Kreu Letërsi Shënime mbi libra Prof. as. Albana Deda (Ndoja): A e kemi hulumtuar mjaftueshëm kohezionin e...

Prof. as. Albana Deda (Ndoja): A e kemi hulumtuar mjaftueshëm kohezionin e ilokucionin e Fishtës? Rasti i “Metamorphosis”

Hyrje

Vepra e Fishtës si ajo epike edhe ajo satirike njihet dhe dallohet gjerësisht për mesazhet që përcjell. Natyrisht që nuk është e vështirë që të identifikohet forca imponuese e këtyre teksteve te marrësi.

Po kështu, është fare lehtë e dallueshme edhe jetëgjatësia dhe koherenca e një pjese të këtyre teksteve, veçanërisht atyre satirike.

Në këtë kontekst, një shpjegim për këtë fenomen na e jep dr. Lisandri Kola që me të drejtë, duke iu referuar satirës, shprehet: “Ekskluzivisht, Át Gjergj Fishta asht etern në këtë gjini (satirë), sepse ka sinkronizue në veprat e tij genet shqiptare, të cilat sot janë po ato si të kohës së tij.” (Hymje, Satira, At Gjergj Fishta, Kola: 2020).

Citati përmbledh pohime kompozicionale-stilistike e pragmatike njëkohësisht. Dhe me të drejtë, pasi satira e Fishtës shquhet për referencat konceptuale-situative, që ndërtojnë edhe qasjen drejt genit në përfaqësim individual e kolektiv, veçse tashmë me ngjyresat e anës tjetër të medaljes, komplet të ndryshme nga shkëlqimi i pakrahasueshëm që përcjell epika.

E kush më mirë se Fishta “Që zotnonte nji vetëdije reale mbi jetën e shqiptarëve e që i njihte teprimet, mangësitë e rracës dhe vështirësitë që shpirti individualist i shkaktonte krijimit të nji shteti të organizuem të denjë për me u radhitë përkrah vendeve të qytetnueme” (Koliqi, 2003:120) e ka realizuar këtë proces identifikimi, demaskimi e satirizimi.

Ilokucioni kryesor tekstor është i mprehtë, stigmatizues, por me qëllime edukuese e me shpresë edhe shëruese. Veçse duhet thënë se shija e groteskut është e dallueshme dhe ndaj të krijon idenë e një ilokucioni që nuk arriti të finalizohet në perlokucionin e kërkuar me ngulm nga Fishta. Jo më kot këto tekste mbartin akoma mbarëkohësinë me vete, siç theksuam më lart.

Mënyra e realizimit koheziv e një pjese të ngrehinës kompozicionale satirizuese te “Metamorphosis”, pjesë e vëllimit “Anxat e Parnasit”, e veçanërisht lloji i ironisë në të, do të jenë në bazë të këtij punimi.

Terminologjia e përdorur

Në parantezë po sqarojmë terminologjinë që përdoret në këtë punim, në mënyrë që të shohim edhe mbështetjen teorike dhe të mos kemi zhurmë në kanal komunikimi, shpjegimi e interpretimi.

Po e fillojmë me konceptin e satirës që në “Fjalorin shpjegues të termave të letërsisë” përkufizohet në këtë mënyrë: “Satirë-a,-at (lat. satura-farsë në vargje në Romën antike)- Hartim poetik me frymë lirike e didaktike që ka për qëllim të qortojë të metat e rënda të jetës e të shoqërisë, duke i përqeshur me mprehtësi e me zemërim. Zakonisht satira i kalon caqet e humorit, pasi nuk kritikon ndonjë të metë të veçantë, po demaskon veset e dëmshme e të rrezikshme për mbarë shoqërinë.”.

