TË DIELAT E DIMRIT
Pa ty ngricake janë
Të dielat e dimrit
Me lotë harabelash mbi xhama
Vijnë dhe ikin.
Mbllaçis një re,
Një re më mbllaçit
Si këmishë e harruar hëna
Në ballkon u ngjit.
Xhami i thyer
Era kuit lartë,
Imazhi yt vetëtimthi
Më torturon si mëkat.
Të dielat vdesin
Me lot harabelash
Cijasin vetëtimat
Kanë marrë flak telat.
Si gjarpërinj telat
Shurdhmemece mbesin,
Si ta shkrij dëborën
Të dielat të qeshin?
ÇAST…
Trak-truk hapat mbi kalldrëme
shkel mbi eshtrat e gurit,
eci mbi qepalla hëne.
U poq vishnja që kam në oborr
Premtim puthjesh buzë e ngrenë.
Eci nën një qiell të argjendtë
era e mbrëmjes
si një flaut që fryn ëndrra
këngëzon emrin tënd.
MË LËNDON GËZIMI YT
Më lëndon gëzimi yt,
si gotë që qesh me buzë të çara
teksa bie kambanorja e dhimbjes.
Sytë e tu, dyer pa mure.
I hap dhe bie në venat e errëta
të një kohe pa gjak,
ku orët kullosin hije mashtruese.
Qesh. Dhe e qeshura jote
shtyn retë nga kafka ime.
Gëzimi yt vesh dorashka drite
dhe zgjon bishat e fjetura
nën pelerinën eshtrore të natës.
Përkulem të shoh kush jam
dhe gjej një zog të gozhduar
në retinën e syve të tu.
Ti ikën si fllad. Unë mbetem
duke mbledhur qirinj të shuar
nga shandani i trishtimit.
Sepse gëzimi yt
vrapon zbathur mbi nervat e tokës
dhe humbet befas
në greminën e dëshpërimit.
NË AKROKORINTH
Ngjitesha në kështjellën e Korinthit.
Në njërin sup më rëndonte dielli,
në tjetrin hëna linte pluhurin e saj të argjendtë.
Muret e lashta zbardhnin si lavdia.
Mes gurëve të plasaritur
Hyjnesha Athina kishte gdhëndur një copë mendimi,
Afërdita një shishe parfumi deti.
Ngjitesha. Pas meje ngjitej Gjiri i Korinthit,
me një det të thellë si kujtesa,
i kaltër si një ëndërr që s’gjen port.
Kolonat dorike mbanin ende peshën e shekujve,
si punëtorë të heshtur nën qiellin e historisë.
Këtu kishin kaluar ushtri,
tregtarë, skllevër, perandorë,
dhe dashnorë që besonin
se puthja i mbijetonte kohës.
Preka mermerin. Ishte i rrudhur, i plasaritur
si balli i një njeriu të gjallë.
Atëherë e kuptova:
hyjnesha Athina nuk banon më në tempuj,
por në mendimin që i reziston territ.
Afërdita nuk fle në statuja,
por në etjen njerëzore
për të dashur e për t’u dashur.
Dhe një puhizë nga deti, e vjetër sa mitet,
më ledhatoi ballin
me frymën e përjetshme antike.
Në Akrokorinth
deti më përkundte mes dy hyjneshave.
ÇFARË NDODHI?
Nuk e di ç’u bë kopshti
me zambakët e hënës të rënë nga gjinjtë e saj.
Në mëngjes mbeti veç
një iluzion pranvere
në syrin e turbullt të ujit.
Një korb shqyente barkun e ditës,
një violinë gërvishte sedefin e premtimit.
Vishnja derdhte gjakun mbi velin e mbrëmjes,
bajamja e hidhur pikonte
helm në grykën e këngës.
Çfarë ndodhi me ne?
Era shkelte sytë e gjelbër të shpresës
aty ku silueta jote
ravijëzohej prej jasemini.
Dhe befas duart më mbetën bosh,
dy cungje nën një abazhur të fikur.
Flutura lidhi kordhelën e saj
mbi floknajën e pemëve,
kopshti u ndez dhe u shua si puthja
dhe vdekja e ditës e mori mbi ballë.
