Kreu Letërsi Bibliotekë Poezi nga Virion Graçi

Poezi nga Virion Graçi

DY NJERËZ

Vazhdova rrugën pa të dashurën.
Pemët më binin mbi supe
Gurët kilometrikë
Më bënin shenjë të vazhdoja .

Vazhdova. Diku pashë një urë
E hedhur tejpërtej mbi greminë
Aty poshtë, në fundin e saj të frikshëm
Midis gurëve të mbushur myshk e hije
E dashura ime mbillte trëndafila.

U hodha. Ngeca në ajër. I lodhur.


KTHESA

Fytyra jote shfaqet përkohësisht
Në pastërtinë e përkohëshme të xhamave.

Pastaj tretet në ngjyrat e errëta të perdeve
Dhe në tingujt e gëzuar të muzikës.

Fytyra jote e përkohëshme shfaqet përjetësisht
Në pastërtinë e përkohëshme të xhamave.


ORA

E shtrirë më zgjat e bindur
Gjuhët e tua të zjarrta.
Dhe ngelem pa dashuri
Dhe ngelem pa të ardhme.

Naive përgjunjesh, zbulohesh
Pastaj marr gërshërët e ndryshkura
Trurit tim të lodhur
Flokët e shumtë i’a qeth.


PAMJE NGA AFËR

Mundohu të flesh
Asnjë fill ironie mos kërko
Në zërin tim. Pa provoje një herë.

Një gjysmë hëne
Ose diçka e përafërt me qiellin
Një bari i lagur
Ose diçka e përafërt me diellin
Një krah i prerë
Ose diçka e ngjashme me kolltukun.
Një njeri
Ose diçka e ngjashme me njeriun.

Mundohu të pushtohesh
Nga diçka e përafërt me gjumin polar.


GRAVITET

Si tretet dalëngadalë njeriu
Vëllai im nga gjaku
Motra ime nga shpirti
Si tretet dalëngadalë, si humbet nën tokë
Në ulluqe të sajuar me gjethe të kruspullosura
Nga shterpësia dhe padurimi

Tani mbi tokë ndërroi moti
Ndryshuan modelet e veshjeve.

Si tretet me pa të keq imazhi yt
Planimetria e një krijese tepër e hijshme
Planimetria e një krijese të mbështetur
Mbi dy këmbë të bardha, të plota, të bukura
Si tretet ngadalë kujtimi yt
aroma e një trupi cicërues
Lëkura e pastër prej glukoze dhe zjarri.
Imazhi i një trupi të kredhur pambarim
Në një tretësirë me formulë të padeshifrueshme.


TROTUAR

Përfytyroje pa kuaj karrocierin
Pa karrocën me stoli antike
Pa veshjen e tendës mbuluese
Tendosur nga shufra të harkuara.

Përfytyroje pa burinë karrocierin
Pa karrocën me stoli antike
Pa veshjen e tendës mbuluese
Tendosur nga shufra të harkuara.

Përfytyroje pa ndenjësen, pa kamzhikun fshikullues
Pa çiftin e lumtur mbrapa karrocierit
Pa femrën veshur në të bardha
Pa burrin që qesh si klloun.

Përfytyroje pa korteun e përzishëm
Pa të afërmit me kostume të errësuara
Pa shpirtërat e braktisur nga shpresa
Që kalërojnë në heshtje mbas kuajve.

Përfytyrimin çoje në shekullin e nesërm
Dhe jepja të drejtat e autorit
Rapsodit të verbër me harpë.


HEROI

Prangat prej bronxi dikur
Të folën aq bukur për lirinë

Liria ishte atëherë
Send prej zjarri
Që i mungonte dhomës tënde prej druri.

Kur të folën sërish për të
ishe ndarë me dhimbje bronxi
Nga prangat e ngrohta prej nervi e mishi.

Dhe t’u duk liria një send prej druri
Që i mungonte dhomës tënde prej zjarri.


PAS PERDES

Mungon ngjyra në kurmin e saj.
Nuancat mungojnë. Transparencë e padurueshme.
Ftohtë. Shumë ftohtë. E kap-dhe mjetet kapëse
Dukshëm fillojnë ta humbasin ngjyrën. E pushton
Dhe mjetet pushtuese fitojnë transparencë.
Përzihesh keqas me të dhe bëhesh i padukshëm.
Derdhet vetiu në bronx
Vjedhësi i ngjyrës dhe i flakës.


PAMJE NGA LARG

Dalë-ngadalë
Në oborr do të bien gjethet e pemës
Do të dalë një mace në faqen e çatisë
Një karrocë e vjetër do të shkasë në kalldrëm
Pijanecët prapë do të grinden nën strehë
Një kockë e thyer do të zbardhë diku
Dy prindër do të qortojnë fëmijën e tyre.
Një qivur do të dalë prej portës më tej
Dielli do të shkojë drejt perëndimit
kokën tënde të kaltër, të këputur
Do ta mbash në prehër.

Diçka do të kujtosh
Dalë-ngadalë do të shuhesh edhe ti
Ndofta prej gëzimit.


DRITAT

Nuk të harroj dot
Më tha një grua e panjohur
Në shitoren gjigande të perimeve
E kam seriozisht
Kurrë, kurrën e kurrës
Nuk do të kem fuqi të të harroj
Vazhdoi gruaja e panjohur

Si i shurdhët u zhvendosa më tej
Në këndin e lakrave mesdhetare
Duke zgjedhur me ankth amvise
Barishte të njoma.

Me një aromë të mirë, pa emër e ngjyrë
Duke thithur sirena autoambulancash
Më shkoi fundjava e jetës.


PËRSHËNDETJE

Në cilën anë të lumit
Të të pres?

Kur do ta përsërisësh saktësisht
Hijen time mbi tokë?

Po zërin tim? Po qeshjen time?

Flas për ty vazhdimisht
Dhe harroj të firmos
Emrin tim sipër epitafit.


KREMTIME

Fëmijët e varfër kërcejnë
Lozin e qeshin me njëri-tjetrin

Dalin zbathur nëpër dëborë
Kurrë nuk i thyejnë degët e bredhave
As për zbukurime festash.

Me pak baltë mbulohen
Kur vdesin papritur fëmijët e varfër
Nëpër zgavrat e tokës humbasin të tretur
Bashkë me shkëlqimin e përkohshëm të krishtlindjeve


TAKIMI

Pasi doli nga kulla i hypi kalit
Pasi i hypi kalit u largua nga kulla
Pasi u largua nga kulla i’u afrua lumit
Pasi u takua me lumin ajo i mbajti frerin kalit
Pasi i mbajti frerin kalit zbriti në zallin e nxehtë
Pasi zbriti në zallin e nxehtë
Kërkoi me sy një vend të fshehtë
Pasi e gjeti vendin e fshehtë
Filloi të zhvishej
Pasi u zhvesh plotësisht
Ajo kërkoi rrobat e banjos
Pasi kërki rrobat e banjos
U kujtua se nuk i kish marrë me vete
Pasi u kujtua se nuk i kish marrë me vete
Nxitoi të fshihej në kallamishtë
Pasi u fsheh në kallamishtë
Lumi ngriti valë e shkumë
Pasi lumi ngriti valë e shkumë
S’u dukëm më as kallamat, as ime zonjë
Pasi s’u duk më ime zonjë në kallamat e përmbytur
Unë u ktheva pa hingëllima për në kullë.


LULE TË VERDHA

Kam përpara pesë filozofë
Prej nga do zgjedh katër libra
T’ia dërgoj një vajze.

Kam përpara gotën me çaj
Ku do ta tres sheqerin për tre sekonda
E ta rrufis për dy minuta

Kam përpara një dimër
Zero netë polare
Dhe minus
Një ditë të zakonshme vere.


URA

Do të vish e dashur, do të vish
Prandaj sonte s’dëgjohen të lehura
Shiu bie butësisht mbi statujat
Rrëketë e ujit lagin të vdekurit
Prandaj dremisin raftet e kuzhinës
Palosen përgjithmonë fletët e librave
Dridhet përvajshëm pema e Krishtlindjeve
Rrëketë e ujit lagin të vdekurit
Prandaj kuisin uqërit nëpër pyje
Zemërohen ortekët në rrugën e tyre
Vetvaren lypsarët në gardhin e kishës
Rrëketë e ujit lagin të vdekurit
Prandaj përgjaken uniformat e ushtarëve
lulëzojnë gjithandej sfilatat e veshjeve
Përcillet ngado një heshtje zhurmuese
Rrëketë e ujit lagin të vdekurit
Shiu bie butësisht mbi trupat tanë.
Do të vish, e dashur, do të vish.


LUMI PA BRIGJE

Dëbora sivjet vonoi.
U lodhën fëmijët së prituri në oborr
U lodh zemra ime së prituri në gjoks
Dridhej, sëmbonte, lëngonte.E gjora.

Ja më në fund, filloi
Flutura të bardha binin si pudër
Në profilet e hirta të maleve
Në sallatën jeshile, mbi bukën e gjellën
Servirur në bujtinën e varfër.

Pak trimëri
Pak mirësjellje
Pak aspirinë. Pak melankoli
O miq. Vonoi tej mase
Rënia e dëborës sivjet
Dhe ju gjeti juve anës xhadeve
Në shtylla elektriku-izolatorë të ndershëm
Më gjeti mua pa zemrën time
Kur po prisja me gërshërë
Thonjtë e ariut fotograf.


AI DHE AJO

Me mëkataren anonime për dore
Për çudinë time sidomos
Gjetëm plot hije të freskëta
Stola druri të stolisur
Shatërvanë të qarkuar
Me dafina, mimoza, zambakë.

Me mëkataren e panjohur përkrah
Për çudinë e saj sidomos
Gjetëm mjaft mjete udhëtimi
Anije, trena, karroca.

Për çudinë tonë të përbashkët-atje tej
Një djalë i hollë, i trishtë e i gjatë
Pjek në furrë çupëza prej balte të zgjedhur


KËNGË E HARRUAR

Kujton se është një fshat piktoresk
Atje ku korrin bar, ku mbjellin pemë frutore
Atje ku qajnë me zë për të vdekurit e tyre
Atje ku i këndohet me hare dashurisë.

Dyshoj se ka ironi
Midis pikave të të njëjtit ujë
Midis kanatave të së njëjtës derë
Midis syve të të njëjtit njeri.

(1990-1991)

Exit mobile version