Ndërkohë në literaturën anglo-saksone gjen këtë përcaktim për satirën: “Satira është një mjet letrar që përdor talljen artistike të një vesi apo marrëzie, për ta demaskuar ose korrigjuar atë. Objekti i satirës është zakonisht dobësia njerëzore, ndërkohë që ajo manifestohet në sjelljet e idetë e njerëzve, ashtu si dhe në institucione etj. Satira përdor tonet e humorit, përbuzjes ose të indinjatës ndaj një teme problematike mënyrë të ndërgjegjsojë, korrigjohet ose të ndryshojë më vonë[1].”.

Si lloj satira, në procedenë e saj ka sarkazmën, pikërisht edhe për arsye të agresivitetit ilokutiv, me të cilën karakterizohet ajo[2].

Në “Fjalorin e shpjegues të termave letrare” sarkazma përcaktohet si njëlloj ironie: “Sarkaz/ëm -mi (nga greqishtja sarkazo-kafshoj mishin). Kur ironia merr një karakter të hidhur, sulmues, kur shpreh urrejtje e përbuzje të thellë quhet sarkazëm.” (Fjalori shpjegues i termave të letërsisë, 1972: 206).

Nga ana tjetër, nuk jepet ndonjë përcaktim në lidhje me llojin specifik të ironisë, e cila gjithashtu në literaturat tona nuk specifikohet, me ndonjë tipologji të caktuar. (Fjalori shpjegues i termave të letërsisë, 1972:99).

Një mungesë e tillë karakterizimi i një tropi si ironia, e cila është pjesë e shumicës së teksteve, krijon probleme si në identifikimin e strukturës konotative, ashtu dhe për të kuptuar ndërtimin koheziv të një teksti të tillë, që e ka të pashmangshëm sarkazmën.

Në këtë kontekst, në literaturën anglo-saksone vemë re se sarkazma gjithashtu shihet si një lloj ironie, po specifikisht ajo është pjesë e ironisë verbale, e cila është një nga tre llojet e ironive që dallohen përkatësisht: ironi verbale, ironi situative dhe ironi dramatike.

Po japim shkurtimisht përcaktimin e secilës prej tyre për të evidentuar më mirë edhe llojin e ironisë te Fishta dhe efektin konkret të saj:

Ironia verbale ngrihet mbi bazën e një kontrasti të fortë mes asaj që thuhet dhe asaj që nënkuptohet (që është zakonisht e kundërta). “Kjo është një zgjidhje shumë e zgjuar[3].” (Ironia në këtë fjali realizon nënkuptimin e kundërt, pra në fakt është një zgjidhje e gabuar.)

Ironia situative u referohet rrethanave që dalin të jenë të kundërta nga ajo që pritet ose që është e përshtatshme të jetë. (Imazhi i një dentisti me dhëmbë të prishur, apo i një arkitekti kullash që ka frikë nga lartësitë etj., krijojnë dy qasje kontekstesh  që në konjicion krijojnë ironinë situative, pasi dentist presupozohet t’i ketë dhëmbët e rregulluar edhe për vete etj.).

Ironia dramatike është gjendja, veprimi apo ajo çfarë ndodh, ndërsa shikuesi ose lexuesi di të kundërtën e asaj që aktorët ose personazhet dinë. Zakonisht kjo lloj ironie, e cila në zanafillë ka ironinë situative, është e specifikuar për tekste dhe marrës specifikë. Kështu zakonisht kjo realizohet në kontekste situative të tilla si tekstet që përgatiten për t’u vënë në skenë ose për t’u shfaqur në ekran.

Në këto tekste të vëna në skenë audienca është e paralajmëruar për informacionin përkatës ose rrethanat, kurse aktorët jo. Prandaj shikuesi lihet në suspansë, derisa aktorët të marrin vesh se çfarë po ndodh. Pikërisht përqasja e pritshmërive të marrësit, shikuesit për të parë reagimin e aktorëve që nuk kanë njohuritë e shikuesit mbi rrjedhën e ngjarjeve, krijon dhe ironinë dramatike. Si një ilustrim i zakonshëm për këtë lloj ironie jepet sekuenca e “Makbethit”, në të cilën Dunkani thotë se ai i besonte shumë Makbethit, pa e ditur profecinë e shtrigave se ai do të bëhej mbret dhe do ta vriste atë[4]. Një situatë e tillë shkakton ankth te shikuesi që vë re me kërshëri se si do te reagojë personazhi.