Unë mbeta statujë pranë dordolecit
në shkretëtirën e verdhë të pikëllimit.
STATUJA E LIRISË
Ha përnatë
nga një Çe Guevarë prej zjarri.
Pastaj ulet në Kongres
mes senatorëve prej dylli
dhe ndez purot me flakën e armëve
që qëllojnë mbi mishin e gjallë
besën e pabesisë.
Pas një pauze ngrihet e qetë
me pishtarin mbushur
me hije të djegura
dhe niset të bekojë tragjeditë
që mbjell si trëndafila të zinj
në brigje të tjera.
TË TAKOVA NË NJË ËNDËRR…
Të takova në një ëndërr.
Qielli kishte harruar të mbyllte sytë
dhe yjet kullonin argjend mbi supet e natës.
Të humba në një monopat
që lëvizte si gjarpër nën këmbët e mia.
Ndoshta në një kufi të verbër
ku rojet nuk ruajnë njerëz, por ëndrra,
dikush e qëlloi me plumb hijen tënde
dhe na vrau hijen
shallin e dashurisë e rrëbeu era.
Kam lundruar aq dete,
sa kripa ka hedhur rrënjë në gjak.
Jam kacafytur me demonë
që mbanin fytyrën time
dhe qeshnin me zërin tënd.
Më rrëmbyen furtuna, më përtypën vorbullat,
më hodhën nga një breg në tjetrin si një guaskë
që kërkon detin dhe muzikën e vet.
Tani, në këtë breg të panjohur
ku më nxori dallga, ti më buzëqesh
me dy sy të fikur,
si kandila që kanë harruar flakën.
Prit edhe pak. Mos vdis. Ti je ylli im.
Kam ardhur me xhepat plot agime
dhe me frymën e fundit të pranverës
që të shtroj rrugët ku kalon.
Prit, të ta pulsoj zemrën me një puthje.
Prit, të ta fryj shpirtin
si Zoti baltën ditën e parë të botës.
Të takova. Të humba. Të gjeta.
Dhe prapë kam frikë se mos zgjohet ëndrra
dhe të merr me vete.
Prit. Mos më braktis.
Në çdo braktisje humb ekuilibrin bota.
Mos më lër vetëm në skëterrën e kësaj dite
që ha njerëz dhe përtyp kujtime.
Rri edhe pak. Ti je e vetmja urë
që më lidh zemrën
me anën erotike të universit.
Ti je lumturia ime. Dhe nëse duhet të vdes,
le të vdes brenda ëndrrës
ku të takova për herë të parë.
SHI I ARTË, MË HIDH
NJË YLBER
Shi i artë, më hidh një ylber
Të mbahem nga sytë e saj
E të buzëqeshë qielli im adoleshent.
U përkul molla të të përqafojë
Dhe uji trëndafiloi ëndrrën.
Më hidh ca fije pesëngjyrëshe,
Një lumnajë shprese
Një floknajë drite,
Të kapërcej terrin
E të ndez një llambadar yjesh
Në qiellin e dhomës së saj.
Me çelësin e cilit dëshpërim
Ta hap këtë derë kokëfortë,
T’ia shqyej natës
Kominezonin e mëndafshtë të ëndrrës?
Lotët e trëndafilit
Purpuruan faqen e mëngjesit.
U zgjova pëllumb në dritaren tënde.
Qiell, merr lotët e mi,
Laji hënëzat e tua dhe fali asaj një,
Të ndriçojë herbariumin e kujtesës.
E të nanuriset mbrëmja
Në karuselin e përqafimit.
BARET VERORE
Dikur nxitonim drejt bareve verore
me xhepat plot mungesa
dhe zemrat me monedha të padukshme.
Një birrë e papirë
na dehte më shumë se nata,
një vallëzim me një trompon të vetëm
na mbante pezull mbi trotuare.
Buzëqeshja e një vajze ishte një zog sureal
që ulej për një çast në supet tona
dhe ikte,
duke na lënë flatra në vend të duarve.
