Kreu Letërsi Bibliotekë “Perënditë ikën…”, poezi nga Odise Kote

“Perënditë ikën…”, poezi nga Odise Kote

1-      Kemi fare pak kohë …

E dashur,
kemi fare pak kohë
për t’i bërë gjithë gjërat që duam!
 
Humbëm në kthesa, udhëkryqe,
stacione pa destinacion,
kohë të çmuar,
apo kaq djallëzisht na ngatërruan?
 
 
Na rrëzuan prej shkëmbit: S’ka gjë, kjo është dhimbja jonë!
 
Vazhdojmë të jemi libër që shkruhet ngadalë,
me këmbënguljen e fortë:
të ndryshojmë e lëmë gjithçka pas.
 
Ndonëse përjashta në telin e rrobave
janë nderur paratë e pista për t’u tharë.
 
Dëshira më shpie tek një lumë
sepse ti ke ende erë mali,
kërcinj të lagur prej vesës, 
gjire si manushaqet e dëborës.
 
Ke aromë jasemini, shushurimë,
çaste të rrëmbyera,
je sërish vrull.
 
Kemi fare pak kohë
për t’i bërë gjithë gjërat që duam!
 
Asaj që nuk do të kthehet më,
ia dhuroj këto vargje.
Nuk më mungon qielli,
nuk më mungon zëri,
nuk më mungon deti,
nuk më mungon fjala,
nuk dëshiroj dëshirën e dëshirës.
 
Dua diçka tjetër, dua të jem kujtesa tënde.
 
 
E dashur,
kemi fare pak kohë
për t’i bërë gjithë gjërat që duam!


2-      Kjo plojë që digjet gjithë natën …

Gjysma e ditës Don Kishot, gjysma tjetër Sanço Panço,
Kjo plojë e brendshme që digjet ngadalë, vetëm natën.
Në mëngjes na duhet doemos, diçka e re, e freskët,
Të mos çmendemi. Nga e vërteta të mos vdesi. Shpikim Artin.
 
Na e kanë vjedhur prej kohësh pyetjen – shpagimin,
Bluhemi si mokra, errësirës, plojë e fatit të fshehtë. 
Ç’bën njeriu i shkretë? Heq dorë nga pasioni ëndërr,
Për t’u shndërruar në përllogaritës të tjetërt? 
 
Rugëve të pista, në lozhat e teatrove, pakujdesitë spontane,
E kanë mundur vesin e të qeshurës së pafajshme.
Mosnjohja e kufijve, qëllimshëm ngatërron shanset e senset,
pak nga pak ndjejmë, po na grabisin, zërin dhe kujtesën…
 
Gjysma e ditës Don Kishot, gjysma tjetër Sanço Panço,
Ky lloj plehu i brendshëm që digjet ngadalë, vetëm natën.
Në mëngjes na duhet doemos,  diçka e re, e freskët,
Të mos çmendemi. Nga e vërteta të mos vdesim. Shpikim Artin.


3-      Kopshtari vetmitar …

Me një shat në dorë ai skalis gjithë ditën,
rrënjë pas rrënje.
 
Nuk flet me askënd,
fjalët janë mashtruese, nuk e mbajnë dot
peshën dhe ekuilibrin e së vërtetës.
 
 
Fundja me kë mund të flasë?
Në tokën që shkrifërohet si bukëvale,
ka veç buburecë e kërmij, dhe disa zvarranikë
që janë zgjuar befas nga i nxehti i pranverës.
 
 
Me ujin ka një marrëdhënie tjetër.
 
Në syprinën që rrëshqet erëzave, gjetheve,
gjersa dielli perëndon pas kodrave të buta,
sheh sytë e gruas, të pakthyer më,
receta gatimi dhe ushqimin e duarve të tij.
 
Qentë ia dëgjojnë fjalën,
ai tund kokën mirënjohës sikur do të thotë:
Do jemi mirë për një farë kohe…


4-      Ti më shkruan …

Ti më shkruan se aty mjafton një rreze dielli,
që e gjithë syprina të bëhet pasqyrë,
dhe sytë e fëmijëve të vizatojnë
ëndrra mbi akullnajë.
 
Në vendin ku jetoj unë, pafajësia
është e fshehur thellë nën tokë,
si mineralet e rrallë.
 
Atje, u mësoni fëmijëve
të lexojnë yjet dhe diellin si të ishin lundërtarë.
 
Këtu, nuk e kemi më në dorë mbijetesën tonë,
dilemat e muzgjeve – shpirtra, si zogj të vrarë.
 
 
Andej, kilometra perëndimesh,
projeksione drite të pasosur,
bekime shprese që Zoti për ju ka zgjedhur.
 
Këndej, qiej të zemëruar. Pengje e ndëshkime,
që shfrytëzojnë dhe stuhitë për t’u fshehur …
Ti më shkruan … 


5-      Gjunjëvrarë nëpër gurë ….

Fëmijë a fëmijëri gjunjëvrarë nëpër gurë
që s’janë të emigrantëve të rinj
nuk iu ikin dot rrëfenjave, kushedi përse?
 
