Kreu Letërsi Bibliotekë Pesë poezi nga Nora Prekazi

Pesë poezi nga Nora Prekazi

Martesa

Martesa
Është një ishull idilik
E ishulli ka pamje veguese ku duhet shijuar muaji i mjaltit
martesa
është ai ishull që çdoherë e ka më të pakët hapësirën
martesa
është ishull i rrahur përherë nga valët e njelmëta
nga stuhitë që sjellin pas vetës mbetje të llojllojta dalur vrazhdë faqeve të bregut
martesa
është ishull që hahet përditë nga përbindëshat e ujit
nga demonët ujësor që e kanë pre tokën pjellore
martesa
është ishull që thahet nga dielli
martesa
është ishull që i ka krijesat në rrezik të zhdukjes
martesa
është ishull i vetëm që pluskon në ujëra
e s’ka asgjë më të vetmuar e rraskapitëse se rrahja e ujit
përvlimi i diellit dhe gjahut demoniak
të vazhdueshëm drejt kërkimit të fundit të lumtur

(2021)

Deti

Deti është i dashuri im i kahmotshëm
ma pushton zemrën
ma çliron frymën
ma humb mendjen

Ai ka
stuhitë e veta
ngrysjet e veta
turbullimet e veta
rrymat e veta
krijesat e veta
e unë,
humbem në të
me po këto të mijat

(Durrës, 24.12.2020)

Nën plaf

E vetmja e vërtetë me ty gjindet nën plaf
E vetmja e vërtetë
kur hiqen prazmoret
hedhen mburojat
zhvishet shpirti lakuriq
e pastaj shihemi të çiltër në sy
nën plaf
Aty përputhen vrimat
e sindromave post-traumatike fëmijërore
varrat e lëna pas nga dashuriçkat tona të pafata

Ngase të gjithë jemi relike vrimash
mori gropëzash që pulsojnë gjak identiteti
që konfrontohet me llojlloj gjendjesh vetanake
E çuditshme se si duhet tjetri
në vorbullën e çmendisë së të qenit
por, të vërtetë jemi vetëm nën plaf
aty kur më merr në gji
e vrimat e tua i përqafojnë ato të miat
e shihemi çiltër në fytyrë
të pafaj
të padjallëzuar
të pastër prej gjitha trukeve
të të qenurit njeri
duhemi…

(2021)
*plaf=velenxë e trashë e me thekë.

Prill

I

Shi
pranverë që s’çel dot
përvjetor
tridhjetë e pesë vite jetë
vjen edhe një cikël menstrual
me më shumë dhembje koke
barku, shpine, mendjeje e zemre

II

Mendja bluan kopalla që s’përpihen dot
shpirti shkelmon si shtazët para ngordhjes
përditë dëshmitarë të shumë vdekjeve përreth
shumë ankthe në vazhdimësi
e shumë momente reflektimi
përtej të përditshmës përpirëse

III

Dua ta ndërroj stilin e flokëve
dua ta ngjyros një mur në dhomë të fjetjës
dua të fal rroba që nuk i vesh më
dua ta fal atë mikën që s’më kujton shpesh
dua ta fal vetën për ëndërrat që nuk i realizova
për dashurinë e shumtë që e shkapërderdha në njerëz jo të duhur
edhe vendin ku u linda për pamundësitë që m’i dha

Dua ta puth frikën time
shumëdimensionale të pakuptimtë që e ujis përherë
dua të mos harroj më shpesh
se s’ka asgjë më të hajrit nga kjo lojë
përveç
dashurisë
cikrimave të lumturisë
shijës së konektimit
dhe muzikës së mirë

(2021)

Me pasë

Kjo shtëpi
Këta njerëz
Këto ulëse
Këto lule
Këto shtroja
Kjo makinë
Kjo kohë
Ky shpirt
Këto ankthe
Këto ëndrra
Këto rutina
Këto përbirje
Këto shtirje
Këto tranija
Këto frikëra
Këto dëshira
Kjo gotë
Ky vend
Të gjitha të miat
dhe të huajat,
përnjëherë.

Exit mobile version