Kreu Letërsi Bibliotekë “Pa strehë malli”, poezi nga Majlinda Rama

“Pa strehë malli”, poezi nga Majlinda Rama

Majlinda Rama

Skulpturë

Në shesh të botës ti digjesh fërfëllim,
diellit luftë i shpall me vështrim stoik,
kokat kthejnë teje, mbushur përdëllim,
shiun bën furtunë, furtunën – armik’.
Her’ si trup pa gjak, her’ si det i fjetur,
frymëmarrjes së natës ngarkon mirësit’,
herë në gjallëri, herë me zë të mekur,
kërcimtar’ të dhimbjes, befas të zënë prit’.
Bebëzave të syrit mbirë si sythe majesh
gdhendur ballin hënë, ti heshtje krenare,
bota hyn në ty, ti e zhveshur fajesh,
tek të mërmërisin: “Ç’bukuri vrastare!”
Herë merr forma femrash, trajta ajri merr
tek t’vrasin me zë, tek t’therin pa fjalë,
dhe të përgjërohen, dhe të bëhen terr,
ca thonë “Shën Mëri!”, ca thonë “E përdalë!”
Herë u bëhesh grua, herë shfaqesh hyjni,
përbuzjen-shigjet’-ngulur, brinj’ më brinj’,
i kaplon dëshirë, i zgjon në zili,
her’ të hedhin dimër, her’stinë përmbi stinë.
Enden muzikë lutjesh në çdo cepin tënd
dhe të nisin shira, dëborëra përmbi,
të puthin, të ndukin, me mend e pa mend,
dhe të veshin vello, dhe të vënë në zi.
Herë përflakesh qiellit, herë në rrapëllim’,
vështrime meskinësh puthin kurmin tënd,
herë bëhesh ciklon, herë ylber në zgjim
e prapë rri statujë në po të njëjtin vend.
Ja, kështu lufton, e gdhendur mermer,
herë del triumfale, herë helm e vrer,
në varr i shpie, të çojnë disa herë,
me miliarda shekuj, me ty, besë-e-prerë.
Nga zgavrat e syve i sheh përcëllimë,
kur në dritë i var, në kryq të mendojnë,
mbi ty ditët bien, të rënda pikërrimë,
herë i kryqëzon, herë të kryqëzojnë.

Natë

Dritat e qytetit hapen si kamare të ndezura,
thëngjij të kuqërremtë që feksin verbonjës,
por as na ngrohin, as na ndriçojnë plotësisht,
veç përplasen lehtas në një gëzof ere të tejdukshme.
Është era jonë.
Dhe hapet nata, dalëngadalë, e pafajshme,
e rëndë si perdja përpara shfaqjes premierë.
Tronditen mugëtirat, mantelet e agimeve, përgjakur, s’njihen, nata i mbështjellë.
Së lartmi, yjet purpur formojnë qytetin e tyre sfidant!
Qytet e qiell përndizen në terr.
Pothuajse zvarrë një muzikë sensuale rënkon e drobitur
dhe përshëndetet nga zërat tanë që klithshëm përplasin duart si shtrëngata pranvere.
Në çdo manastir të braktisur, murgjit varin-mozaikë në mur-qefinët e vdekjes
dhe qirinjtë digjen tinëz si shpirt vashe të dashuruar.
Një leckaman numëron muzgjet tek shqyen mëngët e pasanikëve
dhe me ngazëllim i bashkohet errësirës,
sytë i marrin ngjyrën e saj
deri te pika e kthesës, kur bashkë me harabelat
gëzon gjumin poshtë urës qindra milionëshe të kryeqytetit.
Pasmesnatë! Pllajat e buta marrin forma trupash njerëzorë-të heshtur deri te majat e thonjve,
nën mbretërinë e zisë lulëzojnë së brendshmi dhe u zgjohen të fshehtat, të ndaluarat, të frikshmet.
Edhe patat e egra që zhurmojnë, kanë fjetur si çdo herë në këtë orë,
shpezët e tjera janë strukur herët nëpër strofullat e tyre…
perandoritë humane, bien pabesisht,
megjithëse ndërtuar mbi drurë hinoki…
Bie gongu!
Zhytur mallëngjimeve,
njerëzia kumbon si zë i shkretë mes malesh
dhe ashti u çahet si det i terur
dhe shohin njëri – tjetrin të zverdhur në fytyrë
dhe nisen…
Shtegtimi dhemb po aq sa qëndrimi!

