I lindur në Kuba, Italo Calvino përgjatë viteve u bë një zë i rëndësishëm letrar me tregimet e shkurtra dhe romanet që botoi. Veprat e tij u lexuan, pëlqyen e komentuan aq shumë duke e bërë atë në prag të vdekjes, shkrimtarin italian bashkëkohor më të përkthyer. Italian, pasi ndonëse lindi në Kuba, prindërit i kishte me origjinë italiane: të atin nga Sanremo dhe të ëmën nga Sardenja.
Me një galeri të gjerë veprash, Calvino u kthye në një ndër simbolet e epokës së tij, pasi ngjarjet dhe personazhet i ngërtheu mes vedit në ndjekje të asaj rryme letrare e cila në atë kohë po ngjizej pikërisht nga të tillë emra të mëdhenj: postmodernizmin!
Duke folur për raportin e kohës dhe hapësirës në letërsinë postmoderne, shkrimtari dhe pedagogu Ridvan Dibra në “Një lojë me emrin postmodernizëm” thotë:”
Kështu përshembull, personazhet e librit “Komikat Kozmike” të Calvinos e shtrijnë ekzistencën e tyre në periudha kohore prej miliarda e miliarda vitesh: Që nga lindja e gjithësisë, deri në shekullin XX. Ashtu siç veprojnë në vende e hapësira, largësia mes të cilave matet me vite drite.
Pra, tipari themelor i postmodernizmit të tij është loja me kohën e hapësirën, çështje mbi të cilën Calvino shkruan: Nuk jam unë ai që kam dëshirë të luajë me kohën dhe hapësirën; janë koha dhe hapësira që “pëlqejnë” të luajnë me mua.
Mes veprave të tij më të njohura janë “Baroni rebel”, “I fundit vjen korbi”, “Qytetet e padukshme”, “Komikat Kozmike” etj., por ai lëvroi edhe esenë, ku mund të përmendet “Mbi përrallën” apo përmbledhja shumë e rëndësishme “Përse të lexohen klasikët”.
Mbylli sytë për të fundit here si sot, 35 vjet më parë në moshën 61 vjeçare, për të lënë të shkruar në pafundësinë e kohës emrin e tij mes faqeve të postmodernizmit dhe neorealizmit.
Përgatiti për “ExLibris” A. D.