Kreu Letërsi Shënime mbi libra Prof. As. Dr. Muharem Jakupi: Mbi poetikën e Alisa Velajt

Prof. As. Dr. Muharem Jakupi: Mbi poetikën e Alisa Velajt

Poezia “Kinse për ne” e Alisa Velajt ta jep me të parën, por shpejt ta heq përsëri përshtypjen e një teksti entuziast, sepse ngazëllimi i saj është mjaft i matur dhe madje disi meditativ. Pasi ajo temë ka më tepër besimin dhe shpresën e nesërme dhe jo faktin e sotëm të lumturisë së të qenit i/e dashuruar. Ajo tematizonpoetikisht momentin e kapërcimit të mosbesimit si dhe të ngazëllimit prej besimit se kjo gjë tanimë është duke ndodhur. Sigurisht, së pari, në rrafshin paralajmërues simbolik të natyrës që shfaqet parasysh dhe lëviz. Uni lirik është në momentin e konstatimit dhe kuptimit të asaj që i ndodh natyrës dhe asaj me të dashurin, njëkohësisht. E gjitha është ende larg fazës së ekzaltimit. Dhe këtë fazë a gjendje zakonisht Alisa nuk e ka banore të poezisë së saj. Prandaj artikulimet e saj artistike bëhen poezi meditimi dhe përjetimi, njëkohësisht. Dhe mbeten të ngrira e të përfunduara pikërisht në një moment nistor të evoluimit të gjendjes ndjesore të unit lirik.

Këtu raporti i dashurisë, si një nga dy temat më sunduese të poetes AlisaVelaj (tema e natyrës së metaforizuar në vetvete, si dhe tema e natyrës që personifikohet për të shprehur dashurinë a një qëndrim emocional tjetër) jepet i ndërmjetësuar nëpërmjet natyrës. Natyra bëhet shprehëse e gjithçkaje që ekziston në lidhjen dashurore. Këtë funksion të detajeve të pranishme në poezi e dëshmon fakti që, nga tërësia e mundshme, Alisa përzgjedh për të vënë në fokus vetëm ato elemente që kanë zotësi figurative për t’u shprehur poetikisht dhe, në këtë mënyrë, për t’u kthyer në temë. Si rrjedhim i kësaj strategjie, poezia “Kinse për ne…” na shpalos një temë “të përkorë” dashurie. Ndoshta një “gjysmë-temë”, por e tillë që në këtë pjesë të gjendet i përfshirë edhe thelbi. Kështu tema nuk na paraqitet si një thërrmijëz nga tema e madhe e dashurisë, por si një aspekt i shfaqjes së shumanshmërisë së saj.

Në tekst jepen faktet dhe detajet e natyrës më vete. Sigurisht të përjetuara emocionalisht. Ato lexohen si gjuhë e natyrës dhe si e tillë përvetësohen në mënyrë subjektive, duke gjetur këndvështrimin e përshtatshëm të leximit që shënjon diçka specifike. Në një këndvështrim tjetër të peizazhit, një poet tjetër mund të lexonte diçka tjetër nga gjuha e natyrës, diçka, për shembull, pa dashuri brenda, por vetëm peizazh.

Në poezinë “Kinse për ne…”, ajo që ndodh në peizazh është thelbësore për sa paraqitet. Gjithë ajo që po ndodh në natyrë është e shprehur me një metaforë të vetme: flamengoja e fundit shkundi pikëla drite dhe ua fali ujërave. Kjo dritë shpërndahet mbi gjol e ky përflaket me “pikëla ëndrre” që shkrihen si “copëza kënge”. Drejt unit lirik filluan të vijnë copëza kënge, që e bëjnë kaq të bukur jo vetëm natyrën, por kryesisht gjendjen shpirtërore të unit. Në vazhdim, ISHULLI i vetmuar apo ishulli i vetmisë së unit lirik, i veçimit, NDARJES a izolimit të tij, animizohet e gjallërohet prej lëvizjes së peshqve. Është një lëvizje që përmbys situatën emocionale dhe psikologjike të unit lirik dhe e vendos atë në situatën që është predispozitë a natyrë e shpirtit dhe gjithë kompleksit të ndjeshmërisë emocionale e morale të tij.

