Kreu Letërsi Bibliotekë Peter Stamm vjen në Tiranë me dy romane “Agnesa” dhe “Shpërfillja e...

Peter Stamm vjen në Tiranë me dy romane “Agnesa” dhe “Shpërfillja e ëmbël e botës”

Përkthyer nga Anna Kove dhe botuar nga “Aleph”

Peter Stamm, autori më përfaqësues i letërsisë bashkëkohore të Zvicrës, mbajtës i çmimeve më të rëndësishme letrare të botës gjermanike dhe i nominuar për çmimet më të rëndësishme botërore, u lind në vitin 1963, studioi anglisht, psikologji dhe psikopatologji për disa semestra dhe punoi në profesione të ndryshme edhe në Paris e Nju Jork. Ai jeton në Zvicër si shkrimtar në profesion të lirë që nga viti 1990. Prej romanit të tij debutues “Agnesa” në vitin 1998, janë botuar edhe shtatë romane të tjerë, pesë përmbledhje me tregime, një vëllim dramash, shumë radiodramatizme. Në shqip promovohen për herë të parë dy romane të tij: “Agnesa” dhe “Shpërfillja e ëmbël e botës”, përkthyer nga Anna Kove dhe botuar nga “Aleph”.

“Agnesa” është pjesë e kolanës me 100 librat më të mirë të letërsisë gjermane të shekullit të shkuar. Ndërsa “Shpërfillja e ëmbël e botës” u shpall romani më i mirë i vitit 2018 në Zvicër.

Autori vjen në Tiranë për lexuesin shqiptar ditën e hënë, më 08 prill, ora 18:30, në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, ku ftohet të marrë pjesë çdokush i interesuar për të dëgjuar lexime nga romanet në shqip dhe për të bashkëbiseduar me vetë autorin.
Në datën 19.04. ora 11:00 do të jetë i ftuar nga Departamenti i Gjermanishtes, në Sallën Europa” të Fakultetit të Gjuhëve të huaja, dhe në 11.04. ora 11:00 në Bibliotekën Shkencore të Universitetit Luigj Gurakuqi, Shkodër.


Shpërfillja e ëmbël e botës

(Fragment)

1.

 Ajo vjen më viziton shpesh, shumicën e herëve natën. Qëndron në këmbë pranë shtratit, më vështron nga lart dhe më thotë: je plakur. S’ma ka me të keq; zëri i tingëllon i hareshëm, plot dashuri. Më ulet buzë shtratit. Por flokun, më thotë duke ma shpupuritur me dorë, e ke prush të dendur, si gjithmonë. Veç të është thinjur. Vetëm ti s’plakesh, i them. Nuk jam i sigurt, nëse kjo më trishton apo më lumturon. Nuk flasim kurrë shumë; e çfarë na ka ngelur më për t’u thënë. Koha fluturon. Vështrojmë njëri-tjetrin dhe buzëqeshim. Ajo vjen pothuajse çdo natë, ndonjëherë ende pa zbardhur dita. Kurrë s’ka qenë e përpiktë, por nuk e kam problem; sa më pak kohë më ka ngelur, aq më shumë kohë i jap vetes. Nuk bëj asgjë tjetër, veçse ta pres dhe, sa më vonë të vijë, aq më gjatë kam mundësi të lumturohem.

Sot më doli gjumi herët e u ngrita brof. Nuk doja ta prisja në shtrat. Vesha pantallonat e mira, xhaketën dhe këpucët e zeza e u ula në tryezën ndanë dritares. Krejt i gatshëm.

Ka ca ditë që bën ftohtë, mbi çati dhe lëndina ka rënë dëborë dhe nga oxhaqet e fshatit ngrihen shtëllunga të holla tymi. Nxora prej sirtarit kornizën e vogël me foton e Magdalenës, të cilën e kisha prerë shumë kohë më parë nga një gazetë, ku fytyra thuajse nuk i dallohej fare. Letra tashmë është zverdhur krejt, por është e vetmja foto që kam prej saj dhe, vështirë se kalon qoftë edhe një ditë, pa ia hedhur të paktën një vështrim. Lëmoj me gishta kornizën e hollë prej druri e më duket sikur prek atë: lëkurën e saj, flokun e saj, format e trupit të saj.

