Kreu Letërsi Bibliotekë Poezi nga Xhevdet Bajraj

Poezi nga Xhevdet Bajraj

xhevdet bajraj

Xhevdet Bajraj, poeti i lindur në Rahovec, largohet nga vendi i tij nën kërcënimin e armëve; prej vitit 1999, nga Franca në Meksikë në gjendje azili, ai vazhdon të shkruajë poezi, por edhe prozë, duke u vlerësuar me disa çmime: në vitin 2000 mori çmimin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, Çmimin Ndërkombëtar të Goliardos për poezi në vitin 2004, çmim për dramën më të mirë origjinale të shkruar në gjuhën shqipe në vitin 2013 nga Festivali Monodrama në Vlorë. Në vitin 2015 u vlerësua edhe me një çmim, atë për poezinë më të mirë të paraqitur në Panairin Ndërkombëtar të Prishtinës. Tmerret që pa gjatë luftës vazhdojnë ta ndjekin veprimtarinë e tij letrare…

TRËNDAFILI

Jam goxha i sigurt se
kur për herë të parë
është takuar me njeriun
trëndafilit i kanë dalë gjembat.

VIZA NË MES

Mes datës së lindjes dhe datës së vdekjes
viza që duket në mes nuk është gjë tjetër
veçse poezi

Njësoj
siç është poezi
gjëja e vetme që më ke lënë kur ike e dashur
një qime të pubisit tënd në sapun.

DIKUSH KËNDONTE NË SHI

Mbi liqenin e Lasgushit bie shi i vakët
zog i posaveshur me pupla të buta
fshihet nën gjethet e dendura të ftoit
buzë vdekjes jeta pi ujë
ombrella të zeza kalonin në rrugë
njerëzit nuk i shihja
derisa për të dhe për veten pija birrë në stilin
birra e parë më do e dyta s’më do e treta…
e kështu me radhë
një ombrellë e kuqe u ndal pranë vitrinës së kafenesë
ishte ajo o Zot
vasha me emrin e lules së egër
tërë natën në banesë nën dritë qirinjsh
pimë verë të kuqe bëmë dashuri marrëzisht
ishte natë e qetë
okupatori dhe prostitutat tona flinin si engjëj
derisa e përcolla të dashurën në shtëpi
dikush këndonte në shi
dikush jetën e mallkuar
e kishte shndërruar në poezi.

ËNDRRAT E ENGJËLLIT

Sa preku me këmbë në tokë
ktheu në kafenenë e parë të qytetit
piu shtatëmbëdhjetë uiski skocez dhe vdiq
edhe engjëjt shohin ëndrra tmerri

Kur erdhi herën e dytë
piu nëntë vodka ruse dhe s’diti që duhet paguar
njerëzit ia prenë krahët

Që atëherë engjëlli s’guxon të flejë
ka frikë mos ëndërron njeriun.

VRASËSIT SERIALË

Natë okupimi
njerëzisht përzihet frika
qençe vdiset
qyteti shtrihet nën jorgan të zi
ëndrrën ndjell shpresën pjell
enigmë e ditës së re

Këta që vrasin janë engjëj
nën peshë mëkati mallkimi muti njerëzor
vrasës serialë të ëndrrave

Mëngjesi vjen i veshur me të bardha
si balerinë plakë e dehur
mbledh pëllumbat e vrarë nëpër sheshe

Njerëzit zgjohen ngadalë
kush s’është pshurrur në gjumë
pshurret tani.

HARMONI

Asgjë nuk lëviz
me përjashtim të vetmisë
e cila vazhdon të rritet
dhe lisit që do të shërbejë për arkivol.

GJELLË SHQIPTARE

Ushtarët e armikut në Kosovë
kishin meny të pasur shqiptare

Në mëngjes
Qumësht nga gji të shqyer nënash
dhe foshnja të palindura të ziera në zjarr shtëpish
servirur me sy të zinj të kaltër apo ngjyrë kafe
dhe nga një shishe lot të valë

Dikush kënaqej veç me nga një kokë të pjekur

Në drekë
Zemra të plasura të të gjitha moshave
të ziera në lëng eshtrash në njërën anë
dhe mish kurrizi të pjekur në gacë
përcjellë me tru të fërguar fëmijësh
e sallatë klithmash spërkatur me uthull tmerri
dhe nga një litër e gjysmë gjaku vashash të dhunuara

Dikush kënaqej veç me nga një kokë të pjekur

Në darkë
Mushkëri të zeza e të bardha
aty-këtu ndonjë veshkë
mish fëmije të përzier me gjakun e nënave
ca tul plake a plaku pjekur në hell
njelmësuar me kripën që nxirrej nga lotët

