Përktheu Roland Gjoza
KURRË MOS U LARGO QOFTË DHE PËR NJË DITË
Kurrë mos u largo qoftë dhe për një ditë, sepse
tjetër s’di ç›të them; një ditë është kohë e gjatë
unë do të rri duke të pritur si një stacion i zbrazët
ku trenat gjithashtu kanë ndaluar dhe flenë.
Kurrë mos u largo qoftë dhe për një orë, sepse
një dhimbje e mprehtë vdekjeje do të na tresë të dy
zjarri dhe tymi i tmerrshëm do të perfshijnë shtëpinë
dhe unë përfundimisht do të mbetem pa zemër
Oh, silueta jote ka për të humbur anëdeteve me shkumë
dhe s’do të pulitet qepalla jote në largësitë e pafundme
kurrë mos u largo qoftë dhe për një sekondë, e dashur
Sepse në atë çast ti ke shkuar shumë larg nga kjo tokë
unë do të endem planeteve duke pyetur si i çmendur,
Kur do të kthehesh? Ke ndërmend të më lesh këtu përgjithmonë?
UNË DUA QË TI TË JETOSH ENDE
Unë dua që ti të jetosh ende
Kjo është njëlloj sikur të thuash se ti je mungesa
Dhe ti më dëgjon nga tejjeta
Por zëri im nuk mbërrin dot atje
Ështe njëlloj si te thuash se syte e tu kane humbur diku ne asgje
Është njelloj sikur të thuash se një puthje ka vulosur gojën tënde
Të gjitha gjërat janë mbushur me shpirtin tim
Ti shfaqesh nga gjërat
Që kanë mbushur shpirtin tim
Ti je shpirti
Një flutur e ëndrrës
Ti je fjala; melankoli
Unë dua që ti të jetosh ende
Të shfaqesh qoftë dhe në tejjetë
Zërat më duken se sjellin vajtimin tënd
Njëlloj si një flutur që gugat si pëllumb
Dhe më duket sikur më dëgjon mua
Por zëri im nuk mbërrin dot atje
Më lejo të vije dhe të jem në heshtjen tënde
Më lejo të flas nëpërmjet heshtjes tënde
Kjo është e ndritshme si një llambë
Dhe e thjeshtë si një unazë
Ti je si nata
Me qetësinë dhe konstelacionet
Heshtja jote është si nje yll
I largët dhe i ndritshëm
Unë dua që ti të jetosh ende
Kjo është njëlloj sikur të thuash se ti je mungesa
Largësia dhe dëshpërimi i thellë
Ti mund të kesh vdekur
Vetëm nje fjalë, një e qeshur mjafton
Dhe më bën të lumtur
Po dhe lumturia nuk është e vërtetë
GJITHMONË
Nuk jam xheloz
për ata me të cilët ke shkuar para meje.
Eja me një mashkull
në krahët e tu
eja me njëqind meshkuj në flokët e tu
eja me njëmijë meshkuj midis gjinjve dhe kofshëve të tua
eja si një lumë
mbushur me meshkuj të mbytur
që vërshojnë poshtë në detin e egër
drejt suvalave me shkumë të perjetshem, drejt Kohës!
Silli ata të gjithë
atje ku unë rri dhe të pres
ne do të jemi gjithmonë vetëm
ne do të jemi gjithmonë ti dhe unë
fillikat në tokë
për të nisur jetën tonë.