Kur hedh sytë sërish tej dritares, e shquaj Magdalenën përjashta. I del avull nga goja, më buzëqesh dhe ma bën me dorë. Buzët i lëvizin; e marr me mend se po më thërret. Eja! Përsërit ajo dukshëm, në mënyrë të tillë, që t’ia lexoj lehtë buzët. Le të bëjmë një shëtitje. Po vij, i përgjigjem duke thirrur, më prit! Tmerrohem nga gërvishtja e ngjirur e zërit tim, si të jem plak; një zë, që më është po aq i huaj, sa trupi i epuar ku jam zënë rob. Aq shpejt sa mundem, vesh pallton dhe shallin. Nxitoj teposhtë shkallëve dhe për pak sa s’thyej qafën mbi gurët e rrëgjuar të tyre. Sa dal nga shtëpia, Magdalena ndërkohë është larguar. E ndjek në drejtim të lumit kah ura e këmbësorëve, e cila të çon për karshi fshatit të fëmijërisë sime; arrij pranë pellgut ku ushqenim rosat kur ishim fëmijë; te vendi, ku dikur isha përplasur keq me biçikletë; aty ku takoheshim dhe ndiznim zjarr netëve kur ishim të rinj. Më duket sikur jam bërë pjesë e kësaj panorame, e cila nuk ka ndryshuar aspak me kalimin e kohës.

Magdalena pothuajse ka mbërritur tek ura. I hedh hapat aq lehtë, sa duket sikur pluskon mbi rrugicat e mbuluara me borë. Në nxitim e sipër kisha harruar bastunin dhe vërtitesha sa para mbrapa mes frikës se mos shkel mbi akull, se mos rrëzohem dhe më humb nga sytë Magdalena. Prit!, e thërras përsëri, nuk jam më aq i shpejtë sa dikur.

 Më shfaqen imazhet, se si ajo rendte në mal para meje, se si kërkonim në qytet udhët tona, se si ecnim krah për krah kryq e tërthor Stokholmit atë natë kur po i tregoja historinë time, kur po i tregoja historinë e saj; atë natë, kur më puthi.

Ajo kthehet drejt meje dhe më buzëqesh. Eja, pra, më thërret. Eja pranë meje!

2.

Magdalena duhet të jetë çuditur nga mesazhi im. Nuk i kisha dhënë as numrin e telefonit dhe as adresën, vetëm orën, vendin dhe emrin tim: Ju lutem, ejani nesër në orën katërmbëdhjetë te Skogskyrkogården[1]. Dua t’ju tregoj një histori. Po e prisja në dalje të stacionit të trenit. Në dy e një çerek ende s’kishte ardhur; mendova një çast se mund të kishte marrë taksi. Kjo vonesë nuk do të thoshte asgjë, ajo ishte gjithmonë e pa përpiktë; jo në mënyrë të vrazhdë, për t’i treguar pritësit se koha e tij ka më pak vlerë se e saja, por më tepër në formë shkujdesjeje, ashtu siç kishte jetuar gjatë gjithë jetës. Isha i sigurt se do të vinte, se kureshtja e saj ishte më e fortë se mosbesimi.

 Pesë minuta më vonë arriti treni i radhës; tek po mendoja se nuk ishte as në këtë tren, ajo u avit duke zbritur shkallët pupthi. Do të doja të më kishte vënë re menjëherë, por pa e parë mirë akoma, m’u mor fryma sërish si një ditë më parë kur i kisha zënë pritë te hoteli dhe ku, gjithsesi, nuk i fola asnjë fjalë. Të tridhjetat duhet t’i mbushte së shpejti; ishte njëzet vite më e re se unë, por dukej si vajzë e vogël dhe, kush na shihte së bashku, mendonte se ishim babë e bijë. E lashë të më kalonte pranë pa i folur dhe e ndoqa në drejtim të varrezave.

 Nuk ta jepte përshtypjen e dikujt që ka lënë takim. Ecte me hapa të shpejtë tatëpjetë, si ta kishte bërë me qindra herë atë rrugë. Mendova se do të më priste në hyrje të parkut, por ajo u fut brenda dhe, pa u stepur, ngjiti një kodrinë të vogël e u ndal pranë një rrethi pemësh të moçme. Rrëzë kodrinës ishte një kryq i stërmadh guri, për më tepër, parku seç kishte diçka si të pa-fe; trualli dhe natyra të linin më shumë mbresë nga godinat e shenjtëruara dhe nga gjithë simbolet e krishtere.