Uni lirik nuk është ndonjë asket a mizantrop, që e sfidon dashurinë. Përkundrazi, edhe në poezi të tjera, uni lirik i Alisës sfidon (qoftë edhe në mënyrë virtuale, kur nuk është e mundur në mënyrë reale, për shkak të rrethanave) vetminë, ndarjen, gjendjen e pezullisë, aneminë në gjakun e dashurisë. Këtu shpallet botërisht se këta peshq lëvrijnë “kinse për ne”. Këtë gjendje e mënyrë të lëvizjes së natyrës uni lirik, pasi e lexon si të tillë, ashtu siç vetë e krijoi, konstruktoi (duke hequr detajet e tjera dhe duke e reduktuar peizazhin vetëm në 3-4 detaje), tani fillon ta lexojë atë si horoskop të dashurisë dhe ky horoskop  thotë se melodia e kësaj kënge të çastit të PERËNDIMIT, “kinse për ne/ do të braktisë/ çdo melodi lamtumire!”

Flamengoja e fundit do të ikë, por ajo lë pas shenjat e një shprese dhe ngjall a përhap dritën dhe këngën e një ëndrre që e mohon “lamtumirën”, e cila gjer tani po rri pezull si gur në gjendjen shpirtërore të unit lirik. Prandaj fjala më domethënëse në tekst është “kinse…” Ky perëndim bëhet sinjal e shpresë për një rilindje të dashurisë. Dhe kemi kështu që antitezë të thellë logjike, d.m.th. një oksimoron të shtrirë nëpër tërë tekstin e poezisë. Pikërisht perëndimi i sigurt dhe ikja duke dhënë sinjale të sigurta shprese është edhe filli logjik si dhe vija që krijon unitetin artistik dhe tematik të kësaj poezie, arsye për të cilën, ky oksimoron përbën edhe domethënien dhe shkakun ndjesor të saj.

Poezitë e Alisës shpesh karakterizohen nga një e tillë strukturë ideore dhe emocionale: një dashuri e humbur, e përhumbur apo e përgjumur, për të cilën (si temë e poezisë) peizazhi jep shenjat e një shprese të rilindjes. Në mos shenjat e një shprese, jep të gjitha premisat e një dëshire. Prandaj ato poezi, në tërësi, nuk karakterizohen nga ngazëllimi a entuziazmi, por nga gjendja e fshehur e një dramaciteti: lind në shpirt, dëshirohet po aty, pasqyrohet në natyrë, po a do të realizohet vallë në realitet? “Fatkeqësisht” (për unin lirik, por jo për poezinë – sepse poeti e përmbys edhe më të pamundurën, po të dojë), më së shumti, jo. Poezia e Alisës, nga kjo pikëpamje e tillë dëshiron të mbetet, …apo është e kushtëzuar të mbetet… gjer tani!

Është rezultat i natyrshëm i mënyrës së procedimit artistik ky tëhuajsim poetik që realizohet si nëpërmjet këndvështrimit të objekteve, ashtu edhe nëpërmjet mënyrës së përdorimit të gjuhës së tekstit. Dritën këtu nuk e lëshon direkt dielli, por “flamengoja e fundit”. Kështu i duket unit lirik dhe kjo gjë ndodh për shkak të llojit të sensibilizimit të brendshëm të tij. Uni lirik percepton në shtrirjen e gjerë të peizazhit natyror disa nga detajet e faktet e jashtme më të spikatura. Po për lexuesin ai interpreton a “shpjegon” vetëm ato pamje, lëvizje a procese në natyrë tek të cilat zbulon identifikimin me një gjendjeje të brendshme që, më së shumti, është më tepër sesa e momentit. Kështu secila poezi e tillë shndërrohet e tëra në njëfarë metafore kontekstuale koherente, përsëritja e shpeshtë e së cilës në poezitë e tjera e kthen vazhdimësinë e tillë në një nga temat më të rëndësishme të krijimtarisë së saj.

Kjo strategji përcakton afinitetin tematik të Alisës edhe me natyrën, vizioni i së cilës mund të ndërtohet në formën e një mozaik virtual, i përbërë nga sinteza mendore e detajeve të fokusuara në çdo poezi. Këto përcillen përmes mënyrës se si bëhen shprehëse e së brendshmes. Për shembull, në poezinë “Kinse për ne” uni lirik nuk bën analizë. Ai vetëm ndjen, përjeton dhe subjektivizon, në përshtatje me gjendjen shpirtërore humane. Nga kjo premisë, ai “i detyron” “me dhunën” e vullnetit a dëshirës së vetë edhe gjësendet të fillojnë të lëvizin a veprojnë dhe, duke marrë cilësi të qenieve të gjalla, shpesh fitojnë edhe gjuhë, mendim, qëllim e reagim, ngjashëm me njerëzit. Kështu lind dhe bëhet veprues një proces i gjerë i shpirtëzimit dhe ndërgjegjësimit të natyrores, prej nga ngjizet një personifikim veprues. Motori motivues i këtij personifikimi sigurisht që është metafora. Saktësisht: një kompleks metaforash me sensanimizues.

