Kreu Letërsi Bibliotekë Poezi nga Bardhyl Londo

Poezi nga Bardhyl Londo

Bardhyl Londo

MËNGJESI NË KUKËS

Ditën që u vendos në Kukës busti i martirit Havzi Nela

Mëngjesi vjen në Kukës
Me një diell që nuk di ç’të bëjë:
Të qeshë apo të qajë.

Mëngjesi vjen në Kukës
Me një Drin epik
që ende s’e di është i bardhë apo i zi.

Mëngjesi vjen në Kukës
Dhe kurrë s’e mori vesh
përse është më i pikëlluar se Pikëllima.

Mëngjesi vjen në Kukës
Dhe qyteti kurrë nuk e kuptoi
Është qytet i vjetër apo qytet i ri.

Mëngjesi vjen në Kukës
me dy lumenj që lidhen si një nyjë
dhe kurrë s’e morën vesh
a janë një fjongo delikate në kokën e një vajze
apo janë një fjongo e zezë për një kurorë funerali.

Mëngjesi vjen në Kukës
mes Gjallicës, Pikëllimës dhe Kortnikut si në një trekëndësh gjigant
lëkundet trupi i varur i Havzi Nelës.

Kokën në qiell, këmbët në tokë
dhe askush s’e di
kujt i flet më shumë, qiellit apo tokës.

Dielli lind në Kukës me fytyrën e Havzi Nelës,
trupi i tij varur në trekëndëshin e tri maleve,
kurmi i tij shtrënguar në nyjën e dy lumenjve,
një lajmës i përjetshëm midis qiellit dhe tokës.

Herë i jep tokës sinjale me këmbë,
herë mesazhe i kumton qiellit me dy duart e ngritura lart.

Mëngjesi vjen në Kukës me Havzi Nelën
ndërmjetës midis qiellit dhe tokës.

Qershor, 2018

PASIONI

Nata jeton me pasionin e agimit,
e sotmja ëndërron të nesërmen.
Vetë hapi i njeriut mbi tokën time –
trajektore e pasioneve të ndershme.
Nga pasione të bukura, njerëzore,
lindin, vdesin, rilindin miliona dashuri.

Do të vdes nga pasioni për të qenë njeri.

1988

NOSTALGJI

E mora në duar kokën tënde,
prushi i gjakut pëllëmbët m’i dogji.
Në sytë e tu si në një ëndërr rashë
dhe më s’u zgjova.

Në sytë e bukur si loti.

Me gishtat e dridhur të dashurisë
emrin tënd shkërmoqa germë për germë.
Të thirra e dashur,
Të thirra motër,
Të thirra nënë.

Ti hesht, e bukur, e tejdukshme,
natyrshëm siç mbin bari.
Oh, hapi ata sytë e zes,
hapi, të vijë
behari.

Hapi ata sy
më përrallorë se fantazia e Zhyl Vernit,
dy lëndina ku rritet lirizmi.
Në retinën e tyre si në ekranin më të ndershëm
Veten më mirë kuptova,
ty,
njerëzimin.

Je tepër e lashtë për të të thirrur Evë,
je tepër e bukur për të të thënë Zhuljetë.
Sa kohë kemi që duhemi? Dy mijë, tri mijë vjet?
Me ty e kam lindur Prometeun,
me ty shekullin e njëzetë.

Po ty
të zuri gjumi?
Shtrihu.
Ti më mësove të vërtetën e madhe:
DASHURIA ËSHTË NJË MONUMENT
MBROHET NGA NJERIU!
1988

ATDHEU ËSHTË DHIMBJE

Atdheu s’është sa sedilja e makinës tënde,
sa karrigia e zyrës,
sa dhoma komode.
A më dëgjon?!

Ti që me flamur të ri u gdhive në mëngjes,
për ta ndryshuar ndoshta
prapë në mbrëmje.

Atdheu s’është lojë kalamajsh.
Atdheu është dhimbje.

O Zot,
Dhimbje!

Exit mobile version