 Magdalena qe ulur mbi kodrinë, nën njërën prej pemëve gjethe-vyshkura, dhe po shihte drejt meje, sikur kishim bërë garë dhe ajo kishte dalë fitimtare. Iu afrova pa frymë dhe, megjithëse s’më kishte parë kurrë në jetë, u duk sikur e dinte në çast, se deri këtu e kisha sjellë unë.

Lena, tha ajo dhe më zgjati dorën. Kristof, i thashë unë, disi i turbulluar, dhe i zgjata dorën.

Jo Magdalena?

Askush nuk më quan kështu, tha ajo duke buzëqeshur. Vend i pazakontë për një takim.

Doja të kishim mundësi të flisnim pa u shqetësuar, i thashë.

 U ula pranë saj dhe vështruam teposhtë ndërtesave prej gurësh të zverdhur, të cilat duhet të ishin të viteve tridhjetë. Pranë një ndërtese në formë kubike shquhej një çati monumentale, mbështetur në kolona katër këndore; përpara saj, një pellg i madh, i ngrirë. Mbi fushat e valëzuara të peizazhit dukeshin disa njolla bore. Nga hyrja e varrezave u afruan njerëz me pallto të zeza; disa të vetëm, disa në çifte ose në grupe të vogla. Ndaluan përpara njërës prej ndërtesave; një grumbullim i hallakatur njerëzish, që nuk dukej se përshtateshin shumë me njëri-tjetrin.

Më pëlqejnë varrezat, tha Lena.

E di, i thashë.

Bën ftohtë, tha ajo. Po sikur të lëvizim pak? Zbritëm poshtë kodrës. Kortezhi ishte zhdukur ndërkohë nën çatinë e shtrirë të kapelës dhe sheshi u boshatis përsëri.

Pranë ndërtesës kishte një shandan me sahat. E çuditshme, tha Lena, duket si platformë treni. U afrua poshtë sahatit, pa lart drejt tij dhe kontrolloi kohën në orën e saj të dorës, si udhëtari që mezi pret t’i niset treni.

Stacioni i fundit, i thashë.

Më buzëqeshi, por vazhdoi ta luante rolin e saj, derisa unë kërcita disa herë lehtë duart, çka e bëri të kthehej si pa dëshirë. Vazhduam udhën në brendësi të parkut, rrëzë fushave gjeometrike të varrezave, në drejtim të një pylli të zhveshur pishash. Ecnim aq ngjitur njëri-tjetrit, saqë shpatullat nganjëherë na çukiteshin. Lena tani heshtte, por kjo nuk ishte heshtje e padurimtë; mund të vazhdonim ashtu pa folur akoma më gjatë, të preokupuar vetëm me mendimet tona. Si përfundim, tashmë kishim arritur mes pemëve të para. U ndala në vend dhe i thashë: Kam dëshirë të të tregoj historinë time. Nuk m’u përgjigj, por u kthye nga unë me një vështrim më shumë të devotshëm, sesa kureshtar.

Jam shkrimtar, i thashë, ose më mirë, isha shkrimtar. Kam botuar një libër të vetëm e që atëherë kanë kaluar pesëmbëdhjetë vjet.

Edhe i dashuri im është shkrimtar, më tha, ose pretendon të jetë.

E di, i thashë, ndaj dua të ta tregoj historinë time.

Ecëm ngadalë përgjatë shtegut me zall, i cili zgjatej në vijë të drejtë përmes pyllit dhe i tregova Lenës për atë takim të pazakontë para katërmbëdhjetë vitesh, i cili qe bërë shkak të hiqja dorë nga të shkruarit.

3.

Kisha filluar të punoja për romanin tim të parë prej kohës së studimeve. Konstrukte ambicioze plot truizma dhe lojëra letrare, të cilat askush nuk donte t’i lexonte, e aq më pak t’i publikonte. Këto përpjekje shumëvjeçare dhe dështime të pandërprera qenë në fund ato çka më ndihën drejt suksesit. Heroi i romanit, për të cilin mbas vitesh gjeta një botues, ishte po ashtu një autor i dëshpëruar, si puna ime. Libri tregonte një histori dashurie. Hamendësohej për një lloj portreti të së dashurës sime, por ndërkohë që po shkruhej, ne u ndamë e kështu u kthye në një rrëfim për ndarjen tonë dhe për pamundësinë e dashurisë. Për herë të parë gjatë të shkruarit ndjeva se po krijoja një botë të gjallë. Njëherësh u shkëputa gjithnjë e më tepër nga realiteti; e përditshmja m’u bë e mërzitshme dhe e cekët. E dashura më la, por, të jem i sinqertë, në kokën time kisha muaj që isha ndarë prej saj, isha harruar nëpër fantazi, në botën time artistike. Kur më tha se nuk mundej më, se i mungoja madje edhe kur isha përkrah saj, pata thjesht një ndjenjë mërzie dhe padurimi.

