Meditimi i një statuje pa kokë
Jam një statujë. Statujë pa kokë. Trupi im shkëlqen. Kurse kokë nuk kam. E humba komunikimin me kokën time qëkur ma prenë. Për të menduar koka nuk më duhet. Të tjerë merren me mua. Ata kanë pastruar trupin tim nga pluhuri dhe me një mbishkrim, më kanë vendosur në qendër te holli i një muzeu, me ndriçim të theksuar nga drita neonësh. Në mbishkrim shkruhet qartë që unë i përkas shekullit të dytë para erës sonë. Pasi më zhvarrosën, më vunë këtu.
Por ato s’dinë asgjë mbi mua. Nuk i dinë majat e daltës që më gdhendën, as duart e skulptorit që e goditën daltën me forcë, me një çekan të madh. Duart e tij ishin të rënda dhe gishtat e trashë. Më krijoi nga një copë mermeri që e nxorën nga brendësia e një mali. Unë i përkas tokës. Çfarëdo forme të më japin, unë i përkas asaj.
Format artistike lëvizin, krijohen nga frymëzimet e artistit, ekspozohen, komentohen, rikrijohen e më pas humbasin. Kështu humbi edhe koka ime. Njësoj, siç humbën edhe shumë koka të tjera si ajo. Dikush tha që i vodhën, i këputën, i prishën, i shitën, në vende të ndryshme, në qytete të mëdha. Trupat i ekspozuan diku, kokat diku tjetër. Mbi trupa shënohet diçka, mbi koka diçka tjetër. Po çfarë forme kishte koka ime? Ku e dinë ata? Çfarë mbishkrimi kisha fillimisht? Cilën perëndi përfaqësoja? Çfarë dënimi më dhanë? Ç›gijotinë përdorën?
Tani kam tjetër mbishkrim në trup e tjetër mbi kokë. A thua se koka dhe trupi im nuk u krijuan njëkohësisht, nga e njëjta dorë, nga i njëjti skulptor, nga i njëjti mermer, nga i njëjti mal, nga e njëjta tokë. U gdhendën nga e njëjta daltë e u goditën nga i njëjti çekan. Po ju që dini formën e mendimit tim, a mund të më thoni se ç›formë kishte koka ime?
Interpretimet janë të ndryshme, interpretimet pëlqejnë komente të tjera. Ato as që i afrohen sado pak idesë qendrore. Me kalimin e kohës ato humbasin. Kuptimi humbet. Krijimi humbet. Ngelin vetëm copa-copa, të padeshifrueshme.
Piramidat janë të padeshifrueshme, kalatë janë të padeshifrueshme, kullat, torrat, muret janë të padeshifrueshëm. Papirusët, mumjet, sfinksët janë të padeshifrueshëm. Ata mbajnë kode, informacione që askush nuk e di plotësisht kuptimin e tyre. Nga erdhën, si u krijuan, përse u krijuan?
Njerëzimi ka ujitur ullinj me degët e të cilëve ka vendosur kurora mbi kokat e njerëzve. Po me cilën degë ulliri u thur kurora ime? Në cilët tempuj u vendos? Cilët adhurues u përulën përpara saj, në kërkim të mëshirimit qiellor, që unë dikur e paskam zotëruar?
Tempujt gjithashtu janë të mistershëm, të padeshifrueshëm, njësoj si statujat. Si statujat pa kokë. Njësoj si unë. Ne kemi lindur për të humbur. Pjesa më e mirë lind për të humbur. Koka ime u krijua për të humbur.
Nëse mbi tokë nuk do të kishin humbur kockat e dinozaurëve, nuk do të kishin humbur as kokat e statujave. Sa mirë do të kishte qenë sikur pranë meje këtu të ishin edhe disa kocka dinozaurësh. Por edhe ato humbën.
Kjo tokë është humbësja më e madhe që ne njohim. Ajo humb fakte dhe ngjarje, vepra dhe kryevepra, të çmuara e artistike. Dhe kur i humb, ajo e ka vendosur që të mos i kthejë më.
Ajo i mban ato për vete siç mban shumë kryevepra të tjera. Çdo kokë e humbur është një sfidë, një shënim, një mbishkrim, një përkthim apo interpretim tjetër, herë i ngjashëm dhe herë pa lidhje me stilin, me artin, me kuptimin e hershëm.
Tani lindin kuptime të reja, dhe vdesin kuptime të vjetra. Heshtja dhe pluhuri zëvëndohet nga zhurma dhe pakuptueshmëria. Më pas, pakuptueshmëria kthehet në objekt, në stil, në mënyrë jetese. Njësoj si trupi im që kthehet në objekt pa kokë. Kurse koka ime as që e çan kokën për mua. Ajo humbet nëndhe ose qëndron mbi një trup tjetër apo shkëlqen në vetrata të ndriçuara me drita neonësh. Me një tjetër mbishkrim.
Ndërkohë unë humbas kuptimin. Unë nuk e dëshirova shkëlqimin tim. Shkëlqimin e trupit tim. Kuptimi u zhduk, pikërisht ai që mua mu donte. Ndërsa trupin tim tani e adhurojnë vizitorë të paditur, lexuar në mbishkrime të pakuptimta, që aludojnë se më përkasin mua, të vendosura nga autoritete të çuditshme, të pafuqishme për të risjellë atë që unë kërkoj. Ju lutem, aludoni për kokën time dhe jo mbi trupin tim. Ndaj sillmëni atë që më detyroheni. Kokën time!
Dyrrachium, brigjeve
Maj 2021
*Pol Milo ka mbaruar studimet e larta në Romë, për ekonomi.
Është autor i librit “Shtegtimi i dinozaurëve fluturues”