Sot baret janë po aty,
por tavolinat pinë vetminë e njerëzve,
ndërsa vera harron
të marrë zjarr nga gotat tona.
Dhe ne endemi ngadalë,
si hije që kërkojnë ende
vajzat që na buzqeshën dikur
dhe kamarierin e rinisë.
SOFIA DHE DETI
Sofia, mbesa ime nëntë vjeç,
luan me detin…
apo është deti që ka zgjedhur
të luajë me Sofinë?
Valët zgjasin duar
dhe e duartrokasin sa herë qesh,
ndërsa shkëmbinjtë hapin xhepat e gurtë
për t’i falur guacka që mbajnë brenda
zërin e hënës.
Ajo zhytet dhe uji, për një çast,
mbledh një palet ngjyrash
krijon ylbere.
Noton, bëhet gorgonë,
me flokët si alga që ëndërrojnë erën,
dhe peshqit admirojnë notin e saj
si nxënës të vegjël të kaltërsisë.
Dielli zbret nga qielli me duar rrezesh,
i shtrydh flokët, i përkëdhel ballin,
ndërsa deti qesh me shkumë
sikur të kishte gjetur më në fund
lodrën e tij të humbur.
PRITJE
Të kam menduar gjithmonë,
të shfaqesh si mirazhi i një ishulli
që duket e zhduket mes dallgëve
se ta kërkonte zemra.
Ah, sa të kam pritur,
me orët të varura si lakuriqë nate
në tavanin e heshtjes.
Kapesha nga hallka e pasigurisë
megjithëse, nuk ëndërroja asgjë prej teje.
As dritë, as fjalë, as premtime.
As puthje, as përqafime
Sa e çuditëshme! Mjaftonte të kaloje
si një nimfë e qeshur nëpër gjakun tim,
që mungesa të më shdrrohej në flatra.
DORIU I KUJTIMEVE
Jam kapur fort pas kujtimeve,
siç kapet nata
pas krahëve delikatë të një fluture.
Jam varur te ligjërimi i një zogu,
te pëllëmba e një gjethjeje
që më ledhaton ballin me vijat e fatit.
Pastaj shalova doriun e dikurshëm.
‒ Ku do të më çosh? e pyeta.
Ai tundi krifën e kuqe
si një pyll që digjet pa zjarr.
‒ Dikur të çoja te dashuria,
ku qielli na hidhte yje mbi supe.
Tani… Qielli përpara nesh
na kërcënon me gremina resh
dhe horizonti është veshur me mjegull.
TRISHTIMI KA DHËMBË.
Trishtimi ka dhëmbë
të kafshon ngadalë, dhe në plagë mbin
një kërcell i thatë që pret me etje
të mësojë ngjyrën e blerimit.
Por trungu
ka harruar gjuhën e pranverës.
Trishtimi ulet përballë teje,
me buzëqeshjen e një pasqyre të thyer,
ta shtrëngon zemrën
si një grusht me zaje lumi.
Pastaj të fal një palë syze dielli.
Dhe ti nuk e dallon nëse ka vdekur pema,
apo rrënjët kanë filluar
të ëndërrojnë një tokë tjetër.
VËSHTRIMI VJESHTOR
Vështrimi yt vjeshtor
troket në portën time.
Ia hap. Hyn në dhomë
me hapa gjethesh të zverdhura,
ulet në kolltukun e heshtjes
dhe ma merr pëllëmbën
si një kiromant që lexon
hartën e një lumi të tharë.
Rri gjatë pa folur.
Pastaj m’i lëshon gishtat.
‒Vijat e fatit të janë shuar, thotë.
‒Koha e ka braktisur dorën tënde.
Ngrihet. Më kthen krahët, dhe del.
Vetëm vjeshta
harroi pallton e saj
në varësen time.
LULËZUAN PANSETË
Lulëzuan pansetë në ballkon,
lule me ngjyra ylberore.
Në çastin që të njoha,
u bëra Tiresia*) i famshëm,
i verbër në verbërinë e kohës.
Një engjëll zbriti nga qielli.