Sarkazma eshtë një lloj ironie verbale. Si mjet letrar sarkazma mund të përcjellë ndjenjat e frustrimit, nervozizmit deri në tallje të shkrimtarit ose personazhit[5].

Megjithatë qëllimi i sarkazmës është i ndryshëm nga ai i ironisë verbale. Sarkazma tregon një qëllim të vullnetshëm për të ngacmuar, satirizuar ose tallur me dikë. Ironia verbale shpreh, krijon humor delikat. Produkti i sarkazmës është i afërt me kriticizmin e hapur, antagonizmin e drejtpërdrejtë dhe me raste kalon në ofendim verbal të qëllimshëm ose turp[6].

Realizimi konkret i këtyre figurave me efekt konotativ përfton edhe akte specifike të të folurit që gjithashtu janë të shenjuara (të markuara) në disa nivele. Ilokucioni i fortë shpjegohet me synimin e arritjes së një perlokucioni të realizuar. (Pragmatika përcakton disa akte të foluri në përgjithësi: Akti lokutiv, sipas Searlit, përfaqëson kombinime (fonetike, fatike dhe retike) dhe përbëhet nga fjalë dhe forma gramatikore me kuptim (Clark, 2020: 135); Akti ilokutiv është akt që përfaqëson një veprim me një forcë të veçantë të tillë si: kërkesë, premtim, falje etj. (Clark, 2020: 136); Akti perlokutiv ka të bëjë me realizimin e forcës së aktit ilokutiv. Të tilla janë aktet që përfaqësojnë kënaqësinë, ofendimin, irritimin etj. (Clark, 2021:136-137).)

Analiza e korpusit marrë analizë

Satira fillon me tone sarkastike talljeje që në titull, i cili është dhënë me kanalin e një kodi tjetër, latinisht, “Metamorphosis”. Këtë perceptim e krijon kontrasti mes kanalit formal të titullit, pra emërtimi në latisht, që është pjesë e një regjistri të lartë, formal e të kultivuar dhe që nuk është regjistri i përdorur në tekstin në vijim.

Nga ana tjetër, ky lloj kanali është pjesë e një perpektive gjuhësore, kulturore, politike, jetësore etj. mjaft të civilizuar në krahasim me atë shndërrim, metamorfozë, që marrësit i ofrohet varg pas vargu në tekst. Pikërisht një përqasje e tillë krijon edhe tonet tallëse e sarkastike.

Natyrisht që ky lloj perceptimi nuk arrihet direkt nga një lexues i parë, megjithëse dhënësi është mjaft i kujdesshëm që pavarësisht ironisë sarkastike, që përdor në gjithë korpusin të jetë mjaft i qartë në krijimin e kontrastit të nevojshëm për ta përceptuar sarkazmën në limitet maksimale të saj.

Siç kemi pohuar edhe më lart teksti i marrë në analizë është një poezi satirike. Kjo gjë induktohet edhe nga figura më e përdorur ironia verbale me formën e saj agresive sarkazmën, që në këtë kontekst del me ilokucion përkëqësues, tallës, ofendues, demaskues, denigrues etj. Po si realizohet ajo në këtë korpus?

Shfaqet në shumëllojshmëri formash. Ka raste kur realizohet brenda katër vargjeve, që pavarësisht se nuk ndahen në strofë më vetë, në tekst dallohet edhe nga koherenca edhe nga kohezioni si njësi organike ndërtuese kompozicionale. Po jo në pak raste i kalon edhe katër vargje. Është më se i zakonshëm rendi i çrregullt i gjymtyrëve, pavarësisht se në një pjesë rastesh kjo ndodh për arsye fonostilistike e metrike.

