në përjetësi…
Koha bën të sajën, poezia nëpër vite, dekade e shekuj ndryshon teknikat, mënyrat e shprehjes, krijon pamje të reja, por, për poetët e vërtetë, nuk ndryshon thelbi i saj, njomështia e ndjenjës, thjeshtësia dhe bukuria e shprehjes. Kështu ndodh edhe me poezinë e Viktor Qurkut. Ai mbetet një poet thellësisht lirik me një brengë të vazhdueshme në poezi, me thjeshtësinë e frazës poetike, me detaje të holla dhe të njoma, një poezi që të këndell dhe të fut në mendime, por njëherit të ngacmon imagjinatën dhe të jep energji pozitive ta duash jetën. Ndaj, poezia e tij jeton gjatë dhe ai mund të shkruante edhe më, por natyra e një poeti të tillë nuk mund të përshtej dot me “kërkesat” ideologjike dhe kufizuese të kohës në të cilën jetoi.
Shpesh poezia e tij lirike vizaton një mjedis të caktuar mes natyrës, por nuk është e vështirë të hetosh përmes saj edhe mjedisin e kohës, kjo e nënkuptuar me ndonjë detaj të aty-ngacmueshëm ndikues për të treguar se edhe në atë kohë mund të shkruhej një poezi e tillë dhe për të thënë se shpirti nuk shteron as në kohët më të errëta, madje bëhet më reflektiv…
Dhe pse jeta dhe motivet e shumta jetësore të poetit Viktor Qurku u ndërprenë në mes tragjikisht, ai la pas shpirtin e tij poetik, i cili arrin të frymëzojë dhe të krijojë ndjenja njerëzore dhe sot e kësaj dite. Në pak poezi dhe libra që shkroi, Viktor Qurku arriti të krijojë fytyrën e tij prej njeriu dhe poeti, siç ndodh me poetët e talentuar ku shpirti, ndjenja dhe dimensioni njerëzor shndërrohen në vargje dhe poezi. Njerëz të tillë kanë nevojë vetëm t’u lexohet krijimtaria, ku kanë blatuar shpirtin e tyre.
Himarë, qershor 2025.