 Romani u prit mirë nga shitësit, nga lexuesit madje i ra në sy edhe kritikës. Ky debutim mbart në vetvete mundësi të pamata për të ardhmen, shkroi një kritike.

E në të vërtetë, pas shumë e shumë kohësh, për herë të parë pata besim tek e ardhmja. Prej vitesh jetoja me fitime të pakta dhe suksesi i romanit më solli të ardhura mbase jo të harlisura, por të mjaftueshme dhe, më e rëndësishmja, kisha në dorë më në fund një libër, që kurorëzonte mundin tim. Vitet e shkrimtarisë së pasuksesshme tani i takonin një kohe të shkuar, të cilën e kisha kaluar i burgosur në labirinte projektesh, të ushqyera nga ambicie të tepruara.

 Se sa kishte të bënte me mua historia e librit, nuk e pranova kurrë. Sa herë përballesha me atë pyetje mbas leximeve, përgjigjesha duke ngulmuar në dallimin midis tregimtarit dhe autorit.

 Shtëpia botuese organizonte lexime të panumërta dhe më shijonte arratisja nga shtëpia ime e boshatisur; të udhëtoja nëpër vend, të shihja qytete të panjohura dhe të isha i zënë vetëm për ca orë gjatë mbrëmjes. Ndaj hezitova veç një hop, kur më erdhi ftesa nga një librari e vogël në fshatin tim të lindjes. Librashitësi i vjetër më kishte dërguar një letër aq dashamirëse dhe mikluese, saqë pranova. Sa po vinte e po afrohej data, fillova të ndihem nervoz nga ideja e të lexuarit para njerëzve, të cilët më kishin njohur që kur isha fëmijë dhe mund ta bënin lidhjen mes personazheve të romanit dhe jetës sime të tashme.

 Ishte fund nëntori. Pak pas mesditës u nisa enkas shumë më herët. Fshatin nuk e kisha vizituar prej vitesh dhe doja të shihja nëse ende realiteti përputhej me kujtimet e mia.

 Treni zbrazej gjithnjë e më tepër nga stacioni në stacion, thua se po i afrohej një zone të ndaluar; kisha ngelur i fundit në vagon dhe kontrollori prej kohësh s’ishte dukur. Kur u nisa shkëlqente dielli, por sa më në lindje shkonim, aq më mjegull bëhej, ndërkohë nga dritarja shihej vetëm gri, pyll, pemë të zhveshura, fusha të zymta, një kope dhish dhe herë pas here ndonjë fshat i vetmuar apo ndonjë fermë.

Pak pa mbërritur në destinacion, rruga, që përndryshe ishte thuajse krejt e drejtë, merrte një kthesë për të kaluar lumin dhe të nxirrte në anën tjetër të luginës. Treni filloi të ngadalësojë shpejtësinë që para kthesës, derisa në fund ndaloi plotësisht. Pjerrësia e trasesë, e cila as që vihej re në lëvizje e sipër, në vendqendrim më krijoi një ndjesi parehatie, si të kisha dalë vetë jashtë binarëve.