Eros

Natë erosi në shtratin tonë
trupat tanë lakuriq hyrë te njëri – tjetri
dhe s’na depërton as koha, as errësira
nata, jo se jo.
Unë nis të fluturoj përmes gojës sate,
drejt hapësirave të tua,
aty brenda kthehem në zanafillë
dhe bëhem gati për rrugën e këtij çasti,
ti rrëshqet kofshëve të mia të marrësh fuqi burri …
Të pashqetësuar nisim startet tona drejt qyteteve brenda nesh,
dritare më dritare vendosim nga një flatër-puthje.
Në fillim trupi yt prej mali bëhet njësh me brishtësinë time
dhe çmendem…
dhe marr trajtën tënde.
Pastaj, më fton të hyj në ty
dhe ky trup i vogël gruaje
hyn në burrin e pritur prej shekujsh
dhe bëhemi njësh
dhe ti çmendesh…
Dhe vuajmë paqësisht,
gjakrat nisin harbimin e bashkohen nëpër vena
pastaj lëkurët tona lëvizin vendit
prej epshit, prej afshit, prej nxehtësisë, prej alkimisë së zjarrit…
dhe skuqemi
dhe digjemi
dhe ti rritesh
(dhe unë bëhem edhe më shumë TI)
Dhe s’dimë çfarë është jotja e çfarë imja
vetëm e bardha e çarçafëve na ndan sinorët sipërfaqësisht
çdo gjë tjetër na bën bashkë
dhe nëpër natë thurim himne dashurie
të pafundme
deri në përjetësi!

Pavarësisht të gjithave

Pavarësisht të gjithave,
e kam ditur
që, nëpër shtegun e ballit njerëzor, kalojnë mijëra ditë të hedhura dëm,
e kam ditur që, në sytë e qenies, trokasin dhjetra ylbere mjegullash,
që, në fustanet e nuseve të reja, vulosen mjerisht mbresa e kënaqësi burrash çfarëdo,
e kam ditur
që mirësia mbetet qëllim i dështuar i çdo mbrëmjeje
dhe hënë e përjetshme rëndon plumb mbi shpinë
si gjëmimi.
Mbi qepallat e njerëzve lexohen peizazhe të ngrira ëndrrash, pastaj edhe erërat që bien aromë qumështi gjinjsh
e portokajsh të kalbur,
mbirë nga tokë beronjë.

Dhe ti sheh si thinjen kohët, si plakat e bulevardeve barbare,
zhvishen si vajza të përdala rrugësh,
dhe fati i tyre në kryqëzim
të pëshpërit në vesh
“kohët janë stuhi, stuhi dhe ikje”.
Pastaj, çdo ditë, sheh si përçahen bukuritë,
himnet mortore këndohen në çelje dasmash
mbrëmjeve u shkulet nga një dimër motak
dhe çdo nate i varet nga një nuskë
për ardhje të mbarë të së nesërmes…
Pastaj sheh pikëla, hënëza, yje të veçuar,
tek hidhen, palohen, rrëshqasin, zgjaten qiell pas qielli
dhe shpresa rritet si lastar
e bota e vërvit në hiç.
Pavarësisht këtyre,
janarët vijojnë të zvarriten shpresëmëdhenj drejt dhjetorëve,
derisa fiken,
polet e fshat-qytet-shteteve bashkohen
dhe gjithë bota mblidhet në një pikëz.
Dhe njeriu i pjek me sy,
të gjitha,
dhe s’bëzan
as kur mbi gërmadha pikojnë,
çdo çast,
pinjollë tufanesh
fëmijë stuhish, syferinash,
stinë të ngrira, acare shpirtrash
endacakë pa strehë malli.
Të pambrojtur shohim
kobin e madh që vrapon mbi njerëz,
mbi ndërtesa, mbi rrugë, mbi makina, mbi lodra,
mbi mite, mbi gjëra të shenjta
dhe gjithçka lëngon
mbi jehona
që shpërthejnë nga gojë qytetesh fatale.

Më vonë mësova ç’nuk dija,
mësova shtegun misterioz të grave
prej nga ku kalonin burrat për dorëzimin e shpirtit…
E zbulova nga vinte vdekja…

Kambanat u fikën

I.

Kështu na vijnë të tashmet,
si kohë centrifugale,
ndonjëherë edhe si rëndesa mbi re,
pastaj,
edhe si kohë e çmendur që shndërrohet në moral,
moral që rrjedh si përrua i ndotur…
Ashtu ecin të tashmet,
gjersa mes syve
na shtrihen mijëra kilometra me mëkate.
Xhaketat na bëhen dhembje për trupi
e dhembjet nuk flenë ngrohtë
dhe dridhemi
dhe heronjtë na bërtasin nga vite të thella,
dhe njerëzia thinjet çdo ditë…
e sytë e kokës i mban mbyllur,
si dy zgavra historish të vulosura përjetë.

II.

Dhe nata hesht nëpër damarët e kombit,
moteve u dalin rrënjët bashkë me hiret e tyre prej ideali,
tani era pret shpatë,
si erë e panjohur.

III.

Autokolona mendimesh
shtyjnë e pështyjnë botën.
Dhe vetëm kaq.
Pastaj heshtja merr kohën e vet,
merr kohën e vet
dhe i jep emrin e saj
dhe drita kërcet
dhe hëna thyhet
dhe njeriu ha njerinë,
hundë për hundë.

IV.

Kambanoret u fikën
qysh me fikjen e diellit të parë…
Ajri la shpirtin në kaos,
pastaj u përkund bashkë me të
dhe u ngjitën në shtyllën e nderit,
për të parën herë,
për të fundit herë,
për të përjetshmen herë.
Variacion jete shëmbëllen e gjitha kjo,
me ca koka muzgjesh
që llampat mbi ballë i mbajnë fikur,
gjithashtu.