       Ehu! t’kishe shkue/Pak mâ kadalë,/S’kisht’ kênë nevoja/Me tjerrë ktû fjalë;

       Përsè ishe màjun,/Si mâjet njala,/E punue m’kishte/Kuleta e fjala;

Ka raste kur brenda një katërvargëshi-fjali një ironi ndjek tjetrën, duke e përshkallëzuar në përkeqësim sarkazmën denigruese.

       Në katër vargjet vijuese “Per mue janë baras/Si bukë si pane, /Por due qi gjindja/Pa tê t’mos m’lâne.” Fishta bën një përzgjedhje të qëllimshme semantike për të stigmatizuar mungesën e identitetit gjuhësor dhe kombëtar njëkohësisht, duke përdorur të njejtin të shenjuar, po të dhënë me shenjuesin e dy kodeve të ndryshme bukë/pane.

       Më pas këtë njësi leksikore e përdor shumë mirë për të ndërtuar ironinë-sarkastike shpotitëse që e ndjek e që ka të bëjë me rëndësinë jetike dhe shqetësimin kryesor të qenies, siç është mirëushqyerja (Po përdorim edhe ne pak ironi këtu.). Natyrisht kontrasti është therës dhe sarkazma është çjerrëse, kurse rimarrja kohezive e së njejtës kokë për dy ironi të ndryshme është sintetike e mjaft e goditur.

Ka raste kur ironia realizohet edhe në më shumë se katër vargje njëkohësisht. Zakonisht kjo shoqërohet e integruar me krahasime të përsëritura, të cilat krijojnë një shkallëzim përkeqësues të ekzagjeruar gati në kuadrin e një transformimi hiperbolik, madje duke përshkallëzuar edhe regjistrin për të arritur deri te regjistri i ulët.

       Po, po; kujdesi/Për Gegë e Toskë/Mue sod m’ka hjedhun/Si hút n’ketë prroskë,

       Kû, ndêjë harû/Si dac n’govigj,/M’janë bâ, qe besa,/Kërçikët si vigj,

       E shtati tjetër/Porsi degë pishe,/Thue se kam hanger/Haram gjâ kishe.

       Si me pasë lé/M’ndo’i knetë n’Zejmên,/A me pasë ndêjun/Tue tredhun qen.

      Është e dallueshme se kjo stërzgjatje shoqërohet me një rënie regjistri. Kjo bëhet në mënyrë të qëllimshme, pasi në pamje të parë është paradoks, i cili thekson shpërblimin nënvlerësues e denigrues ndaj individit të përkushtuar ndaj çështjes kombëtare. Paradoksi konceptual gërshetohet me përshkallëzimin sarkastik, që realizohet tashmë me struktura të zgjeruara krahasimi. Pra kemi të bëjmë me struktura me një ngarkesë të madhe semantike e strukturore në koherencë e veçanërisht në kohezion.

Veçori tjetër e ndërtimit të ironive sarkastike të Fishtës janë edhe lokucionet foljore, të cilat dalin në kuadrin ose të idiomave (frazeologjive), ose të lokucioneve ligjërimore të përdorimit popullor dialektor. Të tilla ka plot:

       mbasi do t’thirret sod derri dajë; /Po n’dasht le t’thohet/Se dredhoi Leka,/Veç kurr mos t’thohet/Se ka mbetë Leka.; Tash bjer kavallit,; kanë spaten n’mjaltë; M’âsht bâ shtupë zêmra; Thue se kam hanger/Haram gjâ kishe.; U punon m’shekull/Kuleta e fjala.; Persè t’a mbajë/Un shatin n’ujë?; Gjithmonë me m’pamun; Si t’pimun shtrigash?; Mâ s’kam me i qitun/Zavall un krés;

Po ndalemi pak në idiomën sarkastike hyrëse që gjejmë në vargun 3-4: “Mbasi do t’thirret/sod derri dajë”– që do të thotë –do të bësh diçka që në fakt nuk dëshiron që ta bësh, do pëlqesh dikë që nuk e pëlqen e kështu me radhë.