SONETET E DASHURISË XVII
Unë nuk të dashuroj nëse ti je një trëndafil kripe apo topaz
Apo një shigjetë karafili që godet zjarrin dhe e shuan
Unë të dashuroj si gjërat e errëta që sigurisht kthehen në dashuri
Si sekreti, midisi i hijes dhe shpirtit
Unë të dashuroj si toka që s’pa kurrë lulëzim
Por tërhoqi tërë dritën për lulet e padukshme
I përulem dashurisë tënde me aromë absolute
rritur nga toka, çelur nga errësira brenda trupit tim
Të dashuroj pa ditur kush je, ku jeton, prej nga vjen
Të dashuroj me dëliresi, pa komplekse dhe krenari
Kështu të dashuroj se mënyrë tjetër nuk di
Po të them; ku jam unë s’ka jetë pa ty
Kaq ngjitur dora jote në faqen time, dora ime
Kaq ngjitur sytë e tu ku bie dhe fle
MËNGJESI
( Sonete dashurie XXVII )
Lakuriq ti je më e thjeshtë se një nga duart e tua
E ëmbël, tokësore, e imtë, e tejdukshme, hamgjitëse
Je dritë e hënës, shteg i mollës me lule
Lakuriq ti je më e hollë se kallëza e grurit
Lakuriq ti je më blu se një natë në Kubë
Ke verë dhe yje në flokët e tu
Lakuriq ti je hapësirë dhe e verdhë delikate
Si vera në një katedrale ari
Lakuriq ti je e imtë si një nga thonjte e tu
E lakuar, fine, e trëndafiltë, si agu që ende s’ka dalë
Në ag tërhiqesh dhe ti në botën e nëndheshme
Nëse në atë tunel te gjatë ka veshje e pasqyrlira
Dhe drita jote e pastër është ende e venitur, ti vishu,
Po një dorë do të zhveshë lakuriq përsëri
UNË NUK TË DASHUROJ PA E PËRJASHTUAR QË TË DASHUROJ
Unë nuk të dashuroj pa e përjashtuar që të dashuroj
E filloj nga dashuria për të mos të dashuruar
Nga pritja për të mos të pritur
Nga akulli te zjarri vdes dhe ngjallet zemra ime
Unë të dashuroj se je e vetmja që dashuroj
Unë të urrej si djalli dhe të urrej sërish
Të përulem dhe s’di si t’ia bëj me ndryshimet e dashurisë
Më vret kjo që nuk di, po ama të dashuroj verbërisht
Ndoshta drita e janarit mund ta ngrijë
Zemrën time mizorisht
Me rreze të gjejë çelësin dhe të më vjedhë qetësinë
Në këtë pjesë të historisë unë jam i vetmi që
Vdes, jam i vetmi që vdes nga dashuria sepse unë të dashuroj
Sepse unë të dashuroj me dashuri zjarri dhe gjaku.
KËNGA E DËSHPËRIMIT
E humbëm dhe këtë muzg
Askush nuk na pa të kapur për dore
Ndërsa nata binte e kaltër mbi botë
Unë kam parë nga dritarja
Diellin që perëndonte si një festë
Mbi majat e maleve të largët
Nganjëherë dielli digjej si monedhë
Në dorën time të hapur
Gjithmonë vuaj kur të kujtoj
Prej një trishtimi që më duket se e ndien dhe ti
Ku je?
Kush është ai tjetri me ty?
Pse s’flet?
E gjithë dashuria shembet mbi mua pa mëshirë
Sa herë jam i trishtuar dhe ti je larg prej meje
Libri më shket nga dora kur e mbyll në muzg
Dhe trikoja blu më fërkohet te këmbët si një qen i lënduar
Gjithmonë e më tepër ti largohesh nëpër ndajnatën blu
Drejt errësirës që zhduk statujat.
VDEKJA E NGADALSHME
Ai që nuk udhëton
ai që nuk lexon
ai që nuk dëgjon muzikë
ai që nuk e gjen bukurinë në shpirt, vdes ngadalë
Ai që nuk ka besim te vetja
ai që nuk i le të tjerët ta ndihmojnë
ai që e kalon kohën duke u ankuar për fatin e mbrapshtë
apo për shiun që fillon dhe s’mbaron kurrë, vdes ngadalë
Ai që bëhet rob i zakonit
ai që ndjek rutinën e përditshme
ai që ecën me po atë hap të zakonshëm
ai që nuk rrezikon dhe nuk ndryshon ngjyrën e veshjes së tij
ai që nuk flet dhe nuk përpiqet të fitojë përvojë, vdes ngadalë
Ai ose ajo që i rri larg pasionit
që pëlqen të zezën në të bardhë
që gjykon ftohtë dhe s’njeh emocionin
shtyp ndjenjën e fortë që i bën sytë të shkëlqejnë
i hapet goja për gjumë kur duhet të buzëqeshë
që nuk i rreh zemra prej gabimeve dhe ndjesive intime, vdes ngadalë
Ai ose ajo që nuk i bën gjërat rrëmujë
që nuk ndjen pakënaqësi në punë
që nuk rrezikon sigurinë për hir të pasigurisë
kur ndjek një ëndërr të bukur
që nuk heq dorë nga këshilla e arsyeshme, të paktën një herë në jetë, vdes ngadalë
Ai ose ajo që braktis një projekt përpara se ta fillojë
qe nuk bën pyetje për tema që s’i njeh
që nuk përgjigjet kur e pyesin për diçka që di, vdes ngadalë
Le ta shmangim vdekjen çdo ditë e nga pak
duhen përpjekje të mëdha për të mbetur gjallë
dhe kjo nuk është aq e thjeshtë sa një frymëmarrje
lumturia është një durim i gjatë
ÇDO DITË TI LUAN ME DRITËN E UNIVERSIT
Çdo ditë ti luan me dritën e universit
Puth lule dhe ujëra
Je më shumë se kjo kokë e bardhë që e mbaj
Midis duarve si një tufë me lule
Ti ke humbur që ditën kur u dashuruam
Më lejo të stolis me ty pemën e Krishtlindjes
Kush shkruan emrin tënd në letra prej tymi
Midis yjeve të jugut?