Për ta vërtetuar këtë shndërrim personifikues të tekstit dhe, njëkohësisht, tipar figurativ i poezisë në fjalë, mjafton vetëm të citojmë disa vargje, duke nisur nga fillimi, për të shkuar drejt fundit të poezisë. “Kinse për ty / flamingoja e fundit / shkundi pikëla drite… Kinse për ty! // E gjoli u përflak / me një spërkatje të vetme / pikëlash ëndrre. // Ky ishull i heshtur / ku lëvrijnë peshq të argjendtë/ kinse për ne / do të braktisë / çdo melodi lamtumire! // Kinse për ne…” Duke shkuar në përshtatje me gjendjen shpirtërore dhe nevojën a dëshirat e momentit të unit lirik, pikërisht flamengos dhe gjolit iu vishet cilësia njerëzore e qëllimit dhe e veprimit, në përputhje me ndjeshmërinë që ata vetë krijojnë ndaj unit lirik dhe shoqërisë së tij; ishulli i heshtur “kinse për ne do të braktisë çdo melodi lamtumire”.  

Ky animizim i shtrirë gjerësisht në botën sendore përreth dhe ky personifikim me “melodi lamtumire” është figura bazë e krejt poezisë. Metaforat janë vetëm tulla, megjithëse të jashtëzakonshme, të cilat poetja i vendos në mënyrë të tillë që të ndërtojë ngrehinën e këtij personifikimi. Poetikisht mund të mjaftonin edhe këto metafora mjaft ekspresive, por forcën dhe peshën kryesore të këtij tëhuajsimi e ndërmjetësimi, mes unit lirik femëror dhe të dashurit të vet, e realizon kryesisht personifikimi. Ai është vinçi që mban peshën e secilës metafore për ta çuar në vendin e vet në këtë ngrehinë. Kështu metaforat së bashku me personifikimin e mohojnë ekzistencën dhe veprimin e ligjësive të natyrës dhe në vend të tyre na shpalosin tablonë e lojës së “ligjësive” subjektive.

Dihet se letërsia si trillim nuk është ngushtë referenciale dhe nuk flet drejtpërdrejtë. Ajo i përcjell mesazhet e veta përmes konotacionit kuptimor dhe emocional që konteksti ua jep detajeve e veprimeve, të cilat në tekstin poetik kodifikohen në mënyrë shumë më intensive se në tipa të tjerë ligjërimesh. Poezia u vë emra të rinj metaforikë sendeve, ndryshe nga etiketat e konvencionalizuara të gjuhës pragmatike, të cilat gjenden nëpër fjalorët përkatës. Detajet e kësaj poezie flasin pikërisht në këtë mënyrë. Dhe ky mesazh poetik vërtetohet në unitetin koherent të raporteve mes gjësendeve të përmendura si dhe të konstruktuara në një ngrehinë të qëndrueshme, sipas ligjeve të poetikës. Projekti i së tërës gjendet veç në shpirtin e ndjeshëm të poetes. Por në mënyrën e thurjes dhe të konturimit  të këtij uniteti tekstual poeti ka vendosur kodin e vet të deshifrimit të gjuhës, sepse e ka personalizuar atë. Këto kode janë të vlefshme pastaj, në mos për të gjithë poezinë e Alisës, të paktën për pjesën më të madhe të saj; ato përcaktojnë fort pikërisht stilin e saj dhe profilin e individualitetit të saj.

Po a është ky individualitet kaq “individual”? Jo. Kjo mënyrë të shkruari sot përbën njëfarë mode poetike mjaft të përhapur. Mund të themi se gjendemi përballë një drejtimi stilistik botëror; mund të quhet edhe “solipsizëm”. Për këtë arsye të thellë, me këto kode të përfituara nga poezia e Alisës ne mund të shkojmë edhe me tej, nëse duam. Me një të tillë çelës të lumtur në xhep ne mund të nisemi me besim për të dekodifikuar e tipologjizuar çdo tekst, brenda mbretërisë së poezisë së sotme nëpër botë. Në fund të fundit, mençuria si aftësi e si koncept ka lindur përpara nesh: “Librat ndërtohen nga librat”, kanë thënë latinët qysh në lashtësi. Me sa duket ata e kanë zbuluar të parët këtë ligjësi së cilës i nënshtrohet vazhdimësia e shkrimit, që është e pashmangshme për këdo. Sipas sentencës latine, nëse shumë tekste ngjajnë disi me të tjerët përpara apo përbri tyre, kjo nuk do të thotë se kemi të bëjmë me “imitim”, të cilin dikur e vlerësonin si “turp”, por që sot postmodernët e konsiderojnë si “meritë” dhe e kanë ngritur në nivelin e emblemës dhe parimit stilistik kryesor që i dallon ata.