Në thelb vetë frazeologjia ndërtohet mbi bazën e një ironie verbale, madje sarkastike. Në këtë kontekst ajo përputhet semantikisht komplet me përjetimin personal të autorit.

Po kështu, kjo idiomë shfaqet e markuar semantikisht, pasi ajo ndërtohet mbi një marrëdhënie absurdi e paradoksi në pamje të parë e me nuancë grotesku, pranimi i të cilit reflekton sarkazmë, figura të cilat nga pikëpamja kohezive janë baza kompozicionale e tekstit.

Nga ana tjetër, kjo frazeologji nuk shfaqet e ndryshuar si nevojë e përshtatjes me përmbajtjen e tekstit, siç ka ndodhur me frazeologji të caktuara (për të cilat do të flasim më poshtë). Dhe kjo jo pa qëllim, pasi semantika e saj përputhet plotësisht me gjithë metamorfozën e përshkruar në tekst.

Tërheqim këtu vëmendjen e njërit prej emrave që janë pjesë e idiomës “derrit”. Imazhi i tij është në unison me ato të kafshëve të tjera, që dalin në tekst e që shërbejnë si standard krahasimi për të theksuar tipare jo të mira të qenies së metamorfizuar (qen, lepur, dac, njalë).

Në jo pak raste idiomat shfaqen të ndryshuara semantikisht. Interesante shfaqet idioma që ka lidhje me figurën e Lek Dukagjinit, e cila këtu del gati si homonim strukturor i asaj që realisht përdoret në jetën e përditshme. Kështu në konjicionin popullor shprehja frazeologjike: “Ma mirë t’thon se dredhoi Leka, sesa t’thon se meti Leka.”- do të thotë se në raste të caktuara është më mirë që të jesh i zgjuar e të shpëtosh, sesa trim e të vdesësh.

E futur në një makrostrukturë ironike-sarkastike paraprirëse, ku ai deklaron se nuk do të shqetësohet më për atdhe (83), veç për jetesën e tij (78), kjo ndryshon komplet domethënien e idiomës popullore, duke e tranformuar në një strukturë, kuptimi i së cilës do të perifrazohej pak a shumë: e rëndësishme është mbijetesa dhe mirëqenia ime, pavarësisht rrugëve që ndjek unë. Me fjalë të tjera transformon idiomën popullore në mesazh makiavelist. (Duhet thënë se përjetimi i kësaj sarkazme është më i fortë e i mprehtë aty ku imazhi i kësaj figure Lek Dukagjinit, është akoma dhe sot i ngulitur në konstitucionin e vet shpirtëror me tiparet e rregullit, zakonit, zgjuarsisë e trimërisë.).

Shtojmë këtu se fill pas kësaj strukture vjen katërvargëshi aq i diskutuar dhe me raste i keqinterpretuar me dashakeqësi, pasi është shkëputur nga konteksti i sqaruar më sipër. E kemi fjalën për “T’a dijë Shqypnija/Prá, e sheklli mbarë,/Se mâ mbas sodit/Un s’jam Shqyptár”, e cila vjen me një konotacion revolte ndaj një zvetënimi absolut, duke sublimuar kështu gjithë mllefin koshient e subkoshient për qenien pa identitet.

Do të ndalemi këtu edhe te një strofë që për ne ka rol kyç në këtë tekst dhe që gjithashtu riformaton idomën tradicionale. Bëhet fjalë për:

       Prá, bjer kavallit,/O barku i êm,/Porsi bylbyli/që kndon mbi gêm!