Treni qëndroi gjatë ashtu i ndalur, e më pas, përmes një shkundjeje u vu sërish në lëvizje, duke kapërxyer lumin, pa ndodhur asgjë që mund t’i kishte dhënë shpjegim ndalesës. Parehatia më shoqëroi deri sa arrita në fshatin tim. Në dimër këtë krahinë nganjëherë e mbulonte mjegulla edhe për javë të tëra; ishte ai lloj moti, të cilin e lidhja me fëmijërinë si asnjë gjë tjetër: një botë e ftohtë, gri dhe e turbullt dhe njëherësh e sigurt, ku çdo gjë që nuk ishte mjaftueshëm pranë teje sikur nuk ekzistonte. Vetëm kur u largova nga fshati e u zhvendosa në qytet mbas maturës, mësova se sa e pamatë dhe e pasigurt është bota. Ndoshta prandaj fillova të shkruaj, për të rifituar peizazhin dhe sigurinë e fëmijërisë time, nga të cilët e kisha dëbuar veten. Megjithëse mund të largohesha menjëherë mbas leximit, iu luta librashitësit të më zinte një dhomë pikërisht në hotelin e qendrës tregtare, në sheshin e tregut, ku gjendej një restorant dhe një sallë teatri. Para studimeve kisha punuar disa muaj aty si portier nate. Asokohe kompleksi ishte krejt i ri dhe më ish dukur i madh e shumë modern. Tani çdo gjë dukej modeste, e vjetërsuar dhe e zymtë.

 Kisha bërë në plan të shëtisja pak përmes fshatit, por, gjatë rrugës nga stacioni i trenit për në hotel, ajo përzierje mes së njohurës dhe të resë po më shqetësonte dhe irritonte. Madje edhe ndërtesat, krejt njëlloj si ato të fëmijërisë time, m’u dukën të huaja si në një muze, të shkëputura nga funksioni dhe konteksti i tyre.

Ajri në dhomën e hotelit qe i thatë dhe me erë mbytëse aromatizuesi për ambiente. U shtriva dhe po mendoja për fshatin, se si kishte qenë më parë. Kur mbylla sytë, çdo gjë ishte akoma aty. Shtëpitë, rrugët, njerëzit, që kishin banuar. M’u kujtua gjallëria gjatë ditëve të tregut, festat me muzikën e bandës frymore dhe fishekzjarrë, por edhe ditët e lodhshme të pranverës, zbrazëtia e ditëve të verës, nanuritja e ditëve me shi të vjeshtës. Çdo stinë e vitit kishte pasur aromat e saj, ato të shiut mbi asfalt, të ziftit të nxehtë, të gjetheve të porsaçelura. Edhe vetë dëbora kishte aromë freskie, të cilën e perceptoja më tepër si shije.

U zgjova nga një zile. Dhoma ishte e errët dhe m’u deshën disa çaste, derisa gjeta telefonin të përgjigjem. Ishte librashitësi, i cili interesohej nëse kisha arritur shëndoshë e mirë dhe nëse kisha dëshirë të vinin të më merrnin në hotel.

Rrugën e gjej vetë, i thashë; nuk ka kaluar edhe aq shumë kohë që kur jam larguar.

 Meraku im kishte qenë i kotë. S’njihja askënd nga publiku dhe, që e kisha prejardhjen nga ai fshat, dukej sikur nuk i interesonte njeriu. Mbas leximit m’u bënë pyetjet e zakonshme, ndërsa ato autobiografiket lexuesit këtu duket se i shmangnin. Më vonë shkova me librashitësin dhe disa prej klientëve të rregullt për të pirë verë në një restorant. Megjithëse s’kishim shumë c’të thoshim, prapë ndenjëm gjer vonë. U interesova për ca njerëz nga fshati, por shumicën shoqëruesit e mi nuk e njihnin, mbase vetëm si emra; ata ishin shpërngulur, ishin plakur ose nuk kishin më rëndësi. Të tjerët flisnin për çdo çështje të mundshme të fshatit: intriga politike, histori vogëlsirash për njerëz që nuk i njihja ose që nuk kisha pasur lidhje. Lokali u mbyll në mesnatë dhe me shumë mundarrita ta bind librashitësin mos më përcillte deri në hotel.

 Gjatë ecjes shkurt përmes rrugëve të zbrazëta të natës, ndjeva për herë të parë tek më kaploi një ndjesi e njohur, që kishte të bënte më tepër me orën sesa me vendin, me natën; m’u zgjuan kujtimet e rrugëve drejt shtëpisë mbas turneve të gjata nëpër pijetore, pas bisedave që nuk kishin fund me miqtë në kryqëzimet ku na ndaheshin udhët, mbi plane që fluturonin në qiell dhe pritshmëri të mëdha.