Oh, lejomë të kujtoj siç ishe përpara se të lindje.
Papritur era fryn me gjëmë në dritaren time
Qielli duket si një rrjetë e mbushur me peshq hije
Këtu vijnë e shkojnë erërat, prej të gjitha viseve
Dhe shiu zhvesh rrobat e tij
Dhe zogjtë vijnë e shkojnë diku
Era. Dhe era gjithashtu
Fillikat kam mbetur përballë marrëzisë njerëzore
Stuhia shkund me rropamë gjethet e errëta
Dhe i kthen poshtë të gjitha varkat që ishin ankoruar
Natën e fundit në qiell
Ti nuk ikën. Ti je këtu pranë meje. Këtu!
Ti do të më përgjigjesh për klithmën e fundit
Strukesh prej meje nga një frikë e çuditshme
Një hije kalon në sytë e tu dhe zhduket
Tani, në këtë çast, ti shfaqesh me një dorëzonjë në dorë
Aromën e saj kanë dhe gjinjtë e tu
Dhe ndërsa era trishtueshëm shkon duke masakruar fluturat
Lumturia ime kafshon kumbullën e gojës tënde;
Të dua!
Kushedi sa shumë dhembje ke ndjerë që të bëheshe e zakonshme për mua
Për shpirtin tim të egër, vetmitar
Për emrin tim që kudo përhapte emrin tënd
Sa herë kemi parë yllin e mëngjesit që digjej dhe shuhej
Në sytë tanë si puthje
Dhe dritën gri mbi kokat tona që kthehej në adhuruese
Fjalët e mia shkaktonin tek ty tronditje
Sa shumë e kam dashur
Nënën e diellit- perlën e trupit tënd
Gjersa besova se ti ishe universi.
Unë dua të sjell lumturinë e luleve të malit
Boronica, lajthi të egra, shporta fshatarësh të puthjeve
Unë dua të bëj me ty atë që bën pranvera me qershinë e bardhë dhe të kuqe.
ODE PËR NJË GRUA LAKURIQ QË TË MAGJEPS
Me zemrën e pastër që e mbaj në dorë
sytë
së pari të adhuroj
gjakut që tërbohet i vë fre
prej këtu fillojnë linjat drithëruese
si duke lulëzuar
të formave të tua
dhe ti shtrihesh në vargun tim
si në pyll, apo në suvalën me shkumë;
parfum i tokës
tingull i detit
Bukuri lakuriqe
këmbët e tua, kofshët
se pari i prek
zëri apo puhia e agut
Veshët e tu
predha të vogla
me spirale
që tërheqin gjithë shkëlqimin e oqeaneve
të Amerikës
dy gjinjtë e tu
të fryrë, të plotë, tundues
mbytur në një shkëlqim verbues
dhe krahët
gjithashtu
qepallat e tua pastaj
prej mëndafshi të misrit blu
që zbulojnë
apo fshehin
dy peizazhe të mistershëm të syve të tu.
Vija e shpinës
të ndan ëmbëlsisht
ajo bie ngadalë nga dëlirësia
te epshi që ngrihet mbi dy hemisfera
fërgëlluese
të një molle
pastaj hapet në dy shtylla
bukuria e lakuriqësisë tënde molisëse
prej ari të shkrirë, prej alabastri virgjin
dhe unë në dy kofshët e lëmuara
mendjen humb
se aty
pikërisht aty
ngrihet pema e dyfishtë dhe merr zjarr simetria;
lulja e zjarrit flakërin, qirinjtë përqark ndizen prej mishit
fruti i fryrë
i ngritur
mbi vijën rrëqethëse ku bashkohet toka me oqeanet e Amerikës
Kurmi yt, s’di prej çfarë substancash u krijua
agate, kuarc, kallinj gruri
që u mblodhën me duar, u mbrujtën,
u ngritën si buka
nga ngrohtësia
dhe u shfaqën kodrat e argjenduara
luginat prej hëne dhe petali
ëmbëlsia magjepsëse, aq velëse
me thellësi dhe butësi prej kadifeje
gjer në formën më të përkryer
të vijave dhe formave delikate
fine të gruas
dhe përsosmëria
fle e zgjohet aty.
Nuk bën kaq shume dritë në botë
kurmi yt
ajo i ngjan shkëlqimit verbues të borës
agonisë së saj kur shkrin
duket sikur ti digjesh nga brenda
Nën lëkurën tënde është e gjallë hëna.