Ky katërvargësh del dy herë 175-178 dhe në fund fare 265-268, pra përafërsisht i bie se përdorimi i parë ka qenë diku afër mesit të tekstit dhe i dyti në fund fare. Përsëritja është thuajse identike (ndryshon vetëm fjala e parë Tash-pra që nuk luan ndonjë rol as në metrikë as në semantikë). Ajo që konstatojmë ne nga këto vargje janë disa fakte:

Së pari vihet re përdorimi i idomës popullore (bjeri kavallit-futja kot). Në këtë skelet komplementi kryesor ti (Ti bjeri kavallit) presupozohet të ketë tipare semantike të tilla si: [+frymor]; [+njerëzor], por natyrisht duke dale si një vetë përgjithësuese, pra njëjësi për shumësin. Ndërkohë Fishta e modifikon këtë frazeologji, duke e zëvendësuar me fjalën fjalën kavall me fjalën bark, e cila mund të shihet edhe e lidhur me një referencë metonimike me komplementin e zakonshëm të saj, pra njeriun.

Shenjimi semantik i këtij riformatimi intensifikon sarkazmën denigruese tallëse, duke pasur parasysh edhe konotacionin negativ që shoqëron këtë njësi leksikore në këtë kontekst. Kjo përzgjedhje nuk është e rastësishme, por shërben si refren demaskues ekstrem për një qenie komplet të depersonalizuar. Pra praktikisht është konvertuar në frymor jonjerëzor, dhe korpusi i Fishtës ofron mjaft repertor denigrues deri në vulgar në këtë aspekt.

Struktura zgjerohet me një krahasim popullor përsëri (porsi bylbyli /qi knon mbi gem), qoftë edhe për arsye metrike e ritmike. Njësia tjetër leksikore bylbyl, e projektuar në këtë strukturë pararendëse, humb konotacionin pozitiv që ka në poezinë popullore, tashmë duke iu referuar talljes për një qenie parazite.

Të sqarojmë edhe faktin pse del dy herë dhe pothuajse me një larghedhje të njëjtë. Sipas nesh, një përdorim i tillë ndan dy pjesë koherencën e tekstit. E para paraqet fazën drejt transformimit (grotesk) të identitetit, ndërsa e dyta përgjithësisht merret me konsolidimin e këtij statusi deri në fund të ciklit jetësor (Natyrisht nuk mund të bëhet një ndarje e prerë edhe për këtë pohim.).

Dhe gjithë ky proces, ndër të tjera, shoqërohet me një kontekst situativ të të ngrënit mjaft të begatë (duke lënë jashtë idiomat): kam hangër, gja (për ushqim), ishe majun, kpurdha, t’u majun, njala, bukë, pane, barku, lakna t’veja, shllinë, dhent, plleja, bibaj, pata, makerona, sallata, shkim edjen, shampanjë e birrë, rrushit, fara, mjaltë, germaza, planc, koteci, speci, vjamit, zhabën etj.. Dhe jo pa qëllim, pasi ky është synimi kryesor jetësor i qenies së re.

Kanali i përzgjedhur nga kjo fushë semantike i përket regjistrit të ulët. Një pjesë e njësive leksikore të kësaj fushe janë të ngarkuara me konotacion pezhorativ ironik edhe jashtë kontekstit të këtij teksti: planc, t’u majun, lakna t’veja etj. Ndaj ato futen pa ndryshime në strukturë dhe kuptim.

Në këtë kontekst diskutimi duam të analizojmë edhe një element tjetër koheziv e jo vetëm. Ai ka të bëjë me referencën vetore të strukturave ironike në veçanti e komplet tekstit në përgjithësi. Nëse bëjmë një përllogaritje të shpejtë statistikore, vihet re se numrin më të madh të vargjeve ka veta e parë dhe e dytë njëjës.

Një element tjetër koheziv në funksion të ilokucionit të autorit është edhe përdorimi i vetave të caktuara.

