Kreu Arte pamore Pol Milo: Transformizmi estetik (Arti si proces i ndryshimit dhe i krijimit...

Pol Milo: Transformizmi estetik (Arti si proces i ndryshimit dhe i krijimit të realitetit)

Në filozofinë bashkëkohore dhe teorinë e artit, ekziston një qasje që e sheh artin jo thjesht si pasqyrim të realitetit, por si proces transformues, ku vepra artistike krijon, ndryshon dhe formëson botën rreth nesh. Ky koncept emërohet Transformizëm Estetik dhe vendos në qendër të përvojës artistike jo vetëm aktin krijues, por edhe reagimin dhe përjetimin emocional të lexuesit, shikuesit apo dëgjuesit. Transformizmi estetik propozon që arti nuk është objekt i ngurtë apo pasqyrim i botës, por hapësirë dinamike ku realiteti dhe perceptimi bashkëveprojnë në një proces të vazhdueshëm ndryshimi. Kjo qasje e përfshin artin si pjesë e ontologjisë së realitetit dhe i jep rëndësi përpjestimore emocioneve, mendimit dhe perceptimit.

Në historinë e mendimit estetik, arti shpesh është konceptuar si mimesis, pasqyrim i realitetit (Platoni, Aristoteli). Me Kantin, estetika u zhvendos drejt përjetimit subjektiv dhe autonomisë së gjykimit estetik. Në shekullin XX, teoricienë si Dewey, Eco dhe Rancière e zhvilluan më tej idenë e artit si përvojë dhe komunikim, por shpesh ruajtën një dallim midis artit dhe realitetit. Transformizmi estetik e tejkalon këtë dualizëm. Ai sheh veprën artistike si një hapësirë ku realiteti riorganizohet, ku emocionet dhe perceptimi i lexuesit bëhen pjesë e procesit të krijimit. Çdo poezi, tregim, pikturë apo performancë është një laborator ku realiteti përjetohet, riformohet dhe transformohet.

Elementi kyç i transformizmit estetik është vendosja e emocioneve në qendër të teorisë. Emocioni nuk shihet si efekt i jashtëm i veprës, por si strukturë që formëson përvojën estetike. Përmes tij, arti bëhet një mënyrë për të kuptuar dhe përjetuar realitetin në një dimension më të thellë.Ky dimension lidhet me fenomenologjinë e Husserlit dhe Heidegger-it, ku përjetimi subjektiv është baza e çdo njohjeje. Transformizmi estetik propozon se arti ka fuqinë të ndryshojë perceptimin tonë dhe të krijojë realitete të reja emocionale dhe intelektuale.

Në letërsinë dhe artin shqiptar bashkëkohor, disa autorë kanë shfaqur intuita transformiste që përputhen me këtë paradigmë. Raste të tilla janë aktuale dhe vihen re, si psh, te autorët:

Bashkim Hoxha, në veprat e tij, realiteti realist bashkëjeton me elemente surrealiste, duke krijuar një hapësirë transformuese ku lexuesi përjeton ndryshime perceptive dhe emocionale. (Romanet Rikthimi/Kronikat e Mjegullës, perkthyer dhe botuar së fundmi edhe në gjermanisht)/

Mimoza Ahmeti dhe Rita Petro, përqasje drejt një transformizmi sensual dhe melodik/

Arian Leka, qyteti dhe provinca shndërrohen në figura simbolike që ndryshojnë kuptimin e përvojës shqiptare, duke bërë të dukshme tensionet mes modernitetit dhe trashëgimisë kulturore/

Agim Bajrami, Kronotopi urban dhe poezia si funksion i qytetit pa emer. Transformizmi Identitar/

Ilirian Dahri, poezia funksionon si spirale e realitetit urban dhe shpirtëror, ku fjala nuk pasqyron, por ndryshon perceptimin dhe gjendjen e lexuesit. (Poezia Saranda, Romani Bebi përkthyer në Italisht)/

Erjon Muça, poezia dhe proza ndërthuren në ritme introspektive dhe simbolike, duke krijuar peizazhe emocionale dhe filozofike që e vendosin lexuesin brenda një procesi të vazhdueshëm transformimi.

Këta autorë, dhe mjaft të tjerë bashkëkohorë tregojnë se transformizmi estetik nuk është vetëm teori, por një  praktikë që zhvillohet paralelisht si aktualisht në artin shqiptar ashtu edhe në atë bashkëkohor global.

Transformizmi estetik lidhet me disa ide dhe teori ndërkombëtare, si John Dewey (Art as Experience, 1934): arti si përvojë e gjallë, thekson se përvoja është gjithmonë transformuese. Umberto Eco (Opera aperta, 1962): vepra e hapur; transformizmi e sheh veprën si mekanizëm që transformon realitetin dhe perceptimin. Jacques Rancière (Le partage du sensible, 2000): arti riorganizon ndjeshmërinë kolektive; transformizmi lidhet me procesin ontologjik të krijimit të realiteteve të reja. Nelson Goodman (Ways of Worldmaking, 1978): arti si mënyrë për të ribërë botën, thekson se kjo botë është në vetvete një proces transformues i vazhdueshëm. Këto lidhje ndërkombëtare e vendosin filozofinë dhe praktikat transformiste shqiptare brenda një konteksti global, duke treguar se arti dhe përjetimi emocional janë universale, por secili kontekst i jep atyre nuanca të veçanta. Transformizmi estetik propozon një mënyrë të re për të kuptuar artin dhe realitetin. Arti nuk është pasqyrë e botës, por forcë aktive që ndryshon dhe riformon perceptimin dhe përvojën tonë. Ai ndërthur elemente të emocionit, reflektimit dhe përvojës estetike, duke e vendosur lexuesin, shikuesin apo dëgjuesin në qendër të procesit transformues. Ky funksionon vjen si një hapësirë laboratorike dhe teorike, ku idetë transformiste artikulohen, tentojnë të përhapen dhe të bëhen pjesë e praktikës artistike dhe kulturore bashkëkohore.

Dyrrah 2025

Exit mobile version