V.

Dhe kryqëzimet e rrugëve harbojnë,
zgjohen e kokolepsen si të zëna rob,
dhe toka shtrembërohet nën këmbë grumbujsh…
Netëve vonë shpërthen muzika, seksi, dehja,
ndarja e bashkimi i botëve të vogla,
pastaj edhe bashkimi i trupave, ndjenjave,
mendjeve, vrasjeve, hijeve,
bashkohen-e-ndahen-
e-ngjiten-e-ngjizen-
e-ekzekutohen-ceremoniale.
Deri në zbulimin e rrugës së re
hahen, hënë për hënë.

Pranvera të vrara

Nuk është koha për asgjë,
për urrejtje, jo se jo.
Koha është të pastrojmë qiejt dhe veten
dhe pranverave t’u heqim ritet famëkeqe
të kosisim veset e trashëguara
dhe ta hamë në besë
dëshirën për liri të skajshme.
Është koha të vjelim motet e shenjta,
të mbërthejmë prej brinjësh malet
e të mos bëzajmë një çast,
një çast, aq sa ta çlirojmë dashurinë prej vetes.
Tani le të ndjellim ikjet, vjeshtat,
të stacionojmë trenat e malleve
e të fshijmë fermanet shekullore
që na sjellin lajme profetike.
Eja ti, bashkëkohës,
bashkë me ninullat e fëmijërisë varur nëpër kurora!
Mirë bën të vish e t’i stolisësh marset tona hyjnore ikur pa prekur,
bashkë t’i mbushim hejbet me shpresa, fluturime e ëndrra
e netëve të ciklonit t’u varim filiza të rinj,
se marset po na bëhen dhimbje
tek vijnë, kërrusen nga rëndesa e trishtimit.
Gjunjëzuar marsi ynë,
mars fluturues;
askush nuk guxon ta prek me dorë
tek, veshur në të bardha (jo)nusesh
pushtohet thellësisht gongut të vdekjes
dhe ecën
dhe krojet e burimet i zbrazen pabesisht,
altar më altar.
Muaj mes heshtash,
qesh se nuk është turp t’i gëzohesh shpresës së re!

Ç’të jem pa ty?

Në fillim ishe ti,
pastaj më shpike nga ajri (sa për vete)
…por kur moti i bashkimit spërkaste ndarjen
ti u trembe
dhe guximshëm hyre në frikën time
dhe u struke
u struke me krenari të ligjshme burri
dhe eshtrat tona u ndërdyshën
për t’u bërë strehëza të njëri – tjetrit
e m’u përzieve në gjak,
në trup e mish m’u bëre erë juge,
në hijet që na fali dielli i gurit
vendose kohët tona
kohë mbi kohë,
flladitëse ato,
si dhimbjet e lamtumirave
pastaj,
ofshamat
m’i mbërtheve gozhdë në kryq të dritës…
se ti e sheh edhe vetë
ka përmallim mes nesh,
ka puthje të pashpallura…
por,
ti vazhdo të rrish aty nëpër damarë të ethshëm gruaje
sigurisht unë do ta ruaj strukjen tënde
sa kohë ti ngrohesh në zjarrin tim
…dhe ki mendjen
se zjarret nuk zgjasin
e ndoshta do ndjesh nevojën të vraposh pas një tjetër flake

E mos harro,
se ti je ajri e unë prej ajri
nëse ti humbesh a përhumbesh,
unë humb
se ti je lënda,
ç’të jem pa ty…

“Edhe një dashuri e vogël është gjithçka”

Ti më the që i besoje heshtjes më shumë se fjalës,
që vështrimeve u besoje si sytë e ballit
dhe më pe ngulmueshëm,
sikur më ngrite ndër hapësira me atë vështrim të përskuqur
pastaj heshte siç ti dije…
dhe nëpër kohën që na rri pezull në mes
rrokullisje ndonjë dashuri vocërrake
pastaj, ashtu edhe ndonjë fjalë kërthij të pazonjën as për vete
fjalë që mezi mbahen në këmbë…
e kur afrohem të të mbaj ndër buzë
ti tërhiqesh në zguarin tënd prej të urituri narcist…
ti e di që s’mund të duan të gjithë,
s’mund të duan…
sepse s’munden…
sepse dashuria kërkon ballë të gjerë që valon burrë të madh…
Ti vazhdon të më thuash që heshtjes i zë besë më shumë se fjalës.
Gjethet e dhjetorit s’mund të qëndrojnë në pemë
ato bien
herë mbi duar,
herë mbi koka,
herë bëhen ara me pritje e bien furtuna mbi shpatulla të pamësuara…
Të pash në ëndërr sot…
nganjëherë të njoh,
të njoh,
dhe kur të njoh, të dua gjer në asht,
pastaj, puhiza e ditëve të mbyt, të vë përpara
e ti s’njihesh më,
nuk njihesh,
nëse je furtuna që më shkallmon brinjët
prej zemrës që shpërthen
a je pluhur i sajuar nga histori princërish antikë…

Exit mobile version