Kreu Letërsi Bibliotekë Pozaet Qose: Është fshehur dashuria, s’di se ku

Pozaet Qose: Është fshehur dashuria, s’di se ku

PËRNDRITJE NGA E FSHEHTA

Është fshehur dashuria, zog në vjeshtë.

Plagosur përpëlitet në harresë,
Si pikëlime yjesh nëpër vesë.

As zogjtë s’e shohin më me sy lakmie,
Kur borë e shi mbi të në heshtje bie
Dhe i ngjyros me buzëdritë fëmije.

Kumbon nga larg një lirë e perënduar,
Si mall që djeg e vuan pranë sosjes
Dhe botën e paanë e mban në duar
Me gishtërinjtë e ledhës dhe plagosjes.

Askujt s’i jep të njohur nëpër heshtje,
S’vdes frikës se zë vendin e një tjetre
As se ringjall ç’ka rreth e qark e vetme.

E mekur përpëlitet në harresë
Dhe flokë zemre nis e shkul prej kresë.

Është fshehur dashuria… si pendesë.


ZOGJTË E SHKRETISË

Mbi lumë ka krahë zogjsh, nën ujë ca britma ajri,
I dehur zëri i fatit mes tyre, si litar.
Oh, ç’m’u shkrumbua gjiri, si flakë e çmendur zjarri,
Kur rreh të djegë një qiell, se endet si i marrë!

Mbi krahtë zogjsh të ylbertë rrjedh lumi i foshnjëruar
Dhe porosi të kaltra shpërndan me gaz përreth,
Se veten e bën dritë një çift i dashuruar
Dhe vuajtjen e verbër rrëmben nga drita e vet.


NDJESI E PËRÇARTUR

Zvogëlohem, ja, sa thoi, kur s’të kam e s’më ke pranë,
Të më ndihin, ftoj legjendat nëpër dhembjen e paanë.
Me humbimin e dy syve, sytë i laj, të kërkoj ty;
Hë dhe pak, i lutem vetes, je këtu apo aty?

Ndoshta je te gjurmë e kalit, që stinoi si veri,
Mbase te një krah i zogut, nëpër diell a në shi.
Nuk e di, s’jam i sigurtë në je shpirt, në je veç një,
Se ajo shkreti e artë asnjëherë s’më rrëfen gjë.


SY TË LARGËT

I mbaj në duar dhe më djegin gishtat
Nga flaka, që nga larg vjen gjer këtu,
Ndaj dridhem, sikur mbledhur janë ngricat
Në gjak e mish, veç nga dy sytë e tu!


SI LOT I TRISHTË I OFELISË

Se nga po sillesh me shpërfillje
Si polen lulesh a si vesë,
Asgjë përreth s’më jep përgjigje,
Në një kërkim pa besë e shpresë.

Unë frymën mbaj e nis një thirrje,
Mbi mua heshtja rëndon plumb,
Gjer hëna bëhet pëshpëritje
Dhe dritë e yllit një pëllumb.

Diku ti je, ti je, patjetër,
Si lot i trishtë i Ofelisë
Në këtë udhëtim të vjetër,
E mjegulluar prej habisë.

Exit mobile version