Veta e parë është ajo me të cilën nis teksti, i cili paraqitet si një monolog personal rrëfimi e përjetimi. Është pikërisht kalimi në vetë të dytë i projektuar në kontekstin ironiko- sarkastik që e markon edhe këtë vetë me tone fillimisht ekspresive e më pas direktive nga pikëpamja pragmatike.

Veta e dytë njëjës është një vetë adresuese, e cila nuk i përket etiketës formale të komunikimit dhe gjatë deshifrimit të ironisë, i lejon marrësit të krijojë një ndjesi akuzuese-tallëse më të fortë (“O i lum ti i lumi,/Si padishà/Tash ké m’u lkundun/Mbi ndo’i sofá.”-

       Nuk harrojmë këtu edhe funksionin përgjithësues të vetës së dytë (edhe të parë), pra njëjësi që përgjithëson shumësin.

Kurse veta e tretë shumës përdoret më rrallë dhe zakonisht i referohet palës që nuk aspiron për metamorfozë, ose të paktën nuk e ka kryer atë (Tjerët kanë m’u ushqye/ me lakna t’veja/ me shllinë n’i paçin /medje dhent plleja). Futja e saj si personazh bëhet për ta bërë kontrastin më të fortë e për të rritur forcën tallëse e denigruese të sarkazmës, që e ndjek më pas : Ti ke me rrue/ me bibaj e pata/ e makerona/ edhe sallata”.

       Veta e tretë njëjës përdoret vetëm në një rast, kur i referohet shqiptarit (Tamam si duhet/ shqyptari t’ jet/qi don me pasun /kuletën xet). Natyrisht është e dukshme se pavarësisht se formalisht është vetë njëjësi, ajo ka vlerë përgjithësuese shumësi.

       Duhet theksuar se lëvizjet e vetave të dhënësit nuk shfaqin ndonjë rregullsi kohezive, sipas nesh, veçanërisht veta I dhe II njëjës. Dominanca e vetës së parë dhe të dytë njejës është përzgjedhje e qëllimshme, pasi ato krijojnë mundësi që ilokucioni adresues, akuzues, stigmatizues të jetë më i fortë, pa distanca estetike dhe është në përshtatje me shumicën e regjistrit të ulët që gjendet në tekst.

Krahasimi si figurë është një element mjaft i rëndësishëm koheziv i tekstit. Në këtë korpus ai shfaqet në një sasi të konsiderueshme dhe është pjesë në shumë raste e ndërtimit të ironisë-sarkastike. Ne kemi identifikuar këto elemente të ndërtimit të saj:

Shfaqet si pjesë përbërëse e shumë strofave (zakonisht dy vargje), të cilat janë vazhdim i një strukture ironike dhe rrisin efektin sarkastik e grotesk ( Për ditë t’u mâjun,/Si mâjet njala; As per punë t’ême/ S’kanë t’lodhët, hae i keq,/Me sá druen halën/Se i therë n’perpeq.;)

Gjithashtu shfaqet e zgjeruar më gjerë se lidhëz plus emër, duke u zgjeruar me njësi të tjera ose dhe grupe të tjera në funksion të përshkallëzimit të sarkazmës.

       (si dac n’govigj; porsi degë pishë; Porsi njatyne/ që nejë n’ Shqypni;)

Në një pjesë dalin të bashkërenditura në disa katërvargësha, përsëri në kuadrin e ironisë, po për ta përshkallëzuar sarkazmën deri në grotesk, në mënyrë që efekti të jetë më denigrues. (E shtati tjetër/Porsi degë pishe,/Thue se kam hanger/Haram gjâ kishe./Si me pasë lé/M’ndo’i knetë n’Zejmên,/A me pasë ndêjun/Tue tredhun qen.)

Në pak raste ai shfaqet i pazgjeruar pra vetëm në strukturë lidhëz plus emër, (si vigj, si gjel, si spec, si vigj).