 Hyrja e hotelit ishte një portë e ulët, rrethuar me gjethe, e ndriçuar dobët; dera e xhamit ishte e kyçur. I rashë ziles së natës dhe vetëm atëherë, ndërkohë që prisja, kuptova sa i dehur isha. Mbahesha me një dorë në xhamin e ftohtë dhe ca minuta më vonë i rashë ziles sërish. M’u kujtuan patrullimet gjatë kohës time si portier nate. Ecja me llambën e dorës përmes sallës së teatrit, mbi skenën e boshatisur, përmes korridoreve të ftohta dhe dhomave të konferencave, deri poshtë në garazh.

 Më në fund dëgjova kërcitje e derës dhe m’u duk se pashë vrik diçka që lëvizi në korridor, dera e xhamit u hap dhe një djalë i ri u qas drejt meje. Teksa jepte e merrte me tufën e çelësave, pashë fytyrën e tij krahas pasqyrimit të fytyrës time në xham, por e njoha vetëm kur më hapi derën. Isha unë vetë.

4.

Ç’do të thuash me ketë?, më pyeti Lena. Kishim arritur në fund të shtegut prej zalli dhe qëndruam para një kubi të lartë në ngjyrë okre, pranë të cilit qe ndërtuar një portik i stilit grek.

Ajo lexoi me zë qesharak një tabelë në murin rrethues të ndërtesës, një fjalë e padeshifrueshme në suedisht, të cilën pas disa përpjekjesh arritëm ta përkthenim si Kapela e Ringjalljes.

Pranë kapelës ndodhej dhe një godinë e gjatë, e sheshtë, ku gjendeshin banjat dhe disa dyer të rënda hekuri.

Mos prehen të vdekurit këtu?, pyeti Lena duke vendosur pëllëmbën mbi njërën prej dyerve. Mos prehet dikush këtu, duke pritur ringjalljen?

Në fytyrën e saj kishte një pamje paniku përqeshës.

Për ku jemi nisur tani? Pyeta unë. Vetëm mbrapsht jo, tha ajo. E urrej t’u kthehem mbrapsht rrugëve. Ndoqëm të parin drejtim më të përshtatshëm dhe shëtitëm ngadalë më tej përmes rreshtave të varreve.

Në ç’kuptim e thatë, që ishit ju vetë?, pyeti Lena përsëri.

Vështirë të shpjegohet, i thashë; kur pashë djaloshin e kuptova menjëherë se unë dhe ai ishim të njëjtët.

Ngaqë edhe ju kishit punuar roje nate?

Jo vetëm nga kjo, i thashë. M’u duk sikur po shikoja veten në pasqyrë. Çuditërisht ai nuk vuri re asgjë nga ngjashmëria jonë. Më përshëndeti krejt natyrshëm, më priu drejt recepsionit, më dorëzoi çelësin dhe më uroi natën e mirë.

 Atë natë nuk më zuri gjumi deri vonë. Mendoja vazhdimisht për portierin e natës, sesi ecte tani përmes dhomave të errëta; më dukej sikur ecja përkrah tij dhe ndjeva sërish atë përzierje të çuditshme frike e turbullimi, me të cilën bëja xhirot e natës asokohe.

Paraardhësi im ishte një burrë i moshuar, i cili deri në natën e dytë ose të tretë më kishte treguar dhe shpjeguar çdo gjë. Në mesnatë duhej kyçur porta e hyrjes, mandej të bëheshin xhirot e kontrollit, të mbylleshin dyert dhe të fikeshin dritat. Më pas duhej të ndihmoja në disa angari të vogla, për të cilat zakonisht nuk harxhoja më tepër se një a dy orë.

Fshija sheshpushimin, rendisja shishet boshe nga restoranti, hapja derën për ndonjë klient të orëve të vona. Rreth orës dy apo tre të natës merrja diçka për vete nga frigoriferët e kuzhinës. Pastaj mund të shtrihesha në një kthinë prapa recepsionit, por nuk flija kurrë; në vend të flija, lexoja ose luaja bixhoz me rrogën time në automatet pranë hyrjes.

Ndonjëherë sillesha vërdallë pa qëllim dhe hulumtoja ambientin përreth: një vend krejt i panjohur, në mes të një fshati të njohur.