Imazheria dhe përfytyrimi mbetës, lakonizmi, eliptizmi, tëhuajsimi, shpesh hermetizmi, gjithashtu edhe figurat e tjera origjinale, të ndërtuara a gjetura me shumë fantazi, janë disa nga tiparet e tjera, që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të zemrës dhe petkut artistik të kësaj poezie, të shkruar nga një dorë e cila ka mjaft vite që është bërë mjeshtërore!

* * *

Një mundësi tjetër interpretimi është presupozimi se uni lirik (femëror) gjendet në ishull me të dashurin dhe natyra “pozon” bukuri mahnitëse “kinse për ta…” Atëherë “melodia e lamtumirës” a do të jetë e të dyve (bashkë, pranë e pranë) ndaj ishullit?

Nëse nuk është aq bindëse kështu, sepse melodia e lamtumirës do të jetë “kompozuar” shumë kohë më parë dhe momentalisht ekziston një krisje, distancë a humnerë midis dy partnerëve, atëherë ngelet t’i përmbahemi variantit të interpretimit të parashtruar qysh nga fillimi.

KINSE PËR NE

Kinse për ty

flamingoja e fundit

shkundi pikëla drite

prej flatrave

në perëndim

mbartur ne asht

prej agsholit

ua fali ujërave

Kinse për ty!

E gjoli u përflak

me një spërkatje të vetme

pikëlash ëndrre

tretur syprinës së tij

si copëza kënge

copëza kënge…

Është kaq bukur i dashur

sa me vjen për të qarë!

Ky ishull i heshtur

ku lëvrijnë peshq të argjendtë

kinse për ne

do të braktisë

çdo melodi lamtumire!

Kinse për ne…

NATYRA E DYFISHTË E KODIFIKIMIT NË NJË POEZI

Poezia “Përherë diçka do të shembet, Rebeka”, e poetes AlisaVelaj, është hartuar si një bisedë e drejtpërdrejtë e zërit lirik me një “ti” apo “vajzuke”, që e ka emrin Rebeka, për vuajtjen e thellë emocionale të Rebekës pas ndarjes me të dashurin. Poezia zbulon tërthoras se edhe zëri lirik ka kaluar nëpër të njëjtën përvojë e përjetim emocional, gjë të cilën e vërteton strofa e pestë, me kthimin e ligjërimit në vetën e parë shumës, nga i cili përftohet unifikimi i të dy subjekteve, fillimisht në gjininë gramatikore: “Harrim i harruar bëhemi Rebeka./ Stivojmë harlisjet thellë në vete dhe ecim,/ ecim nën hijen e trungjeve,/ duke i thurur himne një gjetheje.

Por ky këmbim ligjërimor nënkupton edhe përvojën jetësore të përbashkët, për pasojë, edhe gjininë natyrale të njëjtë të të dy subjekteve. Të gjitha këto shenja nuk e pengojnë aspak tekstin të paraqitet jo vetëm si një formë etike ngushëllimi a mbështetjeje moral-psikologjike për Rebekën, por njëherësh edhe si formë e rafinuar alegorie. E nëse mund të thuhet se poezia shfaq edhe natyrë alegorike, atëherë ana aq konvencionale e mënyrës dialoguese dëshmon funksionin përfundimtar të tekstit si monolog, meqë nuk shfaqet asnjë lloj përgjigjeje a reagimi nga “tjetra”.

Ky dyzim si në aspektin referencial (poezia përbën alegori apo është thjesht një “letër” për Rebekën?), i jep karakter të dyfishtë edhe tipologjisë gramatikore të tekstit: ligjërim në vetën e dytë, njëherësh edhe “monolog mbi të brendshmen”. Atëherë veta e dytë këtu paraqitet po aq formale sa edhe kur poetët u drejtohen drurëve, reve, apo zogjve, raste për të cilat ne flasim për personifikim. Mirëpo këtu mundësinë e personifikimit e zhvlerëson “personi” Rebeka. Kështu që, në rrafshin alegorik të domethënies, ligjërimi është ndërtuar duke pasur veten si adresë dhe pikë referimi!

