Kreu Letërsi Bibliotekë “Pasqyrat e kohës”, poezi nga Arben Prendi

“Pasqyrat e kohës”, poezi nga Arben Prendi

KOHA NË TË CILËN JETOJMË

Ra shiu përsëri në tokë, me bubullima, me vetima,
si në ditën e parë të krijimit të botës.
Përzihen e kaluemja, e ardhmja, para nesh,
nën helikat kozmike të kohës.

Disa prej stuhisë së jetës ikin rrugës pa kthim,
të tjerë dalin strehësh dhe në vorbulla hyjnë.
Gjyshat ikën, prindja largohen nën vetima,
parajsën e shkretnueme e popullojnë fëmijët.

Un’ rri në mes të shiut edhe sot turpnueshëm,
Adam i mbuluem me një gjethe fiku.
Sepse koha, koha në të cilën jetojmë,
na ktheu në palaço cirku.

Nuk e ndërtuem as na,
botën e bukur,
që andërr e panë prindja e gjyshat,
andaj rrimë në shi si qyqat.

2013


LAGJA G’JUHADOL

Shtëpi të braktisuna,
lagje e braktisun,
qen, kaq të vetmuem,
sa nuk e kërkojnë mâ as zotninë e vet me angullim.

Rrugica e heshtun në të tri momentet esenciale të ekzistencës:
mëngjes, drekë, darkë.
ku s’ndihet era e voes së fërgueme me tlyen në shpi,
as zani i nanave që me kafshatë buke në dorë ndjellin fëmitë,
sepse s’ka mâ fmijsh lodertare bërtimë,
që të ngasin mbas topit të kalbun të futbollit.
Veç Tingulli
i kumbonëve dhe kori i murgeshave ajrin e çan,
mija copash si qelqurinë
e tjegullat si dhambë të prishun,
në gojën e një plaket,
bien prej çatish,
tue zbulue skeletet,
e mureve të nximë,
ku harbohen shermasheku, trandafili,
hardhitë e buta dikur,
tash të egra.

G’juha i doli lagjes G’juhadol,
e u bâ shurdhmemece,
sepse gjyshat kanë vdekë,
djemtë dhe nipat kanë ikë,
si në kohë të Barletit prej osmanëve
tue marrë me vete zoja e zotnij hijerandë të Shkodrës,
muzikën e violave e pianove, muzat ambla të poetëve,
mbyllë dyert antike me rrathë bronzi
e popullue lagje e rrugica të tjera të botës,
në kërkim të Tokës së Premtueme …

2013


BIMA E EGËR

Bima e egër rritet vetiu,
e buta
mbas shumë përkujdesjesh…

2015


PASKAJ ORE!

Jeta si vdekja âsht punë kohe,
kohë me lindë, kohë me jetue,
kohë me vdekë,
kohë për dashuni, kohë me qeshë.
Por edhe ndryshe,
në kohën me vdekë
mundesh me lé…
në kohën me qeshë,
mund të dashunohesh…
në fund të një rruge
mund t’ia nisesh një tjetre andërr …

Koha âsht pa skaj ore!
Me shikue, me kujtue, me shkue,
me kalue e me u harrue,
si mos me pasë rrnue,
me kohue,
si me kenë i përjetshëm.

… Problem kohe,
të thotë si apostull edhe bariu në brigjet e Buenës,
tue kullotë ditët e tij – edha,
përmes mjegullës ku qesin shkëndija legjendat e reja
me shkëndijime legjendash të vjetra,
aty ku Drini plak e i përrallshëm,
fillon e bân dredha.


ANIJE E ANKORUEME NË PORT

Lindës

Dashunia âsht,
si trandafili erëmirë,
si vêna e mirë.
Koha kohon: ajo vjetërohet, ne pimë,
dehemi nga pak sistematikisht,
rrugën si dikur nuk e humbim…
ndër erëmime petalesh…

Andrrojmë, shikojmë dhe njohim botën,
dhe veten
përmes saj.

Dashunia, e jona
âsht e qetë, e ambël,
e plotë, e sigurtë,
sa ç’mund të jetë një anije e ankorueme në port,
e valëvisin dallgët fort,
po nuk e përmbysin.

Âsht si lumi pranveror,
kur i del para ndoj pengesë:
cung, gur thepokë, urë
e kapërcen me vrull
e mandej rrjedh e qetë në
shtratin e saj…

Si bima,
nuk ka nevojë për vazo,
tokën e vet – shpirtnat tonë,
ushqim ka.

Një gjethe e saj ndërrohet,
me një tjetër,
dhe me një tjetër gjethe.
Stinë mbas stine,
na erdhën lulet – vajza dhe djemtë tonë.

Kjo dashuni âsht e lidhun me pejzat e sprovave të jetës,
si dora e lidhun përmes gishtave natyrshëm,
që të pushton,
pa vrazhdësi,
me butësinë e dorës që nuk dridhet ma,
si herën e parë,
e sigurtë na mban,
mos me ra në ndonjë gropë
ku i gaprron sytë mëkati…

Âsht pra dashunia jonë!
Nuk i njoh sa duhet të tana trajtat e dashunisë,
por kjo e jona âsht,
e kësojetshme.
E heshtun,
e pabujë,
e vetëmjaftueshme,
edhe pse jetojmë në një botë,
tmerrësisht të ndryshueshme…

Janar, 2010


MINIATURË

Bota në miniaturë
janë studentët e mi,
dhe unë dishepull i harruem
që s’ma ven kush veshin.
Fytyrat e tyne pergamenë e hapun
ku parashoh të ardhmen,
ndaj më përqeshin.

Këtu âsht hamalli punëtor,
që tash i dhemb kryet prej mësimeve,
dhe zyrtari i ardhshëm hileqar,
që në provim rreket të kopjojë.

Shkencëtarja dhe tyryfyli rrinë në një bankë,
dhe ngjajnë njësoj.

Romeo dhe Zhuljeta, Hamleti,
I huaji, Idioti, Don Kishoti
dhe Tre shokët, në këtë rresht,
Beatriçja dhe Madam Bovari,
në bankën tjetër.

Abeli, Pjetri, Jozefi, Sara, Madalena…
Kaini nuk ka ardhë sot…
prej tmerrit të gjykimit të provimit…

Juda nuk mungon,
në bankën e fundit,
por mbas puthjes,
ai ka me e tradhëtue prapë Mësuesin…

Dhe Mësuesi do ta falë,
për kushedi të sesatën herë,
me shpresën se
ka me ndryshue dikur…

2008

Exit mobile version