Ishte një vend për udhëtarët, të cilët takoheshin këtu, të pashqetësuar nga fshatarët, si të ishin anëtarë të një sekti sekret. Herët në mëngjes, pak pas orës katër, trokiste në derën e xhamit shoferi që shpërndante nëpër kioska gazetat dhe revistat. I hapja derën dhe bëja nga një kafe prej automatit për të dy. Shoferi ishte burrë miqësor me një histori të komplikuar, për të cilën më fliste natë për natë me zë të shtruar. Pak mbasi largohej ai, lija turnin. Asokohe jetoja akoma në shtëpi dhe haja mëngjes me prindërit, dita e të cilëve sapo fillonte, ndërkohë që imja shkonte drejt fundit. Shumicën e kohës flija deri në mesditë. Më kujtohen ato pasdite të çuditshme, kur isha krejt i zgjuar dhe njëkohësisht i përgjumur, ajo ndjesi e shkarjes nga koha dhe e të jetuarit sipas ritmit tim sinkopal.

 Të nesërmes doja të nisesha herët, por kur ia dola të ngrihem nga shtrati, u nguta të mos humb orarin e ngrënies së mëngjesit. Mbrapa banakut të recepsionit tani gjendej një grua e re dhe për një imtë kohe pyeta veten mos e kisha imagjinuar takimin e natës me alter-egon time, apo mos thjesht e kisha parë në ëndërr.

5

Libri po më shitej suksesshëm dhe udhëtoja shpesh sa andej këndej për të folur mbi të apo për të lexuar pjesë prej tij. Madje ishin nënshkruar edhe disa kontrata përkthimi; mbaja korrespondencë me botues dhe përkthyes; më ftuan edhe në disa festivale jashtë vendit.

Fitova një bursë, një shumë goxha e konsiderueshme parash për gjendjen time dhe, duke qenë njeri me pak pretendime, do të mund të jetoja për më shumë se një vit. Por suksesi s’mund të më mashtronte aq sa të mos e kisha idenë se për çfarë do të shkruaja më pas. Herë pas here nisja projekte të reja, vetëm për të hequr dorë i mërzitur e i hutuar mbas ndonjë duzine faqesh. Jo vetëm më kishin shteruar idetë, por edhe gjuha ime e kishte humbur gjallërinë, ndoshta ngaqë shkrimi tashmë më ishte kthyer nga domosdoshmëri në detyrim. Ndonjëherë, për javë me radhë, nuk shkruaja as edhe një fjalë të vetme dhe humbisja kohën me lexime të kota apo me kërkime të paqëllimta për projekte, të cilat më pas as nuk i merrja në konsideratë. Jetoja ende në të njëjtën shtëpi, ku kisha jetuar së bashku me të dashurën. Çdo gjë ma kujtonte atë, kohën që kishim kaluar bashkë dhe, aq i lumtur sa isha për suksesin tim letrar, po aq e vuaja edhe mungesën e saj.

 Takimi i asaj nate nuk m’u hoq kurrë nga mëndja gjatë gjithë kohës.

Njëherë madje telefonova në hotel dhe u interesova për portierin e natës, por të dhënat që përmenda ishin aq çoroditëse dhe arsyet për interesimin tim aq të pa baza, saqë gruaja në anën tjetër të telefonit u bë mosbesuese, derisa më pyeti edhe njëherë për emrin dhe më pas nuk pranoi të më thoshte asgjë më tepër. Fillova të shkruaj për sozinë time; ashtu si edhe në librin tim të parë, kjo ishte më pak një tentativë për të sjellë një tekst letrar, sesa për t’i dhënë kuptim asaj çfarë kisha përjetuar. Kësaj here nuk pata sukses, historia në të vërtetë ishte shumë më absurde dhe shumë më komplekse, nga sa mund ta përfshija unë në shkrim.

 Mendoja shumë për të dashurën, lexoja letrat që i kishim dërguar njëri-tjetrit, shikoja fotografitë e pushimeve tona. Nuk kishim para, por megjithatë kishim udhëtuar shumë, kishim ngjitur male, kishim kaluar net në hostele apo në çadra kampingu. Ajo ishte aktore dhe shpesh kishte javë të tëra të lira ndërmjet njërit angazhim dhe tjetrit. Ishim të lumtur me njëri-tjetrin, ndonëse herë pas here pyesja veten çfarë shihte tek unë dhe ç’kisha bërë për ta merituar. Kaluam së bashku tre vjet, e megjithatë, mes shumë të tjerash kjo pyetje më mbeti enigmë.

Nga gjermanishtja Anna Kove


[1]  Varrezat e Stokholmit, shpallur pasuri botërore nga UNESCO (sh.p.)

Exit mobile version