Ai ndërtohet më së shumti për të krijuar korpusin sarkastik të përqasjeve të një regjistri të shkujdesur që herë- herë kalon dhe deri në vulgar (Si me pasë lé/M’ndo’i knetë n’Zejmên,/A me pasë ndêjun/Tue tredhun qen.. )

Nga këto të dhëna, ajo që duhet theksuar është se krahasimi si i zgjeruar, si i pazgjeruar është një mjet kompozicional, që është në funksion të ndërtimit të sarkazmës. Veçanërisht, kur shfaqet si shkallëzim strukturor krijon një rritje progresive përkeqësuese, denigruese të sarkazmës. Kjo shoqërohet me lëvizje të regjistrit, po në aspektin përkeqësues.

Përfundime

Në përfundim mund të themi se “Metamorphosis” ndërtohet mbi bazën e një ironie verbale, e cila aplikohet praktikisht me sarkazmën, një lloj mjaft kritik, agresiv deri tallës e ofendues i saj. Mënyra e ndërtimit të ironisë -sarkastike është e larmishme. Analiza e bërë nga ne identifikoi se ky lloj kohezioni ishte ndërtuar me një regjistër të shkujdesur popullor, për të kaluar herë pas here te ai i ulët. Struktura sarkastike realizohej shpesh përmes përdorimit të lokucioneve frazeologjike, ose dhe atyre të përdorimit të zakonshëm. Në jo pak raste autori modifikonte strukturën tradicionale të saj për të krijuar ironinë dhe modifikuar kështu edhe kuptimin e mëparshëm të saj.

Në këtë skelet koheziv ishte bërë edhe përzgjedhja e vetave specifike në funksion të realizimit të ilokucioneve të synuara të veprës, përkatësisht vetës së parë e të dytë njëjës, që në kuadrin e gjithë tekstit marrin vlerë përgjithësuese. Fishta dhe korpusi i tij na dhanë shembuj të admirueshëm të ndërtimit të dy ironive njëra pas tjetrës, duke përdorur një kokë të përbashkët, të cilën e markon në strukturën e re me një shkallëzim me nuance ilokutive denigruese në lidhje me atrofizimin e karakterit njerëzor (rasti : Prá, bjer kavallit,/O barku i êm,/Porsi bylbyli/që kndon mbi gêm!).

Gjatë analizës vumë në dukje se shpesh në strukturat ironike shfaqej edhe krahasimi, i cili dilte në trajta të ndryshme. Ai mund të gjendej në katër vargje, po mund të shfaqej edhe në disa të tillë, gjithnjë në funksion të përshkallëzimit ilokutiv të denigrimit, e talljes sarkastike.

Nuk pretendojmë që një punim i tillë të ketë ezauruar të gjithë artificat stilistike e ilokucionet pragmatike të një teksti të tillë të fuqishëm si “Metamorphosis”. Gjithashtu mendojmë se ka shumë punime që glorifikojnë mesazhet e Fishtës, pa analizuar kompozicionin specifik të tyre. Është e pamundur që një vepër të ndikojë kaq shumë në konjicion të marrësit, pa pasur dhe një strukturë stilistike me vlera estetike po aq të lavdërueshme sa mesazhet e saj. Në këtë kontekst mendojmë se vepra e Fishtës mbetet akoma një terren i paeksploruar plotësisht.

Bibliografi

Clark, B. (2021). Pragmatics, Routledge.

Fjalori shpjegues i termave të letërsisë. (1972). Tiranë.

Kola, L. (2020). Hymje, Satira, At Gjergj Fishta, Biblioteka Françeskane.

Koliqi, E. (2003). Vepra V. Faik Konica. Prishtinë.

https://www.britannica.com/art/irony

https://www.britannica.com/art/irony


[1]  https://literarydevices.net/satire/

[2]  https://www.britannica.com/art/irony

[3]  https://www.britannica.com/art/irony

[4]  https://literarydevices.net/dramatic-irony/

[5]  https://literarydevices.net/sarcasm/

[6]  https://literarydevices.net/sarcasm/

Exit mobile version