Gjithsesi zëri lirik formalisht mban një distancim moralizues, por kuraja që “ajo” i jep tjetrës zbulon prejardhjen që rrjedh veç nga përvoja personale. Hollësia e detajeve si dhe numërimi gjer në nuanca psikologjike aq të holla të përjetimit, janë një argument në të mirë të kësaj natyre të dyfishtë të këtij tipi lirike. A mund të flasim për një karakter përgjithësues të kësaj problematike sociale? Sigurisht.

Logjikisht teksti duket si një dedikim autobiografik ndaj gjendjes në një situatë emocionale të nderë të subjektit poetik si dhe dramatizuese për lexuesin. Në fund të fundit, këtu shtrohet tema e situatës së ndarjes së një vajze, e humbjes së njëanshme dhe të padëshiruar të dashurisë “së jetës”. Dhe timbri aq racional (në disa stilema) i zërit lirik, sidomos kur e ngushëllon Rebekën dhe e fton atë si për kapërcimin e gjendjes, ashtu edhe për harresë, duket sikur sa thua “dashuri”, në kohën e sotme, ke thënë njëkohësisht edhe ndarje, si diçka që vjen domosdo në një fazë të caktuar të dashurisë, e cila duhet konsideruar më tepër “pjesë” përbërëse, sesa “fat” i dashurisë – mënyrë përfundimi e saj. Dhe kjo dukuri normale e kohëve moderne është pothuajse e kundërt me atë lloj dashurie që karakterizonte “epokën romantike”!

Ky është shkaku më i thellë për ta cilësuar këtë poezi si alegori dhe për ta përfshirë ndoshta edhe vetë autoren në objekt e subjekt të poezisë, së bashku me zërin lirik konvencional i cili na “flet” tekstin, por pa e harruar as Rebekën (si një alter ego).

Poezia është e shkruar me ndjenjë, frymëzim dhe mençuri poetike. Ka mjaft gjetje artistike, figura, detaje dhe forma “arsyetimi” që kryejnë funksione të ndryshme – oksimoron, hiperbolë etj. Shembulli në vazhdim është më kompleks sesa një formë/mënyrë zmadhimi, sepse ka edhe ravijëzime të qarta të analizës së gjendjes psikologjike: “Ti kupton shumë, aq shumë sa s’të nevojitet Rebeka”.

PËRHERË DIÇKA DO TË SHEMBET, REBEKA!

(gjithnjë ka një mbrëmje që s’i duhet askujt.)

Fatos Arapi

Rebeka!

Trishtuar gjer në majën e flokut,

trishton veten dhe tingujt në kitarën e harruar.

Jashtë është gushtovjeshtë.

“Ende nuk është shembur çdo gjë,

ende nuk është shembur…”,

mendon ti e lëmekur me sytë nga qielli.

Ç’kërkon më tepër ti, vajzuke,

ç’kërkon më tepër?

Shtëpia e këngës të strehon pambarim,

ndërsa ajo pemë në kopsht ka vdekur!

Pranoje atë pemë në shpirt, vajzuke!

Me pamjen më të harlisur të një dite prilli.

Prehje për të qe vjeshta që shkoi.

Kjo që po vjen është harrim i harrimit.

Harrim i harruarbëhemiRebeka.

Stivojmë harlisjet thellë në vete dhe ecim,

ecim nën hijen e trungjeve,

duke i thurur himne një gjetheje.

Ti kupton shumë, aq shumë sa s’të nevojitet Rebeka.

Ndan netëve të dimrit çdo pikëz dite nga nata,

pastaj arratisesh në guva ku asnjë rreze s’të mbërrin.

Të kujtohet kur nanuriseshe nëpër tinguj,

ndërsa i dashuri yt përkëdhelte ty dhe kitarën?

Atë kohë u vyshkën tërë lulet mosmëharro në kopshtin tënd.

Por kurrë nuk ditëm në munde t’i shihje…

Ishte mbrëmje e qetë tetori e ti shpërfillëse ndaj aromave,

jetoje këngën tënde.

Ajo vyshkje qe thjesht një ndodhi.

Po sot, pse u dashka të pikëllohen dhe qiejt për ty?

Ka mbrëmje dhe vyshkje që s’do t’i duhen askujt.

Sikur ka përherë diçka që shembet,

e as kjo kurrkujt nuk do t’i duhet

një ditë!

Exit mobile version