Veshur pantallona xhins,
të shqepura në gjunjët, me gjasa mode,
bëhen vetëm sy dhe heshtje.
 
Dallojnë menjëherë pjerësi
dhe të plasariturat,
edhe pse e dinë se është e rrezikshme.
s’i rezistojnë përgjërimit të mahnitjes.
 
Ç›gjë e mrekullueshme iu formëson vetveten?
 
Kush se kupton këtë heshtje,
s’kupton as fjalët e tyre,
fjalët e pathëna që nuk lëndojnë askënd.
 
Ata kanë ndjesinë se jetojnë në një vend,
që është vetëm për ta.
 
Fëmijë a fëmijëri gjunjëvrarë,
me vraga që mbeten,
poshtë pantallonave tërë jetën …


6-      Ç’të jetë ky qiparis pushtonjës …?

Qielli ende s’ka vendosur: të shtjerë shira, breshër a deborë,
jashtë, qiparis i ankthit ngop rrënjët me ujëra e baltë të njomë.
 
Tërheq gërgërimat brisk, fryn, shkul perdet e dritares a të rrengut,
si këputja e gjetheve nga degët apo tundja e ahut të pengut.
 
Dendësohen hutimet. Thonë plakat e lumit: çerekdamllatë,
kë takojne ëndrrat: të gjallët e vdekur a të vdekurit e gjallë?
 
S’gënjehet dot nata, kujton gjithçka ke harruar, apo nuk e di? 
Pandehma ndjellakeqe vijnë rrotull, si korbat në mushkëri.
 
Ç›të jetë ky qiparis pushtonjës në kanate të marrëzisë?
Mahisen trishtimet. Fatit i tremben edhe perënditë…!


7-      Raportim nga Gaza …

E dashur këtu janê fshirë gjithë emrat,
një gojë e stërmadhe përpin logjikën,
kohën krejt të pakuptueshme …
 
Furi e gjakut është kjo,
a humbja e përjetshme e kujtesës?
 
Të lutem mos eja kurrë në botën e antinjeriut!
 
Ne vetëm sa i shkruajmë lajmet,
nuk i bëjmë ato …
 
Sa pak njeriu shihet sy ndër sy,
s’ka guxim, s’ka fuqi.
 
Lejlekët që klithin janë sirenat
Era dhe pluhuri është trafiku.
Fishkëllima e peshqve në thellësi,
e frikshme si ulërima e ujqërve natën.
 
Uria e padurueshme rri në breg
dhe pret.
 
Deti është shpresë, një lloj thelbi,
dhe thelbi është dashuria
që mungon …


8-      Je e shenjtë …

Të gjithë ikën, ti më mbete,
mike e mirë në këtë botë.
Ti më çon në të gjithë vendet,
dhe në qiell dhe në tokë.
 
Ti je ajër, ti je ujë,
je kuptim në thellësi.
Ti je dritë në errësirë,
tek çdo thelb, ti je Sy.
 
Qoftë shteg a gërxh i egër,
zhur i mjerë a mallkim.
Ti vjen gurgullimë e verbër,
butësi si jasemin.
 
Je damari i rrëkezës,
gjelbërim që çmend natyrën.
E pamundur të klonohesh,
shpirtësi e shpirtësirës.
 
Të gjithë ikën, ti më mbete,
mike moj e paqortueshme.
Ti më shpure ku s‘më linin,
je e shenjtë e vetëmjaftueshme …


9-      Faj Homerik …

Akil,  je kult i kthyer në sindromë,
egoizëm i tmerrshëm etnik.
Mësove njeriun të jetë me më të fortin.
Në muzeumesh, memorie librash, psikikë.
 
Zemërohesh ti, ngrysen qiejt, bie gjëma,
zgjohesh nga trans zemërimi,
çel drita e shpresës.
Pas të ndjek mallkimi,
mospranim – mëria ndaj tjetrit.
 
Mos ndoshta Homeri dhe Zotat
prunë Hektorin para vdekjes
për të zhburrëruar Priamin?
Tek ty pronar i kufomës,
dhuratë prej qiellit?
 
Homeri dhe Zotat me mbretin u tallën,
çuan t’i puthë këmbët vrasesit të birit,
duke zbritur shkallëve të ferrit.
 
Akil, je kult i kthyer në sindromë,
egoizëm i tmerrshëm etnik.
 
 
Troja u dogj sepse deshi Homeri…


 10 – Perënditë ikën … 

Nuk dihet pse perënditë u trishtuan
dhe krijuan Njeriun.
U ligështuan keqas përsëri,
dhe shpikën dashurinë.
 
Mërzia pas kësaj, u tha:
E keqja tani mori fund,
dhe perënditë ikën.
 
Eshtë më e lehtë të ikësh
apo jo?
 
Njeriu mbeti fillikat
mbështetur pemës së vetme
në mes të fushës,
teksa vetëtimat fshikullonin tokën.
 
Ajo që shihnin natën
duke depërtuar muret,
sigurisht nuk ishte ajo
që shfaqej ditën …
 
Perënditë ikën…

Exit mobile version