Dikush kënaqej veç me nga një kokë të pjekur

Në meskohë
bluanin vesh të majtë e të djathtë
gishtërinj duarsh e këmbësh
aty-këtu ndonjë hundë të përgjakur
dhe ëndrrat tona të thara në murin e pushkatimit

Dikush kënaqej edhe veç me një kokë të pjekur

Piqnin e zienin në zjarre shtëpish
hanin e pinin nga kafka shqiptarësh
sikur të mos ishin njerëz
sikur të mos ishim njerëz
apo jo Zot
derisa vera i ktheu në dhéun e tyre
kur u majmën nga vdekja.

VALLE ME FYELL

Mbi ca eshtra njeriu nën dritë dielli
kullot sorrë e zezë si nata

Fëmija i bie fyellit prej dërrase të varrit
vjell vallen e vdekjes

Era ia shkëput petalet një nga një trëndafilit
në gjembat e tij ngulet dita

Lumi i gjakut doli nga shtrati
në zemër të njeriut shumohen krimbat

Ç’ves
dikush jeton përditë
e unë përditë vdes.

KËSHILLA PËR NIPIN TIM ARBENIN
(KATËR ATDHETË)

Jeto jetën
si plaku me flokë të thinjur që mund të ishte profet
por merrej me diçka tjetër
në Këngën mbi fundin e botës të Çeslav Miloshit
dhe mos dil ama kurrë mos dil
nga poezia Itaka e Kavafisit

Nëse e takon një lule në shkretëtirë
kjo është një shenjë se gjithçka është e mundur në këtë botë
ëndërro
ngrihu
lidhi lidhëset e këpucëve të tua
dhe ndiqi ëndrrat

Drita e munguar
kurrë nuk do të jetë aq larg sa të mos mund të arrihet
mëso nga babai yt dhe mos u mundo ta mësosh asgjë
ti ke një emër një botë dhe katër atdhetë
(mos e jep jetën për asnjërin prej tyre
ama po për disa njerëz lumenj male dhe qytete
siç do të thoshte Pacheco)

Në shtigjet e jetës
gjithmonë mbaji të shtrirë krahët e shpirtit
dhe kurrë
ama kurrë
mos e lësho zemrën nga grushti yt i mbyllur

Dhe që të mos harroj
nëse ndonjëherë shkon në Kosovë
zemra e zemrës sime
vizito varret tona
dhe aman mos e le pa ngrënë
bukë e djathë dhe rrush të Rahovecit.

DIKU PËRTEJ OQEANIT

Në breg të lumit të tharë
një plak përtyp kujtimet
jep e merr me të vdekurit

Re të zeza si shami e dhimbjes
ndjekin diellin
pëllumb i bardhë si qumështi i nënës
kërkon sup njeriu për të pushuar
ndalet mbi një gur varri
si plis i gjallë

Lumi u ringjall dhe u derdh udhëve të botës
diku përtej oqeanit
një burrë qan shqip.

SHITËSI I ENGJËJVE TË VEGJËL PREJ DRURI

Si çdo ditë të bekuar
nata e bëri një vezë të artë dhe iku
kësaj here duke kakaris vetëtima

Zgjohet zjarri brenda gurit
zgjohen zogjtë
zgjohen foshnjat nga gjumi
nënat dhe qumështi në gjinjtë e tyre zgjohen
zgjohen lulet e mëngjesit
dashuritë e fjetura
të vdekurit nëpër kujtime
tregtarët e farave të lulediellit
zgjohen ata që nuk mund të lëvizin
vozitësit e transportit publik zgjohen
njerëzit e mirë që shkojnë në punë zgjohen
zgjohen edhe vrasësit e tyre

Zgjohet çdo ditë me jetën e shtrënguar me dhëmbë
po ashtu edhe ai
shitësi i engjëjve të vegjël prej druri
së bashku me ndjenjën e turpit të të qenit njeri
zgjohet
ama veç ky zgjohet kot

Me çantën plot me engjëj shkon shtëpi më shtëpi
çdo ditë të bekuar
por s’ia hap derën njeri.

FLUTURIMI I PARË

Nga dega e një lisi të vjetër
ndërsa dielli bërtet si i çmendur
dhe i zgjon njerëzit nga gjumi
një zog i bardhë fluturon për herë të parë
në qiellin e një shteti të korruptuar
dhe pa e kuptuar fare
kthehet i zi në fole.

Exit mobile version