Kreu Letërsi Bibliotekë “Po mundohem, Cherry”, tregim nga Ballsor Hoxha

“Po mundohem, Cherry”, tregim nga Ballsor Hoxha

… disa ditë pas

Supa me limon dhe oriz e mish pule (si e quaje ti në origjinal, nuk guxoj ta mbajë në mend!), sigurisht që është harxhuar tanimë, ishte e shijshme varësuese, sikur ditët e para të njohjes. Gatimet tua të lëna për mua pas largimit tënd, po ashtu, të gjitha.

Por, kam një problem tjetër, po shpenzohen edhe mentat, bonbonet dhe çokollatat. Dje bile vajza piu dhe colan e fundit të qershisë që e kishe blerë ti me duart e tua, gishta dhe lëkurën e nxirë nga plazhi, dhe lëkurën e errtë si meksikane, që disi për mua shpërfaqë shpirtin tënd të butë, të bukur, të mirë.

Por, kam frikë të hyj prapë në tualet. Prej se ke shkuar, tërë kohën po i shfrytëzoj shërbimet e kafeve të lagjes për tualet. E din si, ajo aroma jote, që e mbaje në trup brenda banesës, megjithëse e rëndë për tërë trandjen që shkaktoi në mua njohja jonë, ishte ngjitur në të gjitha pllakat, dhe edhe në brazdat dhe hapësirat e tualetit. Më shërbente si njëlloj lëkure strehuese, dhe sikur formohej në njëlloj trupi strehues. Kisha frikë, kur u largove. Kisha edhe marramendje, e din ti më, Cherry.

Por, kisha frikë edhe se do të takoheshim prapë, se do të mësohem me ty, se do të depërtojë, kjo aromë, cilado aromë derisa vjen nga ti, nga trupi yt. Se do të derpëtojë aq thellë sa do të më bëhet strehë. Ti e din, Cherry, sa i frikësohem strehëve dhe ‘sanctuary’-ve, dhe asaj që i themi dashuri e është vetëm, vetëm ‘san-ctuary’.

Ti e din, Cherry, po mundohem, por edhe po dëgjoj muzikë të rrezikshme, dhe më ke lënë disa foto tejet tejet të rrezikshme. Foto, si perëndime të diellit në Badovc, liqen, kujtime si ti në gjumë gjatë agimit në banesën time, dhe kujtime si dahu yt. Por, po mundohem. Dhe tualetin, më duhet ta pastroj një ditë edhe ashtu. Cherry.

… një javë më pas

“Çfarë po thua” zakonisht pyet në telefon, tash, pasi që “është thyer gurra dhe kanë vërshuar tërë hijet e san-ctuary që kam pasur deri para se të njihja ty, Cherry”. Ke qenë paranoike, dhe je bërë edhe më shumë, tash pas meje, pas njohjes sonë. Por me paranoike, ti e din, unë them egoiste, që do të thotë, më ruan, më kapë shtrëngueshëm dhe ke frikë se do të të iki, gjatë këtyre telefonatave, telefonatat janë e tëra që kemi.

Në të vërtetë, është situatë për film të Woody Allen, dhe jemi të “humbur në përkthim” mes kosovarishtes dhe shqipes tënde të Shqipërisë. Unë ikë nga ti dhe zhytem edhe më thellë në san-ctuary duke gjetur kujtime të aromave tua, në shpirtin tënd që e ke lënë këtu, në banesën time. Dhe ti, në këtë me tërë egoizmin, me tërë paranojën e gruas shqiptare, që do të thotë me tërë këtë “çfarë po thua”, hyn dhe më thellë në mua, shpirtërisht, dhe më beso për çdo moment më shumë.

Është, them në vete strehuar nën kujtimet e aromave tua, është e vështirë, të njohësh diçka që të ka munguar tërë jetën, ty. Jo, jo, por edhe mua, edhe të dyve. Apo ndoshta problemi është se më nuk na mungon kjo tash. Dhe pikërisht për këtë është tepër e bukur për t’u besuar, dhe ndoshta është vetëm fillimi. Çka po them? Asgjë. Po e bartë peshën e aromës tënde, Cherry, dhe nganjëherë po përhumben në të.

E ti e din, kam frikë nga këto gjëra kaq të thella, si ngjyra e qershisë, pak para se të bjerë në tokë nga druri i saj. Nga ngjyra e saj e errtë e kuqe. Nga aroma e lëkurës tënde, nga e errëta e lëkurës tënde, që shfaqë shpirtin tënd, pafund, e që të bën edhe më depërtuese.

Ti thua “çfarë thua”; unë them “çka thash, athua” dhe pastaj vazhdon biseda, dhe të gjitha bisedat kështu, çmenduri e ëmbël e errtë dhe e rrezikshme si qershia gati se e rënë në tokë.

Mbrëmë të kanë sulmuar qentë e rrugës, ty bashkë me Ajën, qenueshen tënde, më tregoje se si të kishte mbrojtur Aja nga qentë e rrugës, dhe në tërë këtë, pastaj kam parë ëndërr se si po e pastroja qenushen tënde. Jo nga plaga, por se si kisha marrë përsipër ta pastroja deri në palcë. Nukjam i sigurtë, por ishte sikur kisha ankth të hiqja diçka, ta fshija. Nuk jam i sigurtë, ndoshta e tërë nata më ka kaluar duke e pastruar qenushen tënde. Kur u ngrita më vinte era shampon. Por dhe mu kujtua ajo qepja e një plage të thellë, të rëndë, të rrezikshme që mbanë në trup. Ajo tatuja, nga dashuria jote, për gruan brenda teje.

Pastaj e vizatova këtë tatu tënden me hirin e cigareve mbi tavolinë, duke pirë esspresson e parë, dhe se si ajo merrte frymë (sigurisht nga frymëmarrja ime) dhe herë fryhej dhe herë lëshohej, dhe në këtë, asoconin, shpreheshin dhe përkapeshin pafund vizione. E din çka shihja, përbrenda tatusë tënde, të thellë, të rëndë, të rrezikshme: tërë fushat e Shqipërisë, barin e rritur të verës duke u luhatur, duke e bartur fryma , si një paqe, e gjakuar, e për-gjakuar. Doja të bëhej paqë, dhe mirëqenie në tërë Shqipërinë aty, atë moment, këtë mëngjes, për të qenë ti e qetë. Apo, ndoshta, edhe që të dukej tatuja jote, shenja jote e dashurisë tënde ndaj gruas që je. Që ishe. Ashtu që tatuja jote të dukej, sikur një lindje, dhe ankth e dhembje lindjeje, të një gruaje, të gruas, të shqiptares, jo për çmenduritë që përmbamë ajo, por për pasqyrim tëndin, të lindjes, të shenjës, të përpjekjes, të kthimit, gjithëherë kthimit, por, ajme, prej fillimit. (E sheh, Cherry, po mësoj shpejtë shqipen si e Shqipërisë, sapo shkrova – ajme – etj.!).

… dy javë më pas

Jam përhumbur në aromat e tua të trupit, por të munguara.

Se si, mendoj, më pëlqen të jem në dashuri me ty, dhe të pyes, brenda këtyre aromave, a do të duash edhe ti të jesh në dashuri me mua.

(“… Cherry, i like to love you

Will you love me too?…)

Kjo është për shkak se ndonjëherë aromat e tua humbin diku thellë brenda meje dhe mbetem me realitetin e derealizuar, të Prishtinës.

Më ke thënë se do të vish prapë, këto ditë, sikur në takimin e parë, pas vetëm dy dite që njiheshim në video i ke hipur makinës dhe ke ardhur në Prishtinë për herë të parë. Dhe e di se do të ndodhë, e di se do të vishë. Dhe e di se je më e vërtetë se zjarri, por kam frikë, nga ti, dhe kjo për mua është tepër bukur të jetë e vërtetë. Cherry, nuk jam mësuar me këso gjëra, me këso guxime të dashurisë.

Por, Cherry, po mundohem.

Po mundohem, dhe aq më shumë ti po harron të thuah “çfarë po thua”, ti po më kupton në të vërtetë. Ti ke ndryshuar Cherry. Je edhe e qetë tanimë. Je edhe e dashur, dhe e njohur në jetën time. Sikur një ndraje po ndodhë, sikur jeta po merr dy ekstreme, atë para teje dhe atë me ty. Kjo është e tmerrshme, kjo është e frikshme, Cherry.

Por, po mundohem, përhumbur thellë diku në aromat e tua. Ende nuk kam hyrë në tualet, e është java e dytë që ke shkuar, apo edhe dy ditë derisa të vishë. Megjithëse kam ruajtur letrat e bonboneve, dhe të çokollatave. I kam shtrirë në tavolinë time dhe po merrem me to, tërë këtë kohë, dhe tërë këtë prëhumbje timen. Nuk kanë të bëjnë asgjë me ty, por çdo gjë e tyre, ngjyra, aroma, shija dhe dizajni i tyre janë sikur njëlloj Parnasi im, ku humbem dhe përhumbem, dhe të kujtoj. Të kujtoj, dhe mendoj, çfarë gjëra të rrezikshme janë këto, Cherry.

Ti po vjen grua. Në Prishtinë, nga Tirana. Dhe sapo kam parë në ëndërr se Aja, qenushja jote po vjen me ty, dhe se si krejt më duket se më njeh Aja. Më njeh dhe ti, dhe më pranon, e kupton.

Dhe se si, në këtë përhumbje jam shndërruar në muzikë, as nuk marrë frymë, as nuk lëvizë dhe as nuk e shoh veten, e tëra është muzikë, ajo e cila e dëgjonim bashkë. Dhe e tëra është mungesë. Dhe ti po vozitë. Po vozitë, bashkë me Ajën,

Krejt çka po dëgjohet nga kjo është diçka sikur kënga “Cherry” e J. J. Cale

Cherry, I’d like to love you

Cherry, will you love me too

Someday I will take you away,

That’s all I want to do

I’ll love you forever, Cherry

Will you love me too

Sweet as a morning sunrise

Fresh as a mountain dew

Someday I will love you

Cherry, will you love me too

I need you forever, Cherry

Will you need me too

I’ll love you forever Cherry,

Will you love me too

Cherry, will you love me too

 dhe, dhe kur të arrish te dera e banesës, të lutem mos i bjerë ziles, hape dhe hyn brenda, kam frikë të zogjohem.

Exit mobile version