Kreu Çmime Pas çdo nominimi të Booker Prize është një person të cilin nuk...

Pas çdo nominimi të Booker Prize është një person të cilin nuk e ke dëgjuar kurrë

Nga Sholto Byrnes

Nëse sytë janë dritarja e shpirtit, atëherë leximi i letërsisë artistike nga vende ndryshe nga i yti,  mund të jetë një nga mënyrat më të mira për të pasur një përfytyrim për toka, kultura dhe histori të ndryshme. Për këtë arsye lista e finalistëve për International Booker Prize, çmim që jepet çdo vit për një libër të përkthyer në anglisht, e meriton veçanërisht të përgëzohet.

Gjuhët origjinale këtë vit janë që nga spanjishtja, polonishtja dhe norvegjishtja, te koreanishtja, japonishtja dhe hindi, dhe historitë që tregojnë këto libra duken magjepsëse.

Vetëm kur po shfletoja Out of it, romanin debutues të shkrimtares palestinezo-britanike Salma Dabbagh, të cilin e rishikova për këtë gazetë, kuptova se nuk kisha lexuar kurrë se si jetonin njerëzit në Gaza. Kisha dijeni për luftërat dhe politikat, sigurisht, dhe vuajtjet; të gjithë lajmet ishin për këtë. Por nuk e dija se si mes kaosit dhe frikës një popullatë prej më shumë se dy milionë rriste familjet, studionte, tregtonte, hante, binte në dashuri, dhe bënte gjithë gjërat që bëjnë  komunitetet e rregullta.

Shkrova: “Vetë fakti që ne dëgjojmë kaq pak për këtë anë të ekzistencës së tyre, i afrohet rrezikshëm … dhënies së statusit monokrom si viktima të pafuqishme.” U desh romani i Dabbagh-it që të zgjeronte konceptin tim mbi jetët e tyre. (Aksidentalisht, bëma të tilla mund të jenë të nevojshme për europianët që tani janë të shqetësuar për ukrainasit,  të kujdesen pak më shumë për gjendjen e njerëzve në Jemen, Afganistan dhe Mianmar.

Letërsia mund të jape të tilla njohuri që lajmet, analizat dhe opinionet i japin shumë rrallë.

A e imagjinon dot si është të rritesh në një qytet të largët shqiptar që këmbehet disa herë mes italianëve, grekëve dhe gjermanëve në luftën e dytë botërore? Si mundesh? Provo të lexosh Kronikë në gur nga Ismail Kadare, fituesi i çmimit të parë të International Booker në 2005. Dy prej personazheve të tij diskutojnë thashetheme mbi një burrë misterioz mjekërkuq nga shumë larg, një “Jusuf Stalin”, i cili do t’i çlironte nga pushtuesit e padëshiruar.

“’Mysliman është ky?’ pyeti Nazoja. Xhexhoja mbeti një çast. ‘Mysliman,’ tha pastaj e sigurt. ‘Shyqyr,’ ia bëri Nazoja.” Është një vinjetë e hijshme që sjell në jetë menjëherë se sa të izoluar nga bota dhe koha ishin njerëzit në atë qytet – për të bërë atë hamendësim, vetëm prej emrit të Stalinit.

Ndonjëherë një roman mund ta përcjellë një të vërtetë shumë më qartë se çdo numër reportazhesh apo statistikash. Çdokush që do të dijë për historinë pas pavarësisë të indianëve etnikë në Malajzi, për shembull, do të bënin mirë të lexonin çmimfituesin Evening is the Whole Day të Preeta Samarasan-it se sa të shfletonin një pirg me studime akademike. E njëjta gjë vlen për In the Shadow of Banyan, të Vaddey Ratner-it, për të kuptuar realitetin e punës së detyruar, vdekjen nga uria dhe persekutimin nën regjimin e Khmer Rouge në Kambodian e 1970.

Herë të tjera, romani mund të të lidhë në mënyra të pamundura. Çfarë mund të kem të përbashkët me komandatin e regjur të luftëtarëve të lirisë në Algjerinë e para-pavarësisë në 1960? Shumë pak, do të thosha – derisa lexova The Bridges of Costantine të Ahlam Mosteghanemi-t, dhe përshkrimin e saj për partizanin që e donte fëmijën e tij “me dashurinë e një babai në të dyzetat”. Isha rreth asaj moshe kur unë dhe gruaja ime lindëm fëmijën tonë të parë, e dija pikërisht çfarë donte të thoshte, dhe papritur ndava atë emocion të veçantë me personazhin e romanit.

Të gjithë romanet që kam përmendur janë të fuqishëm dhe iluminues, por pa përkthyesit letrarë të veprave të Kadaresë dhe Mosteghanemi-t (e kaq shumë të tjerëve) do t’i mohoheshin publikut anglofon. Suksesi i letërsive të përkthyera nga shkrimtarë si Gabriel Garcia Marquez dhe Haruki Murakami nuk duhet të ërrësojë faktin se numri i titujve të përkthyer të botuar në USA dhe UK përbëjnë vetëm 2-3 për qind të tregut.

“Përkthyesit nuk mund të jetojnë vetëm me këtë mjeshtri,” tha drejtori i Qendrës së Studimeve të Përkthimeve në Universitetin e Londrës kur dorëzova një raport mbi këtë temë para disa vitesh. Kur e kupton rolin e paçmueshëm që luajnë –të themi të drejtën, të rikrijosh nga e para një roman në një gjuhë tjetër, apo “të bësh të kuptueshme një kulturë të tërë”, siç e ka thënë shkrimtari i ndjerë Anthony Burgess – përkthyesit letrarë jo vetëm që janë tmerrësisht të keqpaguar,  por në fakt janë edhe të nënçmuar. 

 Kjo e bën edhe më të mirëpritur faktin që International Booker njeh jo vetëm autorët individualë por edhe përkthyesit e tyre. Ata ndajnë një çmim prej £50,000, dhe i gjithë kriteri për çmimin ka ndryshuar – në fillim autorët gjykoheshin për gjithë veprën e tyre, jo vetëm një libër siç është tani – përkthyesit e tyre janë nderuar gjithmonë, si David Bellos kur fitoi Kadare në 2005.

Nuk i kam përmendur çështjet e përkthimit të romaneve në gjuhë të tjera, dhe sa e rëndësishme është kjo, siç isha i kënaqur që kisha mundësinë të lexoja romane si The Tobacco Keeper të shkrimtarit irakian Ali Bader në anglisht (ishte në listën e gjatë për Çmimin Ndërkombëtar për Letërsinë  Arabe në 2009), kjo duhet të aplikohet dhe në drejtimin tjetër gjithashtu.

Por gjuha angleze dominon ndërkom-bëtarisht. Dhe siç ka thënë shkrimtarja e raportit që dorëzova, Rachel Aspden, “Në epokën e globalizimit, anglishta rrezikon të lërë mënjanë pjesën tjetër të botës”. Çmime si International Booker bëjnë pjesën e tyrë që të sigurohen që kjo s’do të ndodhë. Kështu që le të flasim gjerësisht për finalistët e tyre, të urojmë fituesin, dhe të nderojmë shkrimtarët të cilët thellojnë botëkuptimin tonë. Ata ndërtojnë ura mes kulturave. Ne, lexuesit, duhet vetëm t’i kalojmë përmes që të shijojmë kënaqësitë e tyre.

Përktheu Enxhi Hudhri

Exit mobile version