Kreu Letërsi Bibliotekë Poezi nga Shazim Mehmeti

Poezi nga Shazim Mehmeti

Shazim-Mehmeti

PËRPËLITJE

Kaq shumë botë,
kaq shumë dritare
të hapura përreth meje,
kaq shumë dritë,
e prapëseprapë terr!

Përpëlitem,
përpëlitem, dridhem
si zog sapokokëprerë.

E gjithë kjo,
e gjithë kjo,
ngaqë ti nuk je,
ngaqë s’të kam afër,
ngaqë s’të kam ndër duar,
ngaqë s’mund të t’prek, të t’prek,
zemra ime…


DAULLE E ÇMENDUR

E shikoj qiellin e larë,
ia numëroj thinjat n’vetulla
të mplakurit, të molisurit diell,
e ndjek me sy
edhe trajektoren e qerres së engjëjve,
që vizatohet lart e lart
mbi shpinën e dritës,
edhe e pyes veten:
“Pse, akoma, je kaq fëmijë?,
pse, akoma, je kaq fëmijë?…”

“Ngaqë, akoma, m’ke,
ngaqë, akoma, m’ke…”,
si zog kërcyes m’përgjigjet zemra,
edhe m’rreh brenda krahërorit
si daulle e çmendur…


AGU ËSHTË LARG!…

(perëndim)

Jashtëheshtur, mpirë,
si ky liqe i ngrirë,
mëtoj të hesht edhe përbrendësh,
por dot s’më lë kjo zemër
që dhemb keq!

Dhemb, tek sheh e ndjen,
si vetëdorëzohet dita,
si një vashë e vdirë!
Zëndrydhur, flokëshprishur,
fustanin e bardhë heq!
Edhe prej vetes nis zhvishet,
e ia dorëzon mbrëmjes
dengjet e flokëve,
lëkurën e dëlirë,
trupin e mërdhirë!

Oh,
n’gabzherin e natës
i bie, i perëndon kësaj dite,
edhe ai sy i vogël drite!
E shoh, e shoh,
si përpëlitet, mbytet!

Mos më keq, o Zot!:
dita dorëzohet,
e festë ka gojë e natës!
I shndrisin dhëmbët
bishës së territ,
e fill zë mbufatja
në trurin tim!
Si yll fatkeq, nis m’fiket
edhe i vetmi mendim!

Se si del, lodron
edhe një lakuriq nate!
Si satelit bezdisës,
flatrat rreh,
e m’sillet rreth mendsh,
e m’bëhet varg:
Agu është larg!…
Agu është larg!…


BABA

N’dimrin e vet t’thellë
është Baba.
Baba, që vit për vit,
pranverash, lule mbillte.

Mbillte lule
edhe kujdesej për ta,
ditë për ditë.
U rrinte mbi krye,
u bëhej dritë.
I ujiste, u nanuriste,
u merrte erë.
U buzëqeshte
me zemër n’dorë.

Por, tashmë,
Baba ka nisur
t’u buzëqeshë yjeve.
Ngecur n’fundfillim,
Baba e ujit veten
me limfën e vetes,
dhe e mbaron, ngadalë,
Librin e Jetës.

Natë e gjatë e lodhjes,
natë e gjatë e territ,
varur i rri mbi krye;
Ai digjet,
shkrihet, zvogëlohet,
si një qiri i ndezur
që n’fund të vetes bie…

Po, po.
Digjet, Baba.
Digjet, shkrihet,
bëhet dritë…


PEZULLIMË

N’dritë dite pezull,
pezull n’dritë ëndrre.

Pezull
nga fillimi
n’fundfillim.

Epo, ky është njeriu:
një qenie e vogël
që vjen të përmbushë
një mision zogu;
një qenie e vogël
që fluturon
e mban mbi flatra
pezullinë e dritës,
pezullinë e ëndrrës…

Exit mobile version