Kreu Arte pamore Prof. Asoc. Dr. Ermir Hoxha: Mbi organizimin e Konferencës Ndërkombëtare “Michele da...

Prof. Asoc. Dr. Ermir Hoxha: Mbi organizimin e Konferencës Ndërkombëtare “Michele da Valona – Protagonist i Rilindjes Adriatike mes Shqipërisë dhe Italisë”

Fondacioni 355 Hub Foundation, në bashkëpunim me partnerët institucionalë shqiptarë dhe italianë, organizoi më 25 qershor 2026, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë – Qendra “Sotir Kolea”, konferencën ndërkombëtare “Michele da Valona – Protagonist i Rilindjes Adriatike mes Shqipërisë dhe Italisë”. Ky aktivitet synoi të rikthejë në vëmendjen e studimeve historiko-artistike figurën e piktorit Michele Greco da Valona, një prej personaliteteve më domethënëse të artit adriatik të fund shekullit XV dhe fillimit të shekullit XVI. Në vijim të kërkimeve më të fundit të studiuesve italianë, konferenca propozon një lexim të ri të veprës së tij si një urë lidhëse ndërmjet traditës bizantine shqiptare dhe zhvillimeve të Rilindjes italiane, duke e vendosur artistin në qendër të dialogut kulturor mes dy brigjeve të Adriatikut.

Konferenca solli në Tiranë disa prej studiuesve më të njohur italianë mbi këtë periudhë të historisë së artit, ndër të cilët Dr. Dora Catalano, historiane arti dhe ish-Superintendente e Arteve të Bukura të Rajonit Molise, autore e studimeve themelore mbi Michele da Valona; Dr. Veruska Picchiarelli, historiane arti pranë Muzeve Kombëtare të Perugias dhe Drejtorisë Rajonale të Muzeve Kombëtare të Umbrias; si dhe Dr. Alessandro Delpriori, historian arti dhe pedagog në Universitetin e Camerinos, studiues i artit të Rilindjes italiane. Në panel gjithashtu ishin të ftuar personalitete të jetës akademike dhe kulturore shqiptare, ndër të cilët Dr. Majlinda Toçi, Drejtore e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Prof. Asc. Dr. Ermir Hoxha, Prof. Asc. Dr. Mikel Temo, studiuesi Albert Habazaj, artisti bashkëkohor Shuk Orani dhe Msc. Fjoralba Prifti, Drejtore e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar.

Përmes referimeve dhe diskutimeve shkencore, konferenca synoi të evidentojë kontributin e Michele da Valona-s në historinë e artit evropian dhe të promovojë një interpretim bashkëkohor të rolit të tij në formësimin e asaj që historiografia e quan sot Rilindja Adriatike. Njëkohësisht, aktiviteti synon të forcojë bashkëpunimin akademik ndërmjet institucioneve shqiptare dhe italiane në fushën e historisë së artit dhe trashëgimisë kulturore. Përmes kësaj nisme, 355 Hub Foundation dëshmon angazhimin e tij në promovimin e kërkimit shkencor, diplomacisë kulturore dhe valorizimit të figurave historike shqiptare që kanë kontribuar në historinë artistike evropiane. Konferenca përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt njohjes ndërkombëtare të Michele da Valona-s dhe riafirmimit të rolit të Shqipërisë në hapësirën kulturore të Adriatikut gjatë epokës së Rilindjes.

Historia e artit shqiptar ruan ende boshllëqe të rëndësishme për veprimtarinë e artistëve shqiptarë jashtë territoreve etnike gjatë Mesjetës së vonë dhe fillimit të epokës moderne. Një nga figurat më domethënëse në këtë drejtim është Michele Greco da Valona, piktor me origjinë nga Vlora, aktiv në Italinë jugore në fillim të shekullit XVI. Ai njihet sot përmes katër veprave të firmosura dhe të datuara në vitin 1505, të ruajtura në Molise dhe Abruzzo.

Nënshkrimi i tij, Michaelis Greci de Valona, ka rëndësi të veçantë, sepse nuk shërben vetëm si identifikim personal, por edhe si dëshmi e origjinës së tij gjeografike dhe kulturore. Në një periudhë kur Adriatiku nuk ishte kufi ndarës, por hapësirë komunikimi, lëvizjeje dhe shkëmbimesh, referimi ndaj Vlorës e vendos Michele Greco-n në një kontekst më të gjerë kulturor, ku Shqipëria, Dalmacia, Venediku dhe Italia jugore ishin të lidhura nga rrjete tregtare, fetare dhe artistike.

Veprat e Michele Greco-s dëshmojnë një gjuhë figurative të ndërmjetme. Ai nuk mund të përkufizohet thjesht si piktor bizantin, por as si artist plotësisht i Rilindjes italiane. Nga tradita postbizantine ai ruan tipologjitë ikonografike, fondet e arta, monumentalitetin e figurave dhe karakterin hieratik të kompozimit. Nga ana tjetër, në veprat e tij dallohen ndikime të kulturës figurative perëndimore, sidomos në organizimin hapësinor, në trajtimin më natyralist të figurave dhe në elementet arkitektonike të sfondit. Në këtë drejtim, formimi i tij duhet parë brenda botëkuptimit figurativ të Carlo Crivelli-t dhe të rrethit adriatik që lidhej me të, ku dekorativizmi, lineariteti i mprehtë dhe ndjeshmëria ndaj detajit bashkëjetonin me trashëgiminë e ikonës dhe me risitë e Rilindjes italiane. Pikërisht ky karakter hibrid e bën Michele Greco-n një figurë të rëndësishme të asaj që studiuesit e kanë quajtur “Rilindja Adriatike”. Ai përfaqëson një botë artistike ku traditat bizantine, dalmate dhe italiane nuk qëndrojnë të ndara, por ndërthuren në mënyrë krijuese. Siç kanë vënë në dukje Dora Catalano dhe Daniele Ferrara, veprat e tij nuk duhen parë si prodhime të izoluara provinciale, por si pjesë e një kulture figurative adriatike, ku qarkullonin modele, ide, artistë dhe porositës.

Rëndësia e Michele Greco da Valona-s qëndron edhe në faktin se ai është një nga figurat e pakta të periudhës para moderne që mund të lidhet qartë me një origjinë shqiptare dhe me një veprimtari artistike të dokumentuar jashtë Shqipërisë. Për këtë arsye, ai nuk duhet parë vetëm si një piktor shqiptar që punoi në Itali, por si një figurë ndërmjetëse midis dy brigjeve të Adriatikut. Krijimtaria e tij tregon se historia e artit shqiptar nuk mund të kufizohet vetëm brenda kufijve politikë apo gjeografikë të sotëm.

Si përfundim, figura e Michele Greco da Valona-s dëshmon praninë domethënëse të artistëve me origjinë shqiptare në hapësirën kulturore të Adriatikut në kalimin nga shekulli XV në shekullin XVI. Veprat e tij të vitit 1505 tregojnë ekzistencën e një mjedisi ndërkulturor, ku tradita postbizantine, kultura dalmate dhe risitë e Rilindjes italiane u ndërthurën në mënyrë krijuese. Në këtë këndvështrim, thyerjet e mëdha historike të shekullit XV, si rënia e Kostandinopojës dhe më pas pushtimi i pashmangshëm i Shqipërisë nga Perandoria Osmane, mund të kenë nxitur lëvizjen e artistëve drejt hapësirave të reja kulturore dhe artistike. Edhe pse Dr. Dora Catalano mendon se kjo lidhje nuk mund të vërtetohet në mënyrë të drejtpërdrejtë për rastin e Michele Greco-s, mbetet e arsyeshme të mendohet se këto ndryshime historike krijuan kushte të reja lëvizjeje, kërkimi dhe përshtatjeje. Kështu, artistë si Michele Greco da Valona mund të kenë kërkuar një realitet të ri artistik, duke pasuruar gjuhën e tyre me elemente të reja dhe duke kontribuar njëkohësisht në skenën artistike të vendit të origjinës dhe në atë të mjedisit pritës. Për këtë arsye, ai meriton të vlerësohet si pjesë e historisë së hershme të artit shqiptar jashtë kufijve etnikë, por edhe si pjesë e historisë së artit italian, arbëresh dhe adriatik.

Exit mobile version