Ma pastro dëgjimin, o hyjneshë Athina,
ta dëgjoj zërin e saj, simfoni zogjsh,
vajzë-thëllëzë, me krahë të ndritshëm pritjeje.
Atë mbrëmje shtrove çarçafët,
shtrove lulet e një pranverimi të ri;
shtrati zgjatej në valëzim erotik.
Brenda ferrit, solle aromë parajse.
Përballë pasqyrave ujore
valëvitje këmishën e pafajësisë,
dhe unë ndjeva aromën tënde, grua,
aromë dehjeje, hyjneshë e dritës.
Dashuri, qëndron pranë meje,
shëmbëlltyrë e Afërditës,
mes banjave dhe trëndafilave.
Hyjneshë e ëmbël, me buzëqeshje kafshon
mollën e zemrës.
Engjëll mbi tokë,
rreze dielli, më puthin butësisht
sytë gazullorë të mëngjesit.
Trëndafil i jetës,
ti i hap agimit qepallat e detit.
Uji vesh ngjyrën e syve të tu,
dhe bota zgjohet
si një zog në pëllëmbën e universit.
*) Tiresia – profeti i verbër i mitologjisë greke, të cilit, sipas mitit, iu dha dhuntia e parashikimit.
FLAKA E
TRËNDAFILISHTES
Sytë i kam të mbyllur, verbëri universale.
Një hije ecën pas shpinës sime,
dhe pas saj një hije më e errët
me kamë në dorë kafshon pa mëshirë.
Rri ulur në bordin e anijes dhe ëndërroj…
Një muzg magjik, një botë pa urrejtje,
që ta ngrejë diellin në fronin e mirësisë.
Mjaft më me iluzione!
Një zambak çel
mbi turirin e egër të dimrit.
Cili lumë do të rrjedhë
për të larë mëkatet tona?
Mëkatet e tua, o botë e çmendur,
T’i marrë larg nesh,
të na çlirojë nga prangat dhe paragjykimet.
Përfytyroj një botë…
Mos e kafsho mollën!
Mos iu dorëzo gjarpërit,
dëshirës së tundimit.
Bota nuk e fsheh më lakuriqësinë e saj
pas gjetheve të fikut.
Dje duartrokisja atë që sot e shkel me këmbë,
dhe nesër i ngre përmendore
atij që dikur neverisja.
Hapi sytë o njeri!
Do të doja të isha buzëqeshja
që të shoqëron çdo mëngjes në rrugë.
Jo buzëqeshjet e detyruara,
as fytyra prej maske.
Ndaluni, fotografë,
mos i shtrembëroni fytyrat,
mos falsifikoni mirësinë e zemrës.
Hapeni perden, të vërshojë drita!
Prometeu, Ujori i dritës, i theu zinxhirët,
përleshej me shkëmbin e zgabonjën
lotët iu shndërruan në shkëndija;
kështu lindi flaka
në pëllëmbët e njerëzve.
Dhe ti, që di vetëm të japësh,
ofron supin, që të qani së bashku.
Bota është e plagosur
nga gurët e pamëshirshëm.
E unë pres… shuplakat dashurore
atje ku rreh zemra e trëndafilishtes.
SAPFO-SË
Të njoha në breg të një ishulli.
Një dorë më ftonte nga dallga,
nuk e dija nëse ishte Qiprida,
apo puthja e Hënës
që kishte harruar buzët mbi ujë.
E megjithatë, ishe ti.
Më dhurove një guaskë;
kur e afrova te veshi,
nuk dëgjova detin, dëgjova dashurinë
tek shkruante me pulëbardha
mbi qepallat e erës.
Që atëherë, çdo natë zëri yt
kalon mes oleandrave,
mes ullinjve dhe portokalleve,
duke ndezur hënëza të vogla
mbi gjethet e argjenda.
Sa herë jap një puthje, universi hapet
si një shegë plot yje,
e unë humbas në përjetësi,
atje ku fjalët nxjerrin petla jasemini.
Motër shpirti i poezisë dhe i erosit,
ende ecën zbathur mbi ujë, dhe deti,
që të mos humbasë gjurmët e tua,
pëshpërit përmendësh emrin tënd.



