Kreu Letërsi Bibliotekë Poezi nga Shqiptar Oseku

Poezi nga Shqiptar Oseku

NJË STINË E PANJOHUR

Krujë
gojëdhënë e ngurtësuar

katër stinët të lanë
vdekur përdhe

e ti hesht mendueshëm
rrënojë e vjetër kryeneçe

e pret të zbardhë një stinë e pestë
e panjohur

RRËFIM MBI KRYQËZUESIN E SHPIRTIT

(studentëve guximtarë të Shqipërisë)

mbi muzgun kalëruar kaloi vitet
kukudh i dalë nga pellgje zie
në birterri i lindur në terr jetoi
(agun e ndaloi me dekret të partisë)
ku shkeli ai u dergj toka
netëve rrëmbente tinëzisht orët-nuse
të mbetura sogje mbi fatet e vendit
i rrethonte në togje me telaferra
zërin e tyre në kujë e kthente
derisa i këndonin veç emrit të tij
nga kështjella e lartë e bronztë sundonte syçelë
gjersa vdiq

pas tij
gajtanët e jetës mbi tokë u këputën
dy shqipe lëshuan klithma ngashënjimi
(dridhma u ndie gjer te Kau i Zi)
zhgurëzuan plëngje e krushq e dasmorë
përmendoret bashkë me mite i thërrmoi gdhirja
dhe me kujdes vendosi nga një kokërr urti
ndër libra historie

KËRCËNIM

dikush do të më paguajë shtrenjtë
gjithë turpet e fajet e mia

dhembjen
ndrydhjen

jetën time
dikush do ta paguajë
Arratisja

thonë se njeriu nuk zgjedh arratinë
se ajo zgjedh njeriun

por unë protestoj:
kishim një relacion të ndërsjelltë

kishte diku një fije zgjedhje
midis Jetës e Vdekjes

dhe unë zgjodha vetë:
më lëndon nëse e harron këtë

ALARM

shikoj shpesh jetën time
me panik

vetja ime

avion që bie
drejt meje

FAJI I TË MBIJETUARIT

Është e çuditshme kjo.
S’pres dot një festë, a një gëzim,
pa më shkuar mendja tek ata që ranë.
Pse unë jam, e ata jo?

NDARJA

mëma e përcolli gjer te porta
plaku e kish marrë në grykë brenda
(paj s’e ndjek burri çunin gjer jashtë)
kurse nga dritarja e katit të dytë
ia bënin me dorë motrat:
-vëlla, kthehu prapë!
(Zahir Pajazitit, dëshmor 1997)

ANKTH

duhet duhet duhet
të marr
frymë
të marr
frymë
ikën edhe kjo
bëhet mirë
bëhet mirë
bëhet mirë

MAJ

si t’i them një dyvjeçareje të sëmurë se
mamaja nuk do të vijë

qysh t’ia ftilloj realitetet e jetës
punën, faturat, rrogën, qiranë, strehën mbi kokë
dashurinë e thyer
divorcin

Aria e vogël qan me tinguj të hollë
si këlysh i rrahur

jashtë shkërryhet maji në ngjyra të sëmura

FUGË

Të vdekur, ju thërras.
Zdirgjuni partenoneve hije, lini kolonadat.
Shikoni: fishekzjarrë, banderola, fushqeta
që fëmijët flakin ndër këmbët e mëtonjësve.
Flamur. Nuk i njihni: e thirren në ju.
Bukuria e tyre plak gjithçka. Edhe vdekjen tuaj.

Të vdekur, shikoni.
Larminë e ndërtuar padhembshëm mbi humbjen tuaj.
Frena fishkëllues. Autobusë me vonesë
kronike. Thirrje të shitësve, patriarkë e matron
tek endin robët e shtëpisë. Tufa të korbave
endin namë të ligë mbi ta. Edhe mbi vdekjen tuaj.

Të vdekur, dëgjoni.
Dikush mundohet të bëjë muzikë me kitarë,
me lahutë, me lugë të drunjta. Tjerët duartrokasin.
Disa ndreqin shtëpinë tërë ditën me tulla e gjak.
Tjerë ua prishin natën. Nën gurët e shesheve harresa
rrjedh lehtë, si gjak i të rinjve. Edhe vdekja juaj.

Të vdekur, ndijeni.
Dorën e një gruaje tek dhel fëmijën. Një fshatar
tek kundron me dorën strehë mbi sy retë sterrë.
Një mjek
tek thotë, Merr frymë thellë. Nxirre frymën.
Herën tjetër do rifilluar gjithçka nga lart poshtë
duke nisur nga retë. Edhe vdekjen tuaj.

PARALAJMËRIM

në ëndërr gjithçka është e mundur
ke mendjen
jeta është shpesh një ëndërr e ligë

VËZHGIM

ëndrrat: mund të ndërtosh jetë prej lëndës së tyre
njeriu: ai që ndërton jetë prej ëndrrash

STRATIOT

zemra si luftëtar i krisur
refuzon urdhrat për tërheqje

lufton me hije

Shqiptar Oseku, lindur në Gjakovë, por prej 30 vitesh jeton në Suedi, është vlerësuar zbulim në poezi përmes një tipi origjinal të vargut, herë si poezi sociale, metafizike, e herë si reportazhe pikëllimi… Deri tani ka botuar tri përmbledhje, por është autor e bashkautor i pesë antologjive poetike përkthyer nga shqipja në suedisht dhe anasjelltas. Është botuar në Kosovë, te “Koha Ditore”, si dhe në revistën e Institutit Albanologjik

Exit mobile version