Kreu Letërsi Bibliotekë Poezi nga Oriola Gjetaj

Poezi nga Oriola Gjetaj

E verdhë

Shaminë me lule në krye
e strajcen e lidhun në brez.
Marr më nji frymë
nadjen e lagsht gri.
Lulet lejla jane thá
e dheu në prekje asht i freskët;
i vjen era vjeshtë.
Kadalë e me ritëm
shkuli bimët
e dalin ne sipërfaqe
t’arta e t’shkëlqyeshme
prej gjumit veror
sy që hapen,
me përshndet qiellin,
me e prue thellesinë e tokës në siperfaqe.
Vijës drejtë deri në fund,
kthehesh,
rrotullohesh
e rrotullohesh,
merr shpejtesi,
hap gjethet
me sytë qi të levizin
më sheh,
e fluturon për nalt në qiellin e thellë blu.
Tjerat i marr me vete në shpi,
i qeroj, i punoj
e ha bukën shpirtnore.


Deri nesër

“Temperaturat nesër pritet të jenë më të lartat e këtyre ditëve, i nxehti afrikan-”
“Ule Radion!”
Në korridor ndigjohen hapa.
Nji moment,
me mbajt frymën.
Dyert mbyllen
e kthehena në ritualin tonë;
Radioja jep programin e vet
mbas mesnate,
e shoqnon lëvizjen e lapsave të tu,
përhere jashtë vijave,
vijat turbullohen.
‘Fshh’ – faqja e re e librit
rrënon kufijt,
kufijtë e mi rrënohen.
Era lëvizë perden tonë lejla,
nuk bjen erë deti
po erë rranjsh
mbështjellun në terrin e nëndheshëm
shenjon themelet,
u ngjitet ngjyrave e fjalëve.
Gjeli njofton agimin,
e të pashmangshmin kthim,
me vazhdue rrugën
drejt fundit të verës.


Dikur

Ti thue, në rregull
ta krijojmë hapësinën –
hapësinën e të qenunit të lirshëm,
me ti prekë flokt kur prekesh
me të përqafue, edhe gjatë
e mos me i lan krahët tona të përplasen tue ecë;
në panik gjej ngushtica me dalë
edhe pse ndër andrra
duert tona mbërthehen si rranjë pemësh
e aq asht krejt naltsia
e t’pasunit.
Kam frikë me t’prekë
due veç me të ndigjue –
prekja asht shkriftuese.


Pyll bredhash

Bredhat, kur marrin frymë
zgjanohen krejt pak
e tkurren krejt pak.
Dihatje e qetë
që ndigjohet veç kur e ven veshin në tokë,
në afërsi me myshkun
e çdo gja rrotull prân.
Bredhat, kanë mnyrat e veta
të jetuemit,
kadalë
pa shpejtësi.
I mbulon petku i lmashkët
e marrin formën e papërkryeme;
lshojnë degë e gjeth’,
boçe.
Bredhat, edhe prej fundit t’trungut
lshojne si
krande –
hoje të reja jeshile t’buta,
pa ngutje a plan.
U falen zogjve
qi bajne fole ndër to,
e shiut të im’t kur bjen mbi shtratin e myshkut të butë,
ua hap degëzimet e mushknive thellë në tokë;
e çdo gja tjetër mban frymën.
Bredhat, m’a kanë ba gati shtratin
që un e gjej tue u end pa frikë.
Më përkëdhel gjumi
e andrroj se jam ba nji me myshkun;
e msoj edhe unë
si marrin frymë bredhat,
pa dëshrue asgja.


Mbrenda nji shpije asht ndezë hana

Në muzg pranvere,
moçalet gumëzhojnë prej klithmave trumcakësh qi kanë ardh heret,
bashkë me to kakarisin pata e rika.
Larg, shumë larg, ndigjohet zhurma e vokët e autostradës.
Kajherë melodia e trenit i shton piktoresken bojë
fluturimeve të zogjve
mes skelave të ndryshkuna,
mes fushash,
mbi hijet e buta të buzëmbramjes.
I hapi fort sytë
i përpëlis shpejt sytë
Mendoj –
A thue kam me e kujtue këtë moment si n’andërr ndojherë?
Kur të jem tue u sjellë me fjetë,
Ose në momentet e fundit
Si nji kujtim i të qenunit në të.
Vjen errësina
E lindja kërcënueshëm bjen acarin blu.
Dritë nuk ka
Po mbrenda nji shpije asht ndezë hana.


Mrija

I shtrij krahët
Aq sa e preku tavanin.
Nuk e kam pasë kurr’ atë frikë,
veçse shumë të tjera.
Nji plakë ndez dritën,
Hjekë çka i randon
e futet në petka.
Nisë me u luejt filmi i preferuem.
N’errësinën e epërme me pyet:
‘A bane kryq?’


Susto

Ishte perëndim atëherë
zgjas kambët me kapë parvazin
e çdo rrezë len shenj në ftyrën teme
në flokët e mi.
Ngjyrat bahen të mijat.
Ka muzikë posi
ushton me nji ritëm pa nda
e vijnë fjalë vajtuese
veçse askush nuk ka vdekë.
Nji- dy- tre-
ndigjohen kumonët
qi lajmërojnë orën e mbramjes.
Me terrin,
dikush troket në derë
‘A asht kush ktu
qi i ka kambët e zbathuna?’
Prâj muzikën e pres në heshtje
shpirti tërhjekë kundrat e veta